Add parallel Print Page Options

30 Pastaj Ezekia i dërgoi lajmëtarë tërë Izraelit dhe Judës dhe i shkroi gjithashtu letra Efraimit dhe Manasit që të vinin në shtëpinë e Zotit në Jeruzalem për të festuar Pashkën për nder të Zotit, Perëndisë të Izraelit.

Mbreti, paria dhe tërë asambleja në Jeruzalem vendosën ta kremtojnë Pashkën në muajin e dytë;

në të vërtetë nuk kishin mundur ta kremtonin në kohën e caktuar, sepse priftërinjtë nuk ishin shenjtëruar në numër të mjaftueshëm dhe populli nuk ishte mbledhur në Jeruzalem.

Kjo gjë i pëlqeu mbretit dhe tërë asamblesë.

Vendosën kështu të shpallin në tërë Izraelin, një njoftim nga Beer-Sheba deri në Dan, që të vijnë në Jeruzalem për të kremtuar Pashkën për nder të Zotit, Perëndisë të Izraelit, sepse prej shumë vitesh nuk e kishin kremtuar në mënyrën e paracaktuar.

Korrierët, pra, shkuan në gjithë Izraelin dhe në Judën me letrat e mbretit dhe të parisë së tij, duke shpallur sipas urdhrit të mbretit: "Bij të Izraelit, kthehuni tek Zoti, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Izraelit, me qëllim që ai të rikthehet pranë asaj që iu ka mbetur dhe që ka shpëtuar nga duart e mbretërve të Asirisë.

Mos jini si etërit tuaj dhe vëllezërit tuaj, që kanë mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë të etërve të tyre, i cili për këtë shkak i ka braktisur dhe i ka lënë në pikëllim, siç e shihni.

Tani mos e fortësoni zverkun si etërit tuaj, por jepini dorën Zotit, ejani në shenjtëroren e tij që ai ka shenjtëruar përjetë dhe i shërbeni Zotit, Perëndisë tuaj, me qëllim që zjarri i zemërimit të tij të largohet nga ju.

Sepse, në rast se ktheheni tek Zoti, vëllezërit tuaj dhe bijtë tuaj do të trajtohen me dhembshuri nga ata që i kanë internuar dhe do të kthehen në këtë vend, sepse Zoti, Perëndia juaj, është i mëshirshëm dhe zemërmadh dhe nuk do ta heqë fytyrën prej jush, në rast se ktheheni tek ai".

10 Dhe korrierët kaluan nga një qytet në tjetrin në vendin e Efraimit dhe të Manasit deri në Zabulon; por njerëzit i përqeshnin dhe talleshin me ta.

11 Megjithatë disa burra nga Asheri, nga Zabuloni dhe nga Manasi u përulën dhe erdhën në Jeruzalem.

12 Por në Judë dora e Perëndisë veproi duke u dhënë atyre një zemër të njëllojtë për të kryer urdhrin e mbretit dhe të parisë, sipas fjalës të Zotit.

13 Një turmë e madhe u mblodh në Jeuzalem për të kremtuar festën e të Ndormëve gjatë muajit të dytë; ishte një kuvend shumë i madh.

14 U ngritën dhe zhdukën altarët që ishin në Jeruzalem; zhdukën gjithashtu tërë altarët e temjanit dhe i hodhën në përroin e Kidronit.

15 Pastaj flijuan Pashkën, ditën e katërmbëdhjetë të muajit të dytë. Priftërinjtë dhe Levitët, plot turp, u shenjtëruan dhe ofruan olokauste në shtëpinë e Zotit.

16 Ata zunë vendet që u përkisnin sipas normave të përshkruara nga ligji i Moisiut, njeriut të Perëndisë. Priftërinjtë spërkatnin gjakun, që merrnin nga duart e Levitëve.

17 Duke qenë se shumë njerëz të asamblesë nuk ishin shenjtëruar, Levitët kishin për detyrë t’i flijonin qengjat e Pashkës për tërë ata që nuk ishin të pastër, për t’ia shenjtëruar Zotit.

18 Në të vërtetë një pjesë e madhe e popullit, shumë nga Efraimi, nga Manasi, nga Isakari dhe nga Zabuloni nuk ishin pastruar, dhe e hëngrën njëlloj Pashkën, duke vepruar ndryshe nga sa ishte shkruar. Por Ezekia u lut për ata, duke thënë: "Zoti, që është i mirë, të falë cilindo

19 që ia ka kushtuar zemrën e tij të kërkojë Perëndinë, Zotin, Perëndinë e etërve të tij, edhe pa pastrimin që kërkon shenjtërorja".

20 Dhe Zoti dëgjoi Ezekian dhe shëroi popullin.

21 Kështu bijtë e Izraelit, që ishin në Jeruzalem, kremtuan festën e të Ndormëve shtatë ditë me radhë në një atmosferë gëzimi të madh, kurse Levitët dhe priftërinjtë lëvdonin çdo ditë Zotin, duke i kënduar me vegla tingëllonjëse Zotit.

22 Ezekia i foli zemrës të të gjithë Levitëve që tregonin njohje të mirë të gjërave të Zotit. Kështu ata hëngrën për shtatë ditët e caktuara të festës, duke ofruar flijime falenderimi dhe duke lëvduar Zotin, Perëndinë e etërve të tyre.

23 Pastaj tërë kuvendi vendosi ta kremtojë festën shtatë ditë të tjera; kështu e kremtuan shtatë ditë të tjera me gëzim.

24 Në fakt Ezekia, mbret i Judës, i kishte falur kuvendit një mijë dema të vegjël dhe shtatë mijë dele; edhe paria i kishte dhuruar kuvendit një mijë dema të vegjël dhe dhjetë mijë dele; dhe një numër i madh priftërinjsh ishte shenjtëruar.

25 Tërë asambleja e Judës kremtoi festën bashkë me priftërinjtë, me Levitët, me tërë asamblenë e atyre që erdhën nga Izraeli dhe me të huajt që kishin mbërritur nga vendin e Izraelit ose që banonin në Judë.

26 Kështu pati një gëzim të madh në Jeruzalem. Nga koha e Salomonit, birit të Davidit, mbret i Izraelit, nuk kishte ndodhur asgjë e tillë në Jeruzalem.

27 Pastaj priftërinjtë Levitë u ngritën dhe bekuan popullin; zëri i tyre u dëgjua dhe lutja e tyre arriti deri në banesën e shenjtë të Zotit në qiell.

31 Mbasi mbaruan tërë këtë punë, Izraelitët e pranishëm u nisën për në qytetet e Judës, për të thyer kollonat e shenjta, për të shembur Asherimët dhe për të shkatërruar vendet e larta dhe altarët në tërë Judën dhe Beniaminin, ashtu edhe në Efraim dhe në Manas, deri në shkatërrim të plotë. Pastaj tërë bijtë e Izraelit u kthyen në qytetet e tyre, secili në pronën e tij.

Ezekia rindërtoi klasat e priftërinjve dhe të Levitëve në bazë të klasave të tyre, secila sipas shërbimit të tij, priftërinjtë dhe Levitët për olokaustet dhe flijimet e falenderimit për të shërbyer, për të falenderuar dhe për të lëvduar në portat e kampeve të Zotit.

Mbreti caktoi edhe pjesën e pasurive të tij, që do t’i caktoheshin për olokauste; olokaustet e mëngjesit dhe të mbrëmjes, olokaustet e të shtunave, të ditëve të hënës së re dhe të festave solemne, ashtu siç është shkruar në ligjin e Zotit.

Gjithashtu urdhëroi popullin, ata që banonin në Jeruzalem, t’u jepnin priftërinjve dhe Levitëve pjesën që u takonte, me qëllim që të tregoheshin të vendosur në ligjin e Zotit.

Sa u përhap ky urdhër, bijtë e Izraelit dhanë me shumicë prodhimet e para të grurit, të verës, të vajit, të mjaltit dhe të të gjitha prodhimeve të arave; dhe çuan një të dhjetë të bollshme nga çdo gjë.

Bijtë e Izraelit dhe të Judës që banonin në qytetet e Judës çuan edhe ata të dhjetën e lopëve dhe të deleve, po kështu edhe të dhjetën e gjërave të shenjta të shenjtëruara Zotit, Perëndisë të tyre, dhe krijuan me to shumë grumbuj.

Filluan t’i bëjnë grumbujt në muajin e tretë dhe e përfunduan këtë punë në muajin e shtatë.

Kur Ezekia dhe krerët erdhën për të parë grumbujt, bekuan Zotin dhe popullin e tij të Izraelit.

Pastaj Ezekia pyeti priftërinjtë dhe Levitët për grumbujt;

10 kryeprifti Azariah, nga shtëpia e Tsadokut, iu përgjigj: "Që kur filloi prurja e ofertave në shtëpinë e Zotit, kemi ngrënë sa jemi ngopur dhe kanë mbetur gjëra me shumicë, sepse Zoti ka bekuar popullin e tij; dhe kjo është sasia e madhe që ka tepruar".

11 Atëherë Ezekia i urdhëroi ata të përgatisnin disa dhoma në shtëpinë e Zotit. Ata i përgatitën,

12 dhe sollën aty me besnikëri ofertat, të dhjetën dhe gjërat e shenjtëruara. Levitit Konaniahu iu besua kryeintendenca dhe mbas tij vinte i vëllai, Shimei.

13 Jehieli, Ahaziahu, Nahathi, Asahelli, Jerimothi, Jozabadi, Elieli, Ismakiahu, Mahathi dhe Benajahu ishin mbikqyrës nën urdhrat e Konaniahut dhe të vëllait të tij Shimei, me porosi të mbretit Ezekia dhe të Azariahut, kreu i shtëpisë së Perëndisë.

14 Leviti Kore, bir i Imnahut, rojë e portës lindore, ishte caktuar për ofertat vullnetare që i bëheshin Perëndisë për të shpërndarë ofertat e larta të Zotit dhe gjërat shumë të shenjta.

15 Nën urdhrat e tij ishin Edeni, Miniamini, Jeshua, Shemajahu, Amariahu, Shekaniahu në qytetet e priftërinjve, që duhet t’u bënin me përpikmëri shpërndarjen vëllezërve të tyre, të mëdhenj apo të vegjël, sipas klasave të tyre;

16 me përjashtim të meshkujve që ishin regjistruar në gjeneologjitë e tyre nga mosha tre vjeç e lart, ata u shpërndanin të gjithë atyre që hynin në shtëpinë e Zotit racionin e tyre të përditshëm për shërbimin e tyre, sipas funksioneve të tyre dhe në bazë të klasës së cilës i përkisnin,

17 priftërinjve të regjistruar në gjenealogjitë sipas shtëpive atërore dhe Levitëve me moshë njëzet vjeç e lart, sipas detyrave të tyre dhe klasave të cilave u përkisnin,

18 dhe gjithë atyre që ishin regjistruar në gjenealogjinë, domethënë fëmijët e tyre të vegjël, bashkëshortet e tyre bijtë e tyre dhe bijat e tyre si anëtarë të të gjithë asamblesë; sepse në funksionin që u ishte caktuar ata u shenjtëruan në shenjtëri.

19 Edhe për priftërinjtë, bijtë e Aaronit, që banonin në fshat, në zonat rreth qyteteve, kishte në çdo qytet njerëz të caktuar me emër për të ndarë racionet çdo mashkulli midis priftërinjve dhe tërë Levitëve të regjistruar në gjenealogjitë.

20 Ezekia veproi kështu në të gjithë Judën; bëri atë që është e mirë, e drejtë dhe e vërtetë përpara Zotit, Perëndisë të tij.

21 Çdo punë që ndërmori për shërbimin e shtëpisë të Perëndisë, për ligjin dhe për urdhërimet, për të kërkuar Perëndinë e tij, ai e bëri me gjithë zemër; prandaj ai pati mbarësi.

18 Mbasi i tha këto gjëra, Jezusi doli me dishepujt e vet dhe shkoi përtej përroit të Kedronit, ku ishte një kopsht, në të cilin hyri ai me dishepujt e tij.

Dhe Juda, i cili po e tradhtonte, e njihte edhe ai atë vend, sepse shpesh herë Jezusi tërhiqej atje me dishepujt e tij.

Atëherë Juda mori një grup ushtarësh dhe rojat e dërguara nga krerët e priftërinjve dhe nga farisenjtë, erdhi atje me fenerë, pishtarë dhe me armë.

Atëherë Jezusi, duke ditur gjithçka që do t’i ndodhte, doli dhe i pyeti: “Kë kërkoni?.”

Ata iu përgjigjën: “Jezusin Nazareas.” Jezusi u tha atyre: “Unë jam!.” Por Juda, që po e tradhtonte, ishte edhe ai me ta.

Sapo ai u tha atyre: “Unë jam,” ata u zmbrapsën dhe ranë për dhe.

Atëherë Jezusi i pyeti përsëri: “Kë kërkoni?.” Ata thanë: “Jezusin Nazareas.”

Jezusi u përgjigj: “Ju kam thënë se unë jam; prandaj nëse më kërkoni mua, i lini këta të shkojnë”;

që të përmbushej fjala që kishte thënë: “Nuk kam humbur asnjë nga ata që më ke dhënë.”

10 Atëherë Simon Pjetri, që kishte një shpatë, e nxori, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë; dhe ai shërbëtor quhej Malk.

11 Por Jezusi i tha Pjetrit: “Fute shpatën tënde në mill; a nuk do ta pi unë kupën që më ka dhënë Ati?.”

12 Atëherë grupi i ushtarëve, kapiteni dhe rojet e Judenjve e kapën Jezusin dhe e lidhën.

13 E çuan më parë te Ana, sepse ishte vjehrri i Kajafës, që ishte kryeprifti i atij viti.

14 Kajafa ishte ai që i kishte këshilluar Judenjtë se ishte e leverdishme që një njeri të vdiste për popullin.

15 Por Simon Pjetri dhe një dishepull tjetër ndiqnin Jezusit. Dhe ky dishepull ishte i njohur i kryepriftit; dhe hyri me Jezusin në oborrin e kryepriftit.

16 Por Pjetri mbeti përjashta te dera. Atëherë dishepulli tjetër, që ishte i njohur i kryepriftit, doli dhe i foli portieres dhe bëri të hyjë Pjetri.

17 Dhe shërbëtorja portiere i tha Pjetrit: “Mos je edhe ti nga dishepujt e atij njeriu?.” Ai u përgjigj: “Nuk jam.”

18 Ndërkaq shërbëtorët dhe rojat ndezën një zjarr me qymyr dhe qëndronin në këmbë e ngroheshin, sepse bënte ftohtë; edhe Pjetri qëndronte në këmbë me ta dhe ngrohej.

Read full chapter