Add parallel Print Page Options

Pas këtyre ngjarjeve ishte një festë e Judenjve dhe Jezusi u ngjit në Jeruzalem.

Në Jeruzalem, afër portës së dhenve, është një pellg që në hebraisht quhet Betesda, dhe ka pesë portikë.

Nën to dergjeshin një numër i madh të lënguarish: të verbër, të çalë dhe të paralizuar, të cilët prisnin lëvizjen e ujit.

Sepse një engjëll, kohë pas kohe, zbriste në pellg dhe e lëvizte ujin; dhe i pari që hynte, mbasi uji ishte lëvizur, shërohej nga çfarëdo sëmundje që të kishte.

Aty ishte një njeri i lënguar prej tridhjetë e tetë vjetësh.

Jezusi, duke e parë shtrirë dhe duke ditur se prej shumë kohe ishte në atë gjendje, i tha: “A dëshiron të shërohesh?.”

I lënguari u përgjigj: "Zot, unë s’kam njeri që, kur lëviz uji, të më fusë në pellg; dhe, ndërsa unë po shkoj, një tjetër zbret para meje.”

Jezusi i tha: “Çohu, merr vigun tënd dhe ec!.”

Njeriu u shërua në çast, mori vigun e tij dhe eci. Atë ditë ishte e shtunë.

10 Prandaj Judenjtë i thanë atij që u shërua: “Éshtë e shtunë; nuk është e ligjshme për ty të ngresh vigun tënd!.”

11 Ai iu përgjigj atyre: “Ai që më shëroi më tha: "Merre vigun tënd dhe ec!".”

12 Atëherë ata e pyetën: “Kush është ai njeri që të tha: "Merre vigun tënd dhe ec"?.”

13 Por ai që ishte shëruar nuk e dinte kush ishte, sepse Jezusi ishte larguar për shkak të turmës që ishte në atë vend.

14 Më vonë Jezusi e gjeti në tempull dhe i tha: “Ja, ti u shërove; mos mëkato më që të mos të të bëhet një gjë më e keqe.”

15 Ai njeri shkoi dhe u tregoi Judenjve se Jezusi ishte ai që e shëroi.

16 Për këtë Judenjtë e përndiqnin Jezusin dhe kërkonin ta vrisnin, sepse bënte këto gjëra të shtunave.

17 Por Jezusi u përgjigj atyre: “Im Atë vepron deri më tash, e edhe unë veproj.”

18 Për këtë Judenjtë kërkonin edhe më tepër ta vrisnin, sepse jo vetëm se shkelte të shtunën, por edhe se thoshte se Perëndia ishte ati i vet, duke e barazuar veten me Perëndinë.

Read full chapter