Add parallel Print Page Options

Në vitin katërqind e tetëdhjetë mbas daljes së bijve të Izraelit nga vendi i Egjiptit, në vitin e katërt të mbretërimit të tij mbi Izrael, në muajin e Zivit, që është muaji i dytë, Salomoni filloi të ndërtojë shtëpinë e Zotit.

Tempulli që ndërtoi mbreti Salomon për Zotin ishte gjashtëdhjetë kubitë i gjatë, njëzet i gjerë dhe tridhjetë i lartë.

Portiku përpara tempullit ishte njëzet kubitë i gjatë, i barabartë, pra, me gjerësinë e tempullit, dhe gjerësia e tij shtrihej dhjetë kubitë nga fasada e tempullit.

Në tempull vuri dritare me hekura.

Pranë murit të tempullit ai ndërtoi dhoma që rrethonin tërë murin e tempullit, si vendin e shenjtë ashtu dhe vendin shumë të shenjtë; kështu ai bëri dhoma anësore rreth e qark.

Dhomat e katit të parë ishin të gjera pesë kubitë, ato të katit të mesëm gjashtë kubitë dhe ato të katit të tretë shtatë kubitë; në fakt ai kishte ndërtuar dalje rreth e rrotull mureve të tempullit, në mënyrë që trarët e mbështetjes të mos futeshin në muret e tempullit.

Për ndërtimin e tempulit u përdorën gurë që ishin latuar në gurore; kështu gjatë ndërtimit të tempullit nuk u dëgjua zhurma e çekiçit, e sëpatës ose e ndonjë vegle tjetër prej hekuri.

Hyrja e katit të parë gjendej në krahun e djathtë të tempullit; kështu me anë të një shkalle në trajtë spirale hipje në katin e mesëm, dhe nga kati i mesëm në të tretin.

Mbasi përfundoi ndërtimin e tempullit, Salomoni e mbuloi me trarë dhe me dërrasa kedri.

10 Ndërtoi katet anësore me dhoma rreth e qark tempullit, secili i lartë pesë kubitë, dhe i lidhi me tempullin me trarë kedri.

11 Fjala e Zotit iu drejtua Salomonit, duke i thënë:

12 "Për këtë tempull që po më ndërton, në qoftë se ti u përmbahesh statuteve të mia, zbaton në praktikë dekretet e mia dhe u bind të gjitha urdhërimeve të mia duke ecur në to unë do të përmbush me ty premtimin që i dhashë Davidit, atit tënd:

13 do të banoj në mes të bijve të Izraelit dhe nuk do ta braktis popullin tim të Izrarelit".

14 Kështu Salomoni ndërtoi tempullin dhe e përfundoi.

15 Pastaj ndërtoi muret ndarës të tempullit me dërrasa të kedrit; dhe nga dyshemeja e tempullit deri në tavan e veshi nga brenda me dru; pastaj e mbuloi dyshemenë e tempullit me dërrasa qiparisi.

16 Veshi gjithashtu me dërrasa kedri një hapësirë prej njëzet kubitësh në fund të tempullit, nga dyshemeja deri në tavan; dhe këtë hapësirë të brendshme e rezervoi si shenjtërore, si një vend shumë të shenjtë.

17 Shtëpia, domethënë tempulli, përpara vendit shumë të shenjtë ishte e gjatë dyzet kubitë.

18 Pjesa e brendshme e tempullit ishte prej kedri të gdhendur me sfera dhe me lule të çelura; çdo gjë ishte prej kedri dhe nuk dukej asnjë gur.

19 Salomoni e përgatiti vendin shumë të shenjtë në pjesën e brendshme të tempullit, për të vënë aty arkën e besëlidhjes të Zotit.

20 Vendi shumë i shenjtë ishte njëzet kubitë i gjatë, njëzet kubitë i gjerë dhe njëzet kubitë i lartë. Salomoni e veshi me ar të kulluar; dhe e veshi altarin me kedër.

21 Kështu Salomoni e veshi pjesën e brendshme të tempullit me ar të kulluar, shtriu zinxhira ari përpara vendit shumë të shenjtë dhe e veshi me ar.

22 Veshi me ar tërë tempullin deri sa mbaroi së ndërtuari dhe veshi me ar gjithashtu tërë altarin që i takonte vendit shumë të shenjtë.

23 Në pjesën e brendshme të vendit shumë të shenjtë bëri dy kerubinë me dru ulliri, që ishin dhjetë kubitë të lartë.

24 Krahu i një kerubini ishte pesë kubitë dhe tjetri ishte gjithashtu pesë kubitë; kishte, pra, dhjetë kubitë nga maja e një krahu deri te maja e tjetrit.

25 Edhe kerubini tjetër ishte dhjetë kubitësh; të dy kerubinët kishin po ato përmasa dhe po atë formë.

26 Lartësia e një kerubini ishte dhjetë kubitë po kështu edhe ajo e kerubinit tjetër.

27 Salomoni i vendosi kerubinët në mes të vendit shumë të shenjtë. kerubinët i kishin krahët të hapur; krahu i të parit prekte njërin mur ndarës dhe krahu i të dytit prekte murin tjetër; krahët e tyre të brendshme takoheshin në mes të shtëpisë.

28 Pastaj i veshi me ar kerubinët.

29 Pastaj riprodhoi mbi të gjitha muret ndarës të trempullit, rreth e qark, figura në reliev kerubinësh, palma dhe lule të çelura, si brenda ashtu dhe jashtë.

30 Pastaj veshi me ar dyshemenë e tempullit, si nga brenda ashtu dhe nga jashtë.

31 Për të hyrë në vendin tepër të shenjtë bëri një portë me dy kanate me dru ulliri; arkitravi dhe shtalkat zinin një të katërtën e murit.

32 Të dy kanatet ishin me dru ulliri. Mbi to gdhendi figura kerubinësh, palma dhe lulesh të çelura, i veshi me ar duke e shtrirë arin mbi kerubinët dhe mbi palmash.

33 Për portën e tempullit bëri gjithashtu shtalka me dru ulliri, që zinin një të katërtën e gjerësisë së murit,

34 dhe dy kanate me dru qiparisi; çdo kanat përbëhej nga dy pjesë që hapeshin dhe mbylleshin.

35 Mbi to gdhendi kerubinë, palma dhe lule të çelura dhe i veshi me ar, që e shtriu me saktësi mbi skulpturat.

36 Pastaj ndërtoi oborrin e brendshëm me tri radhë gurësh katërkëndësh dhe një radhë trarësh kedri.

37 Vitin e katërt, në muajin e Zivit, u hodhën themelet e shtëpisë të Zotit;

38 vitin e njëmbëdhjetë, në muajin e Bulit, që është muaji i tetë, tempulli u mbarua në të gjitha pjesët e tij, sipas vizatimeve të dhëna. Kështu Salomonit iu deshën shtatë vjet për ta ndërtuar.

Por Salomonit iu deshën trembëdhjetë vjet për të ndërtuar shtëpinë e tij; kështu ai përfundoi tërë shtëpinë e tij.

Ai ndërtoi shtëpinë e "Pyllit të Libanit," e gjatë njëqind kubitë, e gjerë pesëdhjetë e lartë tridhjetë; ajo mbështetej mbi katër radhë shtyllash kedri, mbi të cilat mbështeteshin trarët e kedrit.

Një tavan prej kedri mbulonte dhomat që mbështeteshin mbi shtyllat, dhe që ishin gjithashtu dyzet e pesë, pesëmbëdhjetë për çdo radhë.

Kishte tri radhë dritaresh, të kundërvëna njëra me tjetrën në tri plane të ndryshme.

Të gjitha portat me shtalkat e tyre dhe arkitrarët e tyre ishin katërkëndëshe dhe dritaret i kundërviheshin njëra tjetrës në tre plane të ndryshme.

Ai ndërtoi edhe portikun e shtyllave, i gjatë pesëdhjetë kubitë dhe i gjerë tridhjetë; në pjesën e përparme kishte një hajat, me shtylla dhe që ishte i mbuluar me çati.

Pastaj ndërtoi portikun e fronit ku admnistronte drejtësia, i quajtur Portiku i gjykimitt"; dhe e mbuloi me kedër nga dyshemeja në tavan.

Shtëpia ku ai banonte, e ndërtuar në të njëjtën mënyrë, kishte përkundrazi një oborr tjetër në pjesën e brendshme të portikut. Salomoni bëri gjithashtu një shtëpi me një portik të ngjashëm me këtë për bijën e Faraonit, që kishte marrë për grua.

Të gjitha ndërtimet ishin me gurë të zgjedhur, të prerë sipas masës me sharrë nga brenda dhe nga jashtë nga themelet deri në kornizat, dhe nga jashtë deri në oborrin më të madh.

10 Edhe themelet ishin me gurë të zgjedhur, me gurë të mëdhenj, disa dhjetë kubitësh dhe të tjerë tetë kubitësh.

11 Mbi to kishte gurë të zgjedhur, të prerë me masë, dhe dru kedri.

12 Oborri i madh kishte rreth e qark tri radhë gurësh të latuar dhe një radhë trarësh prej kedri, ashtu si oborri i brendshëm i shtëpisë të Zotit dhe si portiku i tempullit.

13 Mbreti Salomon solli nga Tiro Hiramin,

14 birin e një të veje nga fisi i Neftalit; i ati ishte nga Tiro dhe punonte bronzin; ishte tërë dituri, zgjuarsi dhe shkathtësi për të kryer çdo punim bronzi. Ai vajti te mbreti Salomon dhe kreu të gjitha punimet që i caktuan.

15 Derdhi dy shtylla prej bronzi. Secila kishte një lartësi prej tetëmbëdhjetë kubitësh dhe një rreth prej dymbëdhjetë kubitësh.

16 Bëri edhe dy kapitele prej bronzi të derdhur për t’i vënë në majë të shtyllave; një kapitel ishte i lartë pesë kubitë dhe pesë kubitë ishte gjithashtu lartësia e kapitelit të dytë.

17 Pastaj bëri një rrjetëz me kurora në formë të zinxhirësh për kapitelet që ishin në majë të shtyllave, shtatë për një kapitel dhe shtatë për kapitelin tjetër.

18 Kështu bëri shtyllat e dy radhëve të shegës rreth e qark rrjetëzës, për të mbuluar kapitelet që ishin në majën e shtyllave; bëri të njëjtën gjë për secilin nga kapitelet.

19 Kapitelet që ishin në majë të shtyllave në portik kishin formën e zambakut dhe qenë katër kubitësh.

20 Përveç kësaj mbi kapitelet në majë të të dy kolonave, mbi pjesën e mysët afër rrjetëzës, kishte dyqind shegë të vëna me radhë rreth e qark.

21 Pastaj vendosi shtyllat në portikun e tempullit; vendosi shtyllën në të djathtë dhe e quajti Jakin, pastaj vendosi shtyllën në të majtë dhe e quajti Boaz.

22 Në majë të shtyllave kishte një punim në formë zambaku. Kështu mbaroi punimi i shtyllave.

23 Pastaj bëri detin me metal të shkrirë, në formë rrethore, që nga një buzë në buzën tjetër kishte një gjatësi prej dhjetë kubitësh; lartësia e tij ishte pesë kubitë dhe rrethi ishte tridhjetë kubitë.

24 Nën buzë dhe rreth e qark detit kishte kolokuintide zbukuruese, dhjetë në çdo kubit; kolokuintidet zbukuruese ishin vendosur në dy radhë dhe ishin bërë me derdhje.

25 Deti mbështetej mbi dymbëdhjetë qe, prej të cilëve tre shikonin nga veriu, tre nga perëndimi, tre nga jugu dhe tre nga lindja; deti ishte vënë mbi ta dhe pjesët e tyre të prapme ishin të kthyera nga brenda.

26 Ai kishte trashësinë e një pëllëmbe; buza e tij ishte si buza e një kupe, si lulja e një zambaku: ai përmbante dy mijë bate.

27 Bëri gjithashtu dhjetë qerrëza prej bronzi, secila e gjatë katër kubitë, e gjerë katër kubitë dhe e lartë tre kubitë,

28 qerrëzat ishin ndërtuar si vijon: kishin panele anësore dhe këto mbylleshin me anë të kornizave.

29 Mbi panelet, që ishin midis kornizave, ishin përfytyruar luanë, qe dhe kerubinë. Mbi kornizat mbështetej një piedestal, ndërsa sipër dhe poshtë luanëve dhe qeve kishte kurora në formë vargjesh zbukurues.

30 Çdo qerre e vogël kishte katër rrota prej bronzi me boshtet gjithashtu prej bronzi; katër këmbët e tyre kishin disa spaleta poshtë vazos, dhe spaletat ishin bërë me derdhje, me kurora në anët e secilës prej tyre.

31 Hapja e saj, në pjesën e brendshme të kurorës dhe në pjesën e saj të lartë, ishte e rrumbullakët; ishte e thellë një kubit, kishte formën e një piedestali dhe një diametër prej një kubit e gjysmë; edhe rreth hapjes kishte skulptura, por panelet ishin katrorë dhe jo të rrumbullakët.

32 Katër rrotat ishin nën panelet dhe boshtet e rrotave ishin fiksuar në bazë. Lartësia e çdo rrote ishte një kubit e gjysmë.

33 Punimi i rrotave ishte si ai i një qerreje. Boshtet, rrathët, rrezet dhe bucelat ishin të gjitha prej bronzi të derdhur.

34 Në të katër qoshet e çdo qerreje kishte katër spaleta, që përbënin një të tërë me vetë qerren.

35 Në majë të qerres kishte një mbajtëse të rrumbullakët, e cila ishte gjysmë kubit e lartë; dhe në majë të qerres, kornizat dhe panelet e saj përbënin një tërësi me të.

36 Mbi sipërfaqen e kornizave dhe të paneleve të saj, Hirami gdhendi kerubinë, luanë dhe palma, sipas hapësirave të lira, dhe kurora rreth e qark.

37 Kështu ai veproi me të dhjetë qerret, që u derdhën të gjitha njëlloj me po ato madhësi dhe po atë formë.

38 Pastaj përgatiti dhjetë enë prej bronzi, secila prej tyre përmbante dyzet bate dhe ishte katër kubitësh; dhe çdo enë mbështetej mbi njërën nga dhjetë qerret.

39 Ai i vendosi qerret pesë nga ana e djathtë e tempullit dhe pesë nga ana e majtë e tij, dhe e vuri detin në krahun e djathtë të tempullit, nga ana jug-lindore.

40 Hirami bëri enët, lopatëzat dhe kupat. Kështu Hirami përfundoi çdo punë që duhet të bënte për mbretin Salomon në shtëpinë e Zotit:

41 dy shtylla, dy kapitele me vazo në majë të shtyllave, dy rrjetëza për të mbuluar dy kapitele me vazo në majë të shtyllave,

42 katërqind shegë për dy rrjetëzat (dy radhë shegësh për çdo rrjetëz për të mbuluar dy kapitelet me vazo në majë të shtyllave),

43 dhjetë qerrëza, dhjetë enë mbi qerret,

44 deti, një i vetëm, dhe dymbëdhjetë qe poshtë detit,

45 vazot, lopatëzat, enët. Të gjitha këto vegla, që Salomoni vuri Hiramin t’i bëjë për shtëpinë e Zotit, ishin prej bronzi të lëmuar.

46 Mbreti i shkriu në fushën e Jordanit në një tokë argjilore, midis Sukothit dhe Tsarethanit.

47 Salomoni nuk u kujdes t’i peshojë tërë këto vegla, sepse ishin shumë; pesha e bronzit nuk u përcaktua.

48 Salomoni bëri që të prodhohen tërë orenditë e shtëpisë të Zotit: altari prej ari, tryeza prej ari mbi të cilën viheshin bukët e paraqitjes;

49 shandanët prej ari të kulluar, pesë në të djathtë dhe pesë në të majtë përpara vendit shumë të shenjtë, me lulet, me llambat dhe me gërshërët prej ari;

50 kupat, thikat, vazot e mëdha, lugët dhe mangallët prej ari të kulluar; dhe menteshat prej ari të portave të shtëpisë së brendshme (domethënë të vendit shumë të shenjtë) dhe portat në hyrje të vetë tempullit.

51 Kështu përfundoi tërë puna që mbreti Salomon kishte bërë për shtëpinë e Zotit. Pastaj Salomoni solli argjendin, arin dhe veglat, të cilat i kishte shenjtëruar Davidi, ati i tij, dhe i vendosi në thesaret e shtëpisë të Zotit.