Add parallel Print Page Options

14 Atëherë një nga të dymbëdhjetët, me emër Judë Iskarioti, shkoi te krerët e priftërinjëve,

15 dhe u tha atyre: “Sa do të më jepni që unë t’jua dorëzoj?.” Dhe ata i numëruan tridhjetë sikla argjendi.

16 Dhe qysh atëherë ai kërkonte rastin e përshtatshëm për ta tradhtuar.

17 Tani ditën e parë të ndormëve, dishepujt iu afruan Jezusit dhe i thanë: “Ku don të shtrojmë për të ngrënë Pashkën?.”

18 Dhe ai u përgjigj: “Shkoni në qytet te filani dhe i thoni: "Mësuesi thotë: Koha ime është afër; do të bëj Pashkën në shtëpinë tënde bashkë me dishepujt e mi".”

19 Atëherë dishepujt bënë ashtu si i kishte urdhëruar Jezusi dhe përgatitën Pashkën.

20 Dhe, kur u ngrys, ai u ul në tryezë bashkë me të dymbëdhjetët;

21 dhe, ndërsa po hanin, tha: “Në të vërtetë unë po ju them se një nga ju do të më tradhtojë.”

22 Ata u pikëlluan shumë dhe secili prej tyrefilloi të thotë: “Mos jam unë; Zot?.”

23 Dhe ai duke u përgjigjur, tha: “Ai që ka ngjyer bashkë me mua dorën në çanak, ai do të më tradhtojë.

24 Sikurse është shkruar për të, Biri i njeriut pa tjetër shkon; por mjerë ai njeri me anë të të cilit Biri i njeriut tradhtohet! Për të do të ishte më mirë të mos kishte lindur kurrë.”

25 Dhe Juda, ai që do ta tradhtonte, e pyeti dhe tha: “Rabbi, mos jam unë ai?.” Ai i tha: “Ti po thua!.”

26 Dhe ndërsa po hanin, Jezusi mori bukën, e bekoi, e theu, dhe ua dha dishepujve dhe tha: “Merrni, hani; ky është trupi im.”

27 Pastaj mori kupën, dhe falenderoi, dhe ua dha atyre duke thënë: “Pini prej tij të gjithë,

28 sepse ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, i cili është derdhur për shumë për faljen e mëkatëve.

29 Dhe unë po ju them, se që tani e tutje unë nuk do të pi më nga ky fryt i hardhisë, deri në atë ditë kur, bashkë me ju, do ta pi të re në mbretërinë e Atit tim.”

30 Dhe, mbasi kënduan himnin, dolën jashtë te mali i Ullinjve.

31 Atëherë Jezusi u tha atyre: “Këtë natë të gjithë ju do të skandalizoheni për shkakun tim, sepse është shkruar: "Do të godas bariun dhe delet e kopesë do të shpërndahen".

32 Por, mbasi të jem ngjallur, do të shkoj përpara jush në Galile.”

33 Atëherë Pjetri duke u përgjigjur i tha: “Edhe sikur të gjithë të skandalizohen për shkakun tënd, unë nuk do të skandalizohem kurrë!.”

34 Jezusi i tha: “Në të vërtetë po të them se pikërisht këtë natë, para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë.”

35 Pjetri i tha: “Edhe sikur të duhej të vdisja bashkë me ty, nuk do të të mohoj kurrsesi.” Po atë thanë edhe të gjithë dishepujt.

36 Atëherë Jezusi shkoi bashkë me ta në një vend, që quhej Gjetsemani, dhe u tha dishepujve: “Uluni këtu, ndërsa unë po shkoi aty të lutem.”

37 Dhe mori me vete Pjetrin dhe të dy djemtë e Zebedeut, dhe filloi të ndjeje trishtim dhe ankth të madh.

38 Atëherë ai u tha atyre: “Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar bashkë me mua.”

39 Dhe, si shkoi pak përpara, ra me fytyrë për tokë dhe lutej duke thënë: “Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti.”

40 Pastaj u kthye te dishepujt dhe i gjeti që flinin, dhe i tha Pjetrit: “Po si, nuk mundët të vigjëloni me mua të paktën për një orë?

41 Rrini zgjuar dhe lutuni, që të mos bini në tundim; sepse fryma është gati, por mishi është i dobët.”

42 U largua përsëri për herë të dytë dhe u lut duke thënë: “Ati im, në qoftë se nuk është e mundur që kjo kupë të largohet prej meje pa u pirë prej meje, u bëftë vullneti yt!.”

43 Pastaj u kthye dhe i gjeti përsëri që flinin, sepse sytë u ishin rënduar.

44 Dhe, mbasi i la ata, u largua përsëri dhe u lut për të tretën herë, duke thënë të njëjtat fjalë.

45 Pastaj u kthye te dishepujt e vet dhe u tha atyre: “Tani vazhdoni të flini dhe pushoni; ja erdhi ora, dhe Biri i njeriut do të bjerë në duart e mëkatarëve.

46 Çohuni, të shkojmë; ja, ai që po më tradhëton është afër.”

47 Dhe ndërsa ai ende po fliste, ja Juda, një nga të dymbëdhjetët, erdhi, dhe bashkë me të një turmë e madhe me shpata dhe me shkopinj, e dërguar nga krerët e priftërinjve dhe nga pleqtë e popullit.

48 Tani ai që e tradhtonte u kishte dhënë atyre një shenjë, duke thënë: “Atë që unë do të puth, ai është; kapeni.”

49 Dhe menjëherë iu afrua Jezusit dhe i tha: “Tungjatjeta, Mësues!.” Dhe e puthi përzemërsisht.

50 Dhe Jezusi i tha: “Mik, çfarë ke ardhur të bësh?.” Atëherë ata iu afruan, vunë duart mbi Jezusin dhe e zunë.

51 Dhe ja, një nga ata që ishte me Jezusin, zgjati dorën, nxori shpatën e vet, iu hodh shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin.

52 Atëherë Jezusi i tha: “Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që rrokin shpatën, prej shpate do të vdesin.

53 A kujton ti, vallë, se unë nuk mund t’i lutem Atit tim, që të më dërgojë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh?

54 Po atëherë si do të përmbusheshin Shkrimet, sipas të cilave duhet të ndodhë kështu?.”

55 Në atë moment Jezusi u tha turmave: “Ju dolët të më zini mua me shpata dhe me shkopinj, si kundër një kusar; e pra, çdo ditë isha ulur midis jush duke mësuar në tempull, dhe ju nuk më kapët.

56 Por të gjitha këto ndodhën që të përmbushen Shkrimet e profetëve.” Atëherë të gjithë dishepujt e lanë dhe ikën.

57 Dhe ata që e kishin arrestuar Jezusin e çuan te Kajafa, kryeprifti, ku tashmë ishin mbledhur skribët dhe pleqtë.

58 Dhe Pjetri e ndoqi nga larg deri në pallatin e kryepriftit, dhe, mbasi hyri aty, u ul bashkë me rojet për të parë fundin.

59 Tani krerët e priftërinjve, pleqtë dhe gjithë sinedri kërkonin ndonjë dëshmi të rreme kundër Jezusit, për ta vrarë,

60 por nuk gjetën asnjë; ndonëse u paraqitën shumë dëshmitarë të rremë, nuk e gjetën. Por në fund u paraqitën dy dëshmitarë të rremë,

61 të cilët thanë: “Ky ka thënë: "Unë mund ta shkatërroj tempullin e Perëndisë dhe ta rindërtoj për tri ditë".”

62 Atëherë kryeprifti u çua dhe i tha: “Nuk po përgjigjesh fare për çka po dëshmojnë këta kundër teje?.”

63 Por Jezusi rrinte në heshtje. Dhe kryeprifti vazhdoi duke thënë: “Unë po të përbej për Perëndinë e gjallë të na thuash në se ti je Krishti, Biri i Perëndisë.”

64 Jezusi i tha: “Ti po thua! Madje unë po ju them se në të ardhmen ju do ta shihni Birin e njeriut duke ndënjur në të djathtën e Pushtetit, dhe duke ardhur mbi retë e qiellit.”

65 Atëherë kryeprifti ia shqeu rrobat e veta, duke thënë: “Ai blasfemoi; ç’na duhen më dëshmitarët? Ja, tani e dëgjuat blasfeminë e tij.

66 Si ju duket juve?.” Dhe ata, duke u përgjigjur, thanë: “Ai është fajtor për vdekje!.”

67 Atëherë e pështynë në fytyrë, e goditën me shuplaka; dhe disa të tjerë i ranë me grushta,

68 duke thënë: “O Krisht, profetizo! Kush të ra?.”

69 Tani Pjetri ndënji përjashta, në oborr dhe një shërbëtore iu afrua duke thënë: “Edhe ti ishe me Jezusin, Galileasin.”

70 Por ai e mohoi përpara të gjithëve, duke thënë: “Nuk di ç’po thua!.”

71 Dhe kur ai po dilte në hajat, e pa atë një shërbëtore tjetër dhe u tha të pranishmëve: “Edhe ky ishte me Jezusin, Nazareasin!.”

72 Por ai përsëri e mohoi me be, duke thënë: “Unë nuk e njoh atë njeri.”

73 Mbas pak edhe të pranishmit iu afruan dhe i thanë Pjetrit: “Sigurisht, edhe ti je një nga ata, sepse e folura jote të tradhton!.”

74 Atëherë ai nisi të mallkojë dhe të bëjë be, duke thënë: “Unë nuk e njoh atë njeri.” Dhe në atë çast këndoi gjeli.

75 Atëherë Pjetri kujtoi atë që i kishte thënë Jezusi: “Para se të këndojë gjeli, do të më mohosh tri herë.” Dhe ai doli përjashta dhe qau me hidhërim.

27 Kur erdhi mëngjesi, të gjithë krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit bënin këshill kundër Jezusit për ta vrarë.

Dhe, mbasi e lidhën, e çuan dhe e dorëzuan në duart e Ponc Pilatit, guvernatorit.

Atëherë Juda, që e kishte tradhtuar, kur pa se e dënuan Jezusin, u pendua dhe ua ktheu krerëve të priftërinjve dhe pleqve të tridhjetë siklat prej argjendi,

duke thënë: “Mëkatova duke tradhtuar gjakun e pafaj.” Por ata thanë: “Po ne ç’na duhet? Punë për ty!.”

Dhe ai, mbasi i hodhi siklat prej argjendi në tempull, u largua dhe shkoi e u var në litar.

Por krerët e priftërinjve i mblodhën këta denarë dhe thanë: “Nuk është e ligjshme t’i vëmë në thesarin e tempullit, sepse është çmim gjaku.”

Dhe, mbasi bënin këshill, me këtë denar blenë arën e poçarit për varreza të të huajve.

Prandaj këtë arë e quajtën deri ditën e sotme: "Ara e gjakut".

Atëherë u përmbush ç’ishte thënë nga profeti Jeremia që thotë: “Dhe i morën të tridhjetë monedhat prej argjendi, çmimin e atij që e çmuan, siç kishin çmuar bijtë e Izraelit;

10 dhe i shpenzuan për arën e poçarit, ashtu si më urdhëroi Zoti.”

11 Dhe Jezusi qëndroi para guvernatorit; dhe qeveritari e pyeti duke thënë: “A je ti mbreti i Judenjve?.” Dhe Jezusi i tha: “Ti po thua!.”

12 Pastaj krerët e priftërinjve dhe pleqtë e akuzuan, por ai nuk u përgjigjej fare.

13 Atëherë Pilati i tha: “A nuk po dëgjon sa gjëra po dëshmojnë kundër teje?.”

14 Por ai nuk iu përgjigj në asnjë fjalë, kështu që guvernatori u çudit shumë.

15 Tani me rastin e festave guvernatori e kishte zakon t’i lironte popullit një të burgosur, atë që populli kërkonte.

16 Kishin në ato kohë një të burgosur me nam, me emër Baraba.

17 Kur u mblodhën njerëzit, Pilati i pyeti ata: “Kë doni t’ju liroj, Barabën apo Jezusin, që quhet Krisht?.”

18 Sepse ai e dinte mirë se atë ia kishin dorëzuar nga smira.

19 Dhe ndërsa ai po rrinte në gjykatë, gruaja e tij i çoi fjalë: “Mos u përziej aspak me çështjen e atij të drejti, sepse sot kam vuajtur shumë në ëndërr për shkak të tij.”

20 Por krerët e priftërinjve dhe pleqtë ia mbushën mendjan turmës që të kërkonte Barabën, dhe Jezusi të vritej.

21 Dhe guvernatori duke vazhduar u tha atyre: “Cilin nga të dy doni që t’ju liroj?.” Ata thanë: “Barabën!.”

22 Pilati u tha atyre: “Ç’të bëj, pra, me Jezusin, që quhet Krisht?.” Të gjithë i thanë: “Të kryqëzohet!.”

23 Por guvernatori tha: “Po ç’të keqe ka bërë?.” Mirëpo ata po bërtisnin edhe më fort: “Të kryqëzohet!.”

24 Atëherë Pilati, duke parë se nuk po arrinte gjë, madje se trazimi po shtohej gjithnjë e më shumë, mori ujë dhe i lau duart para turmës, duke thënë: “Unë jam i pafaj për gjakun e këtij të drejti; mendojeni ju.”

25 Dhe gjithë populli duke u përgjigjur tha: “Le të jetë gjaku i tij mbi ne dhe mbi fëmijët tanë!.”

26 Atëherë ai ua liroi atyre Barabën; dhe mbasi e fshikulloi Jezusin, ua dorëzoi, që të kryqëzohet.

27 Atëherë ushtarët e guvernatorit, mbasi e çuan Jezusin në pretoriumin e guvernatorit, mblodhën rreth tij gjithë kohortën.

28 Dhe, pasi e zhveshën, i hodhën mbi trup një mantel të kuq.

29 Dhe i thurën një kurorë me ferra, ia vunë mbi krye dhe i dhanë një kallam në dorën e djathtë; dhe, duke u gjunjëzuar përpara tij, e përqeshnin duke thënë: “Tungjatjeta, o mbret i Judenjve!.”

30 Pastaj e pështynë, ia morën kallamin dhe me të i binin në kokë.

31 Dhe, mbasi e përqeshën, ia hoqën mantelin dhe e veshën me rrobat e tij; dhe e çuan për ta kryqëzuar.

32 Dhe duke dalë, takuan një njeri nga Kirena, që quhej Simon, të cilin e detyruan ta mbartë kryqin e Jezusit.

33 Dhe, kur arritën në vendin që quhej Golgota, domethënë "Vendi i kafkës,"

34 i dhanë të pijë uthull të përzier me vrer; por ai, mbasi e provoi, nuk deshi ta pinte.

35 Mbasi e kryqëzuan, i ndanë me short rrobat e tij, që të përmbushej ç’ishte thënë nga profeti: “I ndanë ndërmjet tyre rrobat e mia dhe hodhën short mbi tunikën time.”

36 Pastaj u ulën dhe e ruanin.

37 Përmbi krye të tij, i vunë gjithashtu motivacionin e shkruar të dënimit të tij: “KY ÉSHTÉ JEZUSI, MBRETI I JUDENJVE.”

38 Atëhere u kryqëzuan bashkë me të dy cuba, njeri në të djathtën dhe tjetri në të majtën.

39 Dhe ata që kalonin andej e fyenin duke tundur kokën,

40 dhe duke thënë: “Ti që e shkatërron tempullin dhe e rindërton për tri ditë, shpëto vetveten; në qoftë se je Biri i Perëndisë, zbrit nga kryqi!.”

41 Po ashtu, edhe krerët e priftërinjve, bashkë me skribët dhe me pleqtë, duke e tallur, i thonin:

42 “Ai i shpëtoi të tjerët dhe nuk mund të shpëtojë vetveten; në qoftë se është mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi dhe ne do të besojmë në të;

43 ai ka besuar në Perëndinë; le ta lirojë tani në qoftë se e do me të vërtetë, sepse ka thënë: "Unë jam Biri i Perëndisë".”

44 Po ashtu e fyenin edhe cubat që ishin kryqëzuar me të.

45 Që nga ora gjashtë deri në orën nëntë errësira e mbuloi gjithë vendin.

46 Rreth orës nëntë, Jezusi briti me zë të lartë duke thënë: “Eli, Eli, lama sabaktani?.” Domethënë: “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?.”

47 Dhe disa nga të pranishmit, kur e dëgjuan, thanë: “Ky po thërret Elian.”

48 Dhe në atë çast një nga ata vrapoi, mori një sfungjer, e zhyti në uthull dhe, mbasi e vuri në majë të një kallami, ia dha për ta pirë.

49 Por të tjerët thonin: “Lëre, të shohim në se do të vijë Elia për ta shpëtuar.”

50 Dhe Jezusi bërtiti edhe një herë me zë të lartë dhe dha frymë.

51 Dhe ja, veli i tempullit u shqye në dy pjesë, nga maja e deri në fund; toka u drodh dhe shkëmbinjtë u çanë;

52 varret u hapën dhe shumë trupa të të shenjtëve që flinin u ringjallën;

53 dhe, të dalë nga varret mbas ringjalljes së Jezusit, hynë në qytetin e shenjtë dhe iu shfaqën shumëkujt.

54 Tani centurioni dhe ata që bashkë me të ruanin Jezusin, kur panë tërmetin dhe ngjarjet e tjera, u trembën shumë dhe thanë: “Me të vërtetë ky ishte Biri i Perëndisë!.”

55 Ishin aty edhe shumë gra që vërenin nga larg; ato e kishin ndjekur Jezusin që nga Galilea për t’i shërbyer;

56 midis tyre ishte Maria Magdalena, Maria, nëna e Jakobit dhe e Ioseut; dhe nëna e bijve të Zebedeut.

57 Edhe si u ngrys, erdhi një njeri i pasur nga Arimatea, me emër Jozef, i cili ishte edhe vet dishepull i Jezusit.

58 Ai shkoi te Pilati dhe i kërkoi trupin e Jezusit. Atëherë Pilati dha urdhër që t’ia dorëzonin trupin.

59 Dhe Jozefi, mbasi e mori trupin, e mbështolli me një pëlhurë të pastër,

60 dhe e vendosi në varrin e vet të ri, që ai kishte hapur në shkëmb; pastaj rrokullisi një gur të madh në hyrje të varrit dhe u largua.

61 Dhe Maria Magdalena dhe Maria tjetër rrinin aty, ulur përballë varrit.

62 Dhe të nesërmen, që ishte mbas ditës së Përgatitjes, krerët e priftërinjve dhe farisenjtë u mblodhën te Pilati,

63 duke thënë: “Zot, na ra në mend se ai mashtruesi, sa ishte gjallë, tha: "Pas tri ditësh unë do të ringjallem".

64 Prandaj urdhëro që varri të ruhet mirë deri në ditën e tretë, se mos vijnë dishepujt e tij natën e ta vjedhin trupin dhe pastaj t’i thonë popullit: "U ringjall së vdekuri"; kështu mashtrimi i fundit do të ishte më i keq se i pari.”

65 Por Pilati u tha atyre: “Rojen e keni; shkoni dhe e siguroni varrin, si t’ju duket më mirë.”

66 Dhe ata, pra, shkuan dhe e siguruan varrin dhe, përveç rojës, vulosën gurin.