Add parallel Print Page Options

28 Mjerë kurorës së kryelartësisë të të dehurve, të Efraimit dhe lules së fishkur të bukurisë së tij të lavdishme që ri mbi krye të luginës pjellore të atyre që i ka mposhtur vera!

Ja, Zoti ka një njeri të fortë dhe të fuqishëm, si një stuhi breshëri, si një tufan shkatërrues; si një aluvion ujërash të fuqishëm përmbytëse; ai do t’i hedhë për tokë me dorën e tij.

Kurora e kryelartësisë të të dehurve të Efraimit do të shkelet;

dhe lulja e fishkur e bukurisë së tij të lavdishme që rri mbi krye të luginës pjellore do të jetë si një fik i hershëm para verës që dikush e shikon; ai e gëlltit sapo e ka në dorë.

Atë ditë Zoti i ushtrive do të jetë një kurorë lavdie, një diadem i shkëlqyer për pjesën tjetër të popullit të tij,

një frymë drejtësie për atë që ulet për të gjykuar dhe forca e atyre që në betejë e sprapsin armikun deri te portat e tij.

Por edhe këta shkojnë sa djathtas aq edhe majtas për shkak të verës dhe u merren këmbët nga pijet dehëse; prifti dhe profeti lëkunden për shkak të pijeve dehëse, lëkunden sikur të kishin vegime, ngurrojnë në dhënien e vendimeve.

Tërë tryezat janë plot me të vjellura dhe me ndyrësira, nuk ka më një vend të pastër.

"Kujt dëshiron t’i mësojë diturinë? Kujt dëshiron t’ia bëjë të kuptueshëm mesazhin? Atyre që sapo janë zvjerdhur, atyre që sapo janë shkëputur nga sisa?

10 Sepse ka një urdhër mbi urdhër, urdhër mbi urdhër, regull mbi regull, regull mbi regull, pak këtu dhe pak atje".

11 Në fakt do të ndodhë që me buzë që bëlbëzojnë dhe me një gjuhë tjetër Zoti do t’i flasë këtij populli.

12 Ai u kishte thënë: "Ja pushimi: vëreni të lodhurin të pushojë; këtu është fresk!". Por ata nuk deshën ta dëgjojnë.

13 Kështu fjala e Zotit u bë për ta urdhër mbi urdhër, urdhër mbi urdhër, rregull mbi rregull, rregull mbi rregull, pak këtu, pak atje, me qëllim që ata të binin mbrapsht, të bëheshin copë-copë, t’i zinte laku dhe të kapeshin.

14 Prandaj dëgjoni fjalën e Zotit, o tallës, që sundoni mbi këtë popull, që rri në Jeruzalem!

15 Ju thoni: "Kemi përfunduar një besëlidhje me vdekjen, kemi bërë një aleancë me Sheolin; kur rebeshi përmbytës do të kalojë, nuk do të arrijë deri te ne, sepse gënjeshtrën e kemi bërë strehën tonë dhe jemi fshehur prapa falsitetit".

16 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë vendos si themel në Sion një gur, një gur të provuar, një kokë qosheje të çmuar, një themel të sigurt; ai që i beson atij nuk do të ngutet.

17 Unë do të vendos të drejtën si masë dhe drejtësinë si plumbçe; breshëri do të pastrojë strehën e gënjeshtrës dhe ujërat do të përmbytin strehën tuaj.

18 Besëlidhja juaj me vdekjen do të anulohet dhe aleanca juaj me Sheolin nuk do të qëndrojë; kur rrebeshi përmbytës do të kalojë, ju do të shkeleni prej tij.

19 Sa herë që do të kalojë, do t’ju kapë, sepse do të kalojë çdo mëngjes, ditën dhe natën, do të jetë një tmerr i vërtetë të dëgjosh vetëm të ta rrëfejnë.

20 Në fakt shtrati do të jetë i shkurtër për t’u shtrirë dhe mbulesa tepër e ngushtë për t’u mbuluar me të.

21 Sepse Zoti do të ngrihet si në malin e Peratsimit, do të zemërohet si në luginën e Gabaonit, për të plotësuar veprën e tij, veprën e tij të padëgjuar, për të plotësuar punën e tij, punën e tij të pazakontë.

22 Mos u bëni, pra, tallës që lidhjet tuaja të mos përforcohen. Sepse unë kam dëgjuar nga ana e Zotit, e Zotit të ushtrive, se është vendosur shfarosja e plotë e gjithë vendit.

23 Vini vesh dhe dëgjoni zërin tim, tregohuni të kujdesshëm dhe dëgjoni fjalën time!

24 A nuk lëron tërë ditën bujku për të mbjellë? A vazhdon vallë, ta çajë dhe ta prashitë tokën e tij?

25 Mbasi ka sheshuar sipërfaqen e saj, a nuk mbjell koprën dhe nuk përhap barin e gjumit, nuk vë grurin në brazda, elbin në vendin e caktuar dhe grurin e fortë gjatë kufijve?

26 Perëndia i tij i tregon rregullin që duhet të ndjekë dhe e mëson.

27 Kopra nuk shihet me shirësen dhe nuk kalohet rrota e qerres mbi barin e gjumit; por koprën e rrahin me shkop dhe barin e gjumit me shufër.

28 Gruri për bukë duhet të shtypet; prandaj nuk shtypet për gjithnjë, por kalohen mbi të rrota të qerres dhe kuajt, por pa e shtypur.

29 Edhe kjo vjen nga Zoti i ushtrive, që është i mrekullueshëm në këshillat e tij dhe i madh për nga dituria".

29 Mjerë Arieli, Arieli, qytet ku fushoi Davidi! I shtoni vit vitit, festat le të plotësojnë ciklin e tyre.

Pastaj do ta hedh Arielin në ankth; do të ketë ankim dhe rënkime dhe për mua do të jetë si një Ariel.

Unë do të fushoj kundër teje rreth e qark, do të të rrethoj me një ledh dhe do të ngre bastione kundër teje.

Do të ulesh, do të flasësh nga toka dhe fjala jote do të dalë e mbytur nga pluhuri; zëri yt do të ngjitet nga toka si ai i një mediumi dhe fjala jote do të pëshpëritë nga pluhuri.

Turma e armiqve të tu do të jetë si pluhur i hollë dhe turma e të fuqishmëve si byk i shpërndarë; dhe kjo ka për të ndodhur papritmas, në një çast.

Ti do të vizitohesh nga Zoti i ushtrive me gjëmime, tërmete dhe zhurma të mëdha, me shakullima dhe flakë zjarri përvëlues.

Moria e të gjitha kombeve që luftojnë kundër Arielit, e të gjitha atyre që e luftojnë atë dhe fortesën e tij dhe e shtrëngojnë rreth e qark do të jetë si një ëndërr, si një vegim nate.

Ka për të ndodhur ashtu si kur një i uritur që ëndërron të hajë, por kur zgjohet e ka stomakun bosh, apo si kur një i etur ëndërron të pijë, por kur zgjohet është i lodhur dhe e ka grykën të tharë; kështu ka për të ndodhur me morinë e të gjitha kombeve që luftojnë kundër malit të Sionit.

Ndaluni dhe habituni. Braktisjuni qejfeve dhe pastaj shikoni rreth e rrotull të trembur. Këta janë të dehur, por jo nga vera; u merren këmbët, por jo për pasojë të pijeve dehëse.

10 Në fakt Zoti ka shpërndarë mbi ju një frymë topitjeje; ka mbyllur sytë tuaja, profetët, ka mbuluar me vel krerët tuaj, shikuesit.

11 Çdo vegim profetik është bërë për ju si fjalët e një libri të vulosur që i jepet dikujt që di të lexojë; duke i thënë: "Të lutem, lexoje, këtë!," por ai përgjigjet: "Nuk mundem, sepse është i vulosur!".

12 Ose si një libër që i jepet dikujt që nuk di të lexojë, duke i thënë: Të lutem, lexoje këtë!,," por ai përgjigjet: "Nuk di të lexoj".

13 Prandaj Zoti thotë: "Me qenë se ky popull më afrohet mua vetëm me gojën dhe më nderon me buzët e tij, ndërsa zemra e tij më rri larg dhe frika e tij ndaj meje është vetëm një urdhërim i mësuar nga njerëzit,

14 prandaj, ja, unë do të vazhdoj të bëj mrekulli në mes të këtij populli, po, mrekulli dhe çudi: dituria e njerëzve të tij të urtë do të shuhet dhe zgjuarësia e të mënçurve të tij do të zhduket".

15 Mjerë ata që shkojnë në vende të thella për t’ia fshehur Zotit planet e tyre, që i bëjnë veprat e tyre në terr dhe thonë: "Kush na sheh? Kush na njeh?"

16 I keni përmbysur plotësisht gjërat. A mund të konsiderohet poçari i barabartë me argjilën? A mundet vepra t’i thotë atij që e ka bërë: "Nuk më ka bërë ai"?, ose gjëja e formuar t’i thotë atij që e ka formuar: "Nuk ka zgjuarësi"?

17 Brenda një kohe shumë të shkurtër dhe Libani do të shndërrohet në një pemishte, dhe pemishtja do të konsiderohet si një pyll.

18 Të shurdhët do të kuptojnë atë ditë fjalët e librit dhe, të çliruar nga errësira dhe terri, sytë e të verbërve kanë për të parë.

19 Të përulurit do të mund të gëzojnë akoma te Zoti dhe të varfërit e njerëzimit do të ngazëllohen tek i Shenjti i Izraelit.

20 Sepse tirani do të jetë zhdukur, tallësi do të jetë shkatërruar, dhe do të jenë shfarosur tërë ata që kurdisin paudhësi,

21 që dënojnë një njeri për një fjalë, që i kurdisin kurthe atij që gjykon te porta, që prishin të drejtën e të drejtit për asgjë.

22 Prandaj kështu i thotë shtëpisë së Jakobit Zoti që shpengoi Abrahamin: Tani e tutje Jakobi nuk do të turpërohet më dhe fytyra e tij nuk do tëë zverdhet më;

23 por kur do të shohë bijtë e tij, veprën e duarve të mia në mes të tij, ata do të shenjtërojnë emrin tim, do të shenjtërojnë të Shenjtin e Jakobit dhe do të kenë frikë nga Perëndia i Izraelit.

24 Ata që kanë frymë të përdalë do të arrijnë të kenë gjykim dhe murmuruesit do të mësojnë doktrinën e shëndoshë".

Së fundi, o vëllezërit e mi, gëzohuni në Zotin; për mua nuk është e rëndë t’ju shkruaj të njëjtat gjëra, po për ju është siguri.

Ruhuni nga qentë, ruhuni nga punëtorët e këqij, ruhuni nga të prerët.

Sepse rrethprerja e vërtetë jemi ne, që i shërbejmë Perëndisë në Frymë dhe që mburremi në Krishtin Jezus pa besuar në mish,

megjithëse unë kam përse të besoj edhe në mishin; nëse ndonjë mendon se ka përse të besojë, unë kam akoma më shumë:

u rrethpreva të tetën ditë, jam nga kombi i Izraelit, nga fisi i Beniaminit, Hebre nga Hebrenj, dhe sipas ligjit farise,

sa për zellin, përndjekës i kishës; për sa i përket drejtësisë, që është në ligj, i pa qortueshëm.

Por gjërat që më ishin fitim, i konsiderova, për shkak të Krishtit, humbje.

Dhe me të vërtetë i konsideroj të gjitha këto një humbje në krahasim me vlerën e lartë të njohjes së Jezu Krishtit, Zotit tim, për shkak të të cilit i humba të gjitha këto dhe i konsideroj si pleh, që unë të fitoj Krishtin,

dhe që të gjendem në të, duke pasur jo drejtësinë time që është nga ligji, por atë që është nga besimi në Krishtin: drejtësia që është nga Perëndia, me anë të besimit,

10 që të njoh atë dhe fuqinë e ringjalljes së tij dhe pjesëmarrjen në mundimet e tij, duke u bërë vetë i ngjashëm me të në vdekjen e tij,

11 që në ndonjë mënyrë të mund t’ia arrij ringjalljes prej së vdekurish.

12 Jo se unë tashmë e fitova çmimin ose jam bërë i përsosur, por po vazhdoj të rend për ta zënë, sepse edhe unë u zura nga Jezu Krishti.

13 Vëllezër, sa për vete, nuk mendoj se e kam zënë, por bëj këtë: duke harruar ato që kam lënë pas dhe duke u prirur drejt atyre që kam përpara,

14 po rend drejt synimit, drejt çmimit të thirrjes së lartme të Perëndisë në Krishtin Jezus.

15 Pra, të gjithë ne që jemi të përsosur, le të kemi këto mendime; dhe në qoftë se ju mendoni ndryshe për ndonjë gjë, Perëndia do t’jua zbulojë edhe këtë.

16 Por në pikën ku kemi arritur, le të ecim sipas së njëjtës rregull me të njejtën mendje.

17 Bëhuni imituesit e mi, vëllezër, dhe vëreni ata që ecin kështu, sipas shëmbullin që keni në ne.

18 Sepse shumë nga ata, për të cilët ju kam folur shpesh, edhe tani po jua them duke qarë, ecin si armiq të kryqit të Krishtit,

19 dhe fundi i tyre është humbje, perëndia i tyre është barku dhe lavdia e tyre është në turp të tyre; ata mendojnë vetëm për gjërat tokësorë.

20 Sepse qytetëria jonë është në qiejt, prej nga edhe presim Shpëtimtarin, Zotin Jezu Krisht,

21 i cili do ta transformojë trupin tonë të përunjur, që të bëhet i ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm, sipas fuqisë së tij që t’i nënshtrojë ndaj vetes të gjitha gjërat.