Add parallel Print Page Options

23 "Nuk do të hapësh asnjë fjalë të rreme dhe nuk do t’i japësh asnjë ndihmë të pabesit për t’u bërë dëshmitar i anshëm.

Nuk do të shkosh pas shumicës për të bërë të keqen; dhe nuk do të dëshmosh në një çështje gjyqësore duke u radhitur nga ana e shumicës për të prishur drejtësinë.

Nuk do të favorizosh as të varfrin në gjyqin e tij.

Në rast se takon kaun e armikut tënd ose gomarin e tij që ka humbur rrugën, do t’ia kthesh atij.

Në rast se sheh gomarin e atij që të urren të shtrirë për tokë nën barrën, ruhu se e braktis, por ndihmo të zotin ta zgjidhë.

Mos shkel të drejtën e të varfrit tënd në gjyqin e tij.

Shmangu nga çdo pavërtetësi; mos vrit të pafajshmin dhe të drejtin, sepse unë nuk do ta fal të ligun.

Mos prano asnjë dhuratë, sepse dhurata verbon atë që sheh dhe prapëson fjalët e njerëzve të drejtë.

Mos shtyp të huajin, sepse ju e njihni shpirtin e të huajit, sepse keni qenë të huaj në vendin e Egjiptit.

10 Gjashtë vjet me radhë do të mbjellësh tokën tënde dhe do të korrësh frytet e saj;

11 por vitin e shtatë do ta lësh të pushojë dhe ajo do të mbetet djerr, me qëllim që ta gëzojnë të varfrit e popullit tënd; dhe gjëja e fshatit do të hajë atë që kanë për të lënë ata. Po ashtu do të veprosh me vreshtin tënd dhe ullinjtë e tu.

12 Gjashtë ditë do të bësh punën tënde por ditën e shtatë do të pushosh, me qëllim që kau yt dhe gomari yt të mund të pushojnë, dhe biri i shërbëtores sate dhe i huaji të mund ta marrin veten.

13 Do t’u kushtoni kujdes tërë gjërave që ju kam thënë dhe nuk do ta shqiptoni emrin e perëndive të tjerë; të mos dëgjohet të dalë nga goja juaj.

14 Tri herë në vit do të më kremtosh një festë.

15 Do të kremtosh festën e të ndormëve. Shtatë ditë do të hash bukë pa maja, siç të kam urdhëruar, në kohën e caktuar në muajin e Abibit, sepse në atë muaj ti dole nga Egjipti; dhe askush nuk do të paraqitet para meje duarbosh.

16 Do të kremtosh edhe festën e korrjes, të prodhimit të hershëm të punës sate, të asaj që ke mbjellë në ara; si dhe festën e të vjelave, në fund të vitit, kur do të mbledhësh nga arat frytet e punës sate.

17 Tri herë në vit tërë meshkujt do të paraqiten para Perëndisë, Zotit.

18 Nuk do të ofrosh gjakun e flisë sime bashkë me bukën e mbrujtur; dhe yndyra e flive të festës sime nuk do të teprojë deri në mëngjes.

19 Do të çosh në shtëpinë e Zotit, Perëndisë tënd, të parat fruta të tokës. Nuk do ta ziesh kecin me qumështin e nënës së tij.

20 Ja, pra, unë po dërgoj një Engjëll para teje që të të ruajë gjatë rrugës, dhe të të futë në vendin që kam përgatitur.

21 Ki kujdes para tij dhe bindju zërit të tij; mos ngri krye kundër tij, sepse ai nuk do t’i falë shkeljet tuaja, sepse emri im gjendet në të.

22 Por në qoftë se i bindesh plotësisht zërit të tij dhe bën të gjitha ato që do të them, unë do të jem armiku i armiqve të tu dhe kundërshtari i kundërshtarëve të tu;

23 sepse Engjëlli im do të shkojë para teje dhe do të të futë në vendin e Amorejve, të Hitejve, të Perezejve, të Kananejve, të Hivejve dhe të Jebusejve, dhe unë do t’i shfaros ata.

24 Nuk do përkulesh para perëndive të tyre, dhe nuk do t’u shërbesh. Nuk do të bësh atë që bëjnë ato; por do t’i shkatërrosh plotësisht dhe do të thyesh shtyllat e tyre.

25 Shërbejini Zotit, Perëndisë tuaj, ai do të bekojë bukën tënde dhe ujin tënd; dhe unë do të largoj sëmundjen nga ti.

26 Në vendin tënd nuk do të ketë asnjë grua që të dështojë, asnjë grua shterpë. Unë do ta plotësoj numrin e ditëve të tua.

27 Unë do të dërgoj para teje tmerrin tim dhe do t’i jap dërmën çdo populli pranë të cilit do të arrish, do të bëj që të gjithë armiqtë e tu të të kthejnë kurrizin.

28 Dhe do të dërgoj para teje grerëza, që do t’i përzënë Hivejtë, Kananejtë dhe Hitejtë para syve të tu.

29 Nuk do t’i përzë ata para teje brenda një viti, me qëllim që vendi të mos kthehet në një shkrerëtirë dhe kafshët e fushave të mos shumëzohen kundër teje.

30 Do t’i përzë para teje pak e nga pak, në mënyrë që ti të rritesh në numër dhe të shtiesh në dorë vendin.

31 Dhe unë do t’i caktoj kufijtë e tu nga Deti i Kuq në detin e Filistejve dhe nga shkretëtira deri te Lumi; sepse unë do të lë në duart e tua banorët e vendit dhe ti do t’i dëbosh para syve të tu.

32 Nuk do të lidhësh asnjë aleancë me ta, as edhe me perënditë e tyre.

33 Ata nuk do të banojnë në vendin tënd, që të mos të bëjnë të mëkatosh kundër meje: ti do t’u shërbeje perëndive të tyre, dhe kjo do të ishte një lak".

24 Pastaj Perëndia i tha Moisiut: "Ngjitu te Zoti, ti dhe Aaroni, Nadabi dhe Abihu si dhe shtatëdhjetë nga pleqtë e Izraelit, dhe adhuroni nga larg;

pastaj Moisiu do t’i afrohet Zotit; por të tjerët nuk do t’i afrohen, as populli nuk ka për t’u ngjitur bashkë me atë".

Atëherë Moisiu erdhi dhe i tregoi popullit tërë fjalët e Zotit dhe tërë ligjet. Dhe gjithë populli u përgjigj me një zë dhe tha: "Ne do të bëjmë tërë gjërat që Zoti ka thënë".

Dhe Moisiu i shkroi tërë fjalët e Zotit; pastaj u ngrit herët në mëngjes dhe ngriti në këmbët e malit një altar dhe dymbëdhjetë shtylla për të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.

Pastaj dërgoi bij të rinj të Izraelit për të ofruar olokauste dhe për të flijuar dema të rinj si theror falënderimi ndaj Zotit.

Dhe Moisiu mori gjysmën e gjakut dhe e vuri në legenë; dhe gjysmën tjetër të gjakut e shpërndau mbi altar.

Pastaj mori librin e besëlidhjes dhe ia lexoi popullit, i cili tha: "Ne do të bëjmë tërë ato që ka thënë Zoti, dhe do t’i bindemi".

Pastaj Moisiu mori gjakun, spërkati popullin me të dhe tha: "Ja gjaku i besëlidhjes që Zoti ka lidhur me ju sipas tërë këtyre fjalëve".

Pastaj Moisiu dhe Aaroni, Nadabi dhe Abihu dhe shtatëdhjetë nga pleqtë e Izraelit u ngjitën,

10 dhe panë Perëndinë e Izraelit. Nën këmbët e tij ishte si një dysheme e punuar me safir, e qartë si qielli vetë.

11 Por ai nuk e shtriu dorën kundër krerëve të bijve të Izraelit; dhe ata e panë Perëndinë, dhe hëngrën dhe pinë.

12 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Ngjitu tek unë në mal dhe qëndro aty; dhe unë do të jap disa pllaka prej guri, ligjin dhe urdhërimet që kam shkruar, me qëllim që ti t’ua mësosh atyre".

13 Pas kësaj Moisiu u ngrit bashkë me Jozueun zbatuesin e tij; dhe Moisiu u ngjit në malin e Perëndisë.

14 Por pleqve u tha: "Na prisni këtu, deri sa të kthehemi tek ju. Ja, Aaroni dhe Huri janë me ju; kushdo që ka probleme le t’u drejtohet atyre".

15 Moisiu, pra, u ngjit në mal dhe reja e mbuloi përsëri malin.

16 Tani lavdia e Zotit mbeti në malin e Sinait dhe reja e mbuloi atë gjashtë ditë; ditën e shtatë Zoti thirri Moisiun nga mesi i resë.

17 Dhe pamja e lavdisë së Zotit dukej në sytë e bijve të Izraelit si një zjarr që digjej në majën e malit.

18 Kështu Moisiu hyri në mes të resë dhe u ngjit në mal; dhe Moisiu mbeti në mal dyzet ditë dhe dyzet net.

20 “Mbretëria e qiejve i ngjan, pra, një zot shtëpie, që doli herët në mëngjes për të pajtuar me mëditje punëtorë për vreshtin e vet.

Mbasi ra në ujdi me punëtorët për një denar në ditë, i dërgoi në vreshtin e vet.

Pastaj doli rreth orës së tretë dhe pa të tjerë që rrinin në shesh, të papunë.

Dhe u tha atyre: "Shkoni edhe ju në vresht dhe unë do t’ju jap sa është e drejtë". Dhe ata shkuan.

Doli përsëri rreth orës së gjashtë dhe orës së nëntë dhe bëri po ashtu.

Kur doli përsëri rreth orës njëmbëdhjetë, gjeti disa të tjerë, të papunë, dhe u tha: "Përse rrini gjithë ditën këtu pa bërë asgjë?".

Ata i thanë: "Sepse askush nuk na ka marrë me mëditje". Ai u tha atyre: Shkoni edhe ju në vresht dhe do të merrni aq sa është e drejtëë".

Kur erdhi mbrëmja, i zoti i vreshtit i tha kujdestarit të vet: "Thirri punëtorët dhe jepu mëditjen e tyre, duke filluar nga ata të fundit e deri te të parët".

Dhe kur erdhën ata të orës njëmbëdhjetë, morën nga një denar secili.

10 Kur erdhën të parët, menduan se do të merrnin më shumë, por edhe ata morën nga një denar secili.

11 Duke e marrë, murmurisnin kundër zotit të shtëpisë,

12 duke thënë: "Këta të fundit punuan vetëm një orë, dhe ti i trajtove si ne që hoqëm barrën dhe vapën e ditës".

13 Por ai duke u përgjigjur i tha njerit prej tyre: "Mik, unë nuk po të ha hakun; a nuk re në ujdi me mua për një denar?

14 Merr atë që të takon ty dhe shko; por unë dua t’i jap këtij të fundit aq sa ty.

15 A nuk më lejohet të bëj me timen ç’të dua? Apo bëhesh sylig, sepse unë jam i mirë?".

16 Kështu të fundit do të jenë të parët dhe të parët të fundit, sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur.”

Read full chapter