A A A A A
Bible Book List

Gjyqtarët 1-2 Albanian Bible (ALB)

Mbas vdekjes së Jozueut, bijtë e Izraelit konsultuan Zotin, duke thënë: Kush prej nesh ka për të vajtur i pari të luftojë kundër Kananejve??".

Zoti u përgjegj: "Do të shkojë Juda; ja, vendin ia kam dhënë në duart e tij".

Atëherë Juda i tha Simeonit, vëllait të tij: "Eja me mua në vendin që më ra me short dhe do të luftojmë kundër Kananejve; pastaj edhe unë do të vij në vendin që të ra ty me short". Dhe Simeoni u nis me të.

Juda, shkoi, pra, dhe Zoti u la në dorë Kananejtë dhe Perezejtë; dhe në Bezek vranë dhjetë mijë burra.

Dhe në Bezek gjetën Adoni-Bezekun dhe e sulmuan; mundën Kananejtë dhe Perezejtë.

Adoni-Bezeku ia mbathi, por ata e ndoqën e zunë dhe i prenë gishtërinjtë e mëdhenj të duarve dhe të këmbëve.

Atëherë Adoni-Bezeku tha: "Shtatëdhjetë mbretër me gishtërinjtë e mëdhenj të duarve dhe të këmbëve të prerë mblidhnin ato që mbeteshin në tryezën time. Perëndia më ktheu atë që kam bërë". E çuan pastaj në Jeruzalem ku vdiq.

Bijtë e Judës sulmuan Jeruzalemin dhe e morën; i vranë me shpatë banorët e tij dhe i vunë flakën qytetit.

Pastaj bijtë e Judës zbritën të luftojnë Kananejtë, që banonin në krahinën malore, në Negev dhe në ultësirë.

10 Juda marshoi pastaj kundër Kananjve që banonin në Hebron (emri i të cilit më parë ishte Kirjath-Arba) dhe mundi Seshain, Ahimanin dhe Talmain.

11 Që këtej marshoi kundër banorëve të Debirit (që më parë quhej Kirjath-Sefer).

12 Atëherë Kalebi tha: "Atij që do të sulmojë Kiriath-Seferin dhe do ta shtjerë në dorë, unë do t’i jap për grua bijën time Aksah".

13 E pushtoi Othnieli, bir i Kenazit, vëllai i vogël i Kalebit, dhe ky i dha për grua bijën e tij Aksah.

14 Kur ajo erdhi të banojë me të, e bindi t’i kërkojë të atit të saj një fushë. Sapo ajo zbriti nga gomari, Kalebi e pyeti: "Çfarë kërkon?".

15 Ajo u përgjegj: "Më bëj një dhuratë, me qenë se ti më dhe toka në Negev, më jep edhe disa burime ujore". Atëherë ai i dhuroi burimet e sipërme dhe ato të poshtme.

16 Atëherë bijtë e Keneos, vjehrrit të Moisiut, shkuan nga qyteti i palmave bashkë me bijtë e Judës në shkretëtirën e Judës, që ndodhet në Negev, afër Aradit; shkuan dhe u vendosën midis popullit.

17 Pastaj Juda u nis bashkë me vëllanë e tij Simeon dhe mundi Kananejtë që banonin në Tsefath dhe vendosën shfarosjen e tyre; për këtë arsye qyteti u quajt Hormah.

18 Juda mori edhe Gazën me territorin e saj, Askalonin me territorin e tij dhe Ekronin me territorin e tij.

19 Kështu Zoti mbajti anën e Judës, që dëboi banorët e krahinës malore, por nuk mundi të dëbojë banorët e fushës, sepse kishin qerre të hekurta.

20 Pastaj i dhanë Hebronin Kalebit, ashtu si kishte thënë Moisiu; dhe ai i dëboi tre bijtë e Anakut.

21 Bijtë e Beniaminit nuk arritën t’i dëbojnë Jebusejtë që banonin në Jeruzalem; kështu Jebusejtë kanë banuar bashkë me bijtë e Beniaminit në Jeruzalem deri në ditën e sotme.

22 Edhe shtëpia e Jozefit u ngrit gjithashtu kundër Bethelit, dhe Zoti qe me ta.

23 Shtëpia e Jozefit dërgoi njerëz për të vëzhguar në Bethel (qytet që më parë qyhej Luc).

24 Zbuluesit panë një burrë që dilte nga qyteti dhe i thanë: "Tregona rrugën për të hyrë në qytet dhe ne do të tregohemi të mëshirshëm me ty".

25 Ai u tregoi rrugën për të hyrë në qytet, dhe ata i vranë me shpatë banorët e qytetit, por e lanë të shkojë atë burrë me gjithë familjen e tij.

26 Ai shkoi në vendin e Hitejve dhe ndërtoi aty një qytet që e quajti Luc, emër që mban edhe sot e kësaj dite.

27 Manasi përkundrazi nuk i dëboi banorët e Beth-Sheanit dhe të fshatrave të tij kufitarë, as banorët e Tanaakut dhe të fshatrave të tij kufitarë, as banorët e Dorit dhe të fshatrave të tij kufitarë, as banorët e Ibleamit dhe të fshatrave të tij kufitarë, as banorët e Megidos dhe të fshatrave të tij kufitarë, sepse Kananejtë ishin të vendosur të qëndronin në atë vend.

28 Më vonë, kur Izraeli u bë i fortë, i nënshtroi Kananejtë dhe i bëri skllevër, por nuk i dëboji krejt.

29 As Efraimi nuk i dëboi Kananejtë që banonin në Gezer; kështu Kananejtë banuan në Gezer në mes të tyre.

30 As Zabuloni nuk i dëboi banorët e Kitronit dhe ata të Nahalolit; kështu Kananejtë banuan në mes të tyre, por iu nënshtruan skllavërisë.

31 As Asheri nuk i dëboi banorët e Akosit, as banorët të Sidonit, as ata të Ahlabit, të Akzibit, të Helbahut, të Afikut dhe të Rehobit;

32 kështu bijtë e Asherit u vendosën në mes të Kananejve që banonin në këtë vend, sepse nuk i dëbuan.

33 As Neftsali nuk i dëboi banorët e Beth-Shemeshit dhe ata të Beth-Anathit, dhe u vendos në mes të Kananejve që banonin në këtë vend; por banorët e Beth-Shemeshit dhe të Beth-Anathit iu nënshtruan skllavërisë.

34 Amorejtë i detyruan bijtë e Danit të qëndronin në krahinën malore dhe nuk i lanë të zbresin në luginë.

35 Amorejtë ishin të vendosur të qëndronin në malin Heres, në Ajalon dhe në Shaal-Bim; por kur dora e shtëpisë së Jozefit u fuqizua, ata iu nënshtruan skllavërisë.

36 Kufiri i Amorejve shtrihej nga e përpjeta e Akrabimit, nga Sela e lart.

Por Engjelli i Zotit u ngjit nga Gilgali në Bokim dhe tha: "Unë ju nxora nga Egjipti dhe ju çova në vendin që isha betuar t’u jepja etërve tuaj. Kisha thënë gjithashtu: "Nuk do ta prish kurrë besëlidhjen time me ju.

Por ju nuk do të lidhni asnjë aleancë me banorët e këtij vendi dhe do të shembni altarët e tyre". Por ju nuk iu bindët zërit tim. Pse e bëtë këtë?

Kështu unë po ju them tani: Unë nuk do t’i dëboj para jush; por ata do të jenë si gjemba në ijet tuaja, dhe perënditë e tyre do të jenë për ju si një lak".

Sapo Engjëlli i Zotit mbaroi së thëni këto fjalë tërë bijve të Izraelit, populli ngriti zërin dhe filloi të qajë.

Prandaj ky vend u quajt Bokim dhe u bënë flijime për Zotin.

Jozueu i dha urdhër popullit të largohet dhe bijtë e Izraelit shkuan secili në trashëgiminë e tij për të marrë në zotërim vendin.

Populli i shërbeu Zotit gjatë gjithë jetës së Jozueut dhe gjatë gjithë jetës së pleqve që jetuan pas Jozueut, dhe që kishin parë të gjitha veprat e mëdha që Zoti kishte bërë për Izraelin.

Pastaj Jozueu, bir i Nunit dhe shërbëtor i Zotit, vdiq në moshën njëqind e dhjetë vjeç,

dhe e varrosën në territorin e trashëgimisë së tij në Timath-Heres, në krahinën malore të Efraimit, në veri të malit Gaash.

10 Kur tërë ai brez u bashkua me etërit e vet, mbas atij doli një brez i ri që nuk e njihte Zotin, as veprat që kishte bërë për Izraelin.

11 Bijtë e Izraelit bënë atë që ishte keq në sytë e Zotit dhe u vunë në shërbim të Baalit;

12 ata braktisën Zotin, Perëndinë e etërve të tyre, i cili i kishte nxjerrë nga Egjipti, dhe adhuruan perëndi të tjera ndërmjet perëndive të popujve që i rrethonin, ranë përmbys para tyre dhe kështu provokuan zemërimin e Zotit;

13 ata brakisën Zotin dhe u vunë në shërbim të Baalit dhe të Ashtarothit.

14 Dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit dhe e dha në dorë të kusarëve që e zhveshën; dhe ai i shiti në duart e armiqve të tyre që ndodheshin rreth e qark, të cilëve nuk qenë më në gjendje t’u bënin ballë.

15 Kudo që shkonin dora e Zotit ishte kundër tyre dhe u sillte mjerime, ashtu si kishte thënë Zoti, ashtu siç u ishte betuar ai; dhe u hidhëruan shumë.

16 Pastaj Zoti nxirrte gjyqtarë, që i lironin nga duart e atyre që i zhvishnin.

17 Mjerisht ata nuk i dëgjonin as gjyqtarët e tyre, por kurvëroheshin përpara perëndive të tjera dhe binin përmbys para tyre. Ata braktisën shpejt rrugën e ndjekur nga etërit e tyre, të cilët u ishin bindur urdhrave të Zotit; por ata nuk vepruan ashtu.

18 Kur Zoti u nxirrte gjyqtarë, Zoti ishte me gjyqtarin dhe i lironte nga dora e armiqve të tyre gjatë gjithë jetës së gjyqtarit; sepse Zoti prekej nga vajtimet e tyre të shkaktuara nga ata që i shtypnin dhe i mundonin.

19 Por kur gjyqtari vdiste, ata vazhdonin të korruptoheshin më shumë se etërit e tyre, duke ndjekur perëndi të tjera dhe duke rënë përmbys para tyre; dhe nuk hiqnin dorë aspak nga veprat e tyre dhe nga sjellja e tyre kokëforte.

20 Prandaj mëria e Zotit u ndez kundër Izraelit, dhe ai tha: "Duke qenë se ky komb ka shkelur besëlidhjen që unë kisha përfunduar me etërit e tyre dhe ata nuk i janë bindur zërit tim,

21 edhe unë nuk do të dëboj më para tyre asnjë prej kombeve që Jozueu la kur vdiq;

22 kështu me anë tyre do të vë në provë Izraelin për të parë në se do t’i përmbahen rrugës së Zotit dhe do të ecin në të siç bënë etërit e tyre, ose jo".

23 Prandaj Zoti i la këto kombe të qëndrojnë aty pa i dëbuar menjëherë, dhe nuk i dha në duart e Jozueut.

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes