Add parallel Print Page Options

22 U kremtua festa e Kushtimit në Jeruzalem, dhe ishte dimër.

23 Dhe Jezusi po ecte në tempull, nën portikun e Salomonit.

24 E rrethuan, pra, Judenjtë dhe i thanë: “Deri kur do të na mbash pezull? Nëse je Krishti, na e thuaj haptas.”

25 Jezusi u përgjigj atyre: “Unë jua kam thënë, por ju nuk besoni; veprat që bëj në emër të Atit tim, janë ato që dëshmojnë për mua.

26 Por ju nuk besoni, sepse nuk jeni nga delet e mia, siç jua kam thënë.

27 Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin;

28 dhe unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t’i rrëmbejë nga dora ime.

29 Ati im, që m’i dha, është më i madh se të gjithë; dhe askush nuk mund t’i rrëmbejë nga dora e Atit tim.

30 Unë dhe Ati jemi një.”

31 Prandaj Judenjtë morën përsëri gurë për ta vrarë me gurë.

32 Jezusi u përgjigj atyre: “Ju tregova shumë vepra të mira nga Ati im; për cilën nga këto më vrisni me gurë?.”

33 Judenjtë u përgjigjën duke thënë: “Ne nuk të vrasim me gurë për asnjë vepër të mirë, po për blasfemi, dhe sepse ti, duke qenë njeri, e bën veten Perëndi.”

34 Jezusi u përgjigj atyre: “A nuk është shkruar në ligjin tuaj: "Unë thashë: Ju jeni perëndi"?

35 Nëse ai i quan perëndi ata, të cilëve u qe drejtuar fjala e Perëndisë (dhe Shkrimi nuk mund të bjerë poshtë),

36 ju thoni se ai, që Ati e ka shenjtëruar dhe e ka dërguar në botë, blasfemon, sepse ka thënë: "Unë jam Biri i Perëndisë"?

37 Nëse unë nuk bëj veprat e Atit tim, mos më besoni,

38 por nëse i bëj, edhe po të mos më besoni mua, u besoni të paktën veprave, që të njihni e të besoni se Ati është në mua dhe unë në atë.”

39 Për këtë arsye ata kërkonin përsëri ta kapnin, por ai ikte nga duart e tyre.

40 Dhe shkoi përsëri përtej Jordanit, në vendin ku më parë Gjoni pagëzonte; dhe ndaloi aty.

41 Dhe shumë veta erdhën tek ai dhe thoshnin: “Gjoni vërtet nuk bëri asnjë shenjë, por gjithçka që Gjoni tha për këtë ishte e vërtetë.”

42 Dhe atje shumë veta besuan në të.

Read full chapter