Add parallel Print Page Options

24 Fjala e Zotit m’u drjetua vitin e nëntë, muajin e dhjetë, ditën e dhjetë të muajit:

"Bir njeriu, shkruaje datën e sotme, pikërisht të kësaj dite. Mbreti i Babilonisë ka vendosur të rrethojë Jeruzalemin pikërisht sot.

Propozoji një shëmbëlltyrë kësaj shtëpie rebele dhe u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Nxirre tenxheren, vëre mbi të dhe mbushe me ujë.

Fut në të copat e mishit, gjithë copat e mira, kofshën dhe shpatullën; mbushe me kocka të zgjedhura.

Merr më të mirën e kopesë, pastaj grumbullo nën të dru; vëre të ziejë fort, me qëllim që në të të ziejnë edhe kockat".

Prandaj, kështu thotë Zoti, Zoti: "Mjerë qyteti gjakatar, tenxheres ku ka papastërti, papastërti që nuk hiqet. Zbraze pjesë pjesë pa hedhur short mbi të.

Sepse gjaku i tij është në mes të tij; e ka vënë në majë të një shkëmbi, nuk e ka shkapërderdhur për tokë për ta mbuluar me pluhur.

Për të nxitur tërbimin, për t’u hakmarrë, ka vënë gjakun e tij në majë të një shkëmbi, që të mos mbulohet".

Prandaj, kështu thotë Zoti, Zoti: "Mjerë qyteti gjakatar! Edhe unë do të ndez një zjarr të madh.

10 Mblidh drutë, ndiz zjarrin, piqe mirë mishin, përziej beharnat dhe lëri kockat të digjen.

11 Pastaj vëre tenxheren bosh mbi qymyr, që të ngrohet dhe bronzi i saj të skuqet me qëllim që papastërtia e saj të hiqet nga mesi i saj dhe pisllëku i saj të konsumohet.

12 Ai më ka lodhur me gënjeshtrat e tij; pisllëku i madh i tij nuk po hiqet; pisllëku i tij do të marrë fund mbi zjarrin.

13 Ka shthurje në papastërtinë tënde. Unë, pra, kërkova të të pastroj, por ti nuk je i pastër; nuk do të pastrohesh më nga papastërtia jote, deri sa të mos kem shfryrë mbi ty tërbimin tim.

14 Unë, Zoti, fola; kjo gjë do të ndodhë, unë do ta kryej; nuk do të prapsem, nuk do të kem mëshirë, nuk do të pendohem. Ti do të gjykohesh sipas sjelljes tënde dhe sipas veprimeve e tua, thotë Zoti, Zoti".

15 Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:

16 "Bir njeriu, ja, unë do të të heq me një goditje të vetme kënaqësinë e syve të tu; por ti mos u trishto, mos vajto dhe mos derdh asnjë lot.

17 Vajto në heshtje, mos mbaj zi për të vdekurit, lidhe kokën me çallmë, mbath sandalet, mos e mbulo mjekrën dhe mos ha bukën e njerëzve që mbajnë zi".

18 Në mëngjes i fola popullit dhe në mbrëmje më vdiq gruaja; të nesërmen në mëngjes veprova ashtu si më kishin urdhëruar.

19 Populli atëherë më pyeti: "A do të na shpjegosh ç’kuptim ka për ne ajo që ti bën?".

20 Unë u përgjigja: "Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:

21 I thuaj shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë do të përdhos shenjtëroren time, krenarinë e forcës suaj, kënaqësinë e syve tuaj, kënaqësinë e shpirtit tuaj; dhe bijtë tuaj dhe bijat tuaja që keni lënë do të rrëzohen nga shpata.

22 Dhe ju do të bëni ashtu si bëra unë: nuk do ta mbuloni mjekrën dhe nuk do të hani bukën e njerëzve që mbajnë zi.

23 Do të keni mbi kokë çallmat tuaja, sandalet tuaja te këmbët; nuk do të trishtoheni dhe nuk do të qani, por do ta hani veten për paudhësitë tuaja dhe do të vajtoni njeri me tjetrin.

24 Kështu Ezekieli do të jetë për ju një shenjë; ju do të veproni për çdo gjë ashtu si veproi ai. Kur do të ndodhin këto gjëra, do të pranoni se unë jam Zoti, Zoti.

25 Dhe ti, bir njeriu, ditën që atyre do t’u marr fortesën e tyre, gëzimin e lavdisë së tyre, kënaqësinë e syve të tyre, lakminë e shpirtit të tyre, bijtë e tyre dhe bijat e tyre,

26 atë ditë një ikanak do të vijë te ti që të të sjellë lajmin.

27 Atë ditë ti do të hapësh gojën me ikanakun; atëherë ti do të flasësh dhe nuk do të jesh më memec, dhe do të jesh një shenjë për ta. Atëherë do të pranojnë se unë jam Zoti".

25 Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:

"Bir njeriu, kthe fytyrën drejt bijve të Amonit dhe profetizo kundër tyre.

U thuaj bijve të Amonit: Dëgjoni fjalën e Zotit, të Zotit: Kështu thotë Zoti, Zoti: Duke qenë se ti the: "Ah, Ah," kundër shenjtërores sime kur ajo u përdhos, kundër vendit të Izraelit kur ai u shkretua dhe kundër shtëpisë së Judës kur ajo shkoi në robëri,

prandaj ja, unë po të jap në dorë të bijve të lindjes, dhe ata do të ngrejnë fushimet e tyre në mesin tënd dhe në mesin tënd do të ngrenë vendbanimet e tyre; ata do të hanë frytet e tua dhe do të pijnë qumështin tënd.

Unë do ta bëj Rabahun një vathë për devetë dhe vendin e bijve të Amonit një vathë për dhëntë; atëherë ti do të pranosh se unë jam Zoti".

Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Duke qenë se ti ke rrahur duart, ke rrahur këmbët dhe je gëzuar në zemër me gjithë përçmimin tënd për vendin e Izraelit;

prandaj ja, unë po shtrij dorën time kundër teje dhe do të të jap si plaçkë të kombeve, do të të shfaros nga popujt dhe do të të bëj të zhdukesh nga rendi i vendeve; do të të shkatërroj, kështu do të pranosh që unë jam Zoti".

Kështu thotë Zoti, Zoti: "Duke qenë se Moabi dhe Seiri thonë: "Ja, shtëpia e Judës është si të gjitha kombet e tjera,"

prandaj ja, unë do të hap krahun e Moabit nga ana e qyteteve, nga ana e qyteteve që janë në kufijtë e tij, lulja e vendit, Beth-Jeshimothi, Baalmeoni dhe Kiriathaimi.

10 Do ta jap pastaj në zotërim të bijve të lindjes, bashkë me bijtë e Amonit, me qëllim që bijtë e Amonit të mos kujtohen më midis kombeve.

11 Kështu do të zbatoj gjykimet e mia mbi Moabin, dhe ata do të pranojnë që unë jam Zoti".

12 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Për atë që ka bërë Edomi duke marrë hak kundër shtëpisë së Judës, dhe sepse u bë shumë fajtor duke u hakmarrë kundër saj,"

13 kështu thotë Zoti, Zoti: "Unë do të shtrij dorën time kundër Edomit, do të shfaros njerëz dhe kafshë dhe do ta shkretoj; nga Themani deri në Dedan dhe do të bien nga shpata.

14 Do ta kryej hakmarrjen time kundër Edomit me anën e popullit tim të Izraelit, që do të trajtojë Edomin sipas zemërimit tim dhe sipas tërbimit tim; kështu ata do të njohin hakmarrjen time," thotë Zoti, Zoti.

15 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Duke qenë se Filistejtë kanë qenë hakmarrës dhe kanë kryer hakmarrje me zemër plot përçmim për të shkatërruar, të shtyrë nga një armiqësi e vjetër,"

16 prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë do ta shtrij dorën time kundër Filistejve, do të shfaros Kerethejtë dhe do të shkatërroj kusurin e bregut të detit.

17 Do të kryej kundër tyre një hakmarrje të madhe me ndëshkime të rënda; dhe do të pranojnë që unë jam Zoti, kur do të kryej kundër tyre hakmarrjen time".

26 Ndodhi në vitin e njëmbëdhjetë, ditën e parë të muajit, që fjala e Zotit m’u drejtua duke thënë:

"Bir njeriu, duke qenë se Tiro ka folur kundër Jeruzalemit: "Ah, Ah! Porta e popujve është thyer, ajo është drejtuar nga unë; unë do të mbushem tani që ajo është prishur"".

Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë jam kundër teje, o Tiro. Do të bëj të ngrihen kundër teje shumë kombe, ashtu si deti bën të ngrihen valët e tij.

Ata do të shkatërrojnë muret e Tiros dhe do të shembin kullat e tij; do të fshij prej tij edhe pluhurin e tij dhe do ta bëj si një shkëmb të zhveshur.

Ai do të jetë një vend për të hedhur rrjetat në mes të detit, sepse unë fola," thotë Zoti, Zoti; "do të plaçkitet nga kombet;

edhe bijat e tij që janë në fshat do të vriten nga shpata; atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti".

Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë sjell nga veriu kundër Tiros Nebukadnetsarin, mbretin e Babilonisë, mbretin e mbretërve, me kuaj, me qerre, me kalorës dhe një shumicë të madhe njerëzish.

Ai do të vrasë me shpatë bijat e tua që janë në fshat, do të ngrejë kundër teje kulla, do të ndërtojë kundër teje një ledh dhe do të ngrejë kundër teje një çati mburojash.

Do të drejtojë kundër mureve të tua deshtë e tij dhe do të rrëzojë kullat e tua me kazmat e tij.

10 Për shkak të morisë së kuajve të tij do të mbulohesh nga pluhuri i tyre; muret e tua do të dridhen nga zhurma e kalorësve, të rrotave dhe të qerreve, kur të hyjë nëpër portat e tua, ashtu siç hyhet në një qytet nëpër të cilin është hapur një e çarë.

11 Me këmbët e kuajve të tij do të shkelë tërë rrugët e tua, do të vrasë popullin tënd me shpatë dhe shtyllat e tua të fuqishme do të rrëzohen.

12 Do të grabitin pasuritë e tua, do të plaçkitin mallrat e tua, do të rrëzojnë muret e tua, do të shkatërrojnë shtëpitë e tua të bukura, do të hedhin në mes të ujit gurët e tua, drurin tënd dhe tokën tënde.

13 Do të bëj të pushojë zhurma e këngëve të tua dhe zëri i harpave të tua nuk do të dëgjohet më.

14 Do të të bëj si një shkëmb të zhveshur; do të jesh një vend për të nderur rrjetat; nuk do të rindërtohesh më, sepse unë, Zoti, fola, thotë Zoti, Zoti".

15 Kështu i thotë Zoti, Zoti, Tiros: "Në zhurmën e rënies sate, në rënkimin e të plagosurve për vdekje, në kërdinë që do të bëhet në mes teje, a nuk do të dridhen vallë ishujt?

16 Atëherë princat e detit do të zbresin nga fronet e tyre, do të heqin mantelet e tyre dhe do të heqin rrobat e tyre të qëndisura; do të vishen me drithërim, do të ulen për tokë, do të dridhen në çdo çast dhe do të jenë të tronditur thellë për ty.

17 Do të ngrenë një vajtim për ty dhe do të thonë: "Si je zhdukur, ti që ishe banuar nga princat e detit, qytet i famshëm, që ishe aq i fuqishëm në det? Ti dhe banorët e tu u kallje tmerrin gjithë atyre që banonin atje.

18 Tani ishujt do të dridhen ditën e rënies sate, ishujt e detit do të tmerrohen nga fundi yt"".

19 Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Kur të të bëj një qytet të shkretë si qytetet që nuk kanë banorë dhe kur të bëj të ngjitet humnera mbi ty dhe ujërat e mëdha të të mbulojnë,

20 atëherë do të zbresësh me ata që zbresin në gropë, midis popullit të dikurshëm, do të të bëj të rrish në thellësitë e tokës, në vende të shkretuara qysh prej lashtësisë, me ata që zbresin në gropë me qëllim që ti të mos banohesh më, por do të jap shkëlqim mbi tokën e të gjallëve.

21 Do të bëj një tmerr dhe nuk do të jesh më; do të të kërkojnë, por nuk do të të gjejnë kurrë më," thotë Zoti, Zoti.

Hiqni tej, pra, çdo ligësi dhe çdo mashtrim, hipokrizitë, smirat dhe çdo shpifje,

posi foshnja të sapolindura, të dëshironi fort qumështin e pastër të fjalës, që të rriteni me anë të tij,

nëse e keni shijuar se Zoti është i mirë.

Duke iu afruar atij, si te guri i gjallë, i flakur tej nga njerëzit, por i zgjedhur dhe i çmuar përpara Perëndisë,

edhe ju, si gurë të gjallë, ndërtoheni për të qenë një shtëpi frymërore, një priftëri e shenjtë, për të ofruar flijime frymërore, që i pëlqejnë Perëndisë me anë të Jezu Krishtit.

Sepse në Shkrimet lexohet: “Ja, unë po vë në Sion një gur çipi, të zgjedhur, dhe ai që beson në të nuk do të turpërohet aspak.”

Sepse për ju që besoni ai është i çmuar, po për ata të pabindurit: “Guri, që u hoq mënjanë nga ndërtuesit, u bë guri i qoshes, gur pengese dhe shkëmb skandali që i bën të rrëzohen.”

Duke qenë të pabindur, ata pengohen në fjalë, dhe për këtë ata ishin të caktuar.

Por ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull i fituar, që të shpallni mrekullitë e atij që ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme;

10 ju, që dikur nuk ishit një popull, kurse tani jeni populli i Perëndisë; ju, dikur të pamëshiruar, por tani të mëshiruar.

11 Shumë të dashur, unë ju këshilloj, si të huaj dhe shtegtarë, të hiqni dorë nga lakmitë e mishit, që luftojnë kundër shpirtit.

12 Silluni mirë ndër johebrenjtë, që aty ku do t’ju paditin si keqbërës, të përlëvdojnë Perëndinë ditën e ardhjes së tij, për shkak të veprave tuaja të mira.

13 Nënshtrohuni, pra, për hir të Zotit, çdo pushteti njerëzor, qoftë mbretit, si më të lartit,

14 qoftë qeveritarëve, si të dërguar prej tij për të ndëshkuar keqbërësit dhe për të lavdëruar ata që bëjnë të mirën,

15 sepse ky është vullneti i Perëndisë, që ju, duke bërë mirë, t’ia mbyllni gojën paditurisë së njerëzve të pamend.

16 Silluni si njerëz të lirë, por jo duke për-dorur lirinë si një pretekst për të mbuluar ligësinë, por si shërbëtorë të Perëndisë.

17 Nderoni të gjithë, doni vëllazërinë, druani Perëndinë, nderoni mbretin.

18 Ju, shërbëtorë, nënshtrohuni me plot druajtje zotërinjve tuaj, jo vetëm të mirëve dhe të drejtëve, por edhe të padrejtëve,

19 sepse është gjë e ladërueshme, nëse dikush, për ndërgjegje ndaj Perëndisë, duron shtrengime duke vuajtur padrejtësisht.

20 Sepse çfarë lavdie do të ishte po të duronit në qoftë se ju rrahin sepse keni bërë faje? Ndërsa, po të bëni të mirë dhe të duroni vuajtje, kjo është hir para Perëndisë.

21 Sepse për këtë ju u thirrët, sepse edhe Krishti e vuajti për ne, duke ju lënë një shembull, që të ecni pas gjurmës së tij.

22 “Ai nuk bëri asnjë mëkat dhe nuk u gjet asnjë mashtrim në gojë të tij.”

23 Kur e fyenin, nuk e kthente fyerjen, kur vuante, nuk kërcënonte, po dorëzohej tek ai që gjykon drejtësisht.

24 Ai vet i barti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit që ne, të vdekur për mëkate, të rrojmë për drejtësi; dhe me vurratat e tij ju u shëruat.

25 Sepse ju ishit si dele endacake por tani ju u kthyet te bariu dhe ruajtësi i shpirtrave tuaj.