Add parallel Print Page Options

56 Kështu thotë Zoti: "Respektoni të drejtën dhe zbatoni drejtësinë, sepse shpëtimi im është duke ardhur dhe drejtësia ime do të shfaqet.

Lum njeriu që vepron kështu dhe biri i njeriut që i përmbahet kësaj, që respekton të shtunën pa e përdhosur dhe që e përmban dorën e tij nga kryerja e çfarëdo veprimi të keq".

Të mos thotë biri i të huajit që është bashkuar me Zotin: "Zoti me siguri më ka përjashtuar nga populli i tij". Dhe të mos thotë eunuku: "Ja, unë jam një dru i thatë".

Sepse kështu thotë Zoti: "Eunukët që respektojnë të shtunat e mia, që zgjedhin atë që më pëlqen mua dhe që i përmbahen me vendosmëri besëlidhjes sime,

do t’u jap atyre në shtëpinë time dhe brenda mureve të mia një vend dhe një emër, që do të vlejë më tepër nga ai i bijve dhe i bijave; do t’u jap atyre një emër të përjetshëm që nuk do të fshihet kurrë.

Bijtë e të huajve që janë bashkuar me Zotin për t’i shërbyer, për të dashur emrin e Zotit dhe për të qenë shërbëtorë të tij, tërë ata që respektojnë të shtunën pa e përdhosur dhe që i përmbahen me vendosmëri besëlidhjes sime,

do t’i çoj në malin tim të shenjtë dhe do t’i mbush me gëzim në shtëpinë time të lutjes; olokaustet e tyre dhe flijimet e tyre do të pëlqehen mbi altarin tim, sepse shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje për të gjithë popujt".

Zoti, Zoti, që i mbledh të shpërndarit e Izraelit, thotë: "Unë do të mbledh rreth tij edhe të tjerë, përveç atyre që kam mbledhur".

O ju mbarë, kafshë të fushave, ejani për të ngrënë; ejani, ju mbarë kafshë të pyllit!

10 Rojtarët e tyre janë të verbër, janë të gjithë të paditur, janë të gjithë qen memecë, të paaftë të lehin; shohin ëndrra, rrinë shtrirë, u pëlqen të dremitin.

11 Janë qen llupës, që nuk ngopen kurrë, janë barinj që nuk kuptojnë asgjë; ndjekin të gjithë rrugën e tyre, secili shikon interesin e vet, për llogari të vet.

12 "Ejani," thonë, "do të marr verë dhe do të dehemi me pije dehëse; nesër do të jetë si sot, madje shumë më mirë.

57 I drejti vdes, por askush nuk kujdeset për të; njerëzit e devotshëm çohen tutje, dhe askush nuk mendon që i drejti është çuar larg përpara së keqes.

Ai hyn në paqe; ata që kanë ecur në ndershmëri pushojnë në shtretërit e tyre.

Por afrohuni këtu, ju bij të magjistares, pasardhës të shkelësit të kurorës dhe të prostitutes.

Me kë po talleni? Kundër kujt e hapni gojën dhe nxirrni jashtë gjuhën? A nuk jeni ju bij të rebelimit, pasardhës të gënjeshtrës,

ju, që ndizeni midis lisave poshtë çdo druri të blertë, therni bijtë në luginat, në të çarat e shkëmbinjve?

Pjesa jote është midis gurëve të lëmuar të përroit; ata, pikërisht ata janë pjesa jote; mbi ta ke derdhur libacione dhe ke sjellë blatime ushqimesh. A do të mund të gjeja përdëllim në këto gjëra?

Ti e ke vënë shtratin tënd mbi një mal të lartë dhe të ngritur, edhe aty ke hipur për të ofruar flijime.

I ke vënë simbolet e tu idhujtarë prapa portave dhe pas shtalkave. Larg meje je zbuluar dhe je ngjitur tek ata; ke zgjeruar shtratin tënd dhe ke bërë një besëlidhje me ta, ke pëlqyer shtratin e tyre, duke synuar pushtetin e tyre.

Ke shkuar te mbreti me vaj, duke i shumuar parfumet e tua; i dërgove larg lajmëtarët e tu dhe u ule deri në Sheol.

10 Nga shkaku i udhëtimeve të tua të shumta je lodhur, por nuk ke thënë: Éshtë e kotëë". Ke gjetur akoma fuqi në dorën tënde, prandaj nuk e ndjen veten të kapitur.

11 Nga kush ke pasur frikë, nga kush je trembur për të gënjyer, për të mos më kujtuar mua dhe për të mos menduar më për mua? A nuk kam qëndruar në heshtje për një kohë të gjatë? Prandaj nuk ke më frikë nga unë.

12 Unë do të shpall drejtësinë tënde dhe veprat e tua, që nuk do të hyjnë aspak në punë.

13 Kur do të bërtasësh, le të vijë të të shpëtojë turma e idhujve të tu. Era do t’i përlajë të tërë, një frymë do t’i çojë tutje. Por ai që gjen strehë tek unë do të zotërojë vendin dhe do të trashëgojë malin tim të shenjtë.

14 Dhe do të thuhet: "Sheshoni, sheshoni, shtroni rrugën, hiqni pengesat nga rruga e popullit tim!".

15 Sepse kështu thotë i Larti dhe i Madhërishmi që banon përjetësinë dhe emri i të cilit është i "Shenjti": "Unë banoj në vendin e lartë dhe të shenjtë dhe bashkë me atë që është i penduar dhe i përulur nga fryma, për të ngjallur frymën e të përulurve, për të ngjallur frymën e të penduarve.

16 Sepse unë nuk dua të kundërshtoj gjithnjë dhe as të jem i zemëruar përjetë, përndryshe para meje do të ligështoheshin fryma dhe shpirtërat që kam bërë.

17 Për shkak të paudhësisë së lakmisë së tij u zemërova dhe e godita; u fsheha, u indinjova, por ai u largua duke ndjekur rrugën e zemrës së tij.

18 I pashë rrugët e tij, por unë do ta shëroj, do ta udhëheq dhe do t’i jap përsëri ngushëllimet e mia atij dhe të tijve që janë të pikëlluar.

19 Unë krijoj frytin e buzëve. Paqe, paqe atij që është larg dhe atij që është afër," thotë Zoti. "Unë do ta shëroj".

20 Por të pabesët janë si deti i trazuar, që nuk mund të qetësohet dhe ujërat e të cilit vjellin llucë dhe baltë.

21 "Nuk ka paqe për të pabesët," thotë Perëndia im.

58 "Bërtit sa të mundësh, mos u kurse; ngrije zërin tënd si një bori dhe shpalli popullit tim shkeljet e tij dhe shtëpisë së Jakobit mëkatet e tij.

Më kërkojnë çdo ditë dhe dëshirojnë të njohin rrugët e mia, si një komb që zbaton drejtësinë dhe nuk braktis ligjin e Perëndisë të tij; më kërkojnë gjykime të drejta dhe dëshirojnë t’i afrohen Perëndisë.

Ata thonë: "Pse kemi agjëruar, dhe ti nuk e ke parë? Pse kemi hidhëruar shpirtërat tona dhe ti nuk e ke vënë re?". Ja, ditën e agjërimit tuaj ju bëni atë që ju pëlqen dhe i detyroni punëtorët tuaj të kryejnë një punë të rëndë.

Ja, ju agjëroni për grindje dhe mosmarrëveshje dhe për të goditur pabesisht me grusht. Duke agjëruar ashtu si bëni sot, nuk bëni që zëri juaj të dëgjohet lart.

A është ky agjërimi të cilin e pëlqej, dita në të cilën njeriu pikëllon shpirtin e tij? Të përkulësh kokën si xunkthi dhe të shtrihesh mbi një shtrat prej thesi dhe hiri? A e quan këtë vallë agjërim dhe ditë që i pëlqen Zotit?

Agjërimi që më pëlqen a nuk është vallë ky: të thyesh zinxhirët e ligësisë, të zgjidhësh verigat e zgjedhës, t’i lësh të lirë të shtypurit, të dërmosh çdo zgjedhë?

A nuk konsiston vallë në ndarjen e bukës sate me atë që ka uri, në sjelljen në shtëpinë tënde të të varfërit pa strehë, në të veshurit e atij që është lakuriq, pa lënë pas dore ata që janë nga gjaku yt?

Atëherë drita jote do të shpërthejë si agimi dhe shërimi yt do të mbijë menjëherë, drejtësia jote do të të pararendë dhe lavdia e Zotit do të jetë praparoja jote.

Atëherë do të thërrasësh dhe Zoti do të të përgjigjet, do të bërtasësh dhe ai do të thotë: "Ja ku jam!". Në rast se ti heq dorë nga zgjedha, tregimi me gisht dhe të folurit mbrapsht,

10 në rast se plotëson nevojat e të uriturit dhe ngop shpirtin e pikëlluar, atëherë drita jote do të lindë nga terri dhe terri yt do të jetë si mesdita.

11 Zoti do të të udhëheqë vazhdimisht, do të ngopë shpirtin tënd në vendet e thata dhe do t’u japë forcë kockave të tua; ti do të jesh si një kopsht i vaditur dhe si një burim uji, ujërat e të cilit nuk shterojnë.

12 Njerëzit e tu do të rindërtojnë rrënojat e lashta, dhe ti do të ngresh përsëri themelet e shumë brezave të shkuara; kështu do të quhesh riparuesi i të çarave, restauruesi i shtigjeve për të banuar në vend.

13 Në rast se e përmban këmbën që të mos dhunosh të shtunën, në rast se nuk kryen punët e tua gjatë ditës sime të shenjtë, në rast se e quan të shtunën kënaqësi, ditën e shenjtë të Zotit, që meriton nder, në qoftë se e nderon duke hequr dorë nga udhëtimet e tua, nga kryerja e punëve të tua dhe nga të folurit për problemet e tua,

14 do të gjesh kënaqësinë tënde tek Zoti, dhe unë do të të bëjë që të kalërosh mbi lartësitë e tokës dhe do të të jap të hash trashëgiminë e Jakobit, atit tënd, sepse goja e Zotit ka folur".

Ju lutemi, o vëllezër, lidhur me ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht dhe me tubimin tonë me të,

të mos lejoni që menjëherë t’ju prishet mendja ose të trazoheni as prej fryme, as prej fjale, as prej ndonjë letre gjoja të shkruar prej nesh, thua se ja, erdhi dita e Krishtit.

Askush të mos ju gënjejë kursesi, sepse ajo ditë nuk do të vijë, pa ardhur më parë rënia dhe pa u shfaqur njeriu i mëkatit, i biri i humbjes,

kundërshtari, ai që lartëson veten mbi çdo gjë që quhet perëndi ose objekt adhurimi, aq sa të shkojë e të rrijë në tempullin e Perëndisë si Perëndi, duke e paraqitur veten se është Perëndi.

A nuk ju bie ndër mend se, kur isha akoma ndër ju, jua thoja këto gjëra?

Tani e dini atë që e ndalon atë që të shfaqet vetëm në kohën e vet.

Misteri i paudhësisë në fakt është tashmë në veprim, duke pritur vetëm që të hiqet nga mesi ai që e ndalon tashti.

Atëherë do të shfaqet ky i paudhë, të cilin Zoti do ta shkatërrojë me hukatjen e gojës së tij dhe do ta asgjësojë me të dukurit e ardhjes së tij.

Ardhja e atij të paudhi do të bëhet me anë të veprimit të Satanit, bashkë me çudira, shenja dhe mrrekullish të rreme,

10 dhe nga çdo mashtrim ligësie për ata që humbin, sepse nuk pranuan ta duan të vërtetën për të qenë të shpëtuar.

11 E prandaj Perëndia do t’u dërgojë atyre një gënjim që do t’i bëjë të gabojnë, që t’i besojnë gënjeshtrës,

12 që të dënohen të gjithë ata që nuk i besuan së vërtetës, por përqafuan ligësinë!

13 Por ne duhet ta falënderojmë vazhdimisht Perëndinë për ju, o vëllezër të dashur nga Zoti, sepse Perëndia ju zgjodhi që në fillim për t’ju shpëtuar, me anë të shenjtërimit të Frymës dhe të besimit në të vërtetën;

14 tek e cila ju thirri me anë të ungjillit tonë, që të arrini të merrni lavdinë e Zotit tonë Jezu Krisht.

15 Prandaj, vëllezër, qëndroni dhe mbani porositë që mësuat, me anë të fjalës ose me anë të letrës sonë.

16 Dhe vetë Zoti jonë Jezu Krisht dhe Perëndia Ati ynë, që na deshi dhe na dha me anë të hirit një ngushëllim të përjetshëm dhe një shpresë të mirë,

17 ngushëlloftë zemrat tuaja dhe ju forcoftë në çdo fjalë e punë të mirë.