Add parallel Print Page Options

20 Në vitin që Tartani erdhi në Ashdod, i dërguar nga Sargoni, mbret i Asirisë, ai luftoi kundër Ashdodit dhe e pushtoi.

Në atë kohë Zoti foli me anë të Isaias, birit të Amotsit, dhe i tha: Shko dhe hiqe thesin nga ijët e tua dhe hiqi këpucët nga këmbët e tuaa". Ai veproi kështu, duke shkuar lakuriq dhe zbathur.

Pastaj Zoti tha: "Ashtu si shërbëtori im Isaia shkoi lakuriq dhe zbathur gjatë tre vjetve si shenjë dhe paralajmërim kundër Egjiptit dhe Etiopisë,

kështu mbreti i Asirisë do t’i çojë robërit e Egjiptit dhe të internuarit e Etiopisë, të rinj dhe pleq, lakuriq dhe të zbathur, vithezhveshur për turp të Egjiptit.

Atëherë ata do të tremben dhe do të shushaten për shkak të Etiopisë, shpresës së tyre, dhe për shkak të Egjiptit, lavdisë së tyre.

Atë ditë banorët e kësaj krahine bregdetare do të thonë: "Ja, çfarë u ndodhi atyre te të cilët kishim mbështetur shpresën tonë dhe pranë të cilëve ishim strehuar për të kërkuar ndihmë, për t’u çliruar nga mbreti i Asirisë. Si do të shpëtojmë ne?".

21 Profecia kundër shkretëtirës së detit. Ashtu si shakullimat kalojnë me të shpejtë nëpër Negev, kështu një pushtues vjen nga shkretëtira, nga një vend i tmerrshëm.

Një vegim i tmerrshëm m’u shfaq: i pabesi vepron me pabesi dhe shkatërruesi shkatërron. Dil, o Elam. Rrethoje, o Medi! Bëra që të pushojë çdo rënkim të tij.

Për këtë arsye ijët e mia më dhëmbin shumë, më zunë dhembjet si të prerat e një gruaje që lind; jam i tronditur nga sa dëgjova, jam i tmerruar nga sa pashë.

Zemra ime e ka humbur, tmerri më ka zënë; nata që aq shumë e dëshiroja është bërë llahtarë për mua.

Ndërsa po shtrohet tryeza, bëhet rojë mbi kullën vëzhgimit hahet dhe pihet. "Çohuni, o krerë, dhe vajosni mburojat".

Sepse kështu më ka thënë Zoti: "Shko, vër një roje që të njoftojë atë që shikon".

Ajo pa qerre dhe çifte kalorësish, disa prej të cilëve kishin hipur mbi gomarë dhe të tjerë mbi deve, dhe i vëzhgoi me kujdes, me shumë kujdes.

Pastaj bërtiti si një luan: "O Zot, ditën unë rri gjithnjë mbi kullën e vëzhgimit, dhe çdo natë rri më këmbë te vendroja ime.

Dhe ja po vijnë disa qerre dhe çifte kalorësish". Atëherë ajo nisi të flasë përsëri: "Ra, ra Babilonia"! Të gjitha shëmbëlltyrat e gdhendura të perëndive të saj janë për tokë të copëtuara.

10 O populli im, atë që kam shirë dhe shkelur në lëmin tim, atë që kam dëgjuar nga Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, unë ta kam njoftuar!".

11 Profecia kundër Dumahut. Më bërtasin nga Seiri: "Roje, në ç’pikë ka arritur nata? Roje, në ç’pikë ka arritur nata?".

12 Roja përgjigjet: "Vjen mëngjesi, pastaj edhe nata. Në rast se doni të pyesni, pyesni, pra; kthehuni, ejani".

13 Profecia kundër Arabisë. Do ta kaloni natën në pyjet e Arabisë, o karvanë të Dedamitëve.

14 I dilni para të eturit duke i sjellë ujë, o banorë të vendit të Temas; i kanë dalë përpara ikanakut me bukën e tyre.

15 Sepse ata ikin para shpatave, para shpatës së zhveshur, para harkut të nderur, para tërbimit të betejës.

16 Sepse kështu më ka thënë Zoti: "Për një vit, ashtu si viti i një argati me mëditje, tërë lavdia e Kedarit do të zhduket;

17 dhe ajo që do të mbetet nga numri i harkëtarëve, njerëzit trima të bijve të Kedarit, do të jetë një gjë e vogël, sepse ka folur Zoti, Perëndia i Izraelit".

22 Profecia kundër Luginës së Vegimit. Çfarë ke ti tani që ke hipur e tëra mbi çatitë,

ti që je plot me britma, qytet zhurmëmadh, qytet dëfrimesh? Të vrarët e tu nuk janë vrarë nga shpata as kanë vdekur në betejë.

Tërë krerët e tu kanë ikur bashkë, janë zënë robër pa hark; tërë ata që u gjetën te ti u zunë robër, megjithëse kishin ikur larg.

Prandaj them: "Largoni shikimin nga unë; unë do të qaj me hidhërim. Mos kërkoni të më ngushëlloni për dëshpërimin e bijës së popullit tim".

Sepse është një ditë lemerie, shkatërrimi dhe ngurimi nga ana e ZOTIT, të Zotit të ushtrive; në Luginën e Vegimeve muret janë shembur dhe britma për ndihmë arrin deri në mal.

Elami ka marrë kukurën me qerre njerëzish dhe kalorësish. Kiri ka zbuluar mburojën.

Do të ndodhë që luginat e tua më të mira do të jenë plot me qerre dhe kalorësit do të zënë pozicion para portave të tua.

Pastaj ai hoqi mbrojtjen e Judës dhe po atë ditë ti e hodhe shikimin mbi arsenalin e pallatit të Pyllit.

Keni parë gjithashtu sa të shumta ishin të çarat në muret e qytetit të Davidit, dhe keni mbledhur ujërat e hauzit të poshtëm.

10 Keni numëruar shtëpitë e Jeruzalemit dhe keni shembur shtëpi për të fortifikuar muret.

11 Përveç kësaj keni ndërtuar një rezervuar midis dy mureve për ujërat e hauzit të vjetër, por nuk keni parë se kush e ka bërë këtë, as nuk keni marrë parasysh kush e ka menduar këtë prej një kohe të gjatë.

12 Atë ditë Zoti, Zoti i ushtrive, ju thirri që të qani, të mbani zi, të rruani kokën dhe të mbështilleni me thasë.

13 Po përkundrazi ja, gëzim dhe hare, priten qe dhe theren dele, hahet mish dhe pihet verë. "Të hamë dhe të pimë, se nesër do të vdesim!".

14 Por Zoti i ushtrive u ka thënë veshëve të mi: "Ky mëkati juaj nuk do të shlyhet deri sa ju të vdisni," thotë Zoti, Zoti i ushtrive.

15 Kështu thotë Zoti, Zoti i ushtrive: "Shko pra te ky administrator, te Shebna, kryekujdestar, dhe i thuaj:

16 "Çfarë zotëron ti këtu dhe cilin ke këtu, që ke bërë të të gërmojnë këtu një varr, ashtu si ai që gërmon për vete një vendvarrim lart dhe pret në shkëmb një varr?".

17 Ja, Zoti po të flak me dhunë, o njeri i fuqishëm, dhe do të të kapë mirë.

18 Do të të rrukullisë mirë e mirë dhe do të të hedhë si një top në një vend të gjerë. Aty do të vdesësh dhe do të mbarojnë qerret e tua krenare, o turp i shtëpisë së zotit tënd.

19 Do të të dëbojë nga zyra jote dhe do të tërhiqesh poshtë nga posti yt!

20 Atë ditë do të ndodhë që të thëras shërbëtorin tim Eliakim, birin e Hilkiahut;

21 do ta vesh me tunikën tënde, do t’i vë brezin tënd dhe do ta kaloj pushtetin tënd në duart e tij, dhe ai do të jetë një atë për banorët e Jeruzalemit dhe për shtëpinë e Judës.

22 Do të vë mbi supin e tij çelësin e shtëpisë së Davidit; kështu ai do të hapë dhe askush nuk do të mund ta mbyllë, do ta mbyllë dhe askush nuk do ta mund ta hapë.

23 Do ta ngul si një gozhdë në një vend të sigurt, dhe ai do të bëhet një fron lavdie për shtëpinë e atit të tij.

24 Nga ai do të varet tërë lavdia e shtëpisë së atit të tij, trashëgimtarët dhe degët anësorë, të gjitha enët edhe ato më të vogla, që nga kupat e e deri te shtambët e çdo lloji.

25 "Atë ditë, thotë Zoti i ushtrive, gozhda e ngulur në vend të sigurt do të hiqet, do të shkulet poshtë dhe do të bjerë; dhe gjithë pesha që mbante do të shkatërrohet, sepse Zoti ka folur".

Fëmijë, binduni prindërve tuaj në Zotin, sepse kjo është e drejtë.

“Ndero babanë tënd dhe nënën tënde,” ky është urdhërimi i parë me premtim,

“që ti të jesh mirë dhe të jetosh gjatë mbi dhe.”

Dhe ju, etër, mos provokoni për zemërim fëmijtë tuaj, por i edukoni në disiplinë dhe në këshillë të Zotit.

Ju, shërbëtorë, bindjuni zotërinjve tuaj sipas mishit me druajtje dhe dridhje, në thjeshtësinë e zemrës suaj, porsi Krishtit,

duke mos shërbyer për sy e faqe, si ata që duan t’u pëlqejnë njerëzve, por si shërbëtorë të Krishtit, duke bërë vullnetin e Perëndisë me zemër,

duke shërbyer me dashuri si për Krishtin dhe jo si për njerëzit,

duke ditur se gjithsecili, qoftë skllav apo i lirë, po të bëjë të mirën, do të marrë shpërblimin nga Zoti.

Dhe ju, zotërinj, bëni po kështu ndaj tyre, duke i lënë kërcënimet, duke ditur që i tyre dhe juaji Zot është në qiell dhe se tek ai nuk ka asnjë anësi.

10 Për çfarë mbetet, vëllezërit e mi, forcohuni në Zotin dhe në forcën e fuqisë së tij.

11 Vishni gjithë armatimin e Perëndisë që të mund të qëndroni kundër kurtheve të djallit,

12 sepse beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore.

13 Prandaj merreni të gjithë armatimin e Perëndisë, që të mund të rezistoni në ditën e mbrapshtë dhe të mbeteni më këmbë pasi t’i keni kryer çdo gjë.

14 Qëndroni, pra, të fortë, duke patur në ijë brezin e së vërtetës, të veshur me parzmoren e drejtësisë,

15 dhe duke mbathur këmbët me gatishmërinë e ungjillit të paqes,

16 mbi të gjitha, duke marrë mburojën e besimit, me të cilën mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut.

17 Merrni edhe përkrenaren e shpëtimit dhe shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë,

18 duke u lutur në çdo kohë dhe me çdo lloj lutjeje dhe përgjërimi në Frymën, duke ndenjur zgjuar për këtë qëllim me çdo ngulmim dhe lutje për të gjithë shenjtorët,

19 dhe edhe për mua, që kur të hap gojën time, të më jepet të flas lirësisht për ta bërë të njohur misterin e ungjillit,

20 për të cilin jam i dërguari në pranga, që të mund të shpall lirësisht, siç e kam për detyrë.

21 Por, që ta dini edhe ju si jam dhe çfarë bëj, Tikiku, vëllai i dashur dhe shërbenjësi besnik në Zotin, do t’ju informojë për të gjitha;

22 të cilin pikërisht për këtë qëllim po ju kam dërguar, që të jeni në dijeni të gjendjes sonë dhe të ngushëllojë zemrat tuaja.

23 Paqe vëllezërve dhe dashuri me besim nga Perëndia Ati dhe nga Zoti Jezu Krisht.

24 Hiri qoftë me të gjithë ata që duan Zotin tonë Jezu Krisht me sinqeritet.