Add parallel Print Page Options

87 Ai i vuri themelet e tij mbi malet e shenjta.

Zoti i do portat e Sionit më tepër se të gjitha banesat e Jakobit.

Gjëra të lavdishme thuhen për ty, o qytet i Perëndisë. (Sela)

Do të përmend Egjiptin dhe Babiloninë ndër ata që më njohin. Ja Filistia dhe Tiro, së bashku me Etiopinë: "Ky ka lindur atje".

Dhe do të thuhet për Sionin: "Ky dhe ai kanë lindur tek ai; dhe vetë Shumë i Larti do ta bëjë të qëndrueshëm".

Zoti duke shqyrtuar popujt, do të regjistrojë: "Ky ka lindur atje". (Sela)

Dhe këngëtarët dhe ata që u bien veglave do të thonë: "Të gjitha burimet e mia të jetës dhe të gëzimit janë te ti".

88 O Zot, Perëndi i shpëtimit tim, unë bërtas ditë e natë para teje.

Arriftë deri te ti lutja ime, vëri veshin britmës time,

sepse shpirti im është ngopur me të keqen, dhe jeta ime ka arritur deri në Sheol.

Tanimë përfshihem ndër ata që do të zbresin në gropë, jam si një njeri që nuk ka më forcë.

Jam braktisur midis të vdekurve ashtu si të vrarët që janë në varr, të cilët ti nuk i mban mend dhe që janë prerë e janë larguar nga dora jote.

Ti më ke shtënë në gropën më të thellë, në vënde të errëta, në humnerat.

Mbi mua ka shpërthyer zemërimi yt, dhe ti më ke marrë me vete megjithë valët tua. (Sela)

Ti më ke lënë pa miqtë e mi; më ke bërë për ta një objekt të neveritshëm; jam mbyllur dhe nuk mund të dal.

Syri im venitet nga dhembja; të kërkoj çdo ditë, o Zot, dhe i zgjat drejt teje duart e mia.

10 A do të bësh vallë mrekulli për të vdekurit? A do të ringjallen të vdekurit për të të lëvduar? (Sela)

11 A do të kremtohet mirësia jote në varr dhe besnikëria jote në vendin e shkatërrimit?

12 A do të njihen mrekullitë e tua në terr dhe drejtësia jote mbi tokën e harresës?

13 Por unë të këlthas ty, o Zot, dhe lutja ime të drejtohet në mëngjes.

14 Pse më refuzon, o Zot, pse më fsheh fytyrën tënde?

15 Kam qenë i pikëlluar dhe duke vdekur qysh në rini; kam vuajtur nga tmerret e tua dhe e kam humbur.

16 Mbi mua ka kaluar zemërimi yt i zjarrtë; tmerret e tua më kanë asgjesuar,

17 më kanë rrethuar si ujërat gjatë gjithë ditës dhe të gjitha së bashku më kanë mbytur.

18 Ke larguar nga unë miqtë dhe të njohurit e mi; miku im më i ngushtë është errësira.