Add parallel Print Page Options

17 Elia, Tishbiti, një nga banorët e Galaadit i tha Ashabit: "Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, Perëndia i Izraelit, në prani të të cilit unë ndodhem, nuk do të ketë as vesë as shi gjatë këtyre viteve, veçse me fjalën time".

Pastaj fjala e Zotit iu drejtua atij, duke thënë:

"Largohu që këtej, ktheu nga lindja dhe fshihu pranë përroit Kerith, që ndodhet në lindje të Jordanit.

Do të pish ujë në përrua dhe unë i kam urdhëruar korbat që të të japin të hash atje".

Kështu ai u nis dhe veproi sipas fjalës të Zotit; shkoi dhe u vendos pranë përroit Kerith, që ndodhet në lindje të Jordanit.

Korbat i sillnin bukë e mish në mëngjes dhe bukë e mish në mbrëmje, dhe pinte ujë në përrua.

Mbas një farë kohe përroi shteroi, sepse nuk binte shi mbi vendin.

Atëherë Zoti i foli, duke thënë:

"Çohu dhe shko të vendosësh në Sarepta të Sidonëve, sepse atje kam urdhëruar një grua të ve të të sigurojë ushqimin".

10 Ai u ngrit, pra, dhe shkoi në Sarepta; sapo arriti në portën e qytetit, ai pa një të ve që mblidhte dru. Ai e thirri dhe i tha: "Shko dhe më merr pak ujë në një enë që të mund të pi".

11 Ndërsa ajo po shkonte për të marrë ujin, ai e thirri dhe i tha: "Më sill edhe një copë bukë".

12 Ajo u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, Perëndia yt, bukë nuk kam, por kam vetëm një dorë miell në një enë dhe pak vaj në një qyp; dhe tani po mbledh dy copa dru për t’i përgatitur për vete dhe për djalin tim; do t’i hamë dhe pastaj kemi për të vdekur".

13 Elia i tha: "Mos ki frikë; shko dhe bëj si the; por më parë bëj një kulaç të vogël për mua dhe sillma; pastaj ta bësh për vete dhe për djalin tënd.

14 Sepse kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Ena e miellit nuk do të mbarojë dhe qypi i vajit nuk do të pakësohet deri ditën, që Zoti të dërgojë shiun mbi tokë"".

15 Kështu ajo shkoi dhe veproi sipas fjalës së Elias; dhe kështu hëngrën ajo, Elia dhe gjithë familja e saj për një kohë të gjatë.

16 Ena e miellit nuk mbaroi dhe qypi i vajit nuk u pakësua, sipas fjalës që Zoti kishte shqiptuar me anë të Elias.

17 Mbas këtyre ngjarjeve, biri i gruas, që ishte e zonja e shtëpisë, u sëmur; sëmundja e tij qe aq e rëndë, sa nuk i mbeti më frymë jete.

18 Atëherë ajo i tha Elias: "Çfarë lidhje kam me ty, o njeri i Perëndisë? Ndofta ke ardhur tek unë për të më kujtuar mëkatin që kam bërë dhe për të vrarë djalin tim?".

19 Ai iu përgjigj: "Më jep djalin tënd". Kështu ia mori nga gjiri i saj, e çoi në dhomën lart dhe e shtriu në shtratin e tij.

20 Pastaj i kërkoi ndihmë Zotit dhe tha: "O Zot, Perëndia im, mos ke goditur me fatkeqësi edhe këtë grua të ve, që më strehon, duke bërë t’i vdesë i biri?".

21 U shtri pastaj tri herë mbi fëmijën dhe kërkoi ndihmën e Zotit, duke thënë: "O Zot, Perëndia im, të lutem bëj që t’i kthehet shpirti kësaj fëmije".

22 Zoti e plotësoi dëshirën e shprehur në zërin e Elias; shpirti i fëmijës u kthye tek ai dhe ai mori jetë përsëri.

23 Atëherë Elia mori fëmijën, e zbriti nga dhoma e sipërme e shtëpisë dhe ia dha nënës së tij, duke i thënë: "Shiko, fëmija jote është gjallë!".

24 Atëherë gruaja i tha Elias: "Tani pranoj që ti je një njeri i Perëndisë dhe që fjala e Zotit në gojën tënde është e vërtetë".

18 Shumë kohë më vonë, gjatë vitit të tretë, fjala e Zotit iu drejtua Elias, duke i thënë: "Shko dhe paraqitu te Ashabi dhe unë do të dërgoj shiun mbi vendin".

Elia shkoi të paraqitet te Ashabi. Atëherë në Samari kishte pllakosur një zi e madhe e bukës.

Ashabi dërgoi të thërrasë Abdian, që ishte mexhordomi i tij. (Abdia kishte frikë të madhe nga Zoti;

kështu, kur Jezebeli shfaroste profetët e Zotit, Abdia mori njëqind profetë dhe fshehu pesëdhjetë prej tyre në një shpellë, duke i furnizuar me bukë dhe ujë).

Ashabi i tha Abdias: "Shko nëpër vendin në drejtim të të gjitha burimeve dhe rrjedhave ujore; ndofta do të gjejmë bar të mjaftueshëm për të mbajtur gjallë kuajt dhe mushkat dhe nuk do të detyrohemi të vrasim asnjë nga kafshët tona".

Kështu e ndanë vendin që do të përshkohej; Ashabi shkoi vetëm nga një anë dhe Abdia vetëm nga ana tjetër.

Ndërsa Abdia po udhëtonte, ja ku doli përpara Elia; Abdiu e njohu dhe u shtri me fytyrë për tokë përpara tij, duke thënë: "Ti je zotëria im Elia?".

Ai u përgjigj: "Jam unë; shko e i thuaj zotërisë sate: Elia është këtu".

Por Abdia u përgjigj: Çfarë mëkati kam kryer që ti dorëzon shërbëtorin tënd në duart e Ashabit që ai të shkaktojë vdekjen time?

10 Ashtu siç është e vërtetë që Zoti, Perëndia yt, rron, nuk ka komb dhe mbretëri në të cilin zoti im nuk ka dërguar njerëz të të kërkojnë; dhe kur thonin: "Nuk është këtu," ai i vinte të betoheshin mbretërinë dhe kombin që nuk kishin mundur të të gjenin.

11 Dhe tani ti thua: "Shko t’i thuash zotërisë sate: Elia është këtu!".

12 Por do të ndodh që sapo të largohem prej teje, Fryma e Zotit do të të çojë në një vend të panjohur nga unë; kështu unë do të shkoj t’ia njoftoj Ashabit, dhe ky, duke mos të gjetur, do të më vrasë. Dhe shërbëtori yt i druhet Zotit që i ri!

13 A nuk i kanë njoftuar zotërisë sime atë që unë kam bërë kur Jezebeli vriste profetët e Zotit? Si fsheha njëqind nga këta profetë të Zotit, pesëdhjetë në një shpellë dhe pesëdhjetë në një tjetër, duke i furnizuar me bukë dhe me ujë?

14 Dhe tani ti thua: "Shko t’i thuash zotërisë sate: Elia është këtu!". Por ai do të më vrasë".

15 Atëherë Elia u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti i ushtrive në prani të të cilit ndodhem, sot do të paraqitem te Ashabi".

16 Abdia, pra, shkoi të kërkojë Ashabin dhe i njoftoi çështjen, dhe Ashabi i doli përpara Elias.

17 Me ta parë Elian i tha: "Ti je pikërisht ai që e bën rrëmujë Izraelin?".

18 Elia u përgjigj: "Nuk jam unë që e bëj rrëmujë Izraelin, por ti dhe shtëpia e atit tënd, sepse keni braktisur urdhërimet e Zotit dhe ti ke shkuar pas Baalëve.

19 Prandaj dërgo tani të thërrasin tërë Izraelin pranë meje në malin Karmel, bashkë me katërqind e pesëdhjetë profetët e Baalit dhe katërqind profetët e Asherahut që hanë në tryezën e Jezebelit".

20 Kështu Ashabi dërgoi e thirri tërë bijtë e Izraelit dhe i mblodhi profetët në malin Karmel.

21 Atëherë Elia iu afrua tërë popullit dhe tha: "Deri kur do të lëkundeni midis dy mendimeve? Në qoftë se Zoti është Perëndia, shkoni pas tij; por në qoftë se përkundrazi është Baali, atëherë ndiqni atë". Populli nuk tha asnjë fjalë.

22 Atëherë Elia i tha popullit: "Kam mbetur vetëm unë nga profetët e Zotit, ndërsa profetët e Baalit janë katërqind e pesëdhjetë.

23 Le të na jepen dy dema të rinj; ata të zgjedhin një dem për veten e tyre, le ta copëtojnë dhe ta vënë mbi drutë pa i ndezur ato; unë do të përgatis demin tjetër dhe do ta vendos mbi drutë pa i ndezur ato.

24 Ju do t’i bëni thirrje perëndisë suaj dhe unë do të thërres Zotin; perëndia që do të përgjigjet me anë të zjarrit është Perëndia". Tërë populli u përgjigj dhe tha: "E the bukur!".

25 Atëherë Elia u tha profetëve të Baalit: "Zgjidhni një dem të ri dhe përgatiteni të parët sepse jeni më shumë; pastaj kërkoni ndihmën e perëndisë suaj, pa e ndezur zjarrin".

26 Kështu ata morën demin që u dhanë dhe e përgatitën; pastaj përmendën emrin e Baalit nga mëngjesi deri në drekë, duke thënë: "O Baal, na u përgjigj!". Por nuk u dëgjua asnjë zë dhe asnjeri nuk u përgjigj; ndërkaq ata kërcenin rreth altarit që kishin ndërtuar.

27 Në mesditë Elia filloi të tallet me ta dhe tha: "Ulërini më fort sepse ai është zoti; ndofta është duke menduar thellë, ose është i zënë me punë ose udhëton, ose ka rënë në gjumë e duhet zgjuar".

28 Dhe kështu ata filluan të ulërijnë më fort dhe të priten me shpata dhe shtiza sipas zakoneve që kishin, deri sa të kullonin gjak.

29 Me të kaluar mesdita, ata bënë profeci deri në kohën që ofrohej blatimi; por nuk u dëgjua asnjë zë, asnjeri nuk u përgjigj dhe askush nuk ua vuri veshin.

30 Atëherë Elia i tha tërë popullit: "Afrohuni pranë meje!". Kështu tërë populli iu afrau dhe ai ndreqi altarin e Zotit që e kishin prishur.

31 Pastaj Elia mori dymbëdhjetë gurë, sipas numrit të fiseve të bijve të Jakobit, të cilit Zoti i kishte thënë: "Emri yt do të jetë Izrael".

32 Me gurët ndërtoi një altar në emër të Zotit dhe hapi një gropë rreth tij me një kapacitet prej dy masash gruri.

33 Pastaj rregulloi drutë, copëtoi demin dhe e vuri mbi drutë. Dhe tha: Mbushni katër enë me ujë dhe i derdhni mbi olokaustin dhe mbi drutëë".

34 Përsëri tha: "Bëjeni një herë të dytë". Dhe ata e bënë një herë të dytë. Ai tha akoma: "Bëjeni për të tretën herë". Dhe ata e bënë për të tretën herë.

35 Uji rridhte rreth altarit dhe ai mbushi me ujë edhe gropën.

36 Në orën që ofrohej blatimi, profeti Elia u afrua dhe tha: "O Zot, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Izraelit, vepro në mënyrë të tillë që të dihet që ti je Perëndi në Izrael, që unë jam shërbëtori yt që i bëra tërë këto gjëra me urdhrin tënd.

37 Përgjigjmu, o Zot, përgjigjmu, që ky popull të pranojë që ti, o Zot, je Perëndia, dhe ke bërë të kthehen te ti zemrat e tyre".

38 Atëherë ra zjarri i Tzotit dhe konsumoi olokaustin, drutë, gurët dhe pluhurin, si dhe thau ujin që ishte në gropë.

39 Para kësaj pamjeje tërë populli u shtri me fytyrën për tokë dhe tha: Zoti është Perëndia!..

40 Pastaj Elia u tha atyre: "Zini Profetët e Baalit; mos lini t’ju ikë as edhe një!". Kështu ata i kapën dhe Elia i zbriti në përruan Kishon, ku i theri.

41 Pastaj Elia i tha Ashabit: "Ngjitu, ha dhe pi, sepse dëgjohet që tani zhurma e një shiu të madh".

42 Kështu Ashabi u ngjit për të ngrënë dhe për të pirë; por Elia u ngjit në majë të Karmelt, u përkul deri në tokë dhe vuri fytyrën midis gjunjëve,

43 dhe i tha shërbëtorit të tij: "Tani ngjitu dhe shiko nga ana e detit!". Ai u ngjit, shikoi dhe tha: Nuk ka asgjë". Elia i tha: "Kthehu të shikosh, shtatë herë".

44 Herën e shtatë shërbëtori tha: "Éshtë një re e vogël, e madhe si pëllëmba e një dore që ngjitet nga deti". Atëherë Elia tha: "Shko dhe i thuaj Ashabit: "Lidhi kuajt në qerre dhe zbrit para se të të zërë shiu"".

45 Brenda një kohe të shkurtër qielli u errësua për shkak të reve e të erës, dhe ra një shi i madh. Kështu Ashabi hipi mbi qerre dhe shkoi në Jezreel.

46 Dora e Zotit ishte mbi Elian, që shtrëngoi ijet dhe vrapoi para Ashabit deri në hyrje të Jezreelit.

19 Ashabi i njoftoi Jezebelit tërë ato gjëra që Elia kishte bërë dhe si kisht vrarë me shpatë tërë profetët.

Atëherë Jezebeli i dërgoi një lajmëtar Elias për t’i thënë: "Perënditë të më bëjnë kështu dhe më keq, në rast se nesër në këtë orë nuk do të të kem bërë ty si një nga ata".

Kur dëgjoi këto fjalë, Elia u ngrit dhe iku për të shpëtuar. Arriti në Beer-Sheba, që i përket Judës, dhe la aty shërbëtorin e tij.

Përkundrazi u fut në shkretëtirë një ditë rrugë, shkoi të ulet poshtë një gjinestre dhe kërkoi të vdesë, duke thënë: "Tani mjaft, o Zot! Merr jetën time, se unë nuk jam më i mirë se etërit e mi".

Pastaj u shtri dhe e zuri gjumi poshtë gjinestrës, por ja që një engjëll e preku dhe i tha: "Çohu dhe ha".

Ai shikoi dhe pa pranë kokës së tij një kulaç të pjekur mbi gurë të nxehtë dhe një enë me ujë. Ai hëngri dhe piu, pastaj përsëri u shtri.

Engjëlli i Zotit u kthye për herë të dytë, e preku dhe i tha: "Çohu dhe ha, sepse rruga është tepër e gjatë për ty".

Ai u ngrit, hëngri dhe piu; pastaj me forcën që i dha ai ushqim eci dyzet ditë dhe dyzet netë deri sa arriti në malin e Perëndisë, në Horeb.

Atje hyri në një shpellë dhe aty kaloi natën. Dhe ja, fjala e Zotit iu drejtua dhe i tha: "Ç’bën këtu Elia?".

10 Ai u përgjigj: "Më nxiti një zili e madhe për Zotin, Perëndinë e ushtrive, sepse bijtë e Izraelit e kanë braktisur besëlidhjen tënde, kanë prishur altarët e tu dhe kanë vrarë me shpatë profetët e tu. Kam mbetur vetëm unë dhe ata kërkojnë të më vrasin".

11 Perëndia i tha: "Dil dhe ndalu mbi malin përpara Zotit". Dhe ja, po kalonte Zoti. Një erë e fortë dhe e furishme çante malet dhe thyente shkëmbinjtë përpara Zotit, por Zoti nuk ishte në erë. Mbas erës ra një tërmet, por Zoti nuk ishte në tërmet.

12 Mbas tërmetit ra një zjarr, por Zoti nuk ishte në zjarr. Mbas zjarrit u dëgjua një zë, si një shushuritje e ëmbël.

13 Sa e dëgjoi këtë, Elia e mbuloi fytyrën me mantelin, doli dhe u ndal në hyrje të shpellës; dhe ja, një zë i tha: Ç’bën aty Elia?".

14 Ai u përgjigj: "U nxita nga një zili e madhe për Zotin, për Perëndinë e ushtrive, sepse bijtë e Izraelit kanë braktisur besëlidhjen tënde, kanë prishur altarët dhe kanë vrarë me shpatë profetët e tu. Kam mbetur vetëm unë dhe ata përpiqen të më vrasin".

15 Zoti i tha: "Shko, merr përsëri rrugën e kthimit deri në shkretëtirën e Damaskut; kur të arrish aty, do ta vajosësh Hazaelin mbret të Sirisë.

16 Do të vajosësh gjithashtu Jehun, birin e Nimshit, mbret të Izraelit; do të vajosësh pastaj Eliseun, birin e Shafatit nga Abel-Melohahu, si profet në vendin tënd.

17 Kështu që ai që do të shpëtojë nga shpata e Hazaelit, do të vritet nga Jehu; dhe ai që do të shpëtojë nga shpata e Jehut, do të vritet nga Eliseu.

18 Por kam lënë në Izrael një tepricë prej shtatë mijë njerëzish; të gjithë nuk janë gjunjëzuar përpara Baalit dhe nuk e kanë puthur me buzët e tyre".

19 Elia u nis që andej dhe gjeti Eliseun, birin e Shafatit, ndërsa lëronte me dymbëdhjetë pendë qe para tij, dhe ai vetë gjendej me pendën e dymbëdhjetë. Elia i kaloi afër dhe i hodhi sipër mantelin e tij.

20 Atëherë Eliseu la qetë dhe vrapoi pas Elias, duke thënë: "Të lutem, më lër të shkoj të puth atin tim dhe nënen time, pastaj do të të ndjek". Elia iu përgjigj: "Shko dhe kthehu, sepse ç’të kam bërë?".

21 Me t’u larguar nga ai, Eliseu mori një pendë qe dhe i ofroi si flijim; me veglat e qeve poqi mishin dhe ua dhe njerëzve, që e hëngrën. Pastaj u ngrit, shkoi pas Elias dhe u vu në shërbim të tij.