Add parallel Print Page Options

14 Pastaj erdhën tek unë disa pleq të Izraelit dhe u ulën para meje.

Atëherë fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:

"Bir njeriu, këta njerëz kanë ngritur idhujt e tyre në zemrën e tyre dhe kanë vënë para tyre pengesën që i bën të bien në paudhësi. A do ta lë veten të konsultohem prej tyre?

Prandaj folu dhe u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Cilido qoftë nga shtëpia e Izraelit që i ngre idhujt e tij në zemrën e tij, dhe vë para vetes pengesën që e bën të bjerë në paudhësi dhe pastaj vjen te profeti, do t’i përgjigjem unë, Zoti, lidhur me këtë, sipas morisë së idhujve të tij,

për të ndikuar në zemrën e atyre të shtëpisë së Izraelit që janë larguar prej meje për shkak të të gjithë idhujve të tyre.

Prandaj i thuaj shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti, Zoti: Konvertohuni, largohuni nga idhujtë tuaj dhe hiqni fytyrën nga të gjitha gjërat tuaja të neveritshme.

Sepse, në qoftë se një njeri çfardo i shtëpisë së Izraelit apo disa të huaj që banojnë në Izrael largohen nga unë, ngre idhujt e tij në zemrën e tij dhe vë para tij pengesën që e bën të bjerë në paudhësi dhe pastaj vjen te profeti, që të konsultohet me mua nëpërmjet atij, unë, do t’i përgjigjem unë, Zoti, nga vetja ime.

Do të kthej fytyrën time kundër këtij njeriu, do ta bëj një shënjë dhe një proverb dhe do ta shfaros në mes të popullit tim; atëherë do pranoni që unë jam Zoti.

Por në rast se profeti lë të mashtrohet dhe thotë ndonjë fjalë, unë, Zoti e kam bërë për vete këtë profet; do të shtrij dorën pastaj kundër tij dhe do ta shkatërroj në mes të popullit tim të Izraelit.

10 Që të dy do të vuajnë dënimin e paudhësisë së tyre; dënimi i profetit do të jetë i barabartë me dënimim e atij që e konsulton,

11 me qëllim që ata të shtëpisë së Izraelit të mos shkojnë duke u endur larg meje, të mos ndoten më nga të gjitha shkeljet e tyre, por të jenë populli im dhe unë të jem Perëndia i tyre," thotë Zoti, Zoti.

12 Fjala e Zotit mu drejtua akoma, duke thënë:

13 "Bir njeriu, në qoftë se një vend mëkaton kundër meje duke qenë vazhdimisht i pabesë, unë do të shtrij dorën time kundër tij, do t’i ndërpres përkrahjen e bukës, do t’i dërgoj kundra urinë dhe do të shfaros njerëzit dhe kafshët.

14 Edhe sikur në mes tyre të ishin këta tre burra, Noeu, Danieli dhe Jobi, për shkak të drejtësisë së tyre do të shpëtonin vetëm veten e tyre," thotë Zoti, Zoti.

15 "Por në rast se do të bëja që nëpër këtë vend të kalonin kafshë të egra që ta shpopullonin dhe ai të bëhej një shkreti ku askush nuk do të kalonte për shkak të këtyre kafshëve,

16 edhe sikur në mes tyre të ishin ata tre burra, ashtu siç është e vërtetë që unë rroj," thotë Zoti, Zoti, "ata nuk do të shpëtonin as bijtë as bijat; do të shpëtonin vetëm veten e tyre, por vendi do të ishte një shkreti.

17 Ose sikur të sillja shpatën kundër këtij vendi dhe të thoja: "Le të kalojë shpata nëpër vend," dhe të shfaroste njerëz dhe kafshë,

18 edhe sikur në mes tyre të ishin ata tre burra, ashtu siç është e vërtetë që unë rroj," thotë Zoti, Zoti, "ata nuk do të shpëtonin as bijtë, as bijat e tyre, por vetëm veten e tyre.

19 Ose sikur të dërgoja kundër atij vendi murtajën dhe të derdhja mbi të zemërimin tim duke bërë kërdinë dhe duke shfarosur njerëz dhe kafshë,

20 edhe sikur në mes tyre të ishin Noeu, Danieli dhe Jobi, ashtu siç është e vërtetë që unë rroj," thotë Zoti, Zoti "ata nuk do të shpëtonin as bijtë as bijat, për drejtësinë e tyre do të shpëtonin vetëm veten e tyre".

21 Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "E njëjta gjë do të ndodhë kur të dërgoj kundër Jeruzalemit katër gjykatësit e mi të tmerrshëm, shpatën, urinë, kafshët e egra dhe murtajën për të shfarosur njerëz dhe kafshë.

22 Por ja, do të lihet një mbeturinë që do të çohet jashtë, bij dhe bija; ata do të vijnë tek ju dhe ju do të shikoni sjelljen e tyre dhe veprimet e tyre. Atëherë do të ngushëlloheni nga e keqja që solla mbi Jeruzalemin, për të gjitha ato që solla mbi të.

23 Ata do t’ju ngushëllojnë kur do të shikoni sjelljen e tyre dhe veprimet e tyre. Kështu do të pranoni që jo pa të drejtë bëra atë që bëra në mes të tij," thotë Zoti, Zoti.

15 Fjala e Zotit m’u drejtua përsëri, duke thënë:

"Bir njeriu, ç’është vallë druri i hardhisë në krahasim me gjithë drurët e tjerë ose me çfarëdo dege që ndodhet në drurët e pyllit?

A mund ta marrësh drurin për të bërë ndonjë punë? A mund të përftosh prej tij një kunj për të varur ndonjë send?

Ja, e hedh në zjarr për t’u djegur; zjarri djeg dy anët e tij dhe pjesa e tij qendrore karbonizohet. A mund të jetë vallë i dobishëm për ndonjë punë?

Ja, në se edhe kur ishte i plotë nuk vlente për asnjë punë, aq më pak do të mund të vlejë për ndonjë punë kur zjarri e ka djegur dhe karbonizuar.

Prandaj, kështu thotë Zoti, Zoti: Ashtu sikur, ndër drutë e pyllit, kam caktuar që druri i hardhisë të digjet në zjarr, kështu do të veproj edhe me banorët e Jeruzalemit.

Do të kthej kundër tyre fytyrën time. Kanë dalë nga një zjarr, por një zjarr tjetër do t’i gllabërojë. Atëherë do të pranoni që unë jam Zoti, kur të kthej kundër tyre fytyrën time.

Kështu do ta bëj vendin të shkretë sepse kanë qenë vazhdimisht jobesnikë," thotë Zoti, Zoti.

Vëllezër të mi, mos i lidhni preferencat personale me besimin e Zotit tonë Jezu Krisht, Zoti i lavdisë.

Sepse në qoftë se në asamblenë tuaj hyn një njeri me një unazë prej ari, me rroba të shkëlqyera, dhe hyn edhe një i varfër me një rrobë të fëlliqur,

dhe ju i drejtoni sytë nga ai që vesh rroben e shkëlqyer dhe i thoni: “Ti ulu këtu, në vendin e mirë,” dhe të varfërit i thoni: “Ti rri atje, në këmbë,” ose: “Ulu këtu, afër stolit të këmbëve të mia,”

a nuk bëtë ju një dallim në mes tuaj, duke u bërë kështu gjykatës me mendime të këqija?

Dëgjoni, vëllezër të mi shumë të dashur, a nuk i zgjodhi Perëndia të varfërit e botës, që të jenë të pasur në besim dhe trashëgimtarë të mbretërisë që ua premtoi atyre që e duan?

Po ju i shnderuat të varfërit! A nuk janë vallë të pasurit ata që ju shtypin, dhe nuk janë këta ata që ju heqin nëpër gjykata?

A nuk janë ata që blasfemojnë emrin e lavdishëm që u thirr mbi ju?

Në qoftë se ju më të vërtetë e përmbushni ligjin mbretëror sipas Shkrimit: “Duaje të afërmin tënd si vetveten,” bëni mirë;

por në qoftë se bëni preferenca personale, ju kryeni mëkat dhe dënoheni nga ligji si shkelës.

10 Sepse kushdo që e zbaton gjithë ligjin, por e shkel në një pikë, është fajtor në të gjitha pikat.

11 Sepse ai që ka thënë: “Mos shkel kurorën,” ka thënë gjithashtu: “Mos vraj.” Prandaj nëse ti nuk shkel kurorën, por vret, ti je shkelës i ligjit.

12 Prandaj të flisni e të veproni sikurse të duhej të gjykoheshit nga ligji i lirisë,

13 sepse gjyqi do të jetë pa mëshirë për atë që nuk ka treguar mëshirë; dhe mëshira triumfon mbi gjykimin.

14 Ç’dobi ka, vëllezër të mi, nëse dikush thotë se ka besim, por nuk ka vepra? A mund ta shpëtojë atë besimi?

15 Dhe në qoftë se një vëlla ose një motër janë të zhveshur dhe u mungon ushqimi i përditshëm,

16 dhe dikush nga ju u thothë atyre: “Shkoni në paqe! Ngrohuni dhe ngopuni,” dhe nuk u jepni atyre gjërat për të cilat kanë nevojë për trupin, ç’dobi ka?

17 Po kështu është edhe besimi; në qoftë se s’ka vepra, është i vdekur në vetvete.

18 Po dikush do të thotë: “Ti ke besimin, dhe unë kam veprat”; më trego besimin tënd pa veprat e tua dhe unë do të të tregoj besimin tim me veprat e mia.

19 Ti beson se ka vetëm një Perëndi. Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen.

20 Po, a dëshiron të kuptosh, o njeri i kotë, se besimi pa vepra është i vdekur?

21 Abrahami, ati ynë, a nuk u shfajësua me anë të veprave, kur e ofroi birin e vet, Isakun, mbi altar?

22 Ti e sheh se besimi vepronte bashkë me veprat e tij, dhe se, nëpërmjet veprave, besimi u përsos.

23 Kështu u përmbush Shkrimi, që thotë: “Edhe Abrahami i besoi Perëndisë, dhe kjo iu numërua për drejtësi”; dhe u quajt miku i Perëndisë.

24 Ju shikoni, pra, se njeriu shfajësohet nga veprat dhe jo vetëm nga besimi.

25 Gjithashtu a nuk u shfajësua edhe Rahabi, lavirja, nga veprat, kur i priti të dërguarit dhe i përcolli nga një udhë tjetër?

26 Sepse, sikurse trupi pa frymën është i vdekur, ashtu edhe besimi, pa vepra, është i vdekur.