Add parallel Print Page Options

Unë them të vërtetën në Krishtin, nuk gënjej dhe jep dëshmi me mua ndërgjegja ime me anë të Frymës së Shenjtë;

kam një trishtim të madh dhe një dhembje të vazhdueshme në zemrën time.

Sepse do të doja të isha vetë i ma-llkuar, i ndarë nga Krishti, për vëllezërit e mi, për farefisin tim sipas mishit,

të cilët janë Izraelitë dhe atyre u përket birëria, lavdia, besëlidhjet, shpallja e ligjit, shërbimi hyjnor dhe premtimet;

të tyre janë edhe etërit, prej të cilëve rrjedh sipas mishit Krishti, i cili është përmbi çdo gjë Perëndi, i bekuar përjetë. Amen.

Por kjo nuk do të thotë se fjala e Perëndisë ra poshtë, sepse jo të gjithë që janë nga Izraeli janë Izrael.

As sepse janë pasardhës e Abrahamit janë të gjithë bij; por: “Në Isakun do të quhet pasardhja jote.”

Do të thotë: nuk janë bijtë e Perëndisë ata që lindin prej mishi, por vetëm bijtë e premtimit numërohen si pasardhës.

Sepse kjo është fjala e premtimit: “Në këtë kohë do të vij dhe Sara do të ketë një bir.”

10 Dhe jo vetëm kaq, por edhe Rebeka mbeti shtatzënë nga një njeri i vetëm, Isakun, atin tonë,

11 (sepse para se t’i lindnin fëmijët dhe para se të bënin ndonjë të mirë a të keqe, që të mbetej i patundur propozimi i Perëndisë për të zgjedhur jo sipas veprave, po prej atij që thërret),

12 iu tha asaj: “Më i madhi do t’i shërbejë më të voglit,”

13 siç është shkruar: “E desha Jakobin dhe e urreva Ezaun.”

14 Çfarë të themi, pra? Mos ka padrejtësi te Perëndia? Aspak!

15 Ai i thotë në fakt Moisiut: “Do të kem mëshirë për atë që të kem mëshirë, dhe do të kem dhembshuri për atë që do të kem dhembshuri.”

16 Kështu, pra, kjo nuk varet as prej atij që do, as prej atij që vrapon, por nga Perëndia që shfaq mëshirë.

17 Sepse Shkrimi i thotë Faraonit: “Pikërisht për këtë gjë të ngrita, që të tregoj te ti fuqinë time dhe që të shpallet emri im mbi mbarë dheun.”

18 Kështu ai ka mëshirë për atë që do dhe e ngurtëson atë që do.

19 Ti do të më thuash, pra: “Pse vazhdon të ankohet? Kush mund, në fakt, t’i rezistojë vullnetit të tij?.”

20 Po kush je ti, o njeri, që i kundërpërgjigjesh Perëndisë? A mund t’i thotë ena mjeshtrit: “Përse më bërë kështu?.”

21 A nuk ka vallë fuqi poçari mbi argjitën për të bërë nga po ai brumë një enë për nderim, edhe një tjetër për çnderim?

22 Dhe çfarë të thuash nëse Perëndia, duke dashur të tregojë zemërimin e tij dhe të bëjë të njohur pushtetin e tij duroi me shumë zemërgjërësi enët e zemërimit që qenë bërë për prishje?

23 Dhe që të bëjë të njohur pasuritë e lavdisë së tij ndaj enëve të mëshirës, të cilat i përgatiti për lavdi,

24 mbi ne, që edhe na thirri, jo vetëm nga Judenjtë, por edhe nga johebrenjtë?

25 Ashtu si thotë ai te Osea: “Unë do ta quaj popullin tim atë që s’ka qenë populli im dhe të dashur atë të mosdashurin.

26 Dhe do të ndodhë që atje ku u është thënë atyre: "Ju nuk jeni populli im," atje do të quheni bij të Perëndisë së gjallë.”

27 Por Isaia thërret për Izraelin: “Edhe sikur të ishte numri i bijve të Izraelit si rëra e detit, vetëm mbetja e tij do të shpëtohet.”

28 Në fakt ai do ta realizojë vendimin e tij me drejtësi, sepse Zoti do ta realizojë dhe do ta përshpejtojë vendimin e tij mbi tokë.

29 Dhe ashtu si profetizoi Isaia: “Në qoftë se Perëndia i ushtrive nuk do të na kishte lënë farë, do të ishim bërë si Sodoma dhe do t’i kishim ngjarë Gomorës.”

30 Çfarë të themi, pra? Se johebrenjtë, që nuk kërkuan drejtësinë, e fituan drejtësinë, por atë drejtësi që vjen nga besimi,

31 ndërsa Izraeli, që kërkonte ligjin e drejtësisë, nuk arriti në ligjin e drejtësisë.

32 Përse? Sepse e kërkonte jo me anë të besimit, por me anë të veprave të ligjit; sepse ata u penguan në gurin e pengesës,

33 ashtu siç është shkruar: “Ja, unë po vë në Sion një gur pengese dhe një shkëmb skandali, dhe kushdo që i beson atij nuk do të turpërohet.”

10 Vëllezër, dëshira e zemrës sime dhe lutja që i drejtoj Perëndisë për Izraelin është për shpëtim të tij.

Sepse unë dëshmoj për ta se kanë zell për Perëndinë, por jo sipas njohurisë.

Sepse duke mos njohur drejtësinë e Perëndisë dhe duke kërkuar të vendosin drejtësinë e vet, nuk iu nënshtruan drejtësisë së Perëndisë,

sepse përfundimi i ligjit është Krishti, për shfajësimin e kujtdo që beson.

Sepse Moisiu kështu e përshkruan drejtësinë që vjen nga ligji: “Njeriu që bën këto gjëra, do të rrojë me anë të tyre.”

Por drejtësia që vjen nga besimi thotë kështu: “Mos thuaj në zemrën tënde: “Kush do të ngjitet në qiell?.” Kjo do të thotë që të zbresë Krishti.

Ose: “Kush do të zbresë në humnerë?.” Kjo do të thotë që të sjellë lart Krishtin prej së vdekurish.

Po ç’thotë, pra? “Fjala është pranë teje, në gojën tënde dhe në zemrën tënde.” Kjo është fjala e besimit, që ne predikojmë;

sepse, po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh.

10 Sepse me zemër, njeriu beson në drejtësi dhe me gojë bëhet rrëfim për shpëtim,

11 sepse Shkrimi thotë: “Kushdo që beson në të, nuk do të turpërohet.”

12 Sepse nuk ka dallim në mes Judeut dhe Grekut, sepse një i vetëm është Perëndia i të gjithëve, i pasur ndaj të gjithë atyre që e thërrasin.

13 Në fakt: “Kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet.”

14 Si do ta thërrasin, pra, atë, të cilit nuk i besuan? Dhe si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë, kur s’ka kush predikon?

15 Dhe si do të predikojnë pa qenë dërguar? Siç është shkruar: “Sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin paqen, që shpallin lajme të mira!.”

16 Por jo të gjithë iu bindën ungjillit, sepse Isaia thotë: “O Perëndi, kush i besoi predikimit tonë?.”

17 Besimi, pra, vjen nga dëgjimi, dhe dëgjimi vjen nga fjala e Perëndisë.

18 Por unë them: Mos nuk dëgjuan? Madje, “Zëri i tyre mori mbarë dheun dhe fjalët e tyre shkuan deri në skajet më të largëta të tokës.”

19 Por unë them: “Mos nuk e kuptoi Izraeli? Moisiu tha i pari: “Unë do t’ju shtie në xhelozi me një komb që s’është fare komb; do t’ju bëj të zemëroheni me anë të një kombi të marrë.”

20 Dhe Isaia me guxim thotë: “Unë u gjeta nga ata që nuk më kërkonin, unë iu shfaqa atyre që nuk pyesnin për mua.”

21 Por lidhur me Izraelin ai thotë: “Gjithë ditën i shtriva duart e mia drejt një populli të pabindur dhe kundërthënës.”

11 Unë, pra, them: A thua Perëndia e hodhi poshtë popullin e vet? Aspak, sepse edhe unë jam Izraelit, nga pasardhje e Abrahamit, nga fisi i Beniaminit.

Perëndia nuk e hodhi poshtë popullin e vet, të cilin e njohu që përpara. A nuk e dini ju ç’thotë Shkrimi për Elian? Si i drejtohet ai Perëndisë kundër Izraelit, duke thënë:

“O Zot, profetët e tu i vranë dhe altarët e tu i prishën, dhe unë mbeta i vetëm, dhe ata kërkojnë jetën time.”

Por, çfarë i tha zëri hyjnor? “Kam lënë për veten time shtatë mijë burra, që nuk kanë rënë në gjunjë përpara Baalit.”

Kështu, pra, edhe në kohën e tanishme ka mbetur një mbetje pas zgjedhjes së hirit.

Dhe, po të jetë prej hirit, nuk është më prej veprash, përndryshe hiri nuk do të ishte më hir, përndryshe vepra nuk do të ishte më vepër.

E çfarë, atëherë? Izraeli nuk e mori atë që kërkonte, kurse të zgjedhurit e morën, dhe të tjerët u verbuan,

siç është shkruar: “Perëndia u dha atyre frymë hutimi, sy që të mos shohin dhe veshë që të mos dëgjojnë deri në ditën e sotme.”

Dhe Davidi thotë: “Tryeza e tyre iu bëftë lak, një kurth, një pengesë dhe një shpagim.

10 Sytë e tyre u errësofshin që të mos shohin, dhe kurrizin e tyre kërruse përgjithnjë.”

11 Unë them, pra: “Mos u penguan, që të rrëzohen? Aspak; por me anë të rrëzimit të tyre u erdhi shpëtimi johebrenjve, që t’i shtjerë ata në xhelozi.

12 Edhe nëse rrëzimi i tyre është fitim për botën dhe pakësimi i tyre është fitim për johebrenjtë, sa më tepër do të jetë mbushullia e tyre?

13 Sepse unë po ju flas juve, johebrenjve, duke qenë se jam apostulli i johebrenjve; dhe unë e nderoj shërbesën time,

14 për të provuar se në ndonjë mënyrë mund t’i provokoj se mos i shtie në zili ata që janë mishi im edhe shpëtoj disa prej tyre.

15 Sepse, në qoftë se refuzimi i tyre është pajtim për botën, ç’do të jetë ripranimi i tyre, përveç se kalimi prej vdekjes në jetë?

16 Edhe po të jenë pemët e para të shenjta, edhe e tëra është e shenjtë; dhe po të jetë rrënja e shenjtë, edhe degët janë të shenjta.

17 Edhe sikur të këputen disa degë, ti që ishe ullastër u shartove në vend të tyre dhe u bëre pjestar i rrënjës dhe i majmërisë së drurit të ullirit,

18 mos u mburr kundër degëve: por nëse mburresh kundër tyre, mos harro se nuk e mban ti rrënjën, po rrënja të mban ty.

19 Do të thuash, pra: “Degët u prenë që të shartohem unë.”

20 Mirë, ato u prenë për mosbesimin, por ti qëndron për shkak të besimit; mos u kreno, por druaj.

21 Sepse nëse Perëndia nuk i kurseu degët natyrore, shiko se mos nuk të kursen edhe ty.

22 Shih, pra, mirësinë dhe rreptësinë e Perëndisë: rreptësinë mbi ata që u rrëzuan, dhe mirësinë ndaj teje, në qoftë se ti do të ngulmosh në mirësi, përndryshe edhe ti do të këputesh.

23 Kështu edhe ata, nëse nuk do të qëndrojnë në mosbesim, do të shartohen; sepse Perëndia është i fuqishëm t’i shartojë përsëri.

24 Sepse, në qoftë se ti u këpute nga ulliri i egër prej natyre dhe u shartove kundër natyrës në ulli të butë, aq më tepër këto, që janë degë prej natyre, do të shartohen në ullirin e vet.

25 Sepse nuk dua, o vëllezër, që ju të jeni të paditur këtë të fshehtë që të mos mbaheni me të madh në veten tuaj se i ka ndodhur një ngurtësim një pjese të Izraelit deri sa të ketë hyrë tërësia e johebrenjve,

26 dhe kështu mbarë Izraeli do të shpëtohet, sikurse është shkruar: “Nga Sioni do të vijë Çlirimtari, dhe do të largojë pabesinë nga Jakobi.

27 Dhe kjo do të jetë besëlidhja ime me ta, kur unë t’ju heq mëkatet e tyre.”

28 Për sa i përket ungjillit ata janë armiq për hirin tuaj, por për sa i përket zgjedhjes, janë të dashur për hir të etërve,

29 sepse dhuntitë dhe thirrja e Perëndisë janë të pakthyeshme.

30 Sepse, sikundër dhe ju dikur ishit të pabindur ndaj Perëndisë, por tani fituat mëshirën për shkak të pabindjes së tyre,

31 kështu edhe këta tani u bënë të padëgjueshëm, që, me anë të mëshirës që u tregua për ju, të fitojnë edhe ata mëshirë.

32 Sepse Perëndia i mbylli të gjithë në padëgjesë, që të ketë mëshirë për të gjithë.

33 O thellësi pasurie, urtësie dhe diturie të Perëndisë! Sa të pahulumtueshme janë gjykimet e tij dhe të pashtershme janë udhët e tij!

34 “Sepse kush e njohu mendjen e Zotit? Ose kush u bë këshilltar i tij?

35 Ose kush i dha atij më parë, që të ketë për të marrë shpagim?.”

36 Sepse prej tij, me anë të tij dhe për të janë të gjitha gjëra. Lavdi atij përjetë! Amen!