Add parallel Print Page Options

22 Kështu thotë Zoti: "Zbrit në shtëpinë e mbretit të Judës dhe aty shqipto këto fjalë,

duke thënë: Dëgjo fjalën e Zotit, o mbret i Judës, që rri ulur mbi fronin e Davidit, ti, shërbëtorët e tu dhe populli yt, që hyni nëpër këto porta.

Kështu thotë Zoti: Veproni me ndershmëri dhe drejtësi, çlirojeni atë që e kanë vjedhur nga dora e shtypësit, mos i bini më qafë dhe mos ushtroni dhunë kundër të huajit, jetimit dhe gruas së ve dhe mos derdhni gjak të pafajmë në këtë vend.

Sepse, po t’u përmbahemi tërësisht këtyre fjalëve, atëherë mbretërit e ulur mbi fronin e Davidit do të hyjnë nëpër portat e kësaj shtëpie, të hipur mbi qerre dhe mbi kuaj, ata vetë, shërbëtorët e tyre dhe populli i tyre.

Por në rast se nuk do të dëgjoni këto fjalë, unë betohem për veten time," thotë Zoti, "që kjo shtëpi do të shkretohet".

Sepse kështu thotë Zoti për shtëpinë e mbretit të Judës: "Ti ishe për mua si Galaadi, si maja e Libanit. Por unë do të të katandis me siguri në një vend të shkretë, në një qytet pa banorë.

Po përgatis kundër teje shkatërrues, secili me armët e tij; ata do të rrëzojnë kedrat e tu më të mirë dhe do t’i hedhin në zjarr.

Shumë kombe do të kalojnë pranë këtij qyteti dhe do t’i thonë njëri tjetrit: "Pse Zoti e ka trajtuar kështu këtë qytet të madh?".

Dhe do të përgjigjen: "Sepse e kanë braktisur besëlidhjen me Zotin, Perëndinë e tyre, dhe kanë rënë përmbys para perëndive të tjera dhe u kanë shërbyer".

10 Mos qani për të vdekurin, mos mbani zi për të, por qani me hidhërim të madh për atë që niset, sepse nuk do të kthehet më dhe nuk e ka për të parë më vendin ku ka lindur.

11 Sepse kështu thotë Zoti për Shalumin, birin e Josias, mbret i Judës, që mbretëron në vend të Josias atit të tij dhe që ka dalë nga ky vend: "Ai nuk do të kthehet më,

12 por do të vdesë në vendin ku e kanë çuar në robëri dhe nuk ka për ta parë më këtë vend".

13 Mjerë ai që e ndërton shtëpinë e tij pa drejtësi dhe dhomat e saj të sipërme me paanësi, që e vë tjetrin të punojë për asgjë dhe nuk ia shpërblen punën e tij,

14 dhe thotë: "Do të ndërtoj një shtëpi të madhe me dhoma të sipërme të gjëra," dhe hap në të dritare, e vesh me dru kedri dhe e lyen me të kuq.

15 "Mendon vallë se je mbret, sepse je i rrethuar nga kedra? Ati yt nuk hante dhe pinte? Por vepronte me ndershmëri e drejtësi dhe gjithshka i shkonte mbarë.

16 Ai mbronte çështjen e të varfrit dhe të nevojtarit dhe gjithshka i shkonte mbarë. A nuk do të thotë kjo të më njohësh mua?," thotë Zoti.

17 "Por sytë e tu dhe zemra jote nuk shikojnë veçse fitimin tënd të padrejtë, të derdhin gjak të pafajmë dhe të kryejnë shtypje dhe dhunë".

18 Prandaj kështu thotë Zoti për Jehojakimin, birin e Josias, mbreti i Judës: "Nuk do të mbajnë zi për të, duke thënë: "Vaj medet, vëllai im! Vaj medet, motër!". Nuk do të mbajnë zi për të duke thënë: "Vaj medet, zot! Vaj medet, madhëri e tij!".

19 Do të varroset ashtu si varroset një gomar, që e heqin dhe e hedhin larg portave të Jeruzalemit.

20 Ngjitu në Liban dhe bërtit, ngrije zërin në Bashan dhe bërtit nga Abarimi, sepse të gjithë dashnorët e tu janë shkatërruar.

21 Të fola në kohën e begatisë sate, por ti më the: "Nuk do të dëgjoj". Kjo ka qenë sjellja jote qysh në rininë tënde: nuk e dëgjove kurrë zërin tim.

22 Tërë barinjtë e tu do të gllabërohen nga era dhe dashnorët e tu do të shkojnë në robëri; atëherë do të jesh e turpëruar dhe e shushatur për gjithë ligësinë tënde.

23 Ti që banon në Liban, që ke ngritur folenë në mes kedrave, sa do të rënkosh kur do të të zënë dhembjet, dhembjet si ato të gruas që është gati të pjellë!

24 Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj," thotë Zoti, "edhe sikur Konjahu, biri i Jehojakimit, mbret i Judës, të ishte një unazë vulosjeje në dorën time të djathtë, unë do të të shkulja që andej.

25 Unë do të të jap në dorë të atyre që kërkojnë jetën tënde, në dorë të atyre prej të cilëve ke frikë, në dorë të Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, dhe në dorë të Kaldeasve.

26 Do të të hedh ty dhe nënën tënde që të ka lindur në një vend të huaj, ku nuk keni lindur dhe aty do të vdisni.

27 Por në vendin ku dëshirojnë fort të kthehen, nuk do të kthehen.

28 A është vallë ky njeri, Konjahu, një poç pa vlerë, i thyer, ose një send që nuk prodhon asnjë kënaqësi? Pse, pra, janë përzënë ai dhe pasardhësit e tij dhe janë hedhur në një vend që ata nuk e njohin?

29 O vend, o vend, o vend, dëgjo fjalën e Zotit!

30 Kështu thotë Zoti: "Regjistrojeni këtë njeri si pa fëmijë, një njeri që nuk do të begatohet në ditët e tij, sepse asnjë nga pasardhësit e tij nuk do të ketë mbarësi, duke arritur të ulet mbi fronin e Davidit dhe të mbretërojë akoma në Judë"".

23 "Mjerë barinjtë që prishin dhe shpërndajnë kopenë e kullotës sime," thotë Zoti.

Prandaj kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, kundër barinjve që kullosin popullin tim: "Ju keni shpërndarë delet e mia, i keni përzënë dhe nuk keni pasur kujdes për to; ja, unë do t’ju dënoj për ligësinë e veprimeve tuaja," thotë Zoti.

"Por do të mbledh kusurin e deleve të mia nga të gjitha vendet ku i kam shpërndarë dhe do t’i çoj përsëri në kullotat e tyre, ku do të jenë pjellore dhe do të shumohen.

Do të caktoj mbi to barinj që do t’i kullosin dhe nuk do të kenë më ndrojtje as frikë; nuk do të mungojë asnjë prej tyre," thotë Zoti.

"Ja, ditët po vijnë," thotë Zoti, "në të cilat do të shkaktoj që të dalë nga Davidi një filiz i drejtë, që do të mbretërojë si mbret, do të ketë mbarësi dhe do të ushtrojë gjykimin dhe drejtësinë në vend.

Në ditët e tij Juda do të shpëtohet dhe Izraeli do të qëndrojë në siguri. Ky do të jetë emri me të cilin do të thirret: "Zoti drejtësia jonë".

Pra, ditët po vijnë," thotë Zoti, "gjatë të cilave nuk do të thuhet më: Për Zotin e gjallë që i nxori bijtë e Izraelit nga vendi i Egjiptit,,"

por: "Për Zotin e gjallë që nxori dhe çoi përsëri pasardhësit e shtëpisë së Izraelit nga vendi i veriut dhe nga të tëra vendet ku i kisha shpërndarë"; dhe ata do të qëndrojnë në vendin e tyre".

Zemra ime është thyer brenda meje për shkak të profetëve, tërë kockat e mia dridhen. Jam si një i dehur, si një njeri i mposhtur nga vera, për shkak të Zotit dhe fjalëve të tij të shenjta.

10 Sepse vendi është plot me shkelës të kurorës, për shkak të mallkimit vendi është në zi, kullotat e shkretëtirës janë tharë. Vrapi i tyre është i mbrapshtë dhe forca e tyre nuk është e drejtë.

11 "Si prifti ashtu edhe profeti janë prishur; po, e kam gjetur ligësinë e tyre edhe në vetë shtëpinë time," thotë Zoti.

12 "Prandaj rruga e tyre do të jetë për ta si shtigje ku njeriu shket; do të shtyhen në errësirë dhe do të rrëzohen nëpër to, sepse do të bëj që të bjerë mbi ta një gjëmë, në vitin e dënimit të tyre," thotë Zoti.

13 "Kam vërejtur budallallëqe midis profetëve të Samarias: profetizonin në emër të Baalit dhe e çonin në rrugë të keqe popullin tim të Izraelit.

14 Edhe ndërmjet profetëve të Jeruzalemit kam parë gjëra të ndyra: kryejnë shkelje të kurorës, ecin në mënyrë të rreme, përforcojnë duart e keqbërësve, dhe kështu asnjeri nuk largohet nga rruga e keqe që ka marrë. Për mua janë që të gjithë si Sodoma, dhe banorët e tij si Gomora".

15 Prandaj kështu thotë Zoti i ushtrive për profetët: "Ja, unë do t’i ushqej me pelin dhe do t’i bëj të pinë ujë të helmuar, sepse nga profetët e Jeruzalemit pabesia është përhapur në tërë vendin".

16 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Mos dëgjoni fjalët e profetëve që ju bëjnë profeci. Ata ju bëjnë të këqinj; ju parashtrojnë vegimet e zemrave të tyre dhe jo atë që del nga goja e Zotit.

17 U flasin vazhdimisht atyre që më përbuzin: "Zoti ka thënë: Do të keni paqe"; dhe gjithë atyre që ecin në kryeneçësinë e zemrës së tyre: "Asnjë e keqe nuk do t’ju vijë".

18 Por kush ka marrë pjesë në këshillën e Zotit? Kush ka parë, kush ka dëgjuar fjalën e tij? Kush i ka kushtuar kujdes fjalës së tij dhe e ka dëgjuar?

19 Ja furtuna e Zotit po shpërthen me tërbim, një furtunë e tmerrshme do të shpërthejë mbi kryet e të pabesëve.

20 Zemërimi i Zotit nuk do të qetësohet deri sa të ketë kryer dhe plotësuar synimet e zemrës së tij; ditët e fundit do të kuptoni fare mirë.

21 Unë nuk i kam dërguar ata profetë; por ata kanë vrapuar; nuk u kam folur atyre, por ata kanë profetizuar.

22 Por, sikur të kishin marrë pjesë në këshillën time, atëherë do të bënin që populli im të dëgjonte fjalët e mia, dhe kështu do ta largonin nga rruga e tyre e keqe dhe nga ligësia e veprimeve të tyre.

23 A jam unë vetëm një Perëndi nga afër," thotë Zoti, "apo dhe një Perëndi nga larg?

24 A mundet dikush të fshihet në vende të fshehta në mënyrë që unë të mos e shoh?," thotë Zoti. "A nuk e mbush unë qiellin dhe tokën?," thotë Zoti.

25 "Kam dëgjuar atë që thonë profetët që profetizojnë gënjeshtra në emrin tim, duke thënë: "Pashë një ëndërr, pashë një ëndërr!".

26 Deri kur do të vazhdojë kjo në zemrën e këtyre profetëve që profetizojnë gënjeshtra dhe profetizojnë mashtrimin e zemrës së tyre?

27 Ata mendojnë që populli im do të harrojë emrin tim me ëndrrat e tyre që i tregojnë njëri-tjetrit, ashtu si etërit e tyre harruan emrin tim për Baalin.

28 Profeti që pa një ëndërr le ta tregojë ëndrrën, por ai që ka fjalën time le ta kallëzojë atë me besnikëri. Ç’punë ka kashta me grurin?," thotë Zoti.

29 "A nuk është fjala ime si zjarri?," thotë Zoti, "dhe si një çekiç që thyen gurin?

30 Prandaj ja," thotë Zoti, "unë jam kundër profetëve që i vjedhin njëri-tjetrit fjalët e mia.

31 Ja," thotë Zoti, "unë jam kundër profetëve që përdorin gjuhën e tyre dhe thonë: "Ai thotë".

32 Ja, unë jam kundër atyre që profetizojnë ëndrra të rreme," thotë Zoti, dhe ia tregojnë popullit tim dhe e prishin atë me gënjeshtrat dhe mee mburrësitë e tyre, megjithëse unë nuk i kam dërguar dhe as nuk u kam dhënë ndonjë urdhër; prandaj nuk do të jenë aspak të vlefshëm për këtë popull," thotë Zoti.

33 Në qoftë se ndërkaq ky popull ose një profet a një prift do të të pyesë, duke thënë: "Cili është orakulli i Zotit?," ti do t’u përgjigjesh atyre: Cilin orakull? Unë do t’ju hedh poshtë," thotë Zoti.

34 "Sa për profetin, priftin o popullin që do të thotë: "Orakulli i Zotit," unë do ta dënoj atë person dhe shtëpinë e tij.

35 Kështu do t’i thoni secili fqinjit të vet secili vëllait të vet: "Çfarë përgjigje ka dhënë Zoti?" dhe "Çfarë ka thënë Zoti?".

36 Por orakullin e Zotit nuk do ta përmendni më, sepse fjala e secilit do të jetë orakulli i tij, sepse keni shtrembëruar fjalët e Perëndisë të gjallë, Zoti i ushtrive, Perëndia ynë.

37 Kështu do t’i thuash profetit: "Çfarë përgjigje të dha Zoti?" dhe Çfarë ka thënë Zoti??".

38 Por në rast se thoni akoma: "Orakulli i Zotit," atëherë kështu thotë Zoti: Me qenë se thoni këtë fjalë: "Orakulli i Zotit," megjithëse unë ju kisha dërguar fjalë: Mos thoni më "Orakulli i Zotit,"

39 ja, unë do t’ju harroj plotësisht dhe do t’ju hedh larg fytyrës sime, ju dhe qytetin që ju kisha dhënë juve dhe etërve tuaj,

40 dhe do t’ju mbuloj me një turp të përjetshëm, që nuk do të harrohet kurrë".

Pali, shërbëtor i Perëndisë dhe apostull i Jezu Krishtit, sipas besimit të të zgjedhurve të Perëndisë dhe njohjes të së vërtetës që është sipas perëndishmërisë,

në shpresën e jetës së përjetshme, të cilën Perëndia, që nuk gënjen, e premtoi para të gjitha kohërave,

dhe që në kohë të caktuara e shfaqi fjalën e tij me anë të predikimit që m’u besua me urdhër të Perëndisë, Shpëtimtarit tonë,

Titit, birit të vërtetë në besimin e përbashkët: hir, mëshirë dhe paqe prej Perëndisë, Atit, dhe prej Zotit Jezu Krisht, Shpëtimtarit tonë.

Për këtë arsye të lashë në Kretë, që ti të ndreqësh mirë çështjet që janë për t’u bërë dhe që, në çdo qytet, të caktosh pleq, ashtu siç të porosita;

secili prej tyre të jetë i paqortueshëm, bashkëshort i një gruaje të vetme, të ketë fëmijë besimtarë, që të mos përfliten për jetë të shthurur dhe për pandëgjesë.

Sepse peshkopi, si administrues i shtëpisë së Perëndisë duhet të jetë i paqortueshëm, jo arrogant, jo zemërak, jo i dhënë pas verës, jo i dhunshëm, jo njeri që lakmon fitim të turpshëm,

por mikpritës, mirëdashës, i urtë, i drejtë, i shenjtë, i përmbajtur,

që mban fort fjalën besnike siç i është mësuar, që të jetë në gjëndje me doktrinën e shëndoshë të këshillojë dhe bindë ata që kundërshtojnë.

10 Sepse ka, veçanërisht ndërmjet atyre që janë nga rrethprerja, shumë të pabindur, llafazanë dhe mashtrues, të cilëve u duhet mbyllur goja;

11 këta ngatërrojnë familje të tëra, duke mësuar ato që s’duhet, për fitim të ndyrë.

12 Një prej tyre, pikërisht një profet i tyre, tha: "Kretasit janë gjithnjë gënjeshtarë, egërsira të këqija, barkpërtacë!"

13 Kjo dëshmi është e vërtetë; prandaj qortoji me ashpërsi, që të shëndoshen në besim,

14 pa u vënë vesh përrallave të Judenjve dhe urdhërimeve të njerëzve që largohen nga e vërteta.

15 Gjithçka është e pastër për ata që janë të pastër, por asgjë nuk është e pastër për të ndoturit dhe për ata që nuk besojnë; madje edhe mendja, edhe ndërgjegja e tyre janë të ndotura.

16 Ata pohojnë se njohin Perëndinë, po me vepra e mohojnë, sepse janë të neveritshëm, të pabindur dhe të pazotë për çfarëdo vepre të mirë.