Add parallel Print Page Options

17 Por, duke porositur këtë, unë nuk ju lavdëroj, se ju mblidheni, jo për më të mirën, po për më të keqen.

18 Para së gjithash, sepse dëgjoj se kur bashkoheni në asamble ka midis jush përçarje, dhe pjesërisht e besoj.

19 Sepse duhet të ketë midis jush edhe grupime, që të njihen në mes tuaj ata që janë të sprovuar.

20 Kur mblidheni bashkë, pra, në një vend, kjo që bëni nuk është për të ngrënë darkën e Zotit,

21 sepse, në të ngrënët, gjithësecili merr darkën e vet më përpara; dhe njëri ka uri dhe tjetri është i dehur.

22 A nuk keni, pra, shtëpi për të ngrënë e për të pirë? Apo përbuzni kishën e Perëndisë dhe turpëroni ata që s’kanë asgjë? Çfarë t’ju them juve? T’ju lavdëroj? Për këtë nuk ju lëvdoj.

23 Sepse unë mora nga Zoti atë që ju transmetova edhe juve; se Zoti Jezus, në atë natë që po tradhtohej, mori bukën

24 dhe, si falënderoi, e theu dhe tha: “Merrni, hani; ky është trupi im që është thyer për ju; bëni këtë në përkujtimin tim.”

25 Gjithashtu, pas darkës, mori edhe kupën, duke thënë: “Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim; bëni këtë sa herë që të pini, në përkujtimin tim.”

26 Sepse sa herë të hani nga kjo bukë ose të pini nga kjo kupë, ju shpallni vdekjen e Zotit, derisa ai të vijë.

27 Prandaj ai që ha nga kjo bukë ose pi nga kjo kupë e Zotit padenjësisht, do të jetë fajtor i trupit dhe i gjakut të Zotit.

28 Por secili të shqyrtojë vetveten dhe kështu të hajë nga buka e të pijë nga kupa,

29 sepse ai që ha dhe pi padenjësisht, ha dhe pi një dënim për veten e tij, sepse nuk e dallon trupin e Zotit.

30 Për këtë arsye ka në mes jush shumë të dobët e të sëmurë, dhe shumë vdesin.

31 Sepse, po të shqyrtonim veten tonë, nuk do të gjykoheshim.

32 Por kur gjykohemi, ndreqemi nga Zoti, që të mos dënohemi bashkë me botën.

33 Prandaj, o vëllezërit e mi, kur mblidheni për të ngrënë, pritni njeri tjetrin.

34 Dhe në qoftë se dikush ka uri, le të hajë në shtëpi, që të mos mblidheni për dënim. Dhe gjërat e tjera, kur të vij, do t’i rregulloj.

Read full chapter