Fjalët e urta 3
Albanian Bible
3 Biri im, mos harro mësimet e mia dhe zemra jote le të ruajë urdhërimet e mia,
2 sepse do të të shtohen ditë të gjata, vite jete dhe paqeje.
3 Mirësia dhe e vërteta mos të lënçin kurrë; lidhi rreth qafës, shkruaji mbi tabelën e zemrës sate;
4 do të gjesh kështu hir dhe arsye në sytë e Perëndisë dhe të njerëzve.
5 Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd;
6 pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.
7 Mos e mbaj veten të ditur në sytë e tu, ki frikë nga Zoti dhe hiq dorë nga e keqja;
8 kjo do të jetë shërim për nervat e tua dhe freskim për kockat e tua.
9 Ndero Zotin me pasurinë tënde dhe me prodhimet e para të çdo të ardhure që ke;
10 hambarët e tu të grurit do të jenë plot e përplot dhe vozat e tua do të gufojnë me musht.
11 Biri im, mos e përçmo ndëshkimin e Zotit dhe mos urre qortimin e tij,
12 sepse Zoti qorton atë që do, si një baba djalin që atij i pëlqen.
13 Lum ai njeri që ka gjetur diturinë dhe njeriu që ka përftuar arsyen.
14 Sepse fitimi i tij është më i mirë se fitimi i argjendit dhe fryti i tij vlen më tepër se ari i kulluar.
15 Ajo është më e çmuar se perlat dhe mbarë gjërat më të këndshme nuk mund të barazohen me të.
16 Gjatësia e jetës është në të djathtë të saj, pasuria dhe lavdia në të majtë të saj.
17 Rrugët e saj janë rrugë të kënaqshme dhe në të tërë shtigjet e saj mbretëron paqja.
18 Ajo është një dru i jetës për ata që e kapin dhe lum ata që mbahen fort atje.
19 Me diturinë Zoti krijoi tokën dhe me zgjuarësinë i bëri të qëndrueshëm qiejtë.
20 Me diturinë e tij u hapën humnerat dhe retë japin vesë.
21 Biri im, këto gjëra mos u largofshin kurrë nga sytë e tu. Mbaje diturinë dhe të menduarit.
22 Ato do të jenë jetë për shpirtin tënd dhe një zbukurim në qafën tënde.
23 Atëherë do të ecësh i sigurt në rrugën tënde dhe këmba jote nuk do të pengohet.
24 Kur do të biesh për të fjetur, nuk do të kesh frikë; po, do të biesh dhe gjumi yt do të jetë i ëmbël.
25 Nuk do të druash llahtarën e papritur, as shkatërrimin e të pabesëve kur do të ndodhë,
26 sepse Zoti do të jetë pranë teje dhe do të pengojë që këmba jote të kapet në ndonjë lak.
27 Mos i refuzo të mirën atij që i takon, kur e ke në dorë ta bësh.
28 Mos i thuaj të afërmit tënd: "Shko dhe kthehu; do të të jap nesër," kur e ke me vete gjënë e nevojshme.
29 Mos kurdis asnjë të keqe kundër të afërmit tënd, ndërsa ai banon me besim bashkë me ty.
30 Mos bëj padi kundër askujt pa shkak; po të jetë se nuk të ka bërë asnjë të keqe.
31 Mos ki zili njeriun e dhunshëm dhe mos zgjidh asnjë nga rrugët e tij,
32 sepse Zoti e neverit njeriun e çoroditur, por këshilla e tij është për njerëzit e ndershëm.
33 Mallkimi i Zotit është në shtëpinë e të pabesit, por ai bekon banesën e të drejtëve.
34 Me siguri ai tallet me tallësit, por i fal të përvuajturit.
35 Njerëzit e urtë do të trashëgojnë lavdinë, por poshtërsia do të jetë trashëgimia e atyre që nuk kanë mend.