Add parallel Print Page Options

62 Për hir të Sionit unë nuk do të hesht dhe për hir të Jeruzalemit nuk do të gjej prehje deri sa drejtësia e saj të mos dalë si agimi dhe shpëtimi i saj si një pishtar flakërues.

Atëherë kombet do të shohin drejtësinë tënde dhe tërë mbretërit lavdinë tënde; do të thirresh me një emër të ri, që do ta tregojë goja e Zotit.

Do të jesh një kurorë e shkëlqyer në dorën e Zotit, një diademë mbretërore në dorë të Perëndisë tënd.

Nuk do të quhesh më "E braktisur," as toka jote nuk do të quhet më "E shkretë," por do të të quajnë "Kënaqësia ime është tek ajo" dhe toka jote "E Martuar," sepse Zoti gjen kënaqësi te ti, dhe toka jote do të ketë një dhëndër.

Prandaj, ashtu si një i ri martohet me një të virgjër, bijtë e tu do të martohen me ty; dhe ashtu si i martuari gëzohet me nusen, kështu Perëndia do të gëzohet për ty.

Mbi muret e tua, o Jeruzalem, kam vënë roje që nuk do të heshtin kurrë, as ditën as natën. Ju që i kujtoni Zotit premtimet e tij, mos rrini në heshtje,

dhe mos e lini të pushojë, deri sa ta ketë rivendosur Jeruzalemin dhe ta bëjë atë lëvdimin e të gjithë tokës.

Zoti është betuar për krahun e tij të djathtë dhe për krahun e tij të fuqishëm: "Nuk do t’u jap më grurin tënd si ushqim armiqve të tu dhe bijtë e të huajit nuk do të pinë më mushtin tënd për të cilin je munduar.

Por ata që do ta kenë mbledhur grurin do të hanë dhe do të lëvdojnë Zotin, dhe ata që do të kenë vjelur, do të pinë mushtin në oborret e shenjtërores sime".

10 Kaloni, kaloni nëpër porta! Përgatitni rrugën për popullin! Shtroni, shtroni udhën, hiqni gurët, ngrini një flamur para popujve!

11 Ja, Zoti shpalli deri në skajin e tokës: "I thoni bijës së Sionit: Ja, shpëtimi yt po vjen; ja, ka me vete shpërblimin e saj dhe shpërblimi i saj e pararend.

12 Do t’i quajnë "Populli i shenjtë," "Të çliruarit e Zotit," dhe ti do të quhesh "E kërkuara," "Qyteti i pabraktisur"".

63 Kush është ai që vjen nga Edomi, nga Botsrahu, me rrobat e ngjyrosura me bojë të kuqe flakë? Ky, i veshur shkëlqyeshëm, që ecën në madhështinë e forcës së tij? "Jam unë që flas me drejtësi dhe jam i fuqishëm për të shpëtuar".

Pse veshja jote është e kuqe dhe rrobat e tua si ata që shtrydhin rrushin në gaviç?

"Gaviçin e shtypa vetëm dhe asnjë nga popujt nuk ishte me mua. I shtypa në zemërimin tim dhe i shkela në tërbimin tim. Gjaku i tyre spërkati rrobat e mia dhe njollosa tërë veshjet e mia.

Sepse dita e hakmarrjes ishte në zemrën time dhe viti i çlirimit tim ka ardhur.

Shikova, por nuk kishte asnjeri që të më ndihmonte; shtanga që askush nuk po më ndihmonte. Atëherë vetë krahu im më ka shpëtuar dhe tërbimi im më ka ndihmuar.

I shkela me këmbë popujt në zemërimin tim, i deha në tërbimin tim dhe bëra që të derdhet gjaku i tyre mbi tokë".

Unë do të kujtoj mirësitë e Zotit, lavdimet e Zotit për gjithçka që na ka dhënë si dhe mirësinë e madhe që i ka siguruar shtëpisë së Izraelit sipas dhembshurive të tij dhe sipas dashamirësisë së tij të madhe.

Ai në fakt kishte thënë: "Ata me të vërtetë janë populli im, bij që nuk do të veprojnë në mënyrë të rreme". Kështu ai u bë Shpëtimtari i tyre.

Në çdo hidhërim të tyre ai u hidhërua, dhe Engjëlli i pranisë së tij i shpëtoi; me dashurinë dhe dhembshurinë e tij i çliroi, i lartoi dhe u solli tërë ditët e së kaluarës.

10 Por ata u rebeluan dhe e trishtuan Frymën e tij të shenjtë; prandaj ai u bë armiku i tyre dhe luftoi kundër tyre.

11 Atëherë populli i tij kujtoi ditët e lashta të Moisiut. Ku është ai që i nxori nga deti me bariun e kopesë së tij? Ku është ai që vinte në mes tyre Frymën e tij të shenjtë,

12 që i drejtonte nëpërmjet të djathtës së Moisiut me krahun e tij të lavdishëm, që i ndau ujërat para tyre për të bërë një emër të përjetshëm,

13 që i çoi nëpër humnera, si një kalë në shkretëtirë, që të mos pengoheshin?

14 Ashtu si zbret bagëtia në luginë, Fryma e Zotit i bëri të pushojnë. Kështu ti e udhëhoqe popullin tënd për të bërë një emër të lavdishëm.

15 Shiko nga qielli dhe shiko nga banesa jote e shenjtë dhe e lavdishme. Ku është zelli yt dhe fuqia jote? Drithërima e të përbrendëshmeve të tua dhe dhembshuritë e tua të thella ndaj meje mos vallë janë shtypur?

16 Sepse ti je ati ynë, megjithëse Abrahami nuk na njihte dhe Izraeli nuk e di se ekzistojmë. Ti, o Zot, je ati ynë, Çliruesi ynë, emri yt vazhdon ngaherë.

17 O Zot, pse na bën që të endemi larg rrugëve të tua dhe pse fortëson zemrën tonë që të mos ketë frikë nga ti? Për hir të shërbëtorëve të tu, kthehu në fiset e trashëgimisë sate.

18 Brenda një kohe të shkurtër populli yt i shenjtë ka shtënë në dorë vendin; armiqtë tanë kanë shkelur shenjtëroren tënde.

19 Ne u bëmë si ata mbi të cilët nuk ke qeverisur kurrë, mbi të cilët emri yt nuk ishte thirrur kurrë.

64 Oh, sikur t’i shqyeje qiejtë dhe të zbrisje! Para teje do të tundeshin malet.

Ashtu si zjarri djeg degët e thata, ashtu si zjarri e bën ujin të valojë, zbrit për t’ua bërë të njohur emrin tënd kundërshtarëve të tu dhe t’i bësh kombet të dridhen para teje.

Kur bëre gjëra të tmerrshme që nuk i prisnim, ti zbrite dhe malet u tundën në praninë tënde.

Nga kohët e lashta askush nuk kishte dëgjuar kurrë, asnjë vesh nuk kishte dëgjuar dhe asnjë sy nuk kishte parë ndonjë Perëndi tjetër veç teje, që vepron për atë që ka shpresë tek ai.

Ti i del para atij që kënaqet në zbatimin e drejtësisë dhe kujtohet për ty në rrugët e tua. Ja, ti je zemëruar sepse ne kemi mëkatuar; në këtë kemi vazhduar gjatë dhe kemi nevojë të shpëtohemi.

Jemi të gjithë si një gjë e papastër, dhe të gjitha veprat tona të drejtësisë janë si një rrobe e ndotur; po fishkemi të gjithë si një gjethe dhe paudhësitë tona na çojnë larg si era.

Nuk ka më njeri që të thërrasë emrin tënd, që lëviz për t’u kapur pas teje, sepse ti na e ke fshehur fytyrën tënde dhe na lë të tretemi në pushtetin e paudhësive tona.

Megjithatë, o Zot, ti je ati ynë; ne jemi argjila dhe ti je ai që na formon; ne të gjithë jemi vepra e duarve të tua.

Mos u zemëro tepër, o Zot, dhe mos e kujto paudhësinë përjetë. Ja, shiko, të lutemi; ne të gjithë jemi populli yt.

10 Qytetet e tua të shenjta janë bërë një shkretëtirë. Sioni është bërë një shkretëtirë, Jeruzalemi një shkretim.

11 I shenjti dhe i madherishmi tempulli ynë, ku etërit tanë të kremtuan, është bërë pre e zjarrit dhe të gjitha gjërat tona më të dashura janë shkatërruar.

12 Para këtyre gjërave do ta përmbash veten akoma, o Zot, do të heshtësh dhe do të na pikëllosh akoma shumë?

Pali, apostulli i Jezu Krishtit, me urdhër të Perëndisë, Shpëtimtarit tonë, dhe të Zotit Jezu Krisht, shpresës sonë,

Timoteut, birit të vërtetë në besim: hir, mëshirë dhe paqe prej Perëndisë Atit tonë dhe prej Krishtit Jezus, Zotit tonë.

Ashtu si të nxita kur u nisa për në Maqedoni, qëndro në Efes për t’u urdhëruar disave të mos mësojnë doktrina të tjera,

dhe të mos merren me përralla dhe me gjenealogji që s’kanë të sosur, të cilat shkaktojnë përçarje më tepër sesa vepra e Perëndisë, që mbështetet në besim.

Qëllimi i këtij urdhërimi është dashuria, prej një zemre të pastër, prej një ndërgjegjeje të pastër dhe prej një besimi jo të shtirur.

Disa, duke u shmangur nga këto gjëra, u kthyen në biseda të kota dhe,

duke dashur të jenë mësues të ligjit, nuk kuptojnë as ato që thonë, as ato që pohojnë.

Dhe ne e dimë se ligji është i mirë, në qoftë se njeriu e përdor si duhet;

duke ditur këtë, që ligji nuk është vënë për të drejtin, po për të pabesët dhe të rebelët, për të ligët dhe mëkatarët, për të pamëshirshmit dhe të ndyrët, për ata që vrasin babë e nënë, për vrasësit,

10 për kurvarët, për homoseksualët, për grabitësit, për rremët, për ata që shkelin betimin, për çdo gjë tjetër që bie në kundërshtim me doktrinën e shëndoshë,

11 sipas ungjillit të lavdisë të të lumit Perëndi, që më është besuar.

12 Dhe e falënderoj Krishtin Zotin tonë, që më bën të fortë, sepse më çmoi të denjë për t’u besuar, duke më vënë në shërbimin e tij,

13 që më parë isha blasfemues, përndjekës dhe i dhunshëm; por m’u dha mëshira, sepse i bëra nga padija, në mosbesimin tim;

14 kështu hiri i Zotit tonë teproi pa masë me besimin dhe dashurinë, që është në Jezu Krishtin.

15 Kjo fjalë është e sigurt e denjë për t’u pranuar plotësisht, që Krishti Jezus erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët, ndër të cilët unë jam i pari.

16 Por prandaj u mëshirova, që Jezu Krishti të tregojë më përpara në mua gjithë zemërgjerësinë, për të qenë shembull për ata që do të besojnë në të për jetë të përjetshme.

17 Dhe Mbretit të amshuar, të pavdekshmit, të padukshmit, të vetmit Perëndi të ditur, i qoftë nder e lavdi në shekuj të shekujve. Amen.

18 Po ta besoj këtë detyrë, o Timote bir, sipas profecive që u bënë më parë për ty, që sipas tyre të bësh luftimin e mirë,

19 duke pasur besim dhe ndërgjegje të mirë, sepse disa, duke e hedhur poshtë, u bënë lundërthyerje në besim.

20 Ndër këta janë Imeneu dhe Aleksandri, të cilët unë i dorëzova në duart e Satanit që të mësojnë të mos blasfemojnë.