A A A A A
Bible Book List

Isaia 7-8Albanian Bible (ALB)

Ndodhi në ditët e Ashazit, birit të Jothamit, birit të Uziahut, mbret i Judës, që Retsini, mbret i Sirisë dhe Pekahu, bir i Remaliahut, mbret i Izraelit, dolën për luftë kundër Jeruzalemit, por nuk arritën ta shtien në dorë.

Prandaj ia referuan shtëpisë së Davidit duke thënë: "Sirët kanë ngritur kampin e tyre në Efraim". Kështu zemra e Ashazit dhe zemra e popullit të tij u drodhën, ashtu si dridhen drurët e pyllit nga era.

Atëherë Zoti i tha Isaias: "Dil përpara Ashazit, ti dhe biri yt Shear-Jashubi, në skajin e kanalit të hauzit të sipërm në rrugën e arës së larësit,

dhe thuaji: Shiko të rrish i qetë, mos ki frikë dhe zemra jote të mos ligështohet për shkak të këtyre dy mbeturinave të urës së zjarrit që nxjerr tym, për zemërimin e zjarrtë të Retsinit dhe të Sirisë, dhe të birit të Remaliahut.

Sepse Siria, Efraimi dhe i biri i Remaliahut kanë menduar të këqija kundër teje, duke thënë:

"Të dalim kundër Judës, ta temerrojmë, të hapim një të çarë në muret e saj dhe të vendosim si mbret në mesin e saj të birin e Tabeelit"".

Kështu thotë Zoti, Zoti: "Kjo nuk ka për të ardhur, nuk ka për të ndodhur,

sepse kryeqyteti i Sirisë është Damasku dhe i pari i Damaskut është Retsini. Brënda gjashtëdhjetë e pesë vjetve Efraimi do të bëhet copë-copë dhe nuk do të jetë më popull.

Kryeqyteti i Efraimit është Samaria dhe i pari i Samarisë është i biri i Remaliahut. Po të mos besoni, me siguri nuk do të bëhemi të qëndrueshëm".

10 Zoti i foli përsëri Ashazit dhe i tha:

11 "Kërkoji një shenjë për vete Zotit, Perëndisë tënd; kërkoja ose në thellësitë ose në lartësitë".

12 Por Ashazi u përgjigj: "Unë nuk do të kërkoj asgjë, nuk dua të tundoj Zotin".

13 Atëherë Isaia tha: "Dëgjoni tani, o shtëpi e Davidit! Mos është, vallë, një gjë e vogël për ju të lodhësh njerëzit, që doni të lodhni edhe Perëndinë tim?

14 Prandaj vet Zoti do t’ju japë një shenjë: Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emanuel.

15 Ai do të hajë ajkë dhe mjaltë deri sa të mësojë të hedhë poshtë të keqen dhe të zgjedhë të mirën.

16 Por para se fëmija të mësojë të hedhë poshtë të keqen dhe të zgjedhë të mirën, vendi të cilin ti e druan për shkak të dy mbretërve të tij do të braktiset.

17 Zoti do të sjellë mbretin e Asirisë mbi ty, mbi popullin tënd dhe mbi shtëpinë e atit tënd ditë që nuk kanë ardhur që kur Efraimi u nda nga Juda.

18 Atë ditë do të ndodhë që Zoti do t’u fërshëllejë mizave që ndodhen në skajet e lumenjve të Egjiptit dhe bletëve që ndodhen në vendin e Asirisë.

19 Ato do të vijnë dhe të vendosen në luginat e shkretuara, në të çarat e krepave, mbi të gjitha gëmushët me gjemba dhe mbi të gjitha kullotat.

20 Atë ditë Zoti me një brisk të marrë hua përtej Lumit, domethënë me mbretin e Asirisë, do të rruajë kokën dhe qimet e këmbëve, si edhe mjekrën.

21 Atë ditë do të ndodhë që dikush do të mbajë një lopë të re dhe dy dele,

22 dhe për shkak të bollëkut të qumështit që do t’i japin, ai do të hajë ajkë, sepse ajkë dhe mjaltë kanë për të ngrënë të gjithë ata që kanë mbijetuar dhe janë lënë në mes të vendit.

23 Atë ditë çdo vend ku mund të kishte një mijë hardhi me një vlerë prej një mijë siklash argjendi do të bëhet pre e ferrave dhe e gjembave.

24 Do të hyhet në to me shigjeta dhe me hark, sepse tërë vendi do të jetë i mbuluar nga ferra dhe gjemba.

25 Dhe mbi të gjitha kodrat që u çelën me shatë nuk do të kalohet më nga frika e ferrave dhe gjembave; do të jenë një vend ku do të dërgohen qetë dhe që do të shkelet nga dhentë".

Zoti më tha: "Merr një rrasë të madhe dhe shkruaj mbi të me shkronja të zakonshme: "Maher-Shalal-Hash-Baz"".

Atëherë mora me vete për të dëshmuar si dëshmitarë të besuar, priftin Uria dhe Zakarian, birin e Jaberekiahut.

U bashkova gjithashtu me profeteshën dhe kjo mbeti shtatzënë dhe lindi një djalë. Atëherë Zoti më tha: "Quaje Maher-Shalal-Hash-Baz;

sepse para se fëmija të dijë të thotë: "Ati im," o "Nëna ime," pasuritë e Damaskut dhe plaçka e Samarias do të çohen para mbretit të Asirisë".

Zoti më foli akoma dhe më tha:

"Me qenë se ky popull ka përçmuar ujërat e Siloeut që rrjedhin ëmbël dhe kënaqet për shkak të Retsinit dhe të birit të Remaliahut,

prandaj ja, Zoti do të bëjë që mbi ta të vërshojnë ujërat e Lumit, të fuqishme dhe të bollshme, domethënë mbreti i Asirisë dhe tërë lavdia e tij; do të ngrihet mbi të gjitha kanalet e tij dhe do të vërshojë nga të gjitha brigjet e tij.

Do të kalojë nëpërmes Judës, do të vërshojë dhe do të kalojë përtej deri sa të arrijë te qafa dhe krahët e tij të shpalosur do të mbulojnë tërë hapësirën e vendit tënd, o Emanuel.

Bashkohuni, pra, madje me vrull, o popuj, por do të bëheni copë-copë, dëgjoni, o ju mbarë vënde të largëta. Ngjeshuni, pra, por do të bëheni copë-copë; ngjeshuni, pra, por do të bëheni copë-copë.

10 Bëni, pra, plane, por do të dalin bosh. Thoni një fjalë, por ajo nuk do të realizohet, sepse Perëndia është me ne".

11 Sepse kështu më ka folur Zoti me dorë të fuqishme dhe më ka lajmëruar të mos eci nëpër rrugën e këtij populli, duke thënë:

12 "Mos quani përbetim të gjitha ato që ky popull i quan përbetim, mos kini frikë nga ajo që ai druan dhe mos u trembni.

13 Zotin e ushtrive, atë duhet të shenjtëroni. Ai të jetë frika juaj, tmerri juaj".

14 Ai do të jetë një shenjtërore, por edhe një gur pengese, një shkëmb pengimi për të dy shtëpitë e Izraelit, një lak dhe një kurth për banorët e Jeruzalemit.

15 Midis tyre shumë persona do të pengohen, do të bien, do të bëhen copë, do të mbeten në lak dhe do të kapen.

16 "Mbylle këtë dëshmi, vulose këtë ligj midis dishepujve të mi".

17 Unë pres Zotin, që fsheh fytyrën e tij në shtëpinë e Jakobit, dhe kam shpresë tek ai.

18 Ja, unë dhe bijtë që Zoti më ka dhënë jemi shenja dhe një parashikues në Izrael nga ana e Zotit të ushtrive, që banon në malin Sion.

19 Në rast se ju thuhet: "Këshillohuni me mediumet dhe me magjistarët, që murmuritin dhe përshpëritin, përgjigjuni: "A nuk duhet një popull të konsultojë Perëndinë e tij? A duhet, vallë, t’u drejtohet të vdekurve për llogari të të gjallëve?".

20 Përmbahuni ligjit dhe dëshmisë! Në rast se një popull nuk flet në këtë mënyrë, kjo do të thotë se ai nuk ka dritë.

21 Ai do të sillet nëpër vendin e tij i raskapitur dhe i uritur; dhe kur të jetë i uritur do të pezmatohet dhe do të mallkojë mbretin e tij dhe Perëndinë e tij. Do ta kthejë shikimin lart,

22 pastaj do ta kthejë drejt tokës, dhe ja fatkeqësi, errësirë, terr plot me ankth, dhe do të shtyhet në terrin më të dëndur.

Efesianëve 2Albanian Bible (ALB)

Ai ju dha jetë edhe juve, që ishit të vdekur në faje dhe në mëkate,

në të cilat keni ecur dikur, sipas ecjës së kësaj bote, sipas prijësit të pushtetit të erës, sipas frymës që vepron tani në bijtë e mosbindjes,

ndërmjet të cilëve edhe ne dikur jetuam në lakmitë e mishit tonë duke i plotësuar dëshirat e mishit dhe të mendjes, dhe ishim prej natyre bij të zemërimit, ashtu si edhe të tjerët.

Por Perëndia, që është i pasur në mëshirë, për shkak të dashurisë së tij të madhe me të cilën na deshi,

edhe atëherë kur ishim të vdekur në faje, na dha jetë me Krishtin (ju jeni të shpëtuar me anë të hirit),

edhe na ringjalli me të, dhe me të na vuri të rrimë në vendet qiellore në Krishtin Jezus,

për të treguar në epokat që do të vijnë pasurinë e pamasë të hirit të tij, me anë të mirësisë ndaj nesh në Krishtin Jezus.

Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë,

jo nga vepra, që të mos mburret askush.

10 Ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to.

11 Prandaj kujtohuni se dikur ju johebrenj në mish, të quajtur të parrethprerë nga ata që e quajnë veten të rrethprerë, sepse të tillë u bënë në mish, nga dora e njeriut,

12 ishit në atë kohë pa Krishtin, të huaj në qytetërinë e Izraelit dhe të huaj për besëlidhjen e premtimit, pa pasur shpresë dhe duke qënë pa Perëndi në botë.

13 Por tani, në Krishtin Jezus, ju që dikur ishit larg, u afruat me anë të gjakut të Krishtit.

14 Ai në fakt, është paqja jonë, ai që ka bërë nga të dy popujt një dhe ka shembur murin e ndarjes,

15 duke e prishur armiqësinë në mishin e tij, ligjin e urdhërimeve të përftuar nga porosi, për të krijuar në vetvete nga dy një njeri të ri, duke bërë paqen,

16 dhe për t’i pajtuar të dy me Perëndinë në një trup të vetëm me anë të kryqit, mbasi vrau armiqësinë në vetvete.

17 Dhe ai erdhi për t’ju shpallur paqen, juve që ishit larg dhe atyre që ishin afër,

18 sepse përmes tij që të dy kemi hyrje tek Ati nëpër një Frymë të vetme.

19 Ju, pra, nuk jeni më të huaj, as bujtës, por bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe pjestarë të familjes së Perëndisë,

20 të ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, duke qënë Jezu Krishti vetë guri i qoshes,

21 mbi të cilin gjithë ndërtesa, e lidhur mirë, rritet për të qenë një tempull i shenjtë në Zotin,

22 në të cilin edhe ju jeni bashkëndërtuar për të qenë një banesë e Perëndisë në Frymë.

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes