A A A A A
Bible Book List

Gjoni 13-15Albanian Bible (ALB)

13 Por përpara festës së Pashkës, Jezusi, duke e ditur se kishte ardhur ora e tij të kalojë nga kjo botë tek Ati, duke i dashur të vetët që ishin në botë, i deshi deri në fund.

Dhe, kur mbaroi darka, mbasi djalli i kishte shtënë në zemër Judë Iskariotit, birit të Simonit, ta tradhtonte,

Jezusi, duke ditur se Ati i kishte dhënë gjithçka në duar, dhe se ai kishte dalë nga Perëndia dhe te Perëndia po kthehej,

u ngrit nga darka dhe hoqi rrobat e tij, mori një peshqir dhe u ngjesh.

Mbasi hodhi ujë në një legen, filloi të lante këmbët e dishepujve dhe t’ua fshijnte me peshqirin, me të cilin ishte ngjeshur.

Erdhi, pra, te Simon Pjetri. Dhe ai i tha: “Zot, ti të m’i lash këmbët mua?.”

Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Atë që po bëj unë, ti tani nuk e kupton, por do ta kuptosh mbas kësaj.”

Pjetri i tha: “Ti kurrë nuk do të m’i lash këmbët.” Jezusi iu përgjigi: “Po nuk të lava, ti nuk do të kesh pjesë me mua.”

Simon Pjetri i tha: “Zot, jo vetëm këmbët, por edhe duart dhe kokën.”

10 Jezusi i tha: “Ai që është i larë, s’ka nevojë veçse të lajë këmbët dhe është krejt i pastër; edhe ju jeni të pastër, por jo të gjithë.”

11 Sepse ai e dinte se kush do ta tradhtonte, prandaj tha: “Nuk jeni të gjithë të pastër.”

12 Kështu, mbasi ua lau këmbët, mori përsëri rrobat e tij, zuri vend rishtas në tryezë dhe u tha atyre: “A e kuptoni këtë që ju kam bërë?

13 Ju më quani Mësues dhe Zot, dhe mirë thoni, sepse jam.

14 Në qoftë se unë, Zoti dhe Mësuesi, ju kam larë këmbët, edhe ju duhet t’i lani këmbët njëri-tjetrit.

15 Unë, në fakt, ju kam dhënë shëmbullin që ashtu siç kam bërë unë, bëni edhe ju.

16 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Shërbëtori nuk është më i madh se padroni i tij, as i dërguari më i madh se ai që e ka dërguar.

17 Po t’i dini këto gjëra, të lumur jeni ju nëse do t’i bëni.

18 Nuk po flas për ju të gjithë; unë i njoh ata që kam zgjedhur, por duhet të përmbushet ky Shkrim: "Ai që ha bukën me mua, ka ngritur thembrën kundër meje".

19 Po ju them që tani, para se të ndodhë, që, kur të ketë ndodhur, të besoni se unë jam Krishti.

20 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush pranon atë që dërgoj unë, më pranon mua; dhe kush më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar.”

21 Mbasi i tha këto fjalë, Jezusi, u trondit në frymë, dhe dëshmoi e tha: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se një nga ju do të më tradhtojë.”

22 Atëherë dishepujt u panë njëri me tjetrin, por nuk arrinin të kuptonin për kë po fliste.

23 Por një nga dishepujt e tij, të cilin Jezusi e donte, ishte mbështetur te kraharori i Jezusit.

24 Atëherë Simon Pjetri i bëri shenjë të pyeste kush ishte ai për të cilin foli.

25 Dhe ai dishepull, duke u përkulur mbi kraharorin e Jezusit, e pyeti: “Zot, kush është?.”

26 Jezusi u përgjigj: “Éshtë ai të cilit do t’i jap kafshatën, pasi ta kem ngjyer.” Dhe e ngjeu kafshatën e ia dha Judë Iskariotit, birit të Simonit.

27 Dhe pas kafshatës, Satani hyri në të. Atëherë Jezusi i tha: “Ç’ke për të bërë, bëje shpejt!.”

28 Por asnjë nga ata që ishin në tryezë nuk e mori vesh pse ai e tha këtë.

29 Disa në fakt mendonin se, duke qenë se Juda e mbante qesen, Jezusi i kishte thënë: “Bli gjërat që na duhen për festën”; ose që t’u jepte diçka të varfërve.

30 Ai, pra, mori kafshatën dhe doli menjëherë. Ishte natë.

31 Kur doli ai, Jezusi tha: “Tani Biri i njeriut është përlëvduar dhe Perëndia është përlëvduar në të.

32 Në qoftë se Perëndia është përlëvduar në të, Perëndia do ta përlëvdojë edhe në vetvete dhe do ta përlëvdojë menjëherë.

33 Djema, edhe për pak kohë jam me ju; ju do të më kërkoni, por ashtu siç u kam thënë Judenjve: "Atje ku po shkoj unë ju nuk mund të vini". Kështu tani po ju them edhe juve.

34 Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin.

35 Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.”

36 Simon Pjetri i tha: “Zot, ku po shkon?.” Jezusi iu përgjigj: “Atje ku po shkoj unë, ti nuk mund të më ndjekësh tani; por më vonë do të më ndjekësh.”

37 Pjetri i tha: “Zot, pse nuk të ndiqkam dot tani? Unë do të jap jetën time për ty!.”

38 Jezusi iu përgjigj: “Ti do ta japësh jetën tënde për mua? Në të vërtetë, në të vërtetë po të them: gjeli nuk do të këndojë, para se ti të më kesh mohuar tri herë!.”

14 “Zemra juaj mos u trondittë; besoni në Perëndi dhe besoni edhe në mua!

Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t’ju thoja. Unë po shkoj t’ju përgatis një vend.

Dhe kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t’ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju.

Ju e dini se ku po shkoj dhe e njihni edhe udhën.”

Thomai i tha: “Zot, ne nuk e dimë se ku po shkon; pra, si mund ta njohim udhën?”

Jezusi i tha: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.

Po të më kishit njohur, do të kishit njohur edhe Atin tim; qysh tani e njihni dhe e keni parë.”

Filipi i tha: “Zot, na e trego Atin, dhe na mjafton.”

Jezusi i tha: “Ka kaq kohë që unë jam me ju dhe ti nuk më ke njohur akoma, o Filip? Kush më ka parë mua, ka parë Atin; Si vallë po thua: "Na e trego Atin?".

10 A nuk beson se unë jam në Atin dhe se Ati është në mua? Fjalët që po ju them, nuk i them nga vetja. Ati që qëndron në mua, është ai që i bën veprat.

11 Më besoni se unë jam në Atin dhe se Ati është në mua; në mos, më besoni për shkak të vet veprave.

12 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: kush beson në mua do të bëjë edhe ai veprat që bëj unë; madje do të bëjë edhe më të mëdha se këto, sepse unë po shkoj tek Ati.

13 Dhe çfarëdo të kërkoni në emrin tim, do ta bëj, që Ati të përlëvdohet në Birin.

14 Në qoftë se do të kërkoni diçka në emrin tim, unë do ta bëj.”

15 “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia.

16 Dhe unë do t’i lutem Atit dhe ai do t’ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju,

17 Frymën e së Vërtetës, që bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e sheh dhe nuk e njeh; por ju e njihni, sepse qëndron me ju dhe do të jetë në ju.

18 Nuk do t’ju lë bonjakë, do të kthehem te ju.

19 Edhe pak kohë dhe bota nuk do të më shohë më, por ju do të më shihni; sepse unë jetoj, edhe ju do të jetoni.

20 Atë ditë do të mësoni se unë jam në Atin tim, dhe se ju jeni në mua dhe unë në ju.

21 Kush ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, është ai që më do; dhe kush më do mua, Ati im do ta dojë; dhe unë do ta dua dhe do t’i dëftehem atij.”

22 Juda, jo Iskarioti, i tha: “Zot, si vallë do të na dëftehesh neve dhe jo botës?.”

23 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Nëse ndokush më do, do ta zbatojë fjalën time; edhe Ati im do ta dojë dhe ne do të vijmë tek ai dhe do të bëjmë banesën tek ai.

24 Kush nuk më do, nuk i zbaton fjalët e mia; dhe fjala që po dëgjoni nuk është imja, por e Atit që më ka dërguar.

25 Ju kam thënë këto gjëra, ndërkaq jam me ju;

26 por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë.

27 Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë.

28 Ju keni dëgjuar që ju thashë: "Unë po shkoj dhe do të kthehem te ju". Po të më donit, do të gëzoheshit sepse unë thashë: "Po shkoj tek Ati"; sepse Ati është më i madh se unë.

29 Dhe jua kam thënë tani, para se të ndodhë, që, kur të ndodhë, të besoni.

30 Nuk do të flas më gjatë me ju, sepse po vjen princi i kësaj bote dhe ai nuk ka asgjë në mua;

31 por kjo ndodh që bota ta njohë se unë e dua Atin dhe se bëj ashtu siç Ati më ka urdhëruar. Çohuni, ikim prej këndej!.”

15 “Unë jam hardhia e vërtetë dhe Ati im është vreshtari.

Çdo shermend që nuk jep fryt në mua, ai e heq; kurse çdo shermend që jep fryt, ai e krasit që të japë edhe më shumë fryt.

Ju tashmë jeni të pastër, për shkak të fjalës që ju kumtova.

Qëndroni në mua dhe unë do të qëndroj në ju; sikurse shermendi nuk mund të japë fryt nga vetja, po qe se nuk qëndron në hardhi, ashtu as ju, nëse nuk qëndroni në mua.

Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë.

Në qoftë se ndokush nuk qëndron në mua, hidhet jashtë si shermendi dhe thahet; pastaj i mbledhin, i hedhin në zjarr dhe digjen.

Në qoftë se qëndroni në mua dhe fjalët e mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet.

Në këtë është përlëvduar Ati im, që të jepni shumë fryt, dhe kështu do të jeni dishepujt e mi.

Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur juve; qëndroni në dashurinë time.

10 Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i zbatova urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij.

11 Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë.

12 Ky është urdhërimi im: ta doni njëri-tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur juve.

13 Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij.

14 Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni gjërat që unë ju urdhëroj.

15 Unë nuk ju quaj më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk e di ç’bën i zoti; por unë ju kam quajtur miq, sepse ju bëra të njihni të gjitha gjëra që kam dëgjuar nga Ati im.

16 Nuk më keni zgjedhur ju mua, por unë ju kam zgjedhur juve; dhe ju caktova të shkoni dhe të jepni fryt, dhe fryti juaj të jetë i qëndrueshëm, që, çfarëdo gjë që t’i kërkoni Atit në emrin tim, ai t’jua japë.

17 Këtë ju urdhëroj: ta doni njëri-tjetrin.

18 Nëse bota ju urren, ta dini se më ka urryer mua para jush.

19 Po të ishit nga bota, bota do të donte të vetët; por sepse nuk jeni nga bota, por unë ju kam zgjedhur nga bota, prandaj bota ju urren.

20 Kujtoni fjalën që ju thashë: "Shërbëtori nuk është më i madh se i zoti". Nëse më kanë përndjekur mua, do t’ju përndjekin edhe ju; nëse kanë zbatuar fjalën time, do të zbatojnë edhe tuajën.

21 Të gjitha këto gjëra do t’jua bëjnë për shkak të emrit tim, sepse nuk e njohin atë që më ka dërguar.

22 Po të mos kisha ardhur dhe të mos u kisha folur atyre, nuk do të kishin faj; por tani ata nuk kanë asnjë shfajësim për mëkatin e tyre.

23 Kush më urren mua, urren edhe Atin tim.

24 Po të mos kisha bërë në mes tyre vepra që askush tjetër nuk ka bërë, nuk do të kishin faj; por tani, përkundrazi, e kanë parë, dhe më kanë urryer mua dhe Atin tim.

25 Por kjo ndodhi që të përmbushet fjala e shkruar në ligjin e tyre: "Më kanë urryer pa shkak".

26 Por kur të vijë Ngushëlluesi, që do t’ju dërgoj prej Atit, Fryma e së vërtetës, që del nga Ati im, ai do të dëshmojë për mua.

27 Edhe ju, gjithashtu, do të dëshmoni, sepse ishit me mua që nga fillimi.”

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes