A A A A A
Bible Book List

Jeremia 24-26 Albanian Bible (ALB)

24 Zoti më tregoi dy kosha me fiq të vendosur përpara tempullit të Zotit, mbas çuarjes në robëri prej Jeruzalemit nga Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, të Jekoniahut, birit të Jehojakimit, mbret i Judës, të princave të Judës së bashku me artizanët dhe kovaçët dhe i kishte çuar në Babiloni.

Një nga koshat përmbante fiq shumë të mirë, fiq të dorës së parë, ndërsa koshi tjetër përmbante fiq shumë të këqij, aq të këqij sa nuk mund të haheshin.

Atëherë Zoti më tha: "Çfarë po shikon, Jeremia?". Unë u përgjigja: Fiqtë; fiqtë e mirë janë shumë më të mirë, ndërsa ata të këqij janë shumëë të këqij, aq të këqij sa nuk mund të hahen.

Fjala e Zotit m’u drejtua përsëri, duke thënë:

"Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit. Ashtu si këta fiq janë të mirë, kështu do të kujdesem për ata të Judës që u çuan në robëri, që unë i përzura nga ky vend në vendin e Kaldeasve për të mirën e tyre.

Unë do t’i hedh me dashamirësi sytë e mi mbi ta dhe do t’i sjell përsëri në këtë vend, do të bëj të begatohen dhe nuk do t’i shkatërroj më, do t’i mbjell dhe nuk do t’i çrrënjos më.

Do t’u jap një zemër për të më njohur mua që jam Zoti; ata do të jenë populli im dhe unë Perëndia i tyre, sepse do të kthehen tek unë me gjithë zemër.

Ashtu si këta fiq të këqij, madje aq të këqij sa nuk mund të hahen," kështu thotë Zoti, "në të njëjtën mënyrë do të braktis Sedekian, mbretin e Judës, princat e tij dhe kusurin e Jeruzalemit që do të mbetet në këtë vend dhe ata që banojnë në vendin e Egjiptit.

Do t’i braktis me qëllim që t’i trajtojnë keq dhe t’i mundojnë në të gjitha mbretëritë e tokës, dhe do të bëhen turpi, gazi, sarkazmi dhe mallkim në të gjitha vendet ku do t’i shpërndaj.

10 Do të dërgoj kundër tyre shpatën, urinë dhe murtajën, deri sa të shkatërrohen plotësisht në tokën që u kisha dhënë atyre dhe etërve të tyre".

25 Fjala që iu drejtua Jeremias për tërë popullin e Judës, në vitin e katërt të Jehojakimit, birit të Josias, mbret i Judës (që ishte viti i parë i Nebukadnetsarit, mbret i Babilonisë),

dhe që Jeremia shqiptoi përpara tërë popullit të Judës dhe tërë banorëve të Jeruzalemit, duke thënë:

"Nga viti i trembëdhjetë i Josias, birit të Amonit, mbret i Judës, deri në këtë ditë janë njëzet e tre vjet që fjala e Zotit më është drejtuar, dhe unë ju kam folur me urgjencë dhe këmbëngulje, por ju nuk më keni dëgjuar.

Zoti ju ka dërguar gjithashtu tërë shërbëtorët e tij, profetët me urgjencë dhe këmbëngulje, por ju nuk e keni dëgjuar as keni vënë veshin për të dëgjuar.

Ata thonin: "Të kthehet secili nga rruga e tij e keqe dhe nga veprimet e liga, dhe do të banoni në vendin që Zoti ju ka dhënë juve dhe etërve tuaj ngaherë dhe përgjithnjë.

Mos shkoni mbas perëndive të tjera për t’u shërbyer dhe për të rënë përmbys para tyre, mos provokoni zemërimin tim me veprën e duarve tuaja, dhe unë nuk do t’ju bëj asnjë të keqe".

Por ju nuk më keni dëgjuar," thotë Zoti, "dhe keni provokuar zemërimin tim me veprën e duarve tuaja në dëmin tuaj.

Prandaj kështu thotë Zoti i ushtrive: Duke qenë se nuk keni dëgjuar fjalët e mia;

ja, unë do të dërgoj të marr tërë kombet e veriut," thotë Zoti, "dhe Nebukadnetsarin, mbretin e Babilonisë, shërbyesin tim, dhe do t’i sjell kundër këtij vendi dhe kundër banorëve të tij, kundër tërë kombeve rreth e qark dhe do të caktoj shfarosjen e tyre dhe do t’i bëj objekt habie, talljeje dhe pikëllimi të përhershëm.

10 Do të bëj të heshtin në mes tyre britmat e gëzimit dhe të kënaqësisë, zëri i dhëndrit dhe ai i nuses, zhurma e mokrës dhe drita e llambës.

11 Tërë ky vend do të bëhet një shkreti dhe një objekt habie dhe këta kombe do t’i shërbejnë mbretit të Babilonisë shtatëdhjetë vjet me radhë".

12 "Po kur të mbushen shtatëdhjetë vjet, unë do ta dënoj mbretin e Babilonisë dhe atë komb, vendin e Kaldeasve," thotë Zoti, "për shkak të paudhësisë së tyre, dhe do ta katandis në një shkretim të përjetshëm.

13 Kështu do të sjell në këtë vend tërë gjërat që kam shpallur kundër tij, tërë gjërat që janë shkruar në këtë libër dhe që Jeremia ka profetizuar kundër të gjitha kombeve.

14 Në fakt shumë kombe dhe mbretër të fuqishëm do t’i kthejnë në robëri vetë Kaldeasit dhe unë do t’i shpërblej sipas veprimeve të tyre dhe sipas veprës së duarve të tyre".

15 Sepse kështu më ka thënë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Merr nga dora ime këtë kupë vere të zemërimit tim dhe bëj që të pinë tërë kombet te të cilët do të të dërgoj.

16 Ata do të pinë, do t’u merren këmbët dhe do të çmenden për shkak të shpatës që do të dërgoj në mes të tyre.

17 Atëherë mora kupën nga dora e Zotit dhe bëra që ta pinë tërë kombet pranë të cilëve më kishte dërguar Zoti:

18 Jeruzalemi dhe qytetet e Judës, mbretërit dhe princat e tij, për t’i katandisur në një shkatërrim, në një objekt habie, talljeje dhe mallkimi, siç po ndodh sot;

19 Faraoni, mbreti i Egjiptit, shërbëtorët e tij, princat dhe tërë populli i tij;

20 tërë popullata e përzier, tërë mbretërit e vendit të Uzit, tërë mbretërit e filistejve (domethënë Ashkeloni, Gaza, Ekroni dhe ata që mbetën nga Ashdodi);

21 Edomi, Moabi dhe bijtë e Amonit;

22 tërë mbretërit e Tiros, tërë mbretërit e Sidonit dhe mbretërit e ishujve që ndodhen matanë detit;

23 Dedani, Tema, Buzi dhe tërë ata që presin cepat e mjekrës;

24 tërë mbretërit e Arabisë, tërë mbretërit e popullatës së përzier që banon në shkretëtirë;

25 tërë mbretërit e Zimrit, tërë mbretërit e Elamit,

26 tërë mbretërit e Medias dhe tërë mbretërit e veriut, që janë afër ose larg, si njëri ashtu edhe tjetri, dhe tërë mbretëritë e botës që janë mbi faqen e dheut. Dhe mbreti i Sheshakut do të pijë mbas tyre.

27 "Ti, pra, do t’u thuash atyre: Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Pini, dehuni dhe villni; rrëzohuni pa u ngritur më nga shpata që do të dërgoj në mes jush.

28 Dhe në qoftë se nuk pranojnë nga dora jote kupën e pirjes, u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti i ushtrive: Ju pa tjetër do të pini.

29 Sepse ja, unë po filloj të dënoj qytetin në të cilin përmendet emri im, dhe ju do të mbeteni plotësisht pa u ndëshkuar? Jo, nuk do të mbeteni të pandëshkuar, sepse unë do të thërres shpatën mbi të gjithë banorët e tokës," thotë Zoti i ushtrive.

30 "Prandaj profetizo kundër tyre tërë këto gjëra dhe u thuaj atyre: Zoti vrumbullon që lart dhe bën që të dëgjohet zëri i tij nga banesa e tij e shenjtë; ai do të vrumbullojë me forcë kundër vathës së tij; do të lëshojë një britmë si ata që shtrydhin rrushin kundër gjithë banorëve të tokës.

31 Zhurma do të arrijë deri në skajet e tokës, sepse Zoti ka një mosmarrëveshje me kombet, do të hyjë në gjyq me çdo mish të gjallë dhe do t’i lërë të pabesët në mëshirë të shpatës, thotë Zoti".

32 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Ja, një mjerim do të kalojë nga një komb te tjetri dhe një shakullinë e madhe do të ngrihet nga skajet e tokës.

33 Atë ditë ata që janë vrarë nga Zoti do të jenë kudo, nga njëri skaj i tokës te tjetri; nuk do të qahen dhe as do të mblidhen dhe do të varrosen, por do të bëhen pleh mbi faqen e dheut.

34 Bërtisni, o barinj, klithni: rrotullohuni në pluhur, o drejtues të kopesë, sepse ditët e therjes suaj janë plotësuar, dhe do të rrëzoheni si një enë e çmuar.

35 Barinjtë nuk do të kenë asnjë mundësi të ikin, dhe rojet e kopesë asnjë rrugë shpëtimi.

36 Do të dëgjohet britma e barinjve dhe rënkimi i drejtuesve të kopesë, sepse Zoti është duke shkatërruar kullotën e tyre,

37 dhe vathët e qeta janë shkatërruar për shkak të zemërimit të madh të Zotit.

38 Ai e ka lënë si një luan i vogël strehën e tij, sepse vendi i tyre është bërë një shkretëtirë për shkak të tërbimit të shtypësit, për shkak të zemërimit të zjarrtë të Zotit".

26 Në fillim të mbretërimit të Jehojakimit, birit të Josias, mbret i Judës, nga Zoti iu drejtua kjo fjalë duke thënë:

"Kështu thotë Zoti: Paraqitu në oborrin e shtëpisë të Zotit dhe u thuaj tërë qyteteve të Judës që vijnë për të adhuruar në shtëpinë e Zotit, të gjitha fjalët që të kam porositur t’u thuash atyre; mos lër as edhe një fjalë.

Ndofta do të dëgjojnë dhe secili do të largohet nga rruga e tij e keqe, dhe unë do të pendohem për të keqen që mendoj t’u shkaktoj atyre për ligësinë e veprimeve të tyre.

Ti do t’u thuash atyre: Kështu thotë Zoti: Në rast se nuk dëgjoni duke ecur sipas ligjit tim që kam vënë para jush

dhe duke u kushtuar kujdes fjalëve të shërbëtorëve të mi, të profetëve, që ju kam dërguar me urgjencë dhe këmbëngulje (por që ju nuk i keni dëgjuar),

unë do ta bëj këtë tempull si Shilohun dhe do ta kthej këtë qytet në një mallkim për të gjitha kombet e tokës".

Kështu priftërinjtë, profetët dhe tërë populli dëgjuan Jeremian që shqiptonte këto fjalë në shtëpinë e Zotit.

Dhe ndodhi që, sapo Jeremia mbaroi së shqiptuari tërë ato që Zoti i kishte urdhëruar t’i thoshte gjithë popullit, priftërinjtë, profetët dhe tërë populli e kapën dhe i thanë: "Ti duhet të vdesësh!

Pse ke profetizuar në emër të Zotit, duke thënë: "Ky tempull do të jetë si Shilohu dhe ky qytet do të shkatërrohet dhe do të jetë pa banorë"?". Tërë populli u mblodh kundër Jeremias në shtëpinë e Zotit.

10 Kur princat e Judës dëgjuan këto gjëra, u ngjitën nga shtëpia e mbretit në shtëpinë e Zotit dhe u ulën në hyrje të portës së re të shtëpisë të Zotit.

11 Pastaj priftërinjtë dhe profetët u folën princave dhe tërë popullit, duke thënë: "Ky njeri meriton vdekjen, sepse ka profetizuar kundër këtij qyteti, siç e keni dëgjuar me veshët tuaj".

12 Atëherë Jeremia u foli tërë princave dhe të gjithë popullit, duke thënë: "Zoti më ka dërguar të profetizoj kundër kësaj shtëpie dhe kundër këtij qyteti tërë gjërat që keni dëgjuar.

13 Prandaj korrigjoni tani rrugët dhe veprimet tuaja dhe dëgjoni zërin e Zotit, Perëndisë tuaj, dhe Zoti do të pendohet për të keqen që ka shqiptuar kundër jush.

14 Sa për mua, unë jam në duart tuaja; veproni me mua ashtu siç ju duket e mirë dhe e drejtë.

15 Por dijeni me siguri që, në qoftë se më bëni të vdes, do të tërhiqni gjak të pafajmë mbi vete, mbi këtë qytet dhe mbi banorët e tij, sepse Zoti më ka dërguar me të vërtetë pranë jush, që t’u deklaroj veshëve tuaj tërë këto fjalë".

16 Atëherë princat dhe tërë populli u thanë priftërinjve dhe profetëve: Ky njeri nuk meriton vdekjen, sepse na ka folur në emër të Zotit, Perëndisëë tonë".

17 Pastaj u ngritën disa nga pleqtë e vendit dhe i folën tërë kuvendit të popullit, duke thënë:

18 "Mikea, Morashtiti, profetizoi në ditët e Ezekias, mbretit të Judës, dhe i foli tërë popullit të Judës, duke thënë: "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Sioni do të lërohet si një fushë, Jeruzalemi do të bëhet një grumbull gërmadhash dhe mali i tempullit një lartësi e pyllëzuar".

19 A e dënuan vallë me vdekje Ezekian, mbretin e Judës, dhe tërë Judën? A nuk pati frikë nga Zoti dhe a nuk iu lut vallë fytyrës së Zotit, dhe kështu Zoti u pendua për të keqen që kishte shqiptuar kundër tyre? Ne jemi duke bërë përkundrazi një të keqe të madhe kundër vetes sonë".

20 Pati edhe një njeri tjetër që profetizoi në emër të Zotit. Uria, biri i Shemajahut, nga Kiriath-Jearimi; ai profetizoi kundër këtij qyteti dhe kundër këtij vendi me fjalë krejt të ngjashme me ato të Jeremias.

21 Kur mbreti Jehojakim, tërë njerëzit e tij trima dhe tërë princat e tij dëgjuan fjalët e tij, mbreti kërkoi ta dënojë me vdekje, por Uria e mori vesh dhe u frikësua; prandaj ua mbathi këmbëve dhe shkoi në Egjipt.

22 Atëherë mbreti Jehojakim dërgoi njerëz në Egjipt, Elnathanin, biri i Akborit, dhe njerëz të tjerë me të në Egjipt.

23 Këta e nxorën Urian nga Egjipti dhe e çuan te mbreti Jehojakim, që e goditi me shpatë dhe e hodhi kufomën e tij midis varreve të bijve të popullit.

24 Por dora e Ahikamit, birit të Shafanit, ishte me Jeremian, me qëllim që të mos e dorëzonin në duart e popullit dhe të mos dënohej me vdekje.

Titi 2 Albanian Bible (ALB)

Por ti shpall ato që përkojnë me doktrinën e shëndoshë:

pleqtë të jenë të përmbajtur, dinjitozë, të urtë, të shëndoshë në besim, në dashuri, në durim.

Gjithashtu edhe gratë e moshuara të kenë sjellje ashtu si u ka hije shenjtoreve, jo shpifëse, jo robinja ndaj verës së shumtë, por mësuese të së mirës,

që t’i mësojnë të rejat të duan burrat e tyre, të duan bijtë e tyre,

të jenë fjalëpakë, të dlira, t’i kushtohen punëve të shtëpisë, të mira, të bindura ndaj burrave të tyre, që fjala e Perëndisë të mos blasfemohet.

Nxiti gjithashtu të rinjtë që të jenë të matur,

duke e nxjerrë në çdo gjë veten tënde si shembull veprash të mira, duke treguar në mësim pastërti, dinjitet, paprishshmëri,

një e folur e shëndoshë e të paqortueshme, që kundërshtari të turpërohet e të mos ketë të flasë asgjë të keqe për ju.

Shërbëtorët t’u binden zotërinjve të tyre, të mundohen t’i kënaqin në të gjitha gjërat, të mos i kundërshtojnë me fjalë,

10 të mos përvetësojnë gjënë e huaj, por të tregojnë një besnikëri të plotë, që në çdo gjë të nderojnë mësimin e Perëndisë, Shpëtimtarit tonë.

11 Sepse hiri shpëtues i Perëndisë iu shfaq gjithë njerëzve,

12 dhe na mëson të mohojmë pabesinë dhe lakmitë e botës, sepse ne rrojmë me urtësi, me drejtësi dhe me perëndishmëri në këtë jetë,

13 duke pritur shpresën e lume dhe të shfaqurit e lavdisë të të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht,

14 i cili e dha veten për ne, për të na shpenguar nga çdo paudhësi dhe për të pastruar për vete një popull të veçantë, të zellshëm në vepra të mira.

15 Mësoju këto gjëra, këshillo dhe qorto me çdo pushtet! Askush mos të përçmoftë.

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes