2 i Samuelit 8-9
Albanian Bible
8 Pas këtyre gjërave, Davidi i mundi Filistejtë, i poshtëroi dhe u hoqi nga dora qytetin e tyre më të rëndësishëm.
2 Mundi edhe Moabitët dhe i mati me litar, mbasi i shtriu për tokë. Me dy litarë mati ata që duhet të vriteshin dhe me një litar të plotë ata që do të mbeteshin të gjallë. Kështu Moabitët u bënë nënshtetas dhe taksapagues të Davidit.
3 Davidi mundi edhe Hadadezerin, birin e Rehobit, mbret të Tsobahut, ndërsa ai shkonte të rivendoste sundimin e tij gjatë lumit Eufrat.
4 Davidi i mori njëmijë e gjashtëqind kalorës dhe njëzet mijë këmbësorë. Ai u preu gjithashtu leqet e këmbëve tërë kuajve, por la mjaft prej tyre për njëqind qerre.
5 Kur Sirët e Damaskut erdhën për të ndihmuar Hadadezerin, mbretin e Tsobahut, Davidi vrau njëzet e dy mijë prej tyre.
6 Pastaj Davidi vendosi garnizone në Sirinë e Damaskut dhe Sirët u bënë nënshtetas dhe taksapagues të Davidit; Zoti e mbronte Davidin kudo që shkonte.
7 Davidi mori monedhat prej ari që shërbëtorët e Hadadezerit kishin me vete dhe i çoi në Jeruzalem.
8 Mbreti David mori edhe një sai të madhe bronzi në Betah dhe në Berothai, qytete të Hadedezerit.
9 Kur Toi, mbret i Hamathit, mësoi që Davidi kishte mundur tërë ushtrinë e Hadedezerit,
10 i dërgoi mbretit David të birin Joram, për ta përshëndetur dhe për ta bekuar, sepse i kishte bërë luftë Hadedezerit dhe e kishte mundur. Në fakt Hadedezeri ishte gjithnjë në luftë me Toin; Jorami kishte me vete enë argjendi, ari dhe bronzi.
11 Mbreti David ia shenjtëroi edhe këto Zotit, ashtu siç i kishte shenjtëruar atij argjendin dhe arin që vinte nga kombet që kishte nënshtruar:
12 nga Sirët, nga Moabitët, nga Amonitët, nga Filistejtë nga Amalekitët dhe nga plaçka e Hadedezerit, birit të Rehobit, mbret i Tsobahut.
13 Davidi i bëri emër vetes kur u kthye, mbasi kishte mundur tetëmbëdhjetë mijë Sirë në luginën e Kripës.
14 Vendosi garnizone edhe në Idumea; kështu tërë Idumea dhe tërë Edomitët u bënë nënshtetas të Davidit; dhe Zoti e mbronte Davidin kudo që shkonte.
15 Kështu Davidi mbretëroi mbi tërë Izraelin, duke dhënë vendime dhe duke administruar drejtësinë tërë popullit të tij.
16 Joabi, bir i Tserujahut, ishte komandant i ushtrisë; Jozafat, bir i Ahiludit, ishte arkivist;
17 Tsadoku, bir i Ahitubit, dhe Ahimeleku, bir i Abietharit, ishin priftërinj; Serajahu ushtronte funksionin e sekretarit;
18 Benajahu, bir i Jehojadit, ishte kreu i Kerethejve dhe i Pelethejve, dhe bijtë e Davidit ishin ministra.
9 Davidi tha: "A ka mbetur akoma ndonjë nga shtëpia e Saulit, ndaj të cilit mund të sillem mirë për hir të Jonathanit?".
2 Kishte një shërbëtor në shtëpinë e Saulit, që quhej Tsiba, dhe atë e çuan te Davidi. Mbreti i tha: "Ti je Tsiba?". Ai u përgjigj: "Jam shërbëtori yt".
3 Pastaj mbreti pyeti: "A ka njeri tjetër të shtëpisë së Saulit, të cilit mund t’i kushtoj mirësinë e Perëndisë?". Tsiba iu përgjigj mbretit: "Éshtë akoma një djalë i Jonatanit, që është sakat nga këmbët".
4 Mbreti i tha: "Ku është?". Tsiba iu përgjigj mbretit: "Éshtë në shtëpinë e Makirit, birit të Amielit, në Lodebar".
5 Atëherë mbreti David dërgoi ta marrë nga shtëpia e Makirit, birit të Amielit, në Lodebar.
6 Kështu Mefiboshethi, bir i Jonatanit, bir i Saulit erdhi te Davidi, ra përmbys me fytyrën për tokë. Davidi i tha: "Mefibosheth!". Ai u përgjigj: ja shërbëtori yt!!".
7 Davidi i tha: "Mos ki frikë, sepse kam ndër mend të sillem mirë me ty për dashurinë që kisha për Jonatanin, atin tënd; do të të kthej tërë tokat e Saulit, të parit tënd, dhe ti do të hash gjithnjë në tryezën time".
8 Mefiboshethi ra përmbys dhe tha: "Ç’është shërbëtori yt, që ti të përfillësh një qen të ngordhur si unë?".
9 Atëherë mbreti thirri Tsiban, shërbëtorin e Saulit, dhe i tha: "Tërë ato që i përkisnin Saulit dhe tërë shtëpisë së tij, po ia jap birit të zotërisë tënd.
10 Kështu, pra, bashkë me bijtë dhe shërbëtorët e tu, do të punosh tokën për të dhe do të mbledhësh prodhimet e saj, me qëllim që i biri i zotërisë tënd të ketë bukë për të ngrënë; por Mefiboshethi, bir i zotërisë tënd do të hajë gjithnjë në tryezën time". Tsiba kishte pesëmbëdhjetë bij dhe njëzet shërbëtorë.
11 Tsiba i tha mbretit: "Shërbëtori yt do të bëjë të gjitha ato që mbreti, zotëria im, i urdhëron shërbëtorit të tij". Kështu Mefiboshethi hante në tryezën e Davidit si një nga bijtë e mbretit.
12 Mefiboshethi kishte një djalë të vogël që quhej Mika; dhe tërë ata që rrinin në shtëpinë e Tsibas ishin shërbëtorë të Mefiboshethit.
13 Mefiboshethi banonte në Jeruzalem, sepse hante gjithnjë në tryezën e mbretit. Ishte sakat nga të dy këmbët.
1 i Kronikave 18
Albanian Bible
18 Mbas këtyre ngjarjeve, Davidi mundi Filistejtë dhe i poshtëroi, duke u hequr nga dora Gathin dhe fshatrat përreth tij.
2 Ai mundi gjithashtu Moabitët; dhe Moabitët u bënë nënshtetas dhe haraçpagues të Davidit.
3 Davidi mundi përveç tyre Hadarezerin, mbretin e Tsobahut, deri në Hamath, ndërsa ai shkonte për të vendosur sundimin e tij gjatë lumit Eufrat.
4 Davidi i mori një mijë qerre, i kapi shtatë mijë kalorës dhe njëzet mijë këmbësorë. Davidi preu gjithashtu kërcinjtë e tërë kuajve, por kurseu mjaft për njëqind qerre.
5 Kur Sirët e Damaskut erdhën për të ndihmuar Hadarezerin, mbretin e Tsobahut, Davidi vrau njëzet e dy mijë Sirë.
6 Pastaj Davidi vendosi garnizone në Sirinë e Damaskut, dhe Sirët u bënë nënshtetas dhe haraçpagues të Davidit; dhe Zoti e përkrahte Davidin kudo që ai shkonte.
7 Davidi mori mburojat e arta që shërbëtorët e Hadarezerit kishin me vete dhe i çoi në Jeruzalem.
8 Davidi mori edhe një sasi të madhe bronzi në Tibhath dhe në Kun, qytete të Hadarezerit. Me të Salomoni ndërtoi detin prej bronzi, shtyllat dhe veglat prej bronzi.
9 Kur Tou, mbret i Hamathit, mësoi që Davidi kishte mundur tërë ushtrinë e Hadarezerit, mbretit të Tsobahut,
10 i dërgoi mbretit David Hadoramin, birin e tij, për ta përshëndetur dhe për ta bekuar, sepse kishte luftuar kundër Hadarezerit dhe e kishte mundur (Hadarezeri ishte gjithnjë në luftë me Toun); dhe Hadorami pruri me vete lloj-lloj enësh ari, argjendi dhe bronzi.
11 Mbreti David ia shenjtëroi edhe këto Zotit, ashtu si kishte bërë me argjendin dhe me arin që u kishte marrë tërë kombeve, domethënë Edomitëve, Moabitëve, Amonitëve, Filistejve dhe Amalekitëve.
12 Përveç kësaj Abishai, bir i Tserujahut, mundi tetëmbëdhjetë mijë Edomitë në luginën e Kripës.
13 Vendosi garnizone edhe në Idumea dhe tërë Edomitët u bënë nënshtetas të Davidit; dhe Zoti e përkrahte Davidin kudo që shkonte.
14 Kështu Davidi mbretëroi mbi tërë Izraelin, duke shqiptuar gjykime dhe duke administruar drejtësinë tërë popullit të tij.
15 Joabi, bir i Tserujahut, ishte komandant i ushtrisë; Jozafati, bir i Ahikudit, ishte arkivist;
16 Tsadoku, bir i Ahitubit, dhe Abimeleku, bir i Abiatharit, ishin priftërinj; Shavsha ishte sekretar;
17 Benajahu, bir i Jehojadait, ishte kryetar i Kerethejve dhe i Pelethejve; bijtë e Davidit ishin të parët në krah të mbretit.