Add parallel Print Page Options

Në vitin e shtatë, në muajin e gjashtë, më pesë të muajit, ndodhi që, ndërsa isha ulur në shtëpinë time dhe pleqtë e Judës ishin ulur përballë meje, dora e Zotit, Zotit, ra në atë vend mbi mua.

Unë shikova, dhe ja, një figurë njeriu me pamje zjarri; nga sa i përngjanin ijët e tij nga poshtë dukeshin prej zjarri, dhe nga sa i përngjanin ijët e tij lart dukeshin të shkëlqyera si ngjyra e bronzit inkandeshent.

Ai shtriu një formë dore dhe më kapi nga një tufë e flokëve të mi, dhe Fryma më ngriti midis tokës dhe qiellit dhe më çoi në vegime të Perëndisë në Jeruzalem, në hyrje të portës së brendëshme që shikon nga veriu, ku ndodhej idhulli i xhelozisë, që shkakton xhelozinë.

Dhe ja, atje ndodhej lavdia e Perëndisë të Izraelit, e ngjashme me vegimin që kisha parë në fushë.

Pastaj ai më tha: "Bir njeriu, ço tani sytë e tu në drejtim të veriut". Kështu i ngrita sytë drejt veriut dhe ja, në veri të portës së altarit, pikërisht në hyrje, ishte idhulli i xhelozisë.

Dhe ai më tha: "Bir njeriu, shikon atë që bëjnë këta, veprimet e rënda të neveritshme që kryen këtu shtëpia e Izraelit dhe që më bëjnë të largohem nga shenjtërorja ime? Por ti do të shikosh veprime edhe më të rënda të neveritshme".

Kështu ai më çoi në hyrjen e oborrit. Unë shikova dhe ja, një vrimë në mur.

Atëherë ai më tha: "Bir njeriu, bëj një vrimë në mur". Kështu bëra një vrimë në mur, dhe ja, një hapje.

Ai më tha: "Hyr dhe shiko gjërat e neveritshme që këta po kryejnë këtu".

10 Kështu hyra për të parë, dhe ja, lloj lloj rrëshqanorë dhe kafshë të neveritshme si dhe tërë idhujt e shtëpisë së Izraelit të riprodhuara rreth e rrotull mbi mur.

11 Dhe para tyre rrinin shtatëdhjetë burra nga pleqtë e shtëpisë së Izraelit, dhe në mes tyre ishte Jaazaniahu, biri i Shafanit, secili me temjanicën e vet prej së cilës dilte një re e dendur temjani.

12 Pastaj më tha: "Bir njeriu, a ke parë atë që bëjnë pleqtë e shtëpisë së Izraelit në errësirë, secili në dhomën e figurave të tij? Në fakt thonë: Zoti nuk na shikon, Zoti e ka braktisur vendinn"".

13 Pastaj më tha: "Ti do të shikosh gjëra edhe më të neveritshme që ata po kryejnë".

14 Atëherë më çoi në hyrjen e portës së shtëpisë të Zotit, që është nga veriu; dhe ja, atje ishin ulur gra që qanin Tamuzin.

15 Pastaj më tha: "A e pe, bir njeriu? Ti do të shikosh gjëra edhe më të neveritshme nga këto".

16 Atëherë më çoi në oborrin e brendshëm të shtëpisë të Zotit; dhe ja, në hyrje të tempullit të Zotit, midis portikut dhe altarit, ishin rreth njëzetepesë burra, me kurriz të kthyer nga tempulli i Zotit dhe fytyrë të kthyer nga lindja, që adhuronin diellin nga lindja.

17 Pastaj më tha: "A e pe, bir njeriu? A është vallë një gjë e vogël për shtëpinë e Judës të kryejë gjërat e neveritshme që ajo bën këtu? Në fakt ata e kanë mbushur vendin me dhunë dhe kanë provokuar disa herë zemërimin tim. Dhe ja, e çojnë degën te hunda.

18 Prandaj edhe unë do të veproj me tërbim; syri im nuk do të ketë asnjë dhembshuri dhe nuk do të kem mëshirë fare. Edhe sikur të çojnë britma të larta veshëve të mi, unë nuk do t’i dëgjoj".

Pastaj bërtiti me zë të lartë në veshët e mi, duke thënë: "Të afrohen ata që do të ndëshkojnë qytetin, secili me armën e tij të shkatërrimit në dorë".

Dhe ja ku erdhën nga drejtimi i portës së sipërme që shikon nga veriu gjashtë burra, secili me armën e tij të shfarosjes në dorë. Në mes tyre ishte një burrë me rroba prej liri, që kishte një kallamar shkruesi prej briri në krah. Me të arritur, ata u ndalën pranë altarit prej bronzi.

Atëherë lavdia e Perëndisë të Izraelit u ngrit nga kerubini mbi të cilin rrinte, dhe u drejtua nga pragu i tempullit. Ajo thirri njeriun e veshur me rroba liri, që kishte kallamarin prej briri të shkruesit në krah,

dhe Zoti tha: "Kalo në mes të qytetit, në mes të Jeruzalemit, dhe bëj një shenjë mbi ballin e njerëzve që psherëtijnë dhe vajtojnë për të gjitha gjërat që kryhen në mes tij".

Dhe të tjerëve u tha, në mënyrë që unë ta dëgjoja: "Kaloni nëpër qytet pas tij dhe goditni; syrit tuaj të mos i vijë keq dhe mos kini mëshirë aspak.

Vritni deri në shfarosje pleq, të rinj, virgjiresha, fëmijë dhe gra, por mos u afroni asnjerit mbi të cilin është shenja; filloni nga shenjtërorja ime". Kështu ata filluan me pleqtë që ishin para tempullit.

Pastaj u tha atyre: "Ndotni tempullin dhe mbushni oborret me të vrarë. Dilni!". Atëherë ata dolën dhe bënë kërdinë në qytet.

Ndërsa ata po bënin kërdi dhe unë kisha mbetur vetëm, rashë me fytyrë dhe bërtita, duke thënë: "Oh, Zot, Zot, a do ta shkatërrosh ti tërë mbetjen e Izraelit, duke e zbrazur tërbimin tënd mbi Jeruzalemin?".

Ai m’u përgjigj: "Paudhësia e shtëpisë së Izraelit dhe asaj të Judës është jashtëzakonisht e madhe; vendi është plot gjak dhe qyteti plot me korrupsion. Në fakt thonë: "Zoti e ka braktisur vendin, Zoti nuk shikon".

10 Prandaj edhe syrit tim nuk do t’i vijë keq dhe nuk do të kem aspak mëshirë, por do të bëj që t’u bjerë mbi kokë sjellja e tyre".

11 Dhe ja, njeriu i veshur me rroba liri, që kishte një kallamar prej briri si shkrues në krah, bëri raportimin e tij, duke thënë: "Veprova ashtu si më urdhërove".

10 Unë po shikoja dhe ja, mbi kupën qiellore që ishte mbi kryet e kerubinëve, dukej mbi ta një si gur safiri që i përngjante nga forma një froni.

Zoti i foli pastaj njeriut të veshur me rroba liri dhe i tha: "Shko midis rrotave poshtë kerubinit, mbushi duart me qymyr të ndezur që është midis kerubinëve dhe përhapi mbi qytetin". Dhe ai shkoi, ndërsa unë shikoja.

Kur hyri ai njeri, kerubinët rrinin në të djathtë të tempullit dhe reja mbushte oborrin e brendshëm.

Pastaj lavdia e Zotit u ngrit mbi kerubinin duke lëvizur drejt pragut të tempullit; atëherë tempulli u mbush me renë dhe oborri u mbush me shkëlqimin e lavdisë të Zotit.

Zhurma e krahëve të kerubinëve u dëgjua deri në oborrin e jashtëm, ashtu si zëri i Perëndisë të plotfuqishëm kur flet.

Kur Zoti e urdhëroi njeriun e veshur me rroba liri, duke thënë: "Merr zjarrin midis rrotave që ndodhen ndër kerubinë," ai shkoi të ndalet pranë një rrote.

Atëherë një kerubin shtriu dorën midis kerubinëve drejt zjarrit që ishte mes tyre, e mori dhe e vuri në duart e njeriut të veshur me rroba liri, që e pranoi dhe doli.

Kerubinët dukeshin sikur kishin formën e dorës së njeriut poshtë krahëve.

Shikova akoma dhe ja, në krah të kerubinëve kishte katër rrota, një rrotë përbri çdo kerubini dhe një rrotë tjetër për çdo kerubin tjetër; rrotat kishin pamjen e një guri të topazit.

10 Dukej sikur që të katra kishin po atë formë, sikur një rrotë të ishte në mes të tjetrës.

11 Kur lëviznin, shkonin nga një prej katër drejtimeve të tyre dhe, duke shkuar, nuk silleshin, por ndiqnin drejtimin që kishte marrë koka e tyre dhe, duke shkuar, nuk silleshin.

12 Tërë trupi i tyre, kurrizi i tyre, duart e tyre, krahët e tyre ishin plot me sy rreth e qark, po, edhe vetë rrotat që kishin të katër.

13 Unë dëgjova që rrotat quheshin "Turbina".

14 Çdo kerubin kishte katër fytyra; fytyra e parë ishte fytyra e kerubinit, fytyra e dytë ishte fytyra e njeriut, fytyra e tretë fytyra e luanit dhe fytyra e katërt ajo e shqiponjës.

15 Pastaj kerubinët u ngritën. Ata ishin po ato qenie të gjalla që kisha parë pranë lumit Kebar.

16 Kur kerubinët lëviznin, edhe rrotat lëviznin nga ana e tyre; dhe kur kerubinët hapnin fletët për t’u ngritur nga toka, rrotat nuk largoheshin nga krahu i tyre.

17 Kur ata ndaleshin, ndaleshin edhe ato; kur ata ngriheshin, ngriheshin edhe ato bashkë me ta, sepse fryma e qënieve të gjalla ishte ndër ta.

18 Lavdia e Zotit u largua pastaj nga pragu i tempullit dhe u ndal te kerubinët.

19 Pastaj kerubinët i hapën krahët e tyre dhe u ngritën nga toka para syve të mi; ndërsa po largoheshin edhe rrotat ishin pranë tyre. U ndalën pastaj te hyrja e portës që shikonte nga lindja e shtëpisë të Zotit, ndërsa lavdia e Perëndisë të Izraelit qëndronte lart mbi ta.

20 Ishin po ato qenie të gjalla që kisha parë nën Perëndinë e Izraelit pranë lumit Kebar dhe njoha që ishin kerubinë.

21 Secili prej tyre kishte katër fytyra, secili katër krahë dhe poshtë krahëve të tyre dilte forma e dorës së njeriut.

22 Sa për pamjen e fytyrave të tyre, ishin po ato fytyra që kisha parë pranë lumit Kebar; ishin po ato shëmbëlltyra dhe po ata kerubinë. Secili shkonte drejt para tij.

13 Dashuria vëllazërore le të mbetet.

Mos harroni mikpritjen, sepse disa duke e praktikuar e priten pa ditur engjëj!

Kujtoni të burgosurit si të ishit të lidhur bashkë me ta, dhe ata që keqtrajtohen, sepse edhe ju vetë jeni në trup.

Martesa të nderohet nga të gjithë dhe shtrati martesor i papërlyer, sepse Perëndia do të gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit.

Sjellja juaj të jetë pa lakmi paraje dhe kënaquni me atë që keni, sepse vetë Perëndia ka thënë: “Nuk do të të lë, nuk do të të braktis.”

Kështu mund të themi, me plot besim: “Perëndia është ndihmuesi im dhe unë nuk do të kem frikë; ç’do të më bëjë njeriu?.”

Kujtoni të parët tuaj, që ju shpallën fjalën e Perëndisë dhe, duke çmuar rezultatin e sjelljes së tyre, merrni si shembull besimin e tyre.

Krishti është i njëjtë dje, sot e përjetë.

Mos e lëshoni veten aty e këtu prej doktrinah të ndryshme dhe të huaja, sepse është mirë që zemra juaj të forcohet me anë të hirit dhe jo prej ushqimit, të cilat nuk u dhanë asnjë dobi atyre aq sa ecën.

10 Ne kemi një altar prej të cilit nuk kanë të drejtë të hanë ata që i shërbejnë tabernakullit.

11 Sepse trupat e atyre kafshëve, gjaku i të cilave është sjellë prej kryepriftit në shenjtëroren për mëkatin, digjen jashtë fushës.

12 Prandaj edhe Jezusi, për të shenjtëruar popullin me gjakun e vet, pësoi jashtë derës (së qytetit)

13 Le të dalim, pra, drejt tij jashtë fushës, duke bartur poshtërimin e tij.

14 Sepse nuk kemi këtu qytet të përhershëm, por kërkojmë atë që ka për të ardhur.

15 Me anë të tij, pra, le t’i ofrojmë vazhdimisht Perëndisë një flijim lavdie, domethënë frytin e buzëve që rrëfejnë emrin e tij.

16 Dhe mos harroni bamirësinë dhe t’u jepni ndihmë të tjerëve, sepse Perëndisë i pëlqejnë flijime të tilla.

17 Dëgjoni të parët tuaj dhe nënshtrohuni atyre, sepse ata rrijnë zgjuar për shpirtërat tuaj, si ata që duhet të japin llogari; që ta bëjnë këtë me gëzim dhe jo me psheretima, sepse kjo nuk do t’ju sillte dobi.

18 Lutuni për ne, sepse ne besojmë se kemi ndërgjegje të mirë, duke dashur të sillemi mirë në çdo gjë.

19 Dhe ju bëj thirrje edhe më shumë ta bëni këtë, që unë të kthehem te ju sa më parë.

20 Dhe Perëndia e paqes, që e ngriti nga të vdekurit, me anë të gjakut të Besëlidhjes së amshuar, Bariun e madh të dhënve, Perëndinë tonë Jezu Krisht,

21 ju bëftë të përsosur për çdo vepër të mirë, që të kryeni vullnetin e tij, duke punuar te ju atë që është e pëlqyer përpara tij, me anë të Jezu Krishtit, të cilit i qoftë lavdi në shekuj të shekujve. Amen.

22 Dhe ju lutem, o vëllezër, ta mbani këtë fjalë këshillimi, sepse ju shkrova shkurt.

23 Ta dini se vëllai Timoteu u lirua nga burgu. Nëse mbërrin së shpejti, unë do të vij te ju bashkë me të.

24 Përshëndetni të gjithë të parët tuaj dhe gjithë shenjtorët! Ju përshëndesin ata të Italisë.

25 Hiri qoftë mbi ju të gjithë! Amen.