Add parallel Print Page Options

Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Shko te Faraoni dhe i thuaj: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Hebrenjve: Lëre popullin tim të shkojë, që të mund të më shërbejë.

Por në rast se nuk pranon ta lësh të shkojë dhe e mban akoma,

ja, dora e Zotit do të jetë mbi bagëtinë tënde, që është nëpër fusha, mbi kuajt, mbi gomarët, mbi devetë, mbi bagëtinë e trashë dhe të imët, dhe do të ketë gjëmë të madhe.

Por Zoti do të bëjë dallim midis bagëtisë së Izraelit dhe asaj të Egjiptit; kështu asnjë ngordhje nuk do të ketë në gjithçka që u përket bijve të Izraelit"".

Pastaj Zoti caktoi një afat, duke thënë: "Nesër Zoti do ta bëjë këtë në vend".

Dhe Zoti e bëri atë të nesërmen, dhe tërë bagëtia e Egjiptit ngordhi; por nga bagëtia e bijve të Izraelit nuk ngordhi as edhe një kokë.

Faraoni dërgoi njerëz për të parë, dhe ja asnjë kokë bagëtie e Izraelitëve s’kishte ngordhur. Por zemra e Faraonit u fortësua dhe ai nuk e la popullin të shkojë.

Pastaj Zoti u tha Moisiut dhe Aaronit: "Merrni ca grushte hi furre, dhe Moisiu ta shpërndajë atë drejt qiellit në sytë e Faraonit.

Ai do të bëhet një pluhur i imët në të gjithë vendin e Egjiptit, dhe do të shkaktojë ulcera që do të përftojnë puçrra me qelb te njerëzit dhe te kafshët në të gjithë vendin e Egjiptit".

10 Atëherë ata morën hi furre dhe u paraqitën para Faraonit; dhe Moisiu e shpërndau drejt qiellit, dhe ai shkaktoi ulcera që përftuan puçrra te njerëzit dhe te kafshët.

11 Dhe magjistarët nuk mundën të qëndronin para Moisiut për shkak të ulcerave, sepse magjistarët dhe tërë Egjiptasit ishin prekur nga ulcerat.

12 Por Zoti e ngurtësoi zemrën e Faraonit, dhe ky nuk i dëgjoi ata, ashtu siç i kishte thënë Zoti Moisiut.

13 Pas kësaj Zoti i tha Moisiut: "Çohu herët në mëngjes, paraqitu para Faraonit dhe thuaji: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Hebrenjve: Lëre popullin tim të shkojë, që të ketë mundësi të më shërbejë.

14 Sepse këtë herë do t’i dërgoj tërë plagët e mia pikërisht mbi ty, mbi shërbëtorët e tu dhe mbi popullin tënd, që të mësosh se nuk ka asnjë të ngjashëm me mua në gjithë dheun.

15 Në fakt, në qoftë se tani unë do ta kisha shtrirë dorën dhe do të kisha goditur me murtajë ty dhe popullin tënd, ti do të ishe fshirë nga faqja e dheut.

16 Por, pikërisht për këtë arsye, të kam falur, për të të treguar fuqinë time dhe që emri im të shpallet në gjithë dheun.

17 Dhe ti akoma i kundërvihesh popullit tim dhe nuk e lë të shkojë?

18 Ja, nesër në këtë orë, unë do të bëj që të bjerë një breshër aq i fortë, që Egjipti nuk e ka parë prej ditës së krijimit të tij deri tani.

19 Dhe tani dërgo njeri që të sigurosh bagëtinë tënde dhe tërë ato që ke nëpër fusha. Sepse tërë njerëzit dhe kafshët, që ndodhen nëpër fushat dhe nuk janë çuar në shtëpi, do të goditen nga breshëri dhe do të vdesin"".

20 Ndër shërbëtorët e Faraonit, ata që patën frikë nga fjalët e Zotit i strehuan në shtëpitë e tyre shërbëtorët dhe bagëtinë e tyre;

21 por ata që nuk i morrën parasysh fjalët e Zotit i lanë shërbëtorët dhe bagëtinë e tyre në fusha.

22 Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Shtrije dorën drejt qiellit, që të bjerë breshër në tërë vendin e Egjiptit, mbi njerëzit, mbi kafshët dhe mbi çdo lloj bimësie të fushave në vendin e Egjiptit".

23 Dhe Moisiu e shtriu bastunin e tij drejt qiellit; dhe Zoti dërgoi bubullima dhe breshër, dhe zjarri ra duke goditur me rrufe në tokë; dhe Zoti bëri që të bjerë breshër mbi vendin e Egjiptit.

24 Kështu ra breshër dhe pati një zjarr të përzier me breshrin; dhe ky ishte aq i fortë, sa nuk ishte parë ndonjë herë në të gjithë vendin e Egjiptit, që ditën që ishte bërë komb.

25 Dhe breshri goditi në të gjithë vendin e Egjiptit gjithçka që ishte në fushat, si njerëzit ashtu dhe kafshët; breshri goditi çdo lloj bimësie në fushat dhe bëri copë copë çdo pemë që ndodhej në fushë.

26 Vetëm në vendin e Goshenit, ku ishin bijtë e Izraelit nuk ra breshër.

27 Atëherë Faraoni dërgoi e thirri Moisiun dhe Aaronin dhe u tha atyre: Këtë herë unë mëkatova; Zoti është i drejtë, ndërsa unë dhe populli im jemii të këqij.

28 Lutjuni Zotit që të mbarojnë bubullimat e Perëndisë dhe breshri; unë do t’ju lë të shkoni dhe nuk do të jeni të detyruar të rrini më këtu".

29 Moisiu i tha: "Mbasi të dal nga qyteti, do t’i shtrij duart nga Zoti; bubullimat do të pushojnë dhe nuk do të ketë më breshër, që ti të mësosh që toka i përket Zotit.

30 Por unë e di që ti dhe shërbëtorët e tu, nuk do të keni frikë akoma nga Zoti Perëndi".

31 Tani liri dhe elbi u prekën, sepse elbi ishte në kalli dhe liri kishte lulëzuar;

32 por gruri dhe gruri i fortë nuk u prekën, sepse janë të vonshëm.

33 Kështu Moisiu, pasi la Faraonin, doli nga qyteti dhe i shtriu duart drejt Zotit; atëherë bubullimat dhe breshri pushuan dhe nuk ra më shi mbi tokë.

34 Kur Faraoni pa që shiu, breshri dhe bubullimat pushuan, vazhdoi të mëkatojë dhe e ngurtësoi zemrën e tij, ai dhe shërbëtorët e tij.

35 Kështu zemra e Faraonit u ngurtësua dhe ai nuk i la të bijtë e Izraelit të shkojnë, ashtu si i kishte thënë Zoti nëpërmjet Moisiut.

10 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Shko te Faraoni; sepse e kam fortësuar zemrën e tij dhe zemrën e shërbëtorëve të tij, me qëllim që unë të mund të tregoj këto shenjat e mia në mes tyre,

dhe me qëllim që ti të mundësh t’u tregosh bijve të tu dhe bijve të bijve të tu gjërat e mëdha që kam bërë, duke vënë në lojë Egjiptasit, dhe shenjat e mia që kam bërë midis tyre, që të dini se unë jam Zoti".

Moisiu dhe Aaroni shkuan te Faraoni dhe i thanë: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Hebrenjve: "Deri kur do të refuzosh të ulësh kokën para meje? Lëre popullin tim të shkojë që të mund të më shërbejë.

Sepse po refuzove ta lësh popullin tim të shkojë, që nesër do të sjell karkaleca në territorin tënd.

Dhe ato do të mbulojnë faqen e dheut, kështu që asnjeri nuk do të mund ta shohë tokën; dhe ato do të përpijnë edhe atë që ka mbetur, atë që ju ka lënë breshri, dhe do të përpinë çdo pemë që rritet për ju në fusha.

Dhe do t’i mbushin shtëpitë tuaja, shtëpitë e tërë shërbëtorëve të tu dhe shtëpitë e tërë Egjiptasve, diçka që as etërit e tu as etërit e etërve të tu nuk e kanë parë kurrë, nga dita që qenë mbi dhe deri në këtë ditë"". Me t’i thënë këto fjalë ktheu kurrizin dhe doli nga prania e Faraonit.

Pastaj shërbëtorët e Faraonit i thanë: "Deri kur ky njeri do të jetë pengesë për ne? Lëri këta njerëz të ikin, që t’i shërbejnë Zotit Perëndisë të tyre! Nuk e ke kuptuar akoma që Egjipti është shkatërruar?".

Kështu Moisiu dhe Aaroni u rikthyen te Faraoni; dhe ky u tha atyre: Shkoni, shërbejini Zotit, Perëndisë tuaj. Por kush janë ata që do tëë shkojnë?". Moisiu tha:

"Ne do të shkojmë me fëmijët tanë dhe me pleqtë tanë, me bijtë tanë dhe bijat tona; do të shkojmë me kopetë tona të bagëtive të imta dhe të trasha, sepse duhet të kremtojmë një festë kushtuar Zotit".

10 Faraoni u tha atyre: "Zoti qoftë me ju, kur unë do t’ju lë të ikni bashkë me fëmijët tuaj! Por kini kujdes se mos keni qëllime të këqia!

11 Jo, jo! Shkoni ju, burra, t’i shërbeni Zotit; sepse kjo është ajo që kërkoni". Dhe i dëbuan nga prania e Faraonit.

12 Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Shtrije dorën tënde mbi vendin e Egjiptit për karkalecat, me qëllim që ato të ngjiten dhe të mbulojnë vendin e Egjiptit dhe të përpijnë tërë bimësinë e vendit, tërë ato që ka lënë breshri".

13 Atëherë Moisiu zgjati bastunin e tij mbi vendin e Egjiptit; dhe Zoti ngriti një erë nga lindja mbi vendin tërë atë ditë dhe tërë natën; sa erdhi mëngjesi, era e lindjes solli karkalecat.

14 Dhe karkalecat u ngjitën në tërë vendin e Egjiptit dhe u ulën në tërë territorin e tij në numër të madh. Nuk kishte pasur kurrë një murtajë të tillë karkalecash më parë dhe nuk do të ndodhë ndonjë tjetër.

15 Ato mbuluan faqen e tërë dheut, aq sa e nxinë dheun; përpinë tërë bimësinë e vendit dhe tërë pemët e drurëve që breshri kishte lënë; dhe nuk mbeti asgjë e blertë mbi drurët dhe shkurrëzat e fushës, në tërë vendin e Egjiptit.

16 Atëherë Faraoni thirri me nxitim Moisiun dhe Aaronin dhe u tha: "Unë kam mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë tuaj, dhe kundër jush.

17 Por tani të lutem, falmani mëkatin edhe një herë; dhe lutjuni Zotit, Perëndisë tuaj, që të largojë nga unë këtë mynxyrë vdekjeprurëse".

18 Dhe Moisiu doli nga Faraoni, dhe iu lut Zotit.

19 Pastaj Zoti ngriti një erë të kundërt, një erë nga perëndimi shumë të fortë, që i largoi karkalecat dhe i hodhi në Detin e Kuq. Nuk mbeti asnjë karkalec në tërë territorin e Egjiptit.

20 Por Zoti e fortësoi zemrën e Faraonit dhe ai nuk i la bijtë e Izraelit të ikin.

21 Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Shtrije dorën drejt qiellit, me qëllim që të jetë errësirë në vendin e Egjiptit, errësirë që të mund të preket me dorë".

22 Dhe Moisiu e shtriu dorën e tij drejt qiellit, dhe u bë errësirë e madhe në tërë vendin e Egjiptit për tri ditë.

23 Njëri nuk shikonte tjetrin dhe asnjeri nuk lëvizi nga vendi ku ndodhej për tri ditë; por për të gjithë bijtë e Izraelit kishte dritë në banesat e tyre.

24 Atëherë Faraoni thirri Moisiun dhe i tha: "Shkoni, shërbejini Zotit, le të mbeten vetëm kopetë tuaja me bagëti të imët dhe të trashë; edhe fëmijët tuaj mund të vinë me ju".

25 Moisiu tha: "Ti duhet të na lejosh gjithashtu të marrim dhe disa fli dhe olokauste, që t’ia ofrojmë Zotit, Perëndisë tonë.

26 Edhe bagëtia jonë do të vijë me ne; nuk do të lëmë këtu as edhe një thua të saj, sepse do të marrim disa krerë për t’i shërbyer Zotit, Perëndisë tonë; dhe nuk e dimë me se do t’i shërbejmë Zotit, deri sa të arrijmë atje poshtë".

27 Por Zoti e fortësoi zemrën e Faraonit dhe ai nuk deshi t’i linte të shkonin.

28 Atëherë Faraoni i tha Moisiut: "Qërohu nga unë! Ruhu se më del përpara, sepse ditën që do të më dalësh përpara do të vdesësh!".

29 Moisiu iu përgjigj: "Mirë e the; unë nuk do të të dal më përpara".

11 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Unë do të sjell edhe një plagë tjetër mbi Faraonin dhe Egjiptin; pas kësaj ai do t’ju lejojë të ikni prej këtej. Kur do t’ju lejojë të shkoni, ai do t’ju dëbojë përfundimisht prej këtej.

Tani foli popullit në mënyrë që çdo burrë t’i kërkojë fqinjit të tij dhe çdo grua fqinjës së saj sende argjendi dhe ari".

Dhe Zoti e bëri popullin të ketë hir në sytë e Egjiptasve; edhe Moisiu gëzonte konsideratë të madhe në vendin e Egjiptit, në sytë e shërbëtorëve të Faraonit dhe në sytë e popullit.

Pastaj Moisiu tha: "Kështu thotë Zoti: "Aty nga mesnata, unë do të kaloj përmes Egjiptit;

dhe çdo i parëlindur në vendin e Egjiptit do të vdesë, nga i parëlinduri i Faraonit që rri mbi fron, tek i parëlinduri i shërbëtores që rri pas mokrës, si dhe pjellja e parë e bagëtisë.

Atëherë në vendin e Egjiptit do të ketë një britmë të madhe, që nuk është dëgjuar kurrë më parë dhe që nuk do të dëgjohet asnjëherë tjetër.

Por kundër asnjërit prej bijve të Izraelit, qofshin ata njerëz apo kafshë, asnjë qen s’ka për të lëvizur gjuhën, me qëllim që të dini se Zoti bën dallimin midis Egjiptasve dhe Izraelit.

Dhe tërë këta shërbëtorët e tu do të zbresin tek unë dhe do të përkulen para meje, duke thënë: "Nisu, ti dhe populli yt që të ndjek nga pas!". Mbas kësaj unë do të nisem"". Dhe Moisiu u largua nga Faraoni tërë zemërim.

Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Faraoni nuk do t’jua vërë veshin, me qëllim që mrekullitë e mia të shumëzohen në vendin e Egjiptit".

10 Dhe Moisiu dhe Aaroni bënë tërë ato mrekulli para Faraonit; por Zoti e ngurtësoi zemrën e Faraonit dhe ky nuk i la bijtë e Izraelit të dalin nga vendi i tij.

21 Pastaj Jezusi, pasi u largua që andej, u nis drejt rrethinave të Tiros dhe të Sidonit.

22 Dhe ja, një grua kananease, që kishte ardhur nga ato anë, filloi të bërtasë duke thënë: “Ki mëshirë për mua, o Zot, o Bir i Davidit! Vajza ime është tmerrësisht e pushtuar nga një demon!.”

23 Por ai nuk iu përgjigj fare. Dhe dishepujt e tij iu afruan dhe iu lutën duke thënë: “Lëshoje atë, sepse po bërtet pas nesh.”

24 Por ai u përgjigj dhe tha: “Unë nuk jam dërguar gjetiu, përveç te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.”

25 Por ajo erdhi dhe e adhuroi, duke thënë: “O Zot, ndihmomë!.”

26 Ai u përgjigj, duke thënë: “Nuk është gjë e mirë të marrësh bukën e fëmijëve dhe t’ua hedhësh këlyshëve të qenve.”

27 Por ajo tha: “Éshtë e vërtetë, Zot, sepse edhe këlyshët e qenve hanë thërrimet që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre.”

28 Atëherë Jezusi iu përgjigj duke thënë: “O grua, i madh është besimi yt! T’u bëftë ashtu si dëshiron.” Dhe që në atë çast e bija u shërua.

29 Pastaj, mbasi u nis që andej, Jezusi erdhi pranë detit të Galilesë, u ngjit në mal dhe u ul atje.

30 Dhe iu afruan turma të mëdha që sillnin me vete të çalë, të verbër, memecë, sakatë dhe shumë të tjerë; i ulën përpara këmbëve të Jezusit dhe ai i shëroi.

31 Turmat mrrekulloheshin kur shikonin se memecët flisnin, sakatët shëroheshin, të çalët ecnin dhe të verbërit shihnin; dhe lëvdonin Perëndinë e Izraelit.

32 Dhe Jezusi i thirri dishepujt e vet pranë vetes dhe u tha: “Unë kam mëshirë për turmën, sepse u bënë tri ditë që rri me mua dhe nuk ka asgjë për të ngrënë; nuk dua t’i nis të pangrënë, se mos ligështohen gjatë rrugës.”

33 Dhe dishepujt e tij i thanë: “Po ku mund të gjejmë në këtë vend të shkretë aq bukë sa të ngopim një turmë kaq të madhe?.”

34 Dhe Jezusi u tha atyre: “Sa bukë keni?.” Ata thanë: “Shtatë dhe pak peshq të vegjël.”

35 Atëherë ai u dha urdhër turmave që të uleshin për tokë.

36 Pastaj i mori shtatë bukët dhe peshqit, falënderoi, i theu dhe ua dha dishepujve të tij, dhe dishepujt turmës.

37 Dhe të gjithë hëngrën dhe u ngopën; dhe ngritën tepricën e copave, shtatë kosha plot.

38 Dhe ata që hëngrën ishin katër mijë burra, pa i numëruar gratë dhe fëmijët.

39 Pastaj, mbasi e lejoi turmën, hipi në barkë dhe u drejtua për në krahinën e Magdalas.

Read full chapter