Add parallel Print Page Options

30 Fjalët e Agurit, birit të Jahehut; mesazhi profetik që ky njeri shpalli në Ithiel, në Ithiel dhe në Ukal.

Po, unë jam më budalla se gjithë të tjerët dhe nuk kam mendje njeriu.

Nuk kam mësuar diturinë dhe nuk kam dijen e Shenjtorit.

Kush u ngjit në qiell dhe zbriti prej tij? Kush e ka mbledhur erën në duart e tij? Kush i ka mbyllur ujërat në rroben e tij? Kush i ka vendosur të gjithë kufijtë e tokës? Cili është emri i tij dhe emri i të birit, po qe se ti e di?

Çdo fjalë e Perëndisë është rafinuar me zjarr. Ai është një mburojë për atë që gjen strehë tek ai.

Mos u shto asgjë fjalëve të tij që të mos të të qortojë dhe të dalësh gënjeshtar.

Unë të kërkova dy gjëra; mos m’i moho para se të vdes:

largo nga unë falsitetin dhe gënjeshtrën; mos më jep as varfëri as pasuri, më ushqe me bukën e nevojshme,

me qëllim që, pasi të jem ngopur, të mos të të mohoj dhe të them: "Kush është Zoti?," ose, pasi të jem bërë i varfër, të mos vjedh dhe të përdhos emrin e Perëndisë tim.

10 Mos shpif kundër shërbëtorit para të zotit, me qëllim që ai të mos të të mallkojë dhe ti të gjendesh fajtor.

11 Ka një kategori njerëzish që mallkojnë atin e tyre dhe nuk bekojnë nënen e tyre.

12 Ka një kategori njerëzish që e mbajnë veten për të pastër, por nuk janë të larë nga papastërtia e vet.

13 Ka një kategori njerëzish që i ka sytë shumë kryelartë dhe qepallat krenare.

14 Ka një kategori njerëzish dhëmbët e të cilëve janë si shpata dhe dhëmballët e tyre janë si thika, për të gëlltitur të varfërit mbi faqen e dheut dhe nevojtarët në mes të njerëzve.

15 Shushunja ka dy bija, që thonë: "Më jep, më jep!". Ka tri gjëra që nuk ngopen kurrë, madje katër nuk thonë kurrë: "Mjaft!".

16 Sheoli, barku shterp, toka që nuk ngopet me ujë dhe zjarri që nuk thotë kurrë: "Mjaft!".

17 Syrin që tallet me babanë dhe nuk pranon me përbuzje t’i bindet nënës, do ta nxjerrin korbat e përroit, do ta hanë të vegjëlit e shqiponjës.

18 Ka tri gjëra tepër të mrekullueshme për mua, madje katër, që unë nuk i marr vesh:

19 gjurma e shqiponjës në ajër, gjurma e gjarpërit mbi shkëmb, gjurma e anijes në mes të detit dhe gjurma e burrit me një vajzë.

20 Kjo është sjellja e gruas që ka shkelur kurorën: ha, fshin gojën dhe thotë: "Nuk kam bërë asnjë të keqe!".

21 Tri gjëra e turbullojnë tokën, madje katër janë gjërat që ajo nuk mund të durojë:

22 një shërbëtor kur bëhet mbret, një budalla që ka bukë me bollëk,

23 një grua të urryer që gjen burrë dhe një shërbëtore që i zë vendin zonjës.

24 Ka katër kafshë të vogla mbi tokë, por janë jashtëzakonisht të urta:

25 mizat e dheut, që janë një popull pa forcë, por që e mbledhin ushqimin e tyre në verë;

26 lepujt, që janë një popull i dobët, por që e vendosin banesën e tyre në shkëmbinjtë;

27 karkalecat, që nuk kanë mbret, por që shkojnë mbarë në grupe;

28 hardhuca që mund ta zësh me duart, por që gjendet në pallatet e mbretërve.

29 Tri qënie kanë një paraqitje të bukur, madje katër kanë një ecje madhështore;

30 luani, kafsha më e fortë, që nuk zmprapset para askujt,

31 kali i luftës që ecën i ngrefosur, cjapi dhe mbreti kur është me ushtrinë e tij.

32 Në rast se ke vepruar si budalla duke lartësuar veten tënde ose të ka shkuar mendja, vëre dorën mbi gojë,

33 sepse, duke rrahur qumështin prodhohet gjalpi, duke përdredhur hundën del gjak prej saj dhe duke shtrydhur mërinë prej saj del grindja.

31 Fjalë të mbretit Lemuel, mesazhi profetik me të cilin e mësoi e ëma.

Çfarë të të them, biri im? Çfarë të të them, biri i barkut tim? Çfarë të të them, bir i zotimeve të mia?

Mos ua jep forcën tënde grave as jetën tënde asaj që shkatërron mbretërit.

Nuk u shkon mbretërve, o Lemuel, nuk u shkon mbretërve të pinë verë as princave të dëshirojnë pije dehëse,

sepse duke pirë të mos harrojnë ligjin dhe të mos shtrembërojnë të drejtën e të pikëlluarve.

Jepini pije dehëse atij që është duke vdekur dhe verë atij që e ka zemrën të hidhëruar.

Le të pijë për të harruar varfërinë e tij dhe për të mos kujtuar më hallet e tij.

Hape gojën tënde në favor të memecit, në mbrojtje të të gjithë atyre që janë lënë pas dore.

Hape gojën tënde, gjyko me drejtësi dhe mbro çështjen e të mjerit dhe të nevojtarit.

10 Kush do të gjejë një grua të fortë dhe të virtytshme? Vlera e saj është shumë më e madhe nga ajo e margaritarëve.

11 Zemra e burrit të saj ka besim tek ajo, dhe do të ketë gjithnjë fitime.

12 Ajo i bën të mira dhe jo të keqe tërë ditët e jetës së saj.

13 Gjen lesh dhe li dhe punon me gëzim me duart e veta.

14 Ajo u përngjan anijeve të tregëtarëve: e sjell ushqimin e saj nga larg.

15 Çohet që me natë për t’i ndarë ushqimin familjes së saj dhe për t’u dhënë urdhërat e nevojshme shërbëtoreve të saj.

16 Ajo shikon një arë dhe e ble; me duart e saj mbjell një vresht.

17 Ngjesh me forcë ijët dhe i bën më të fortë krahët e saj.

18 E kupton që tregëtia e saj po shkon mbarë dhe llamba e saj e natës nuk i shuhet.

19 Shtrin dorën mbi furkën, pëllëmbat e saj zënë boshtin.

20 I shtrin dorën të varfërit dhe i jep dorën nevojtarit.

21 Nuk i trembet borës për familjen e saj, sepse tërë ata të shtëpisë së vet kanë një veshje të dyfishtë.

22 Bën për vete mbulesa si sixhade dhe rrobat e saj janë prej liri shumë të hollë dhe të purpurta.

23 Burri i saj nderohet te porta, kur ulet bashkë me pleqtë e vendit.

24 Përgatit rroba prej liri dhe i shet, i furnizon me breza tregtarët.

25 Forca dhe nderi janë rrobat e saj dhe qesh për ditët që do të vijnë.

26 Hap gojën e saj me dituri dhe mbi gjuhën e saj është ligji i mirësisë.

27 Ajo mbikqyr si shkon shtëpia e vet dhe nuk ha bukën e përtacisë.

28 Bijtë e saj ngrihen dhe e shpallin fatlume; edhe burri i saj e lëvdon duke thënë:

29 "Shumë bija kanë bërë gjëra të mëdha, por ti i kalon të gjitha ato".

30 Hiri është i rremë dhe bukuria është e kotë, por gruaja që ka frikë nga Zoti është ajo që do të lëvdohet.

31 I jepni frytin e duarve të saj, dhe vet veprat e saj le ta lëvdojnë te portat.