Add parallel Print Page Options

Pra, kur Zoti mori vesh se farisenjtë kishin dëgjuar se Jezusi po bënte më shumë dishepuj dhe po pagëzonte më shumë se Gjoni

(ndonëse nuk pagëzonte Jezusi vetë, por dishepujt e tij),

e la Judenë dhe shkoi përsëri në Galile.

Por duhej të kalonte nëpër Samari.

Arriti, pra, në një qytet të Samarisë që quhej Sihar, afër tokës që Jakobi i kishte dhënë Jozefit, birit të vet.

Por aty ishte pusi i Jakobit. Dhe Jezusi, i lodhur nga udhëtimi, u ul pranë pusit; ishte rreth orës së gjashtë.

Një grua nga Samaria erdhi të nxjerrë ujë. Dhe Jezusi i tha: “Më jep të pi,”

sepse dishepujt e vet kishin shkuar në qytet për të blerë ushqime.

Por gruaja samaritane i tha: “Po qysh, ti që je Jude kërkon të pish prej meje, që jam një grua samaritane?” (Sepse Judenjtë nuk shoqërohen me Samaritanët).

10 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Po ta njihje ti dhuratën e Perëndisë dhe kush është ai që të thotë: "Më jep të pi!," ti vetë do të kërkoje nga ai dhe ai do të të jepte ujë të gjallë.”

11 Gruaja i tha: “Zot, ti nuk ke as kovë për të nxjerrë dhe pusi është i thellë; nga e ke, pra, atë ujë të gjallë?

12 Vallë je më i madh se Jakobi, ati ynë, qe na dha këtë pus dhe piu prej tij ai vetë, bijtë e tij dhe bagëtitë e tij?.”

13 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Kushdo që pi nga ky ujë, do të ketë përsëri etje,

14 por kush pi nga uji që do t’i jap unë nuk do të ketë më kurrë etje përjetë; por uji që unë do t’i jap do të bëhet në të një burim uji që gufon në jetë të përjetshme.”

15 Gruaja i tha: “Zot, më jep këtë ujë, që unë të mos kem më etje dhe të mos vij këtu të nxjerr ujë!.”

16 Jezusi i tha: “Shko thirre burrin tënd dhe eja këtu.”

17 Gruaja u përgjigj dhe i tha: “Unë nuk kam burrë.” Jezusi i tha: “Mirë the: "Nuk kam burrë,"

18 sepse ti kishe pesë burra dhe ky që ke tani nuk është burri yt; për këtë ke thënë të vërtetën!.”

19 Gruaja i tha: “Zot, po shoh se ti je një profet.

20 Etërit tanë adhuronin mbi këtë mal, dhe ju thoni se në Jeruzalem është vendi ku duhet të adhurojmë.”

21 Jezusi i tha: “O grua, më beso: vjen ora që as mbi këtë mal as në Jeruzalem nuk do të adhuroni Atin.

22 Ju adhuroni atë që s’e njihni; ne adhurojmë atë që njohim; sepse shpëtimi vjen nga Judenjtë.

23 Por vjen ora, madje ajo ka ardhur, që adhuruesit e vërtetë ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati.

24 Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet t’a adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën.”

25 Gruaja i tha: “Unë e di se do të vijë Mesia, që e quajnë Krisht; kur të ketë ardhur, ai do të na kumtojë çdo gjë.”

26 Jezusi i tha: “Unë jam, ai që po të flet!.”

27 Në këtë moment erdhën dishepujt e tij dhe u mrekulluan që po fliste me një grua; por asnjë nuk i tha: “Çfarë do?” ose: “Pse po flet me të?.”

28 Atëherë gruaja e la kovën e saj dhe u kthye në qytet dhe u tha njerëzve:

29 “Ejani të shikoni një njeri që më ka thënë gjithçka kam bërë; vallë mos është ky Krishti?.”

30 Dolën, pra, nga qyteti dhe erdhën tek ai.

31 Ndërkaq dishepujt e vet po i luteshin duke thënë: “Mësues, ha.”

32 Por ai u tha atyre: “Unë kam një ushqim për të ngrënë të cilin ju s’e njihni.”

33 Prandaj dishepujt i thonin njëri-tjetrit: “Mos i solli vallë dikush për të ngrënë?.”

34 Jezusi u tha atyre: “Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të kryej veprën e tij.

35 A nuk thoni ju se ka edhe katër muaj dhe vjen korrja? Ja, unë po ju them: Ngrini sytë tuaj dhe shikoni fushat që tashmë zbardhojnë për korrjen.

36 Korrësi e merr shpërblimin dhe mbledh frytin për jetën e përjetshme, që mbjellësi dhe korrësi të gëzohen sëbashku.

37 Sepse në këtë vërtetohet e thëna: "Një mbjell e tjetri korr".

38 Unë ju dërgova të korrni atë për të cilin ju nuk u munduat; të tjerët u munduan dhe ju hytë në mundimin e tyre.”

39 Dhe shumë Samaritanë nga ai qytet besuan në të, për shkak të fjalës së gruas që dëshmoi: “Ai më tregoi gjithçka kam bërë.”

40 Por kur Samaritanët erdhën tek ai, e lutën të qëndrojë me ta; dhe ai ndenji aty dy ditë.

41 Dhe shumë më tepër njerëz besuan për shkak të fjalës së tij.

42 Dhe ata i thoshnin gruas: “S’është më vetëm për shkak të fjalëve të tua që besojmë, por sepse ne vetë e kemi dëgjuar dhe dimë se ai është me të vërtetë Krishti, Shpëtimtari i botës.”

43 Pra, si kaluan ato dy ditë, ai u nis prej andej dhe shkoi në Galile,

44 sepse vetë Jezusi dëshmoi se një profet nuk nderohet në vendlindjen e vet.

45 Pra, kur arriti në Galile, Galileasit e pritën, sepse kishin parë të gjitha ato që kishte bërë në Jeruzalem gjatë festës, sepse edhe ata kishin shkuar për festë.

46 Jezusi erdhi, pra, përsëri në Kanë të Galilesë, ku e kishte bërë ujin verë. Dhe aty ishte një nëpunës i mbretit, djali i të cilit ishte i sëmurë në Kapernaum.

47 Ky, kur dëgjoi se Jezusi kishte ardhur nga Judeja në Galile, shkoi tek ai dhe iu lut që të zbriste e ta shëronte birin e tij, që ishte gati për vdekje.

48 Atëherë Jezusi i tha: “Po të mos shikoni shenja dhe mrekulli, ju nuk besoni.”

49 Nëpunësi i mbretit i tha: “Zot, zbrit para se djali im të vdesë.”

50 Jezusi i tha: “Shko, djali yt jeton!.” Dhe ai njeri i besoi fjalës që i tha Jezusi dhe shkoi.

51 Pikërisht kur ai po zbriste, i dolën përpara shërbëtorët e vet dhe e informuan duke thënë: “Djali yt jeton!.”

52 Dhe ai i pyeti ata në cilën orë u bë më mirë; ata i thanë: “Dje në orën e shtatë e lanë ethet.”

53 Atëherë i ati e kuptoi se ishte pikërisht në atë orë në të cilën Jezusi i kishte thënë: “Djali yt jeton”; dhe besoi ai dhe gjithë shtëpia e tij.

54 Jezusi bëri edhe këtë shenjë të dytë, kur u kthye nga Judeja në Galile.

Pas këtyre ngjarjeve ishte një festë e Judenjve dhe Jezusi u ngjit në Jeruzalem.

Në Jeruzalem, afër portës së dhenve, është një pellg që në hebraisht quhet Betesda, dhe ka pesë portikë.

Nën to dergjeshin një numër i madh të lënguarish: të verbër, të çalë dhe të paralizuar, të cilët prisnin lëvizjen e ujit.

Sepse një engjëll, kohë pas kohe, zbriste në pellg dhe e lëvizte ujin; dhe i pari që hynte, mbasi uji ishte lëvizur, shërohej nga çfarëdo sëmundje që të kishte.

Aty ishte një njeri i lënguar prej tridhjetë e tetë vjetësh.

Jezusi, duke e parë shtrirë dhe duke ditur se prej shumë kohe ishte në atë gjendje, i tha: “A dëshiron të shërohesh?.”

I lënguari u përgjigj: "Zot, unë s’kam njeri që, kur lëviz uji, të më fusë në pellg; dhe, ndërsa unë po shkoj, një tjetër zbret para meje.”

Jezusi i tha: “Çohu, merr vigun tënd dhe ec!.”

Njeriu u shërua në çast, mori vigun e tij dhe eci. Atë ditë ishte e shtunë.

10 Prandaj Judenjtë i thanë atij që u shërua: “Éshtë e shtunë; nuk është e ligjshme për ty të ngresh vigun tënd!.”

11 Ai iu përgjigj atyre: “Ai që më shëroi më tha: "Merre vigun tënd dhe ec!".”

12 Atëherë ata e pyetën: “Kush është ai njeri që të tha: "Merre vigun tënd dhe ec"?.”

13 Por ai që ishte shëruar nuk e dinte kush ishte, sepse Jezusi ishte larguar për shkak të turmës që ishte në atë vend.

14 Më vonë Jezusi e gjeti në tempull dhe i tha: “Ja, ti u shërove; mos mëkato më që të mos të të bëhet një gjë më e keqe.”

15 Ai njeri shkoi dhe u tregoi Judenjve se Jezusi ishte ai që e shëroi.

16 Për këtë Judenjtë e përndiqnin Jezusin dhe kërkonin ta vrisnin, sepse bënte këto gjëra të shtunave.

17 Por Jezusi u përgjigj atyre: “Im Atë vepron deri më tash, e edhe unë veproj.”

18 Për këtë Judenjtë kërkonin edhe më tepër ta vrisnin, sepse jo vetëm se shkelte të shtunën, por edhe se thoshte se Perëndia ishte ati i vet, duke e barazuar veten me Perëndinë.

19 Atëherë Jezusi u përgjgj dhe u tha atyre: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç asaj që sheh se bën Ati; gjërat në fakt që bën Ati, i bën po ashtu dhe Biri.

20 Sepse Ati e do Birin dhe i dëfton gjithçka që bën vetë; dhe do t’i dëftojë vepra më të mëdha se këto, që të mrekulloheni.

21 Në fakt ashtu si ati ringjall të vdekurit dhe u jep atyre jetën, po kështu edhe Biri i jep jetën kujtdo që do.

22 Sepse Ati nuk gjykon asnjë, por gjithë gjyqin ia dha Birit,

23 që të gjithë ta nderojnë Birin ashtu siç nderojnë Atin; kush nuk e nderon Birin, nuk nderon Atin që e ka dërguar.

24 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Ai që e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë.

25 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Po vjen ora, madje ka ardhur, kur të vdekurit do të dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë, dhe ata që e kanë dëgjuar do të jetojnë.

26 Sepse, sikurse Ati ka jetë në vetvete, kështu ia ka dhënë dhe Birit të ketë jetë në vetvete;

27 dhe i ka dhënë gjithashtu autoritet të gjykojë, sepse është Bir i njeriut.

28 Mos u mrrekulloni për këtë, sepse po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij

29 dhe do të dalin prej tyre; ata që kanë bërë të mira, në ringjallje të jetës, dhe ata që kanë bërë të liga, në ringjalljen e dënimit.

30 Unë s’mund të bëj asgjë nga vetja ime; gjykoj sipas asaj që dëgjoj dhe gjyqi im është i drejtë, sepse nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e Atit që më ka dërguar.

31 Nëse unë dëshmoj për veten time, dëshmia ime nuk është e vërtetë.

32 Éshtë një tjetër që dëshmon për mua, dhe unë e di se dëshmia që ai jep për mua është e vërtetë.

33 Ju keni dërguar te Gjoni dhe ai i ka dhënë dëshmi të vërtetës.

34 Tani unë nuk e marr dëshminë nga asnjë njeri, por i them këto gjëra që ju të shpëtoheni.

35 Ai ishte një kandil që digjet e ndriçon; dhe ju deshët të gëzoheni për pak kohë në dritën e tij.

36 Por dëshmia që kam unë është më e madhe nga ajo e Gjonit; sepse veprat që Ati më ka dhënë të kryej, ato vepra që bëj unë, dëshmojnë për mua, se Ati më ka dërguar.

37 Dhe Ati, që më dërgoi, ai vetë ka dëshmuar për mua; ju nuk e keni dëgjuar kurrë zërin e tij dhe as nuk e keni parë fytyrën e tij,

38 dhe nuk e keni fjalën e tij që të banojë në ju, sepse nuk besoni në atë që ai ka dërguar.

39 Ju hetoni Shkrimet sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme; dhe ato janë këto që dëshmojnë për mua.

40 Por ju nuk doni të vini tek unë që të keni jetën.

41 Unë nuk marr lavdi nga njerëzit.

42 Por unë ju njoh, që nuk keni dashurinë e Perëndisë në ju.

43 Unë kam ardhur në emër të Atit tim dhe ju nuk më pranoni; po të vinte ndonjë tjetër në emër të vet, ju do ta pranonit.

44 Si mund të besoni ju, ju që ia merrni lavdinë njëri-tjetrit dhe nuk kërkoni lavdinë që vjen vetëm nga Perëndia?

45 Mos mendoni se unë ju padis tek Ati; ka kush t’ju padisë: Moisiu, në të cilin ju kishit varur shpresën tuaj;

46 sepse nëqoftëse ju do t’i kishit besuar Moisiut, do të më besonit edhe mua, sepse ai ka shkruar për mua.

47 Por nëqoftëse ju nuk u besoni shkrimeve të tij, si do t’u besoni fjalëve të mia?.”