Add parallel Print Page Options

Vegimi i Abdias. Kështu thotë Zoti, Zoti, për Edomin: "Ne kemi dëgjuar një mesazh nga Zoti dhe një ambasador është dërguar midis kombeve për të thënë: "Lëvizni dhe të ngrihemi kundër tij për të luftuar".

Ja, unë do të të bëj të vogël midis kombeve; ti do të jesh shumë i përbuzur.

Krenaria e zemrës sate të ka mashtruar, o ti që banon në të çarat e shkëmbinjve, ku ke bërë banesën tënde të lartë, që thua në zemrën tënde: Kush do të më zbresë për tokë??"

Edhe sikur ti të ngrihesh lart si një shqiponjë dhe ta vije folenë tënde midis yjeve, unë do të të zbres nga atje lart," thotë Zoti.

"Po të të vinin natën cuba ose kusarë, si do të shkatërroheshe! A nuk do të vidhnin aq sa u mjafton? Po të të vinin vjelësit e rrushit, a nuk do të linin disa vile për të mbledhur?

Oh, sa do ta zhbirojnë Esaun, si do t’i rrëmojnë skutat e tij!

Tërë aleatët e tu do të të shtrëngojnë në kufi, ata që ishin në paqe me ty do të të mashtrojnë dhe do të kenë epërsi mbi ty; ata që hanë bukën tënde do të kurdisin gracka; por ai nuk e kupton këtë.

Atë ditë," thotë Zoti, "unë do të zhduk nga Edomi njerëzit e ditur dhe nga mali i Esaut mënçurinë.

Atëherë trimat e tu do t’i zërë tmerri, o Teman, derisa çdo njeri të shfaroset nga mali i Esaut në masakër.

10 Për shkak të dhunës kundër vëllait tënd Jakob, turpi do të të mbulojë dhe do të shfarosesh përjetë.

11 Sepse ti ishe i pranishëm ditën që ti rrije mënjanë, ditën që të huajt e çonin në robëri ushtrinë e tij dhe të huajt hynin nga portat e tij dhe hidhnin në short fatet e Jeruzalemit, edhe ti ishe si një prej tyre.

12 Por ti nuk duhet të shikoje me gëzim ditën e vëllait tënd, ditën e fatkeqësisë së tij, as duhet të gëzoheshe për bijtë e Judës ditën e shkatërrimit të tyre dhe as të flisje me arrogancë ditën e fatkeqësisë së tyre.

13 Nuk duhet të hyje nga porta e popullit tim, ditën e fatkeqësisë së tij, as të sodisje edhe ti me kënaqësi mjerimin e tij, ditën e fatkeqësisë së tij dhe as të shtrije duart mbi pasuritë e tij ditën e fatkeqësisë së tij.

14 Nuk duhet të viheshe në udhëkryqet për të masakruar ikanakët e tij dhe as t’i jepje në dorë të armikut ata që kishin mbijetuar ditën e fatkeqësisë.

15 Sepse dita e Zotit është e afërt për tërë kombet; atë që u bëre të tjerëve do të ta bëjnë ty, shpërblimi i veprimeve të tua do të bjerë mbi kokën tënde.

16 Sepse ashtu si keni pirë mbi malin tim të shenjtë, kështu do të pinë tërë kombet vazhdimisht; po, do të pinë, do të rrëkëllejnë dhe do të jenë si të mos kenë qenë kurrë".

17 "Por mbi malin e Sionit do të jenë ata që mbijetuan dhe do të jetë një vend i shenjtë; dhe shtëpia e Jakobit do të shtjerë në dorë pronat e veta.

18 Shtëpia e Jakobit do të jetë një zjarr, shtëpia e Jozefit një flakë, por shtëpia e Esaut do të jetë si kallamishte: ata do ta djegin dhe do ta gllabërojnë, dhe shtëpisë së Esaut nuk do t’i mbetet asnjë trashëgimtar," sepse ka folur Zoti.

19 Ata të Negevit do të zotërojnë malin e Esaut dhe fushën e vendit të Filistejve; do të zotërojnë edhe fushat e Efraimit dhe fushat e Samarisë dhe Beniamini do të zotërojë Galaadin.

20 Mërgimtarët e kësaj ushtrie të bijve të Izraelit që ndodhen midis Kananeasve, do të zotërojnë vendin deri në Sarepta, mërgimtarët e Jeruzalemit që ndodhen në Sefarad do të zotërojnë qytetet e Negevit.

21 Atëherë disa çlirimtarë do të ngjiten në malin e Sionit për të gjykuar malin e Esaut, dhe mbretëria do të jetë e Zotit.

Dhe i pesti engjëll i ra borisë, dhe unë pashë një yll që ra nga qielli përmbi tokë; dhe atij iu dha çelësi i pusit të humnerës.

Dhe ai hapi pusin e humnerës dhe nga pusi u ngrit një tym si nga një oxhak i madh; dhe dielli dhe ajri u errën nga tymi i pusit.

Edhe nga ky tym dolën mbi dhe karkaleca, dhe atyre iu dha një pushtet, i ngjashëm me atë të akrepave të tokës.

Dhe atyre iu tha të mos dëmtojnë barin e dheut, asnjë gjelbërim e asnjë dru, por vetëm ata njerëzit të cilët nuk kanë vulën e Perëndisë mbi ballë.

Dhe atyre iu dha fuqia të mos i vrasin ata, por t’i mundojnë pesë muaj; dhe mundimi i tyre si mundimi i akrepit, kur pickon.

Dhe në ato ditë njerëzit do të kërkojnë vdekjen, por nuk do ta gjejnë atë, edhe do të dëshirojnë të vdesin, por vdekja do të largohet prej tyre.

Dhe pamja e karkalecave u përngjante kuajve të gatitur për luftë; dhe mbi kokat e tyre kishin si kurora prej ari dhe fytyrat e tyre ishin si fytyra njerëzish.

Dhe kishin flokë si flokë grash; dhe dhëmbët e tyre ishin si dhëmbë luanësh.

Dhe kishin parzmore si parzmore hekuri, dhe ushtima e krahëve të tyre ishte si ushtima i shumë qerrëve dhe kuajve që rendin në luftim.

10 Dhe kishin bishtra që u ngjanin akrepave dhe me thumb në bishtrat e tyre: në të cilat qëndronte fuqia të dëmtonin njerëzit për pesë muaj.

11 Dhe për mbret përmbi ta kishin engjëllin e humnerës, emri e tij në hebraisht është Abadon dhe në greqisht emrin e ka Apolion.

12 Mjerimi i parë kaloi; ja, po vijnë edhe dy mjerime paskëtaj.

13 Dhe i gjashti engjëll i ra borisë, dhe dëgjova një zë nga të katër brirët e altarit të artë që është përpara Perëndisë,

14 që i thoshte engjëllit të gjashtë që kishte borinë: “Zgjidh të katër engjëjt që janë të lidhur në Lumin e madh, Eufratin.”

15 Atëherë të katër engjëjt, që ishin përgatitur për atë orë, ditë, muaj dhe vit, u zgjidhën që të vrasin të tretën pjesë të njerëzve.

16 Dhe numri i ushtarëve të kalorësisë ishte dyqind milion: dhe unë e dëgjova numrin e tyre.

17 Dhe kështu unë pashë në vegim kuajt dhe ata që i kalëronin; ata kishin parzmore ngjyrë zjarri, hiacinti dhe squfuri; dhe kokat e kuajve ishin si koka luanësh dhe nga gojët e tyre dilte zjarr, tym dhe squfur.

18 Nga këto të tri plagë u vra e treta e njerëzve, nga zjarri e nga tymi e nga squfuri, që dilnin nga gojët e tyre.

19 Sepse pushteti i tyre në fakt ishte në gojën e tyre dhe në bishtrat e tyre; sepse bishtrat e tyre ishin të ngjashëm me gjarpërinj, që kanë koka dhe me anë të tyre dëmtonin.

20 Dhe njerëzit e tjerë, ata që nuk u vranë nga këto plagë, nuk u penduan nga veprat e duarve të tyre që të mos nderojnë demonët dhe idhujt prej ari, argjendi, bronzi, guri dhe druri, që nuk mund të shohin, as të dëgjojnë, as të ecin;

21 dhe ata nuk u penduan nga vrasjet e tyre, as nga magjia e tyre, as nga kurvërimi i tyre dhe as nga vjedhjet e tyre.