Add parallel Print Page Options

28 Ato ditë Filistejtë mblodhën ushtrinë e tyre për të luftuar Izraelin. Atëherë Akishi i tha Davidit: "Dije mirë që duhet të dalësh të luftosh bashkë me mua, ti dhe njerëzit e tu".

Davidi iu përgjegj Akishit: "Ti me siguri ke për të parë atë që do të bëjë shërbëtori yt". Atëherë Akishi i tha Davidit: "Mirë, pra, unë do të të bëhem roje personale për gjithnjë".

Samueli kishte vdekur dhe gjithë Izraeli e kishte qarë, e kishin varrosur në Ramah, në qytetin e tij. Dhe Sauli kishte përzënë nga vendi mediumet dhe shortarët.

Kështu Filistejtë u mblodhën dhe erdhën të fushojnë në Shunem, ndërsa Sauli mblodhi tërë Izraelin dhe fushoi në Gilboa.

Kur Sauli pa ushtrinë e Filistejve pati frikë dhe zemra e tij u drodh fortë.

Kështu Sauli i kërkoi këshillë Zotit dhe Zoti nuk iu përgjegj as me anë të ëndrrave, as nëpërmjet Urimit dhe as me anë të profetëve.

Atëherë Sauli u tha shërbëtorëve të tij: "Më gjeni një grua që të jetë mediume, me qëllim që unë të mund të shkoj tek ajo për t’u këshilluar". Shërbëtorët e tij i thanë: "Ja, në En-Dor ka një grua që është mediume".

Kështu Sauli u vesh ndryshe për të mos u njohur dhe u nis me dy burra. Arritën tek ajo grua natën dhe Sauli i tha: "Bëj një shortari për mua, të lutem, me një seancë spiritizmi dhe më thirr atë që do të të them".

Gruaja iu përgjegj: "Ja, ti e di ç’ka bërë Sauli; ai i ka shfarosur nga vendi mediumet dhe shortarët. Pse i ngre një grackë jetës sime, për të shkaktuar vdekjen time?".

10 Atëherë Sauli iu betua në emër të Zotit, duke thënë: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, asnjë ndëshkim nuk do të kesh për këtë!".

11 Gruaja i tha: "Cilin duhet të të nxjerr?". Ai i tha: "Më nxirr Samuelin".

12 Kur pa Samuelin, gruaja bërtiti me zë të lartë; dhe gruaja i tha Saulit: "Pse më mashtrove? Ti je Sauli!".

13 Mbreti iu përgjegj: "Mos ki frikë; çfarë shikon?". Gruaja i tha Saulit: Shoh një qenie mbinjerëzore që ngrihet nga tokaa".

14 Ai e pyeti: "Ç’formë ka?". Ajo u përgjegj: "Éshtë një plak që po ngjitet dhe është mbështjellë me një mantel". Atëherë Sauli kuptoi se ishte Samueli, u përul me fytyrën për tokë dhe ra përmbys.

15 Samueli i tha Saulit: "Pse më shqetësove duke bërë që të dal?". Sauli iu përgjegj: "Ndodhem në një ankth të madh, sepse Filistejtë më luftojnë dhe Perëndia është larguar nga unë, dhe nuk më përgjigjet më as me anë të profetëve as me anë të ëndrrave; prandaj të thirra, që ti të më tregosh se çfarë duhet të bëj".

16 Samueli i tha: "Pse këshillohesh me mua, në qoftë se Zoti është larguar nga ti dhe është bërë armiku yt?

17 Zoti veproi ashtu siç kishte thënë nëpërmjet meje. Zoti e shkëputi mbretërinë nga duart e tua dhe ia dha një tjetri, Davidit,

18 sepse nuk iu binde zërit të Zotit dhe nuk zbatove në jetë zemërimin e thellë të tij kundër Amalekut; për këtë arsye Zoti të bëri sot këtë gjë.

19 Zoti do ta japë edhe Izraelin bashkë me ty në duart e Filistejve; nesër ti dhe bijtë e tu do të jeni me mua. Zoti do të japë gjithashtu ushtrinë e Izraelit në duart e Filistejve.

20 Atëherë Sauli ra menjëherë për së gjati për tokë, sepse ishte trembur shumë nga fjalët e Samuelit; ai kishte qenë edhe më parë pa fuqi, sepse nuk kishte ngrënë tërë atë ditë dhe tërë atë natë.

21 Gruaja iu afrua Saulit dhe duke e parë të tmerruar fare, i tha: "Ja, shërbëtorja jote iu bind zërit tënd; unë vura në rrezik jetën time për t’iu bindur fjalëve që më the.

22 Prandaj dëgjo edhe ti zërin e shërbëtores sate dhe lermë të vë para teje një copë buke; ha, sepse kështu do të marrësh fuqi për ta rifilluar rrugën".

23 Por ai refuzoi dhe tha: "Nuk do të ha". Por shërbëtorët e tij bashkë me gruan ngulën këmbë dhe ai i dëgjoi; kështu u ngrit nga toka dhe u ul në shtrat.

24 Gruaja kishte në shtëpi një viç të majmë; e theri shpejt e shpejt, pastaj mori miellin, gatoi brumin dhe përgatiti disa bukë pa maja.

25 I vuri këto ushqime Saulit dhe shërbëtorëve të tij, dhe ata i hëngrën; pastaj u ngritën dhe u nisën po atë natë.

29 Filistejtë i mblodhën tërë forcat e tyre në Afek, ndërsa Izralitët e ngritën kampin e tyre pranë burimit të Jezreelit.

Princat e Filistejve ecnin me qindëshet dhe mijëshet e tyre, ndërsa Davidi dhe njerëzit e tij ecnin në praparojë me Akishin.

Atëherë krerët e Filistejve thanë: "Çfarë po bëjnë kështu këta Hebrenj?". Akishi iu përgjegj krerëve të Filistejve: "A nuk është ky Davidi, shërbëtori i Saulit, i mbretit të Izraelit, që ka qenë me mua këto ditë o këto vite? Tek ai nuk kam gjetur asnjë të metë të madhe nga dita e dezertimit të tij e deri më sot!".

Por krerët e Filistejve u zemëruan me të dhe i thanë: "Ktheje prapa atë njeri me qëllim që të kthehet në vendin që i ke caktuar. Të mos vijë të luftojë me ne që të mos na bëhet armiku ynë gjatë betejës. Si mund ta rifitojë ai favorin e zotërisë së tij, veçse me kokën e këtyre njerëzve?

Nuk është ky Davidi për të cilin këndonin në kor në vallet, duke thënë: Sauli ka vrarë mijëshen e tij dhe Davidi dhjetë mijëshen e tij??"".

Atëherë Akishi thirri Davidin dhe i tha: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, ti je një njeri i drejtë dhe shoh me kënaqësi ecejakun tënd me mua në ushtri, sepse nuk kam gjetur asgjë të keqe që prej ditës që ti erdhe e deri më sot; por ty nuk të përlqejnë princat.

Prandaj kthehu prapa dhe shko në paqe, mos bëj asgjë që nuk u pëlqen princave të Filistejve.

Davidi i tha Akishit: "Çfarë kam bërë dhe çfarë ke gjetur te shërbëtori yt prej ditës që erdha me ty e deri më sot, që të më pengojnë të luftoj kundër armiqve të mbretit, zotërisë tim?".

Akishi iu përgjegj Davidit, duke thënë: "E kupton që për sytë e mi ti je i këndshëm si një engjëll i Perëndisë; por princat e Filistejve kanë thënë: Ai nuk duhet të marrë pjesë me ne në betejë!!".

10  Prandaj çohu herët nesër në mëngjes bashkë me shërbëtorët e zotërisë tënd që kanë ardhur bashkë me ty; çohuni në mëngjes herët dhe nisuni në të gdhirë".

11 Kështu Davidi dhe njerëzit e tij u ngritën herët në mëngjes për t’u nisur dhe për t’u kthyer në vendin e Filistejve. Filistejtë përkundrazi shkuan në Jezreel.

30 Kur Davidi dhe njerëzt e tij arritën në Tsiklag ditën e tretë, Amalekitët kishin kryer një plaçkitje në Negev dhe në Tsiklag; kishin pushtuar Tsiklagun dhe i kishin vënë zjarrin;

kishin zënë robër gratë dhe tërë ata që ndodheshin aty, të vegjël a të rritur; nuk kishin vrarë asnjeri, por i kishin marrë me vete dhe kishin shkuar.

Kur Davidi dhe njerëzit e tij arritën në qytet, ja, qyteti ishte shkatërruar nga zjarri, dhe gratë, bijtë dhe bijat e tyre i kishin marrë me vete si robër.

Atëherë Davidi dhe tërë ata që ishin me të ngritën zërin dhe qanë, deri sa nuk patën forcë të qajnë.

Dy bashkëshortet e Davidit, Jezreelitja Ahinoama dhe Karmelitja Abigail, e cila kishte qënë bashkëshorte e Nabalit, figuronin gjithashtu midis robërve.

Davidi ishte shqetësuar shumë se njerëzit flisnin për ta vrarë atë me gurë, sepse të gjithë e kishin shpirtin të trishtuar për shkak të bijve dhe të bijave të tyre; por Davidi u forcua tek Zoti, Perëndia i tij.

Pastaj Davidi i tha priftit Abiathar, birit të Ahimelekut: "Të lutem, më sill efodin". Abiathari i solli efodin Davidit.

Kështu Davidi u këshillua me Zotin dhe e pyeti: "A duhet ta ndjek këtë bandë? Do ta arrij?". Zoti iu përgjegj: "Ndiqe, sepse do ta arrish me siguri dhe do të rimarrësh pa tjetër çdo gjë".

Kështu Davidi u nis me gjashtëqind njerëzit që kishte me vete dhe arriti në përruan Besor, ku u ndalën ata që kishin mbetur prapa;

10 por Davidi vazhdoi ndjekjen me katërqind njerëz, kurse dyqind mbetën prapa, sepse ishin tepër të lodhur për të kapërcyer përruan e Besorit.

11 Gjetën në fushë një Egjiptas dhe ia çuan Davidit. I dhanë bukë për të ngrënë dhe ujë për të pirë;

12 i dhanë gjithashtu një copë bukë fiku dhe dy vile rrushi. Pasi hëngri, ai e mblodhi veten, sepse nuk kishte ngrënë bukë as nuk kishte pirë ujë tri ditë e tri netë me radhë.

13 Davidi e pyeti: "Ti kujt i përket dhe nga vjen?". Ai u përgjegj: "Jam një egjiptas i ri, shërbëtor i një Amalekiti; pronari im më braktisi, sepse tri ditë më parë u sëmura.

14 Kemi bërë një plaçkitje në jug të Kerethejve, në territorin e Judës dhe në jug të Tsalebit, dhe i kemi vënë zjarrin Tsiklagut".

15 Davidi i tha: "A mund të më çosh poshtë ku ndodhet kjo bandë?". Ai u përgjegj: "Betomu në emër të Perëndisë që nuk do të më vrasësh dhe nuk do të më dorëzosh në duart e pronarit tim, dhe unë do të çoj poshtë, aty ku gjendet kjo bandë".

16 Dhe e çoi poshtë; dhe ja Amalekitët ishin shpërndarë në të gjithë vendin; hanin, pinin dhe bënin festë për plaçkën e madhe që kishin sjellë nga vendi i Filistejve dhe nga vendi u Judës.

17 Davidi i sulmoi nga muzgu deri në mbrëmjen e ditës tjetër; asnjeri prej tyre nuk shpëtoi, përveç katërqind të rinjve që u hipën deveve dhe ia mbathën.

18 Kështu Davidi rimori të gjitha ato që Amalekitët kishin marrë me vete; Davidi gjeti edhe dy gratë e tij.

19 Kështu ata nuk humbën asgjë, as të vegjëlit as të rriturit, as bijtë as bijat, as plaçkat dhe as ndonjë gjë tjetër që u kishin marrë. Davidi i rimori të gjitha.

20 Kështu Davidi shtiu në dorë kopetë e bagëtisë së imët dhe tufat e bagëtisë së trashë; dhe ata që ecnin para bagëtive thonin: "Kjo është plaçka e Davidit!".

21 Pastaj Davidi arriti te dyqind njerëzit që kishin qenë tepër të lodhur për të shkuar pas Davidit që ai i kishte lënë në përruan e Besorit. Këta i dolën para Davidit dhe njerëzve që ishin me të. Kështu Davidi iu afrua atyre dhe i përshëndeti.

22 Atëherë tërë njerëzit e këqij dhe të poshtër që kishin shkuar me Davdin filluan të thonë: "Me qenë se këta nuk erdhën me ne; nuk do t’u japim asgjë nga plaçka që kemi shtënë në dorë, përveç grave dhe fëmijve të secilit; t’i marrin dhe të ikin!".

23 Por Davidi tha: "Mos u sillni kështu, o vëllezërit e mi, me atë që Zoti na ka dhënë duke na mbrojtur dhe duke vënë në duart tona bandën që kishte ardhur kundër nesh.

24 Po kush do t’ju dëgjojë në këtë propozim? E njëjtë ka për të qenë pjesa e atij që shkon për të luftuar dhe e atij që rri pranë plaçkave; do t’i ndajmë pjesët bashkë".

25 Qysh prej asaj dite u veprua kështu; Davidi e bëri atë statut dhe normë për Izraelin deri në ditën e sotme.

26 Kur Davidi u kthye në Tsiklag, një pjesë të plaçkës ua dërgoi pleqve të Judës, miq të tij, duke thënë: "Ja një dhuratë e ardhur nga plaçka që u morëm armiqve të Zotit".

27 U dërgoi atyre të Bethelit, të Ramothit të Negevit dhe atyre të Jatirit,

28 atyre të Areorit, atyre të Sifmothit, atyre të Eshtemoas,

29 atyre të Rakalit, atyre të qyteteve të Jerameelitëve dhe atyre të qyteteve të Kenejve,

30 atyre të Hormahut, atyre të Kor-Ashanit, atyre të Athakut,

31 atyre të Hebronit dhe atyre të të gjithë vendeve nga kishte kaluar Davidi me njerëzit e tij.

31 Filistejtë u ndeshën me Izraelin dhe Izraelitët ua mbathën para Filistejve, dhe ranë të vrarë në malin Gilboa.

Filistejtë ndoqën me furi Saulin dhe bijtë e tij; kështu Filistejtë vranë Jonathanin, Abinadabin dhe Malkishuahun, bij të Saulit.

Beteja u ashpërsua kundër Saulit; harkëtarët e arritën dhe ai u plagos rëndë prej tyre.

Sauli i tha shërbëtorëve të tij: "Nxirre shpatën tënde dhe më shpo me të; të mos vinë këta të parrethprerë të më shpojnë dhe të tallen me mua". Por shqyrtari i tij nuk deshi ta kryejë këtë veprim, sepse e kishte zënë një frikë e madhe. Atëherë Sauli mori shpatën dhe u hodh mbi të.

Kur shqyrtari pa se Sauli kishte vdekur, edhe ai u hosh mbi shpatën e vet dhe vdiq me të.

Kështu po atë ditë vdiqën bashkë Sauli, tre bijtë e tij, shqyrtari dhe tërë njerëzit e tij.

Kur Izraelitët që ndodheshin matanë luginës dhe matanë Jordanit panë që njerëzit e Izraelit ua kishin mbathur me vrap dhe që Sauli dhe bijtë e tij kishin vdekur, braktisën qytetet dhe ua mbathën. Atëherë erdhën Filistejtë dhe u vendosën aty.

Të nesërmen Filistejtë erdhën për të zhveshur të vrarët dhe gjetën Saulin dhe tre bijtë e tij të rënë në malin Gilboa.

I prenë kokën Saulit, e zhveshën nga armatimi i tij dhe dërguan lajmëtarë në tërë vendin e Filistejve për ta çuar lajmin në tempullin e idhujve të tyre dhe popullit.

10 E vendosën pastaj armaturën e tij në tempullin e Ashtarothit dhe e varën kufomën e tij në muret e Beth-Shanit.

11 Por kur banorët e Jabeshit të Galaadit mësuan atë që Filistejtë i kishin bërë Saulit,

12 tërë njerëzit trima u ngritën, ecën tërë natën dhe hoqën nga muret e Beth-Shanit kufomën e Saulit dhe kufomat e bijve të tij; pastaj u kthyen në Jabesh dhe këtu i dogjën ato.

13 Pastaj muarrën kockat e tyre, i varrosën poshtë marinës në Jabesh dhe agjëruan shtatë ditë me radhë.

18 "Të dua, o Zot, forca ime.

Zoti është kështjella ime, fortesa ime dhe çliruesi im, Perëndia im, shkëmbi im ku gjej strehë, mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim, streha ime e i lartë.

Unë i kërkoj ndihmë Zotit, që është i denjë për t’u lëvduar, dhe kështu shpëtoj nga armiqtë e mi.

Dhembje vdekjeje më kishin pushtuar dhe përrenj njerëzish të kobshëm më kishin tmerruar.

Ankthet e Sheolit më kishin rrethuar dhe leqet e vdekjes më rrinin përpara.

Në ankthin tim kërkova Zotin dhe i klitha Perëndisë tim; ai e dëgjoi zërin tim nga tempulli i tij dhe zëri im arriti para tij, në veshët e tij.

Atëherë dheu u trondit dhe u drodh; edhe themelet e maleve luajtën dhe ranë, sepse ai ishte zemëruar shumë.

Një tym i dilte nga flegrat e tij dhe një zjarr shkatërrimtar dilte nga goja e tij; nga ai shpërthenin thëngjij.

Ai i uli qiejtë dhe zbriti me një mjegull të dendur poshtë këmbëve të tij;

10 i kishte hipur një kerubini dhe fluturonte; fluturonte shpejt mbi krahët e erës.

11 Me terrin ai kishte bërë velin e tij dhe si shatorre rreth vetes kishte vënë errësirën e ujërave dhe retë e dendura të qiellit.

12 Nga shkëlqimi që e paraprinte dilnin re të dendura, brësher dhe thëngjij.

13 Zoti gjëmoi në qiejtë dhe Shumë i Larti bëri që të dëgjohet zëri i tij me breshër dhe me thëngjij.

14 Hodhi shigjetat e tij dhe i shpërndau armiqtë; lëshoi një numër të madh rrufesh dhe i bëri të ikin me vrap.

15 Në qortimin tënd, o Zot, në shfryrjen e erës nga flegrat e tua, shtretërit e lumenjve u dukën dhe themelet e botës u zbuluan.

16 Ai nga lart shtriu dorën, më mori dhe më nxori jashtë ujërave të shumta.

17 Më çliroi nga armiku im i fuqishëm dhe nga ata që më urrenin, sepse ishin më të fortë se unë.

18 Ata u vërsulën kundër meje ditën e fatkeqësisë sime, por Zoti mbajti anën time,

19 dhe më nxori jashtë, larg; më çliroi sepse më do.

20 Zoti më ka shpërblyer sipas drejtësisë sime dhe më ka dhënë sipas pastërtisë së duarve të mia,

21 sepse kam ndjekur rrugët e Zotit dhe nuk jam larguar pabesisht nga Perëndia im,

22 sepse kam mbajtur para meje tërë ligjet e tij dhe nuk u jam shmangur statuteve të tij.

23 Kam qenë i ndershëm me të dhe i jam ruajtur paudhësisë.

24 Sepse Zoti më ka dhënë sipas drejtësisë sime, sipas pastërtisë së duarve të mia përpara syve të tij.

25 Ti tregohesh i dhimbshëm ndaj njeriut besimtar dhe i drejtë me njeriun e drejtë.

26 Ti tregohesh i pastër me atë që është i pastër dhe i dinak me të ligun,

27 sepse ti je ai që shpëton njerëzit e pikëlluar dhe ul sytë që janë krenarë;

28 ti je në fakt je ai që bën të shkëlqejë llambën time; o Zot, Perëndia im, ti ndriçon errësirën time,

29 sepse me ty mund të sulmoj një aradhe dhe me Perëndinë tim mund të kërcej mbi një mur.

30 Rruga e Perëndisë është e përsosur; fjala e Zotit është pastruar me anë të zjarrit; ai është mburoja e të gjithë atyre që gjejnë strehë tek ai.

31 Në fakt kush është Perëndi përveç Zotit? Kush është kështjellë përveç Perëndisë tim?

32 Perëndia është ai që më rrethon me forcë dhe që e bën jetën time të përsosur.

33 Ai i bën këmbët e mia të ngjashme me ato të sutave dhe më bën të fortë në vendet e mia të larta;

34 ai i mëson duart e mia për betejë, dhe me krahët e mi mund të nderë një hark prej bakri.

35 Ti më ke dhënë gjithashtu mburojën e shpëtimit tënd; dora jote e djathtë më ka mbajtur dhe mirësia jote më ka bërë të madh.

36 Ti ke zgjeruar hapat e mi nën veten time dhe këmbët e mia nuk janë penguar.

37 I kam ndjekur armiqtë e mi dhe i kam arritur, nuk jam kthyer prapa para se t’i shkatërroj.

38 I kam goditur vazhdimisht dhe ata nuk kanë mundur të ngrihen përsëri; ata kanë rënë nën këmbët e mia.

39 Ti më ke dhënë forcë për betejën dhe ke bërë të përulen ata që ngriheshin kundër meje;

40 ti ke bërë të kthejnë kurrizin armiqtë e mi, dhe unë kam shkatërruar ata që më urrenin.

41 Ata klithën, por nuk pati njeri që t’i shpëtonte; ata i klithën Zotit, por ai nuk u dha përgjigje.

42 I kam shkelur deri sa i bëra si pluhuri para erës; i kam fshirë si balta e rrugëve.

43 Ti më ke çliruar nga grindjet e popullit; ti më ke bërë udhëheqës të kombeve; një popull që nuk e njihja më ka shërbyer.

44 Me të dëgjuar emrin tim, ata më dëgjuan dhe m’u bindën; të huajt m’u nënshtruan.

45 Të huajt u ligështuan dhe dolën duke u dridhur nga fortesat e tyre.

46 Rroftë Zoti, qoftë e bekuar Kështjella ime dhe lëvduar qoftë Perëndia i shpëtimit tim!

47 Ai është Perëndia që hakmerret për mua dhe që më nënshtron popujt;

48 ai më çliron nga armiqtë e mi. Ti më larton mbi ata që ngrihen kundër meje dhe më çliron nga njeriu që përdor dhunën.

49 Prandaj, o Zot, unë do ta kremtoj midis kombeve emrin tënd me këngë.

50 Çlirime të mëdha ai i jep mbretit të tij dhe tregohet dashamirës me Davidin, të vajosurin e tij, dhe me fisin e tij përjetë".