Add parallel Print Page Options

"O bij të Beniaminit, kërkoni një strehë jashtë Jeruzalemit. I bini borisë në Tekoa dhe ngrini një sinjal zjarri në Beth-kerem, sepse nga veriu po vjen një gjëmë, një shkatërrim i madh.

Unë do ta shkatërroj bijën e bukur dhe delikate të Sionit.

Në drejtim të saj vijnë barinj me kopetë e tyre; ngrenë çadrat e tyre rreth e qark kundër saj; secili kullot për veten e tij.

Përgatitni luftën kundër saj; çohuni dhe le të dalim në mes të ditës! Mjerë ne, sepse dita po kalon dhe hijet e mbrëmjes po zgjaten!

Çohuni dhe të dalim natën, të shkatërrojmë pallatet e tij!".

Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive: "Prisni drurët e tij dhe ndërtoni një ledh kundër Jeruzalemit; ky është qyteti që duhet ndëshkuar; në mes të tij nuk ka veçse shtypje.

Ashtu si një pus nxjerr ujërat e tij, kështu ai nxjerr ligësinë e vet; në të flitet vetëm për dhunë dhe për shkatërrim; para meje qëndrojnë vazhdimisht dhembje dhe plagë.

Lejo të të korrigjojnë, o Jeruzalem, përndryshe shpirti im do të largohet nga ti, përndryshe do të të katandis në një shkretim, në një tokë të pabanuar".

Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Ata që kanë mbetur nga Izraeli do të mblidhen si vilet e pavjela të një vreshti; kaloje përsëri dorën tënde si vjelësi mbi degëzat e hardhisë.

10 Kujt do t’i flas dhe cilin do të qortoj që të më dëgjojë? Ja, veshi i tyre është i parrethprerë dhe ata nuk janë të zotë të tregojnë kujdes; ja, fjala e Zotit është bërë për ta objekt përçmimi dhe ata nuk gjejnë tek ajo asnjë kënaqësi.

11 Prandaj jam mbushur me zemërimin e madh të Zotit; jam lodhur duke e përmbajtur. Do ta hedh mbi fëmijët në rrugë dhe mbi të rinjtë e mbledhur bashkë, sepse do të kapen si burri ashtu dhe gruaja, si plaku ashtu dhe burri i ngarkuar me vite.

12 Shtëpitë e tyre do t’u kalojnë të tjerëve, së bashku me arat e tyre dhe bashkëshortet e tyre, sepse unë do të shtrij dorën time mbi banorët e vendit," thotë Zoti.

13 "Sepse nga më i vogli deri tek më i madhi të gjithë lakmojnë fitime; nga profeti deri te prifti janë të gjithë gënjeshtarë.

14 Ata e mjekojnë shkel e shko plagën e popullit tim, duke thënë: "Paqe, paqe," kur nuk ka paqe.

15 A ju vinte turp kur kryenin gjëra të neveritshme? Jo! Nuk kishin turp fare dhe as nuk dinin se ç’ishte të skuqeshe. Prandaj do të rrëzohen midis atyre që rrëzohen; kur do t’i vizitoj, do të rrëzohen," thotë Zoti.

16 Kështu thotë Zoti: "Ndaluni nëpër rrugë dhe shikoni, pyesni për shtigjet e vjetra, ku është rruga e mirë, dhe ecni nëpër të; kështu do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj". Por ata përgjigjen: "Nuk do të ecim nëpër të".

17 "Kam vënë roje mbi ju: Kushtojini kujdes zërit të borisë!". Por ata përgjigjen: "Nuk do t’i kushtojmë kujdes".

18 "Prandaj, dëgjoni, o kombe, dhe dije, o kuvend, çfarë do t’u ndodhë atyre.

19 Dëgjo, o tokë! Ja, unë do të sjell mbi këtë popull një gjëmë, vetë frytin e mendimeve të tij, sepse nuk u kanë kushtuar kujdes fjalëve të mia dhe as ligjit tim, por e kanë hedhur poshtë.

20 Ç’më hyn në punë temjani që vjen nga Sheba, kanella erë mirë që vjen nga një vend i largët? Olokaustet tuaja nuk më pëlqejnë dhe sakrificat tuaja nuk më pëlqejnë".

21 Prandaj kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të vendos para këtij populli disa gurë pengese në të cilët do të pengohen bashkë etër dhe bij; fqinji dhe miku do të vdesin".

22 Kështu thotë Zoti: "Ja, një popull vjen nga një vend i veriut dhe një komb i madh do të dalë nga skajet e tokës.

23 Ata rrokin harkun dhe ushtën; janë të egër dhe nuk kanë mëshirë; zëri i tyre i ngjet zhurmës së detit; ata kanë hipur mbi kuaj dhe janë gati të luftojnë si një njeri i vetëm kundër teje, o bijë e Sionit".

24 "Kemi dëgjuar famën e tyre dhe na ranë duart; ankthi na ka mbërthyer, ashtu si dhembjet që zënë një grua që po lind".

25 Mos dilni nëpër ara, mos ecni nëpër rrugë, sepse shpata e armikut dhe tmerri janë kudo.

26 O bijë e popullit tim, vishu me thes dhe rrotullohu në hi; mbaj zi si për një bir të vetëm, me një vajtim shumë të hidhur, sepse shkatërruesi do të sulet mbi ne papritmas.

27 Unë të kisha vënë midis popullit tim si një provues dhe një fortesë, me qëllim që ti të njihje rrugën e tyre dhe ta provoje atë.

28 Ata janë të gjithë rebelë midis rebelëve, shkojnë rreth e qark duke përhapur shpifje; janë bronz dhe hekur, janë të tërë korruptues.

29 Gjyryku fryn me forcë, plumbi konsumohet nga zjarri; më kot e rafinon rafinuesi, sepse skorjet nuk shkëputen.

30 Do të quhen "argjend i refuzimit," sepse Zoti i ka hedhur poshtë.

Kjo është fjala që iu drejtua Jeremias nga ana e Zotit, duke thënë:

"Ndalu te porta e shtëpisë së Zotit dhe aty shpall këtë fjalë duke thënë: Dëgjoni fjalën e Zotit, o ju të gjithë të Judës që hyni nëpër këto porta për të rënë përmbys përpara Zotit!".

Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Ndreqni rrugët dhe veprimet tuaja, dhe unë do të bëj që të banoni në këtë vend.

Mos u besoni fjalëve mashtruese duke thënë: "Ky është tempulli i Zotit, tempulli i Zotit, tempulli i Zotit!".

Në rast se ndreqni plotësisht rrugët dhe veprimet tuaja, në rast se e zbatoni me të vërtetë drejtësinë njëri ndaj tjetrit,

në rast se nuk shtypni të huajin, jetimin dhe gruan e ve, nuk derdhni gjak të pafajshëm në këtë vend dhe nuk adhuroni perëndi të tjera në dëmin tuaj,

atëherë do të bëj që të banoni në këtë vend, në vendin që u dhashë etërve tuaj prej shumë kohe dhe për gjithnjë.

Ja, ju u besoni fjalëve mashtruese, nga të cilat s’keni fare dobi.

Kështu ju vidhni, vrisni, shkelni kurorën, betoheni për të rremen, i digjni temjan Baalit dhe u shkoni pas perëndive të tjerë që më parë nuk i njihnit,

10 dhe pastaj vini të paraqiteni para meje në këtë tempull që mban emrin tim dhe thoni: "Kemi shpëtuar!," pastaj kryeni tërë këto veprime të neveritshme.

11 Ky tempull, i cili mban emrin tim, mos është bërë vallë në sytë e tuaj një çerdhe hajdutësh? Ja, unë e pashë këtë," thotë Zoti.

12 "Por shkoni tani në vendin tim që ishte në Shiloh, të cilit në fillim i kisha vënë emrin tim dhe shikoni çfarë kam bërë aty për shkak të ligësisë së popullit tim Izrael.

13 Dhe tani meqenëse keni kryer tërë këto gjëra," thotë Zoti, "meqenëse kur ju kam folur me urgjencë dhe insistim nuk më keni dëgjuar, dhe kur ju kam thirrur nuk më jeni përgjigjur,

14 unë do të veproj me këtë tempull, në të cilin përmendet emri im dhe në të cilin keni besim, me këtë vend që ua dhashë juve dhe etërve tuaj, ashtu si bëra në Shiloh;

15 dhe do t’ju dëboj nga prania ime, ashtu si dëbova tërë vëllezërit tuaj, tërë pasardhësit e Efraimit.

16 Prandaj mos ndërhy për këtë popull, mos lësho për ata asnjë britmë ose lutje dhe mos ngul këmbë pranë meje se nuk do të kënaq.

17 A nuk shikon çfarë po bëjnë në qytetet e Judës dhe nëpër rrugët e Jeruzalemit?

18 Bijtë mbledhin drutë, etërit ndezin zjarrin dhe gratë mbrujnë mjellin për të përgatitur kulaç për mbretëreshën e qiellit, dhe pastaj u bëjnë libacione perëndive të tjera për të më zemëruar mua.

19 Por a më ngacmojnë me të vërtetë," thotë Zoti "ose më mirë veten e tyre dhe mbulohen me turp?".

20 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, zemërimi im, tërbimi im do të bjerë mbi këtë vend, mbi njerëzit dhe kafshët, mbi drurët e fushës dhe mbi frytet e tokës dhe do të djegë pa u shuar".

21 Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Shtojini olokaustet tuaja sakrificave tuaja dhe hani mishin e tyre!

22 Sepse unë nuk u fola etërve tuaj dhe nuk u dhashë atyre asnjë urdhër, kur bëra që të dalin nga vendi i Egjiptit, përsa u përket olokausteve dhe flijimeve;

23 por këtë urdhër u dhashë: "Dëgjoni zërin tim, dhe unë do të jem Perëndia juaj, dhe ju do të jeni populli im; ecni në të gjitha rrugët që ju kam urdhëruar, që të jeni të lumtur".

24 Por ata nuk dëgjuan as ma vunë veshin, por ecën sipas këshillave dhe kryeneçësisë së zemrës së tyre të keqe, dhe shkuan prapa dhe jo përpara.

25 Nga dita në të cilën etërit tuaj dolën nga vendi i Egjiptit e deri më sot, ju kam dërguar tërë shërbëtorët e mi, profetët çdo ditë me urgjencë dhe insistim.

26 Por ata nuk më kanë dëgjuar as ma vunë veshin, por e fortësuan zverkun e tyre dhe u sollën më keq se etërit e tyre.

27 Prandaj ti do t’u thuash atyre tërë këto gjëra, por ata nuk do të dëgjojnë; do t’i thërrasësh, por nuk do të përgjigjen.

28 Kështu do t’u thuash atyre: "Ky është kombi që nuk dëgjon zërin e Zotit, Perëndisë së tij, dhe as pranon korrigjim; e vërteta është zhdukur dhe është eliminuar nga goja e tyre".

29 Pri flokët dhe hidhi tutje, nise vajtimin mbi lartësitë, sepse Zoti ka hedhur poshtë dhe e ka braktisur brezin e zemërimit të tij.

30 Bijtë e Judës kanë bërë atë që është e keqe për sytë e mi," thotë Zoti. Kanë vendosur veprimet e tyre të neveritshme në tempullin ku permendet emrii im, për ta ndotur.

31 Kanë ndërtuar vende të larta të Tofetit, që është në luginën e birit të Hinomit, për të djegur në zjarr bijtë e tyre dhe bijat e tyre, gjë që nuk e kisha urdhëruar dhe që nuk më kishte shkuar kurrë në mendje.

32 Prandaj ja, vijnë ditët," thotë Zoti, "në të cilat nuk do të quhet më Tofett" as "Lugina e birit të Hinomit," por "Lugina e masakrës," dhe do të varrosen të vdekurit në Tofet, sepse nuk do të ketë vend gjetiu.

33 Kufomat e këtij populli do të bëhen kështu ushqim për shpendët e qiellit dhe për kafshët e tokës, dhe askush nuk do t’i trembë.

34 Do të bëj që të pushojnë në qytetet e Judës dhe në rrugët e Jeruzalemit britmat e ngazëllimit dhe britmat e gëzimit, zëri i dhëndrit dhe zëri i nuses, sepse vendi do të bëhet shkretim".

"Në atë kohë," thotë Zoti, "do të nxirren nga varret eshtrat e mbretërve të Judës, eshtrat e princërve, eshtrat e profetëve dhe eshtrat e banorëve të Jeruzalemit,

dhe do të ekspozohen para diellit, para hënës dhe para tërë ushtrisë së qiellit, që ata kanë dashur, kanë shërbyer, kanë ndjekur, kanë konsultuar dhe para të cilëve kanë rënë përmbys; nuk do të mblidhen as do të groposen, por do të jenë si pleh mbi faqen e dheut.

Atëherë vdekja do të jetë më e mirë se jeta për të gjitha mbeturinat e kësaj race të keqe në tërë vendet ku do t’i kem shpërndarë," thotë Zoti i ushtrive.

Ti do t’u thuash atyre: "Kështu thotë Zoti: Në rast se dikush rrëzohet, a nuk ngrihet vallë? Në rast se dikush ndërron drejtimin, a nuk kthehet vallë?

Pse, pra, ky popull, o Jeruzalem, është shmangur me një rebelim të përjetshëm? Ngulin këmbë në mashtrim dhe nuk pranojnë të kthehen.

U kam kushtuar kujdes dhe i kam dëgjuar, por ata nuk flasin drejt; asnjeri nuk pendohet për ligësinë e tij dhe nuk thotë: "Çfarë bëra unë?". Secili merr përsëri vrapimin e tij, si një kalë që hidhet në betejë.

Madje edhe lejleku i qiellit i njeh stinët e tij, turtulli, dallëndyshja dhe krilat shikojnë me kujdes kohën e kthimit të tyre, por populli im nuk e njeh ligjin e Zotit.

Si mund të thoni: "Ne jemi të urtë dhe ligji i Zotit është me ne"? Por ja, pena e rreme e shkruesve e ka bërë një falsitet.

Njerëzit e ditur do të turpërohen, do të tremben dhe do të kapen. Ja, kanë hedhur poshtë fjalën e Zotit; çfarë diturie mund të kenë?

10 Prandaj bashkëshortet e tyre do t’ua jap të tjerëve dhe arat e tyre pronarëve të rinj, sepse nga më i vogli deri te më i madhi lakmojnë fitime; nga profeti deri te prifti të gjithë përdorin gënjeshtrën.

11 Ata mjekojnë shkel e shko plagën e bijës së popullit tim, duke thënë: Paqe, paqe,," kur nuk ekziston paqja.

12 A u vinte turp vallë kur kryenin veprime të neveritshme? Jo! nuk kishin turp aspak dhe nuk dinin ç’është të skuqesh. Prandaj do të rrëzohen midis atyre që rrëzohen; kur do t’i vizitoj do të përmbysen," thotë Zoti.

13 Do t’i shfaros me siguri," thotë Zoti. "Nuk do të ketë më rrush te hardhia as fiq te fiku dhe gjethet do të fishken. Edhe gjërat që u kam dhënë do t’u hiqen".

14 "Pse rrimë ulur? Mblidhuni dhe të hyjmë në qytetet e fortifikuara, dhe në to të vdesim. Sepse Zoti, Perëndia ynë, na bën të vdesim dhe na bën të pimë ujë të helmuar, sepse kemi mëkatuar kundër Zotit.

15 Prisnim paqen, por nuk erdhi asnjë e mirë, një kohë shërimi, por ja, terrori".

16 Nga Dani dëgjohet turfullima e kuajve të tij; në zhurmën e hingëllimave të kuajve të tij të luftës dridhet gjithë vendi, sepse vijnë dhe gllabërojnë vendin dhe tërë ato që ai ka, qytetin dhe banorët e tij.

17 "Sepse ja, unë do të dërgoj kundër jush gjarpërinj dhe nepërka, kundër të cilëve nuk vlen asnjë yshtje dhe ata do t’ju kafshojnë," thotë Zoti.

18 Sikur të gjeja ngushëllim për dhembjen time. Zemra po më ligështohet përbrenda.

19 Ja një zë: është britma e bijës së popullit tim nga një tokë e largët: Mos vallë Zoti është në Sion? A nuk është mbreti i tij në mes të tij??". Pse kanë ngacmuar zemërimin tim me shëmbëlltyrat e tyre të gdhendura dhe mee idhuj të huaj?".

20 Korrja ka mbaruar, vera ka marrë fund dhe ne nuk kemi shpëtuar.

21 Për plagën e bijës së popullit tim jam i dëshpëruar, po mbaj zi, jam i tmerruar.

22 A nuk ka vallë ndonjë balsam në Galaad, a nuk ka atje ndonjë mjek? Pse, pra, nuk po i vjen shërimi bijës së popullit tim?

Mos e qorto ashpër një plak, por këshilloje si atë, dhe më të rinjtë si vëllezër,

plakat si nëna, të rejat si motra, me plot dlirësi.

Ndero vejushat që janë me të vërtetë të veja.

Por në qoftë se një e ve ka djem a nipa, këta le të mësojnë më parë të tregojnë perëndishmëri ndaj atyre të familjes së vet dhe t’ua shpërblejnë prindërve të tyre, sepse kjo është e mirë dhe e pëlqyer përpara Perëndisë.

Dhe ajo që është me të vërtetë e ve, dhe ka mbetur e vetme, e ka shpresën në Perëndinë dhe qëndron në lutje dhe në të falura natë e ditë.

Ndërsa ajo që jeton e shthurur, ndonëse rron, është e vdekur.

Porosit edhe këto gjëra, që të jenë të patëmeta.

Por në qoftë se dikush nuk kujdeset për të vetët, dhe më tepër për ata të shtëpisë, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një jobesimtar.

Një e ve të regjistrohet në listën e vejushave, po të jetë jo më e re se gjashtëdhjetë vjeçe, të ketë qenë bashkëshorte e një burri të vetëm,

10 dhe të ketë dëshminë për vepra të mira: që i ka rritur fëmijët e saj, ka pritur të huajt, ua ka larë këmbët shenjtorëve, ka ndihmuar nevojtarët, i është kushtuar vazhdimisht çdo vepre të mirë.

11 Po mos i prano vejushat më të reja, sepse, duke u dhënë pas dëshirave të tyre, ngrihen kundër Krishtit, duan të martohen,

12 duke tërhequr mbi vete një dënim, sepse kanë shkelur besimin e parë.

13 Madje ato mësojnë të jenë përtace duke shkuar shtëpi më shtëpi, edhe jo vetëm përtace, por edhe llafazane dhe kureshtare duke folur për gjëra të kota.

14 Dua, pra, që vejushat e reja të martohen, të kenë fëmijë, të bëhen zonja shtëpie dhe të mos i japin kundërshtarit asnjë shkak për të përfolur;

15 sepse disa tashmë devijuan për të ndjekur Satanin.

16 Në qoftë se ndonjë besimtar ose besimtare ka vejusha, le t’i ndihmojë e të mos bëhen barrë kishës, e cila mund të ndihmojë ato që janë me të vërtetë të veja.

17 Pleqtë që e drejtojnë mirë parësinë në kishë, le të nderohen dyfish, sidomos ata që mundohen me fjalë e me mësim.

18 Sepse Shkrimi thotë: "Mos ia lidh gojën kaut që shin në lëmë," dhe: “Punëtori e ka hak mëditjen e tij.”

19 Mos prano asnjë padi kundër një plaku, veçse kur ka dy ose tre dëshmitarë.

20 Ata që mëkatojnë qortoji përpara të gjithëve, që edhe të tjerët të kenë frikë.

21 Unë të vë në be përpara Perëndisë, dhe Zotit Jezu Krisht dhe engjëjve të zgjedhur, që t’i zbatosh këto gjëra pa paragjykime, dhe mos bëj asgjë me anësi.

22 Mos i vër duart askujt me ngut dhe mos u bëj pjestar në mëkatet e të tjerëve; ruaje veten të pastër.

23 Mos pi më ujë, por përdor pak verë për stomakun tënd dhe për sëmundjet e tua të shpeshta.

24 Disa njerëzve mëkatet u duken sheshit edhe përpara gjyqit, ndërsa të tjerëve u duken më pas.

25 Gjithashtu edhe veprat e mira duken; por edhe ato që janë ndryshe nuk mund të mbeten të fshehura.