A A A A A
Bible Book List

Jozueu 22-24 Albanian Bible (ALB)

22 Pastaj Jozueu thirri Rubenitët, Gaditët dhe gjysmën e fisit të Manasit dhe u tha atyre:

"Ju keni zbatuar të gjitha ato që Moisiu, shërbëtori i Zotit, ju kishte urdhëruar dhe i jeni bindur zërit tim lidhur me ato që ju kam porositur.

Ju nuk keni braktisur vëllezërit tuaj gjatë kësaj kohe të gjatë deri më sot dhe keni zbatuar urdhrat që Zoti, Perëndia juaj, ju ka porositur.

Dhe tani që Zoti, Perëndia juaj, i ka lënë të pushojnë vëllezërit tuaj, ashtu siç u kishte premtuar, kthehuni dhe shkoni në çadrat tuaja në vendin që ju përket, dhe që Moisiu, shërbëtori i Zotit, ju ka caktuar matanë Jordanit.

Vetëm kini kujdes të zbatoni urdhërimet dhe ligjin që Moisiu, shërbëtori i Zotit, ju ka dhënë, duke e dashur Zotin, Perëndinë tuaj, duke ecur në të gjitha rrugët e tij, duke zbatuar të gjitha urdhërimet e tij, duke qendruar sa më afër tij dhe duke i shërbyer me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt".

Pastaj Jozueu i bekoi dhe u dha urdhër të largohen, dhe ata u kthyen në çadrat e tyre.

Moisiu i kishte dhënë gjysmës së fisit të Manasit një trashëgimi në Bashan, kurse Jozueu i dha gjysmës tjetër një trashëgimi midis vëllezërve të tyre, nga kjo anë e Jordanit, në perëndim. Kështu, kur Jozueu i ktheu në çadrat e tyre, i bekoi,

dhe u foli atyre, duke thënë: "Ju po ktheheni në çadrat tuaja me pasuri të mëdha, me një numër të madh bagëtish, me argjend, me flori, me bronz, me hekur e një numër të madh rrobash; ndani me vëllezërit plaçkën e armiqve tuaj".

Kështu bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe gjysma e fisit të Manasit u kthyen, duke i lënë bijtë e Izraelit në Shilon, në vendin e Kanaanit, për të shkuar në vendin e Galaadit, pronë e tyre dhe që e kishin marrë simbas urdhrit të dhënë nga Zoti me anë të Moisiut.

10 Pasi arritën në brigjet e Jordanit që ndodhet në vendin e Kanaanit, bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe gjysma e fisit të Manasit ndërtuan një altar, pranë Jordanit, një altar me pamje të madhërishme.

11 Bijtë e Izraelit dëgjuan se thuhej: "Ja, bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe gjysma e fisit të Manasit kanë ndërtuar një altar në kufijtë e vendit të Kanaanit, në brigjet e Jordanit, në anën e pushtuar nga bijtë e Izraelit".

12 Kur bijtë e Izraelit e mësuan këtë gjë, tërë asambleja e bijve të Izraelit u mblodh në Shilon për të bërë luftë kundër tyre.

13 Atëherë bijtë e Izraelit u dërguan bijve të Rubenit, bijve të Gadit dhe gjysmës së fisit të Manasit, në vendin e Galaadit, Finehasin, birin e priftit Eleazar,

14 dhe bashkë me të dhjetë princa, një princ për çdo shtëpi atërore të fiseve të ndryshme të Izraelit; secili prej tyre ishte kreu i një shtëpie atërore midis ndarjeve të Izraelit.

15 Ata shkuan te bijtë e Rubenit, te bijtë e Gadit dhe te gjysma e fisit të Manasit në vendin e Galaadit dhe folën me ta, duke thënë:

16 "Kështu thotë tërë asambleja e Zotit: "Ç’është kjo shkelje që keni kryer kundër Perëndisë së Izraelit, duke mos e ndjekur më sot Zotin, duke ndërtuar një altar për të ngritur krye sot kundër Zotit?

17 Mos qe vallë gjë e vogël paudhësia e Peorit, nga e cila nuk jemi larë ende deri më sot dhe që solli një fatkeqësi mbi asamblenë e Zotit,

18 që ju shtyn sot të mos e ndiqni Zotin? Sepse, po të jetë se sot ngreni krye kundër Zotit, nesër ai do të zemërohet kundër tërë asamblesë së Izraelit.

19 Në qoftë se e konsideroni të papastër vendin që zotëroni, mund të kaloni në vendin që është pronë e Zotit, ku ndodhet tabernakulli i Zotit, dhe të banoni midis nesh; por mos ngrini krye kundër Zotit dhe kundër nesh, duke ndërtuar një altar përveç atij të Zotit, Perëndisë tonë.

20 Kur Akani, bir i Zerahut, kreu një shkelje në gjërat e caktuara të shfarosen, a nuk tërhoqi vallë zemërimin e Zotit mbi gjithë asamblenë e Izraelit? Dhe ai njeri nuk qe i vetmi që gjeti vdekjen në paudhësinë e tij"".

21 Atëherë bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe gjysma e fisit të Manasit u përgjegjën dhe u thanë krerëve të ndarjeve të Izraelit:

22 "Zoti Perëndia i perëndive, Zoti Perëndia i perëndive! Ai e di, bile edhe Izraeli do ta mësojë. Në qoftë se e bëmë për rebelim ose për mosbesnikëri ndaj Zotit, mos na kurseni në këtë ditë.

23 Në rast se kemi ndërtuar një altar për të mos e ndjekur më Zotin ose për të ofruar mbi të olokaustet apo blatime ushqimore, ose për të bërë mbi të flijime falënderimi, le të na kërkojë llogari vetë Zoti!

24 Por në të vërtetë ne e bëmë këtë me frikë, për një arësye, duke menduar që në të ardhmen pasardhësit tuaj mund t’u thonin pasardhësve tanë: "Çfarë ju lidh me Zotin, Perëndinë e Izraelit?

25 Zoti e ka vënë Jordanin si kufi midis jush dhe nesh, o bij të Rubenit, o bij të Gadit; ju nuk keni asnjë pjesë te Zoti". Kështu pasardhësit tuaj mund t’i largojnë pasardhësit tanë nga frika e Zotit.

26 Prandaj thamë: "Le të ndërtojmë një altar, jo për olokauste as për flijime,

27 por që të shërbejë si dëshmi midis jush dhe nesh dhe midis pasardhësve tanë pas nesh, në mënyrë që të mund të kryejmë shërbimin e Zotit përpara tij, me olokaustet tona, flijimet tona dhe ofertat tona të falënderimit, me qëllim që pasardhësit tuaj të mos u thonë një ditë pasardhësve tanë: Ju nuk keni asnjë pjesë tek Zoti".

28 Prandaj thamë: Në rast se ndodh që një ditë të na thonë këtë neve ose pasardhësve tanë, atëherë do të përgjigjemi: Shikoni formën e altarit të Zotit që ndërtuan etërit tanë, jo për olokauste as për flijime, por që të shërbejë si dëshmitar midis nesh dhe jush.

29 Nuk na ka shkuar mendja të ngremë krye kundër Zotit dhe as të heqim dorë nga bindja ndaj Zotit, duke ndërtuar një altar për olokaustet, për blatimet e ushqimit ose për flijimet, përveç altarit të Zotit, Perëndisë tonë, që ndodhet përpara tabernakullit të tij!".

30 Kur prifti Finehas dhe princat e asamblesë, krerët e ndarjeve të Izraelit që ishin me të, dëgjuan fjalët që thanë bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe bijtë e Manasit, mbetën të kënaqur.

31 Atëherë Finehasi, bir i priftit Eleazar, u tha bijve të Rubenit, të Gadit dhe të Manasit: "Sot pranojmë që Zoti është midis nesh, sepse ju nuk keni kryer këtë shkelje ndaj Zotit; kështu i keni shpëtuar bijtë e Izraelit nga dora e Zotit".

32 Pastaj Finehasi, bir i priftit Eleazar dhe princat i lanë bjtë e Rubenit dhe të Gadit, dhe vendin e Galaadit, dhe u kthyen në vendin e Kanaanit pranë bijve të Izraelit, të cilëve u treguan ngjarjen.

33 Kjo gjë u pëlqeu bijve të Izraelit, dhe bijtë e Izraelit bekuan Perëndinë, dhe nuk folën më të shkojnë për të luftuar kundër bijve të Rubenit dhe të Gadit dhe të shkatërronin vendin në të cilin ata banonin.

34 Dhe bijtë e Rubenit dhe të Gadit e quajtën "Dëshmitar" këtë altar, sepse thanë: "Ai është dëshmitar midis nesh që Zoti është Perëndia".

23 Shumë kohë mbas pushimit që Zoti i kishte siguruar Izraelit nga të gjithë armiqtë që e rrethonin, Jozueu, tanimë i plakur dhe me moshë të shtyrë,

mblodhi tërë Izraelin, pleqtë e tij, krerët, gjykatësit dhe oficerët e tij, dhe u tha: "Unë jam plak dhe i shtyrë në moshë,

Ju i patë të gjitha ato që Zoti, Perëndia juaj, u ka bërë të gjitha kombeve, për shkakun tuaj, sepse ka qenë vetë Zoti, Perëndia juaj, që ka luftuar për ju.

Dhe ja, unë kam ndarë midis jush me short, si trashëgimi për fiset tuaja, kombet që mbeten, bashkë me tërë kombet që kam shfarosur, nga Jordani deri në Detin e Madh, në perëndim.

Dhe Zoti, Perëndia juaj, do t’i dëbojë ai vetë para jush; kështu ju do të shtini në dorë vendin e tyre, ashtu si ju ka premtuar Zoti, Perëndia juaj.

Jini, pra, shumë të vendosur në zbatimin dhe vënien në praktikë të ligjit të Moisiut, pa u shmangur as djathtas as majtas,

pa u përzier me kombet që mbeten midis jush; nuk do të përmendni as emrin e perëndive të tyre dhe nuk do të betoheni për ta; nuk do t’i shërbeni dhe nuk do të bini përmbys para tyre;

por do të lidheni ngushtë me Zotin, Perëndinë tuaj, siç keni bërë deri sot.

Në fakt Zoti ka dëbuar para jush kombe të mëdhenj dhe të fuqishëm; dhe askush nuk ka mundur t’ju bëjë ballë deri më sot.

10 Një i vetëm nga ju do të ndjekë njëmijë prej tyre, sepse Zoti, Perëndia juaj, është ai që lufton për ju, siç e ka premtuar.

11 Tregoni, pra, kujdes të madh për shpirtrat tuaj, për ta dashur Zotin, Perëndinë tuaj.

12 Por në rast se i shmangeni dhe bashkoheni me mbeturinat e këtyre kombeve që kanë mbetur midis jush dhe bashkoheni me anë martesash me ta dhe përziheni me ta dhe ata me ju,

13 dijeni me siguri që Zoti, Perëndia juaj, nuk ka për të vazhduar t’i dëbojë këto kombe para jush; por ata do të bëhen për ju një kurth, një kamzhik në ijët tuaja dhe hala në sytë tuaja, deri sa ju të zhdukeni nga ky vend i mirë që Zoti, Perëndia juaj, ju ka dhënë.

14 Dhe ja, unë po iki sot në rrugën e gjithë botës; pranoni, pra, me gjithë zemër e me gjithë shpirt që nuk ka rënë për tokë asnjë nga fjalët e mira që Zoti, Perëndia juaj, ka thënë lidhur me ju; të tëra u vërtetuan për ju; as edhe një nuk ra për tokë.

15 Dhe ka për të ndodhur që, ashtu si për të gjitha gjërat e mira që Zoti, Perëndia juaj, ju kishte premtuar ju kanë dalë, kështu Zoti do të sjellë mbi ju tërë fatkeqësitë, deri sa t’ju zhdukë nga ky vend i mirë që Perëndia juaj, Zoti ju ka dhënë.

16 Në rast se shkelni besëlidhjen që Zoti, Perëndia juaj, ju ka urdhëruar, dhe shkoni t’u shërbeni perëndive të tjera dhe bini përmbys para tyre, atëherë zemërimi i Zotit do të ndizet kundër jush dhe ju do të zhdukeni shpejt nga vendi i mirë që Ai ju ka dhënë".

24 Pastaj Jozueu mblodhi të gjitha fiset e Izraelit në Sikem, dhe thirri pleqtë e Izraelit, krerët, gjykatësit dhe oficerët e tij, që u paraqitën përpara Perëndisë.

Dhe Jozueu i tha tërë popullit: "Kështu flet Zoti, Perëndia i Izraelit: Në kohërat e kaluara, etërit tuaj, si Terahu, ati i Abrahamit dhe ii Nahorit, banonin matanë lumit dhe u shërbenin perëndive të tjera.

Unë mora atin tuaj Abrahamin nga ana tjetër e lumit, e bëra të kalojë nëpër gjithë vendin e Kanaanit, shumëzova pasardhësit e tij dhe i dhashë Isakun.

Isakut i dhashë Jakobin dhe Esaun; Esaut i dhashë si trashëgimi malin e Seirit; por Jakobi dhe bijtë e tij zbritën në Egjipt.

Pastaj dërgova Moisiun dhe Aaronin dhe godita Egjiptin me atë që bëra në mes të tij; pastaj ju nxora jashtë.

Kështu nxora nga Egjipti etërit tuaj, dhe ju arritët në det. Egjiptasit i ndoqën etërit tuaj me qerre dhe me kalorës deri në Detin e Kuq.

Por ata i klithën Zotit, dhe ai vendosi një errësirë të dendur midis jush dhe Egjiptasve; pastaj hodha mbi ta detin, që i mbuloi; dhe sytë tuaj panë atë që u bëra Egjiptasve. Pastaj qëndruat për një kohë të gjatë në shkretëtirë.

Unë ju çova në vendin e Amorejve, që banonin matanë Jordanit; ata luftuan kundër jush dhe unë jua dhashë në dorë; ju pushtuat vendin e tyre dhe unë i shpartallova para jush.

Pastaj Balaku, bir i Tsiporit, mbret i Moabit, u ngrit për të luftuar Izraelin; dhe dërgoi të thërrasë Balaamin, djalin e Beorit, që t’ju mallkonte;

10 por unë nuk desha të dëgjoj Balaamin; prandaj ai ju bekoi me të madhe, dhe ju çlirova nga duart e Balakut.

11 Kaluat pastaj Jordanin dhe arritët në Jeriko; banorët e Jerikos luftuan kundër jush; kështu bënë Amorejtë, Perezejtë, Kananejtë, Hitejtë, Girgasejtë, Hivejtë dhe Jebusejtë; por unë jua dorëzova në dorë.

12 Dhe çova para jush grerëzat, që i bënë të ikin para jush, ashtu si kishte ndodhur me dy mbretërit e Amorejve; por kjo nuk ishte meritë e shpatës ose e harkut tënd.

13 Dhe ju dhashë një tokë për të cilën nuk kishit punuar dhe qytete që nuk i kishit ndërtuar, dhe ju banuat në to; dhe tani hani frytin e vreshtave dhe të ullishteve që nuk keni mbjellë".

14 Prandaj tani t’ia kini frikën Zotit dhe shërbejeni me ndershmëri dhe besnikëri; hiqni perënditë të cilëve u shërbyen etërit tuaj matanë lumit dhe në Egjipt, dhe vihuni në shërbim të Zotit.

15 Dhe në rast se ju duket një gjë e keqe t’i shërbeni Zotit, zgjidhni sot kujt doni t’i shërbeni, o perënditë të cilëve u shërbyen etërit tuaj matanë lumit, o perënditë e Amorejve, në vendin e të cilëve ju banoni sot; sa për mua dhe për shtëpinë time do t’i shërbejmë Zotit".

16 Atëherë populli u përgjigj dhe tha: "Larg qoftë që ne të braktisim Zotin për t’u shërbyer perëndive të tjera!

17 Sepse Zoti, Perëndia ynë, është ai që na nxori ne dhe etërit tanë nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë, që ka bërë mrekullira të mëdha para syve tanë dhe që na ka mbrojtur gjatë gjithë rrugës që bëmë dhe midis gjithë popujve në mes të të cilëve kemi kaluar;

18 dhe Zoti ka dëbuar para nesh tërë popujt dhe Amorejtë që banonin në këtë vend; prandaj ne do t’i shërbejmë Zotit, sepse ai është Perëndia ynë".

19 Por Jozueu i tha popullit: "Ju nuk mund t’i shërbeni Zotit, sepse ai është një Perëndi i shenjtë, një Perëndi ziliqar; ai nuk do t’i falë shkeljet dhe mëkatet tuaja.

20 Kur ta braktisni Zotin dhe t’u shërbeni perëndive të huaja, ai do të kthehet për t’ju bërë keq dhe për t’ju konsumuar pas aq të mirave që ju ka bërë".

21 Dhe populli i tha Jozueut: "Jo, ne do t’i shërbejmë Zotit".

22 Atëherë Jozueu i tha popullit: "Ju jeni dëshmitarë kundër vetvetes, pse keni zgjedhur për vete Zotin për t’i shërbyer!". Ata iu përgjigjën: "Jemi dëshmitarë!".

23 Jozueu tha: "Hiqni, pra, perënditë e huaja që janë në mes tuaj dhe përuleni zemrën tuaj Zotit, Perëndisë së Izraelit!".

24 Populli iu përgjigj Jozueut: "Ne do t’i shërbejmë Zotit, Perëndisë tonë, dhe do t’i bindemi zërit të tij".

25 Kështu Jozueu lidhi atë ditë një besëlidhje me popullin, dhe i dha statutet dhe dekretet në Sikem.

26 Pastaj Jozueu shkroi këto gjëra në librin e ligjit të Perëndisë; dhe mori një gur të madh dhe e vendosi aty, poshtë lisit, pranë shenjtërores së Zotit.

27 Jozueu i tha pastaj tërë popullit: "Ja, ky gur do të jetë një dëshmitar kundër nesh, sepse ai i dëgjoi tërë fjalët që na tha Zoti; ai, pra, do të shërbejë si dëshmitar kundër jush, me qëllim që të mos e mohoni Perëndinë tuaj".

28 Pastaj Jozueu e ktheu popullin në vendin ku ishte më parë, secili në trashëgiminë e vet.

29 Pas këtyre gjërave Jozueu, bir i Nunit dhe shërbëtor i Zotit, vdiq në moshën njëqind e dhjetë vjeç,

30 dhe e varrosën në territorin e pronës së tij në Timnath-Serah, që ndodhet në krahinën malore të Efraimit, në veri të malit Gaash.

31 Izraeli i shërbeu Zotit gjatë gjithë jetës së Jozueut dhe gjatë gjithë jetës së pleqve që jetuan pas Jozueut dhe që dinin tërë veprat që Zoti kishte bërë për Izraelin.

32 Eshtrat e Jozefit, që bijtë e Izraelit kishin sjellë nga Egjipti, i varrosën në Sikem, në pjesën e arës që Jakobi ua kishte blerë bijve të Hamorit, atit të Sikemit, për njëqind pjesë argjendi, dhe që ishte pronë e bijve të Jozefit.

33 Pastaj vdiq edhe Eleazari, bir i Aaronit, dhe e varrosën në malin, që ishte pronë e birit të tij Finehas dhe që ia kishin dhënë në krahinën malore të Efraimit.

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes