Add parallel Print Page Options

Kurse një farë burri, me emër Anania, me gruan e vet Safira, shiti një arë,

por mbajti për vete një pjesë të parave, me miratimin e gruas, dhe e çoi mbetjen te këmbët e apostujve.

Por Pjetri i tha: “Anania, pse Satani ta mbushi zemrën që të gënjesh Frymën e Shenjtë dhe të mbash një pjesë të çmimit të arës?

Po të mbetej e pashitur, a nuk do të ngelte e jotja? Dhe ato që more nga shitja a nuk ishin vallë në dispozicionin tënd? Pse e shtive në zemër këtë gjë? Ti nuk ke gënjyer njerëzit, por Perëndinë!.”

Kur i dëgjoi këto fjalë, Anania ra përtokë dhe dha shpirt. Dhe një frikë e madhe i zuri të gjithë ata që i dëgjuan këto gjëra.

Atëherë u ngritën disa të rinj, e mbështollën, e mbartën jashtë dhe e varrosën.

Dhe afërsisht tre orë më vonë hyri dhe gruaja e tij, e cila nuk dinte ç’kishte ndodhur.

Dhe Pjetri i drejtoi fjalën, duke thënë: “Më thuaj, a e shitët arën për kaq?.” Dhe ajo u përgjigj: “Po, për aq.”

Atëherë Pjetri i tha: “Pse u morët vesh që ta tundoni Frymën e Zotit? Ja, këmbët e atyre që e varrosën burrin tënd janë në prag të derës dhe do të të mbartin jashtë edhe ty!.”

10 Në moment ajo ra te këmbët e tij dhe dha shpirt. Dhe të rinjtë, si hynë, e gjetën të vdekur, e mbartën jashtë dhe e varrosën pranë burrit të saj.

11 Kështu një frikë e madhe e zuri gjithë kishën dhe gjithë ata që i dëgjonin këto gjëra.

Read full chapter