A A A A A
Bible Book List

Marku 1-3Albanian Bible (ALB)

Fillimi i Ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë.

Ashtu si është shkruar tek profetët: “Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim para fytyrës tënde, i cili do të përgatit udhën tënde përpara teje.

Ka një zë që bërtet në shkretëtirë: "Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij".”

Gjoni erdhi në shkretëtirë duke pagëzuar dhe duke predikuar një pagëzim pendese për faljen e mëkateve.

Dhe gjithë vendi i Judës dhe ata nga Jeruzalemi shkonin tek ai, dhe pagëzoheshin të gjithë nga ai në lumin Jordan, duke rrëfyer mëkatet e tyre.

Por Gjoni ishte i veshur me lesh deveje, mbante një brez lëkure përreth ijëve dhe ushqehej me karkaleca dhe me mjaltë të egër.

Ai predikonte duke thënë: “Pas meje po vjen një që është më i fortë se unë. Unë nuk jam i denjë as të ulem para tij për t’i zgjidhur lidhësat e sandaleve të tij.

Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t’ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë.”

Dhe ndodhi në ato ditë që Jezusi erdhi nga Nazareti i Galilesë dhe u pagëzua nga Gjoni në Jordan.

10 Dhe menjëherë, kur po dilte nga uji, pa se qiejtë po hapeshin dhe Fryma po zbriste mbi të si një pëllumb.

11 Dhe një zë erdhi nga qielli: “Ti je Biri im i dashur në të cilin jam kënaqur.

12 Fill pas kësaj, Fryma e Shenjtë e çoi në shkretëtirë;

13 dhe qëndroi në shkretëtirë dyzet ditë, i tunduar nga Satanai. Ishte bashkë me bishat dhe engjëjt i shërbenin.

14 Dhe mbasi e burgosën Gjonin, Jezusi erdhi në Galile duke predikuar ungjillin e mbretërisë së Perëndisë,

15 dhe duke thënë: “U mbush koha dhe mbretëria e Perëndisë është afër. Pendohuni dhe besoni ungjillin.”

16 Ndërsa po kalonte gjatë bregut të detit të Galilesë, ai pa Simonin dhe Andrean, vëllanë e tij, të cilët po hidhnin rrjetën në det sepse ishin peshkatarë.

17 Dhe Jezusi u tha atyre: “Ndiqmëni dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish.”

18 Dhe ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën.

19 Mbasi eci edhe pak, pa Jakobin, bir in e Zebedeut dhe Gjonin, vëllanë e tij, të cilët ndreqnin rrjetat e tyre në barkë.

20 Dhe i thirri menjëherë; dhe ata e lanë atin e tyre Zebedeun në barkë me mëditësit dhe e ndoqën.

21 Pastaj hynë në Kapernaum dhe menjëherë, ditën e shtunë, ai hyri në sinagogë dhe i mësonte njerëzit.

22 Dhe njerëzit habiteshin nga doktrina e tij, sepse ai i mësonte si një që ka pushtet dhe jo si skribët.

23 Atëherë në sinagogën e tyre ishte një njeri i pushtuar nga një frymë e ndyrë, i cili filloi të bërtasë,

24 duke thënë: “Ç’ka midis nesh dhe teje, o Jezus Nazareas? A erdhe të na shkatë-rrosh? Unë e di kush je: I Shenjti i Perëndisë.”

25 Por Jezusi e qortoi duke thënë: “Hesht dhe dil prej tij!.”

26 Dhe fryma e ndyrë, mbasi e sfiliti, dhe duke lëshuar një britmë të madhe doli prej tij.

27 Dhe të gjithë u mahnitën aq shumë sa pyesnin njeri tjetrin duke thënë: “Vallë ç’është kjo? Cfarë doktrinë e re qënka kjo? Ky i urdhëroka me autoritet edhe frymërat e ndyra, dhe ata i binden.”

28 Dhe fama e tij u përhap menjëherë në mbarë krahinën përreth Galilesë.

29 Sapo dolën nga sinagoga, erdhën në shtëpinë e Simonit dhe të Andreas, me Jakobin dhe Gjonin.

30 Vjehrra e Simonit ishte në shtrat me ethe dhe ata menjëherë i folën për të.

31 Atëhërë ai u afrua, e kapi për dore dhe e ngriti. Menjëherë ethet e lanë dhe ajo nisi t’u shërbejë.

32 Në mbrëmje, pas perëndimit të diellit, i prunë të gjithë të sëmurit dhe të idemonizuarit.

33 Dhe gjithë qyteti ishte mbledhur përpara derës.

34 Ai shëroi shumë, që lëngonin nga sëmundje të ndryshme, dhe dëboi shumë demonë; dhe nuk i lejoi demonët të flasin, sepse ata e njihnin.

35 Pastaj, të nesërmen në mëngjes, kur ende ishte shumë errët, Jezusi u ngrit, doli dhe shkoi në një vend të vetmuar dhe atje u lut.

36 Dhe Simoni dhe ata që ishin me të e kërkonin.

37 Dhe, kur e gjetën, i thanë: “Të gjithë po të kerkojnë!.”

38 Dhe ai u tha atyre: “Lë të shkojmë në fshatrat e afërm që të predikoj edhe atje, sepse për këtë kam ardhur.”

39 Dhe ai e përshkoi gjithë Galilenë duke predikuar nëpër sinagogat e tyre dhe duke dëbuar demonët.

40 Dhe erdhi tek ai një lebroz i cili, duke iu lutur, ra në gjunj dhe i tha: “Po të duash, ti mund të më pastrosh.”

41 Dhe Jezusi, duke e mëshiruar, shtriu dorën, e preku dhe i tha: “Po, e dua, qofsh pastruar!.”

42 Dhe, posa tha këto, menjëherë lebra e la dhe u shërua.

43 Pastaj, mbasi e paralajmëroi rreptësisht, menjëherë e largoi,

44 duke i thënë: “Ruhu se i tregon gjë ndokujt, por shko, paraqitu te prifti dhe ofro për pastrimin tënd sa ka urdhëruar Moisiu, si dëshmi për ta.”

45 Por ai, sapo doli, filloi ta shpallë dhe ta përhapë fort faktin, sa që Jezusi nuk mund të hynte më publikisht në qytet, por qëndronte përjashta nëpër vende të vetmuara; dhe nga çdo anë vinin tek ai.

Pas disa ditësh, ai erdhi përsëri në Kapernaum dhe u muar vesh se ai gjendej në shtëpi;

dhe menjëherë u mblodhën aq shumë njerëz, sa nuk gjeje më vend as përpara derës; dhe ai u predikonte Fjalën.

Atëhërë i erdhën disa që i paraqitën një të paralizuar, që po e bartnin katër vetë.

Por, duke qenë se nuk mund t’i afroheshin për shkak të turmës, zbuluan çatinë në vendin ku ndodhej Jezusi dhe, mbasi hapën një vrimë, e lëshuan vigun mbi të cilin rrinte shtrirë i paralizuari.

Jezusi, kur pa besimin e tyre, i tha të paralizuarit: “O bir, mëkatet e tua të janë falur!.”

Por aty po rrinin ulur disa shkribë, të cilët, në zemër të vet, po mendonin:

“Pse vallë ky po flet blasfemi. Kush mund të falë mëkatet, veç Perëndisë vetë?.”

Por Jezusi, i cili menjëherë kuptoi në frymën e vet se ata po i mendonin këto gjëra në veten e tyre, u tha atyre: “Pse i mendoni këto gjëra në zemrat tuaja?

Çfarë është më lehtë: t’i thuash të paralizuarit: "Mëkatet e tua të janë falur," apo t’i thuash: "Çohu, merre vigun tënd dhe ec"?

10 Dhe tani, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatët mbi dhe,

11 unë po të them (i tha të paralizuarit): Çohu, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!".”

12 Dhe ai u ngrit menjëherë, mori vigun e vet dhe doli përjashta në praninë e të gjithëve dhe kështu të gjithë u habitën dhe lëvduan Perëndinë duke thënë: “Një gjë të tillë s’e kemi parë kurrë!.”

13 Jezusi doli përsëri gjatë bregut të detit dhe gjithë turma erdhi tek ai dhe ai e mësonte.

14 Duke kaluar, pa Levin, birin e Alfeut, i cili qe ulur në vendin e tatimeve, dhe i tha: “Ndiqmë!.” Ai u ngrit dhe e ndoqi.

15 Dhe ndodhi që, kur Jezusi ishte në tryezë në shtëpinë e Levit, shumë tagrambledhës dhe mëkatarë u ulën në tryezë me Jezusin dhe me dishepujt e tij; në fakt ishin shumë ata që e ndiqnin.

16 Atëhërë skribët dhe farisenjtë, duke e parë se po hante me tagrambledhës dhe me mëkatarë, u thanë dishepujve të tij: “Qysh ha dhe pi ai bashkë me tagrambledhës e me mëkatarë?.”

17 Dhe Jezusi, kur e dëgjoi, u tha atyre: “Nuk janë të shëndoshet që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët; unë nuk erdha për të thirrur të drejtët, por mëkatarët për pendim.

18 Atëherë dishepujt e Gjonit dhe ata të farisenjve po agjëronin. Ata erdhen te Jezusi dhe i thanë: “Përse dishepujt e Gjonit dhe ata të farisenjve agjërojnë, kurse dishepujt e tu nuk agjërojnë?.”

19 Dhe Jezusi u përgjigj atyre: “Vallë a mund të agjërojnë dasmorët, ndërsa dhëndri është me ta? Për sa kohë kanë më vete dhëndrin, nuk mund të agjërojnë!

20 Por do të vijnë ditët kur do t’u merret dhëndri dhe atëhërë, në ato ditë, ata do të agjërojnë.

21 Askush nuk qep një copë stof të ri mbi një rrobe të vjetër, përndryshe copa e re e shkul gjithë arnesën dhe shqyerja bëhet më keq.

22 Po ashtu askush nuk shtie verë të re në kacekë të vjetër, përndryshe vera e re i prish kacekët, vera derdhet dhe kacekët shkojnë dëm; porse vera e re duhet shtënë në kacekë të rinj.”

23 Por ndodhi që një ditë të shtunë ai po kalonte nëpër ara dhe dishepujt e tij, duke kaluar, filluan të këpusin kallinj.

24 Dhe farisenjtë i thanë: “Shih, përse po bëjnë atë që nuk është e ligjshme ditën e shtunë?.”

25 Por ai u tha atyre: “A nuk keni lexuar vallë ç’bëri Davidi, kur pati nevojë dhe kishte uri, ai dhe ç’qenë me të?.”

26 Se si hyri ai në shtëpinë e Perëndisë në kohën e kryepriftit Abiathar, dhe hëngri bukët e paraqitjes, të cilat nuk lejohet t’i hajë askush, përveç priftërinjve, dhe u dha edhe atyre që qenë me të?.”

27 Pastaj u tha atyre: “E shtuna është bërë për njeriun dhe jo njeriu për të shtunën.

28 Prandaj Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës.”

Pastaj ai hyri përsëri në sinagogë dhe aty ishte një njeri që kishte një dorë të tharë.

Dhe ata po e ruanin në se do ta shëronte në ditën e së shtunës, që pastaj ta paditnin.

Dhe ai i tha njeriut që e kishte dorën të tharë: “Çohu në mes të të gjithëve!.”

Dhe u tha atyre: “A është e lejueshme ditën e së shtunës të bësh të mirë apo të keqe, të shpëtosh një jetë apo ta vrasësh?.” Por ata heshtnin.

Atëherë ai, si i shikoi rreth e qark me zemërim, i hidhëruar për ngurtësinë e zemrës së tyre, i tha atij njeriu: “Shtrije dorën tënde!.” Ai e shtriu, dhe dora e tij u shëndosh përsëri si tjetra.

Dhe farisenjtë dolën jashtë e menjëherë bënin këshill bashkë me herodianët kundër tij, se si ta vrasin.

Por Jezusi me dishepujt e vet u tërhoq drejt detit; dhe një turmë e madhe nga Galilea i ndoqi; edhe nga Judea;

dhe nga Jeruzalemi, nga Idumea, nga përtej Jordanit; gjithashtu një turmë e madhe nga rrethinat Etiros dhe të Sidonit, kur dëgjoi gjërat e medha që ai bënte, erdhi tek ai.

Atëherë ai u tha dishepujve të tij të kenë gjithnjë gati një barkë, që populli mos e shtynte.

10 Sepse ai kishte shëruar shumë veta, të gjithë që kishin sëmundje dyndeshin rreth tij që ta preknin.

11 Dhe frymërat e ndyrë, kur e shihnin, binin përmbys para tij dhe bërtitnin, duke thënë: “Ti je Biri i Perëndisë!.”

12 Por ai i qortoi rreptësisht që të mos thonin se kush ishte ai.

13 Pastaj ai u ngjit në mal dhe thirri pranë vetes ata që deshi. Dhe ata erdhën tek ai.

14 Dhe ai i caktoi dymbëdhjetë që të rrinin me të dhe që mund t’i dërgonte të predikojnë,

15 dhe të kishin pushtet të shëronin sëmundjet dhe të dëbonin demonët.

16 Ata ishin: Simoni, të cilit ia vuri emrin Pjetër;

17 Jakobi, bir i Zebedeut, dhe Gjoni, vë-llai i Jakobit, të cilave ua vuri emrin Boanerges, që do të thotë: "Bij të bubullimës";

18 Andrea, Filipi, Bartolomeu, Mateu, Thomai, Jakobi i Alfeut, Tadeu, Simon Kananeasi,

19 dhe Juda Iskarioti, i cili më pas e tradhëtoi.

20 Pastaj hynë në një shtëpi. Dhe u mblodh përsëri një turmë aq e madhe, sa që as bukë s’mund të hanin.

21 Dhe kur të afërmit e tij e morën vesh, shkuan ta marrin atë, sepse flitej: “Nuk është në vete.”

22 Kurse skribët, që kishin zbritur nga Jeruzalemi, thoshnin: “Ai e ka Beelzebubin dhe i dëbon demonët me princin e demonëve.”

23 Por ai i thirri pranë vetes dhe u foli me anë të shëmbëlltyrave: “Si mund Satanai të dëbojë Satananë?

24 Në qoftë se një mbretëri është përçarë kundër vetvetes, ajo mbretëri nuk mund të qëndrojë.

25 Dhe në qoftë se një shtëpi përçahet kundër vetvetes, ajo shtëpi nuk mund të qëndrojë.

26 Kështu, në se Satanai ngrihet kundër vetvetes dhe është përçarë, nuk mbahet dot, por i erdhi fundi!

27 Askush nuk mund të hyjë në shtëpinë e njeriut të fortë dhe t’ia grabitë pasuritë e tij, pa e lidhur më parë njeriun e fortë; vetëm atëherë mund t’ia plaçkitë shtëpinë.

28 Në të vërtetë po ju them se bijve të njerëzve do t’u falet çfarëdo mëkat dhe çdo blasfemi që do të thonë;

29 po për atë që do të blasfemojë kundër Frymës së Shenjtë nuk do të ketë falje përjetë; ai është fajtor për dënim të përjetshëm.”

30 Sepse ata thoshnin: “Ai ka një frymë të ndyrë!.”

31 Ndërkaq erdhën vëllezërit e tij dhe e ëma dhe, si ndaluan përjashta, dërguan ta thërrasin.

32 Turma ishte ulur përreth tij; dhe i thanë: “Ja, nëna jote dhe vëllezërit e tu janë përjashta dhe po të kërkojnë.”

33 Por ai u përgjigj atyre duke thënë: “Kush është nëna ime, ose vëllezërit e mi?.”

34 Pastaj duke vështruar rreth e qark mbi ata që ishin ulur rreth tij, tha: “Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi!

35 Sepse kushdo që bën vullnetin e Perëndisë, ai është vëllai im, motra ime dhe nëna!.”

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes