Add parallel Print Page Options

Prandaj, sikurse thotë Fryma e Shenjtë: “Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij,

mos i ngurtësoni zemrat tuaja si në provokim, në ditën e tundimit në shkretëtirë,

ku etërit tuaj më tunduan duke më vënë në sprovë, ndonëse i kishin parë veprat e mia dyzet vjet.

10 Prandaj u indinjova me atë brez dhe thashë: Gabojnë gjithnjë me zemër dhe nuk i njohën udhët e mia;

11 kështu u betova në mërinë time: Nuk do të hyjnë në prehjen time.”

12 Kini kujdes, vëllezër, se mos ndonjë nga ju ka zemër të ligë, mosbesimi, që të largohet nga Perëndia i gjallë,

13 por nxitni njeri tjetrin çdo ditë, derisa thuhet: "Sot," që të mos ngurtësohet ndonjë nga ju prej mashtrimit të mëkatit.

14 Sepse ne jemi bërë pjestarë të Krishtit, në qoftë se do ta ruajmë të palëkundur deri në fund fillimin e besimit,

15 kur thuhet: “Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, mos jini zemërgur si në ditën e kryengritjes.”

16 Kush janë ata që, mbasi e dëgjuan, e provokuan? A thua jo të gjithë ata që dolën nga Egjipti me anë të Moisiut?

17 Dhe kush qenë ata me të cilët u zemërua për dyzet vjet? A s’qenë vallë ata që mëkatuan, kufomat e të cilëve ranë nëpër shkretëtirë?

18 Dhe për cilët bëri be se nuk do të hynin në prehjen e tij, veç se për ata që qenë të pabindur?

19 Ne shohim se ata nuk mundën të hyjnë për shkak të mosbesimit.

Prandaj, përderisa mbetet akoma një premtim për të hyrë në prehjen e tij, le të kemi frikë se mos ndonjë nga ju të mbetet jashtë.

Në fakt neve si edhe atyre u ishte shpallur lajmi i mirë, por fjala e predikimit nuk u dha dobi fare, sepse nuk qe e bashkuar me besimin tek ata që e dëgjuan.

Sepse ne që besuam hyjmë në prehje, siç tha ai: “Kështu u përbetova në mërinë time: nuk do të hyjnë në prehjen time,” ndonëse veprat e tij u mbaruan që kur se u krijua bota.

Sepse diku ai ka thënë kështu për të shtatën ditë: “Dhe Perëndia u preh të shtatën ditë nga të gjitha veprat e tij”;

dhe po aty: “Nuk do të hyjnë në prehjen time.”

Mbasi, pra, mbetet që disa të hyjnë në të, ndërsa ata që u ungjillzuan më përpara nuk hyjnë për shkak të mosbesimit të tyre,

ai cakton përsëri një ditë: "Sot," duke thënë, mbas kaq kohe, me gojën e Davidit: “Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, mos u bëni zemërgur.”

Sepse, në qoftë se Jozueu do t’u kishte dhënë prehje, Perëndia nuk do të kishte folur për një ditë tjetër.

Mbetet, pra, një pushim i së shtunës për popullin e Perëndisë.

10 Sepse kush ka hyrë në prehjen e tij, ka bërë pushim edhe ai nga veprat e veta, ashtu si Perëndia nga të tijat.

11 Le të përpiqemi, pra, të hyjmë në atë prehje, që askush të mos bjerë në atë shëmbull të mosbindjes.