Add parallel Print Page Options

"Dëgjoni këtë, o priftërinj, kushtojini kujdes ju të shtëpisë së Izraelit, vini veshin, o shtëpi e mbretit; sepse ky gjykim është kundër jush. Në fakt ju keni qenë një lak në Mitspah dhe një rrjetë e shtrirë mbi Tabor.

Ata që devijojnë kanë rënë thellë në masakër, por unë do t’i dënoj të gjithë.

Unë e njoh Efraimin, dhe për mua Izraeli nuk është aspak i panjohur; tani, o Efraim, ti je kurvëruar; Izraeli është ndotur.

Veprimet e tyre nuk u lejojnë atyre të kthehen te Perëndia i tyre, sepse fryma e kurvërimit është në mes të tyre dhe nuk njohin Zotin.

Por kryelartësia e Izraelit dëshmon kundër tij; prandaj Izraeli dhe Efraimi do të bien për shkak të paudhësisë së tyre, dhe bashkë me ta do të bjerë edhe Juda.

Me kopetë e tyre dhe me tufat e tyre do të shkojnë në kërkim të Zotit, por nuk do ta gjejnë; ai është tërhequr prej tyre.

Kanë vepruar me mashtrim kundër Zotit, sepse kanë bërë fëmijë me shkelje të kurorës; tani një muaj i vetëm do t’i hajë ata dhe vendin e tyre.

I bini bririt në Gibeah, i bini borisë në Ramah, jepni alarmin në Beth-aven; armikun e ke prapa krahëve të tua, o Beniamin.

Efraimi do të shkretohet ditën e ndëshkimit; midis fiseve të Izraelit unë të bëj të ditur një gjë të sigurt.

10 Krerët e Judës janë si ata që zhvendosin kufijtë; unë do ta derdh zemërimin tim mbi ta si uji.

11 Efraimi është një shtypës dhe një shkelës i drejtësisë, sepse ka ndjekur me vendosmëri urdhrat njerëzore.

12 Prandaj unë do të jem për Efraimin si një tenjë dhe për shtëpinë e Judës si një karies.

13 Kur Efraimi pa sëmundjen e tij dhe Juda plagën e tij, Efraimi shkoi në Asiri dhe i dërgoi lajmëtarë mbretit Jareb; megjithatë ai nuk mund t’ju shërojë as t’ju mjekojë plagën.

14 Sepse unë do të jem për Efraimin si një luan dhe për shtëpinë e Judës si një luan i vogël; unë, unë vetë do ta shqyej dhe do të largohem; do të marr me vete prenë dhe askush nuk do të ma heqë.

15 Do të kthehem në vendin tim deri sa të njohin që janë fajtorë dhe do të kërkojnë me siguri fytyrën time; në mjerimin e tyre do të më kërkojnë me zell".

Ejani, të kthehemi tek Zoti, sepse ai na ka copëtuar, por do të na shërojë; na ka goditur, por do të na mbështjellë.

Mbas dy ditësh do të na japë përsëri jetë, ditën e tretë do të na ringjallë dhe ne do të jetojmë në prani të tij.

E njohim Zotin, të përpiqemi ta njohim më mirë; ardhja e tij është e sigurt si agimi. Ai do të na vijë si shiu, si shiu i fundit dhe i parë mbi tokë.

"Çfarë duhet të bëj me ty, o Efraim? Çfarë duhet të bëj me ty, o Judë? Dashuria juaj është si një re e mëngjesit, si vesa që në mëngjes zhduket shpejt.

Prandaj i kam prerë me anë të profetëve, i kam vrarë me fjalët e gojës sime dhe gjykimet e mia për ju janë si drita që lind.

Sepse unë dëshiroj mëshirë dhe jo flijimet, dhe njohjen e Perëndisë më shumë se olokaustet.

Por, si Adami, ata kanë shkelur besëlidhjen, kanë vepruar me mashtrim ndaj meje.

Galaadi është një qytet keqbërësish dhe i përlyer me gjak.

Ashtu si bandat e cubave rrinë në pritë për një njeri, kështu një turmë priftërinjsh masakron në rrugën e Sikemit, kryen gjëra të kobshme.

10 Në shtëpinë e Izraelit pashë diçka të neveritshme: atje kurvërohet Efraimi, atje ndotet Izraeli.

11 Edhe për ty, o Judë, është rezervuar një korrje, kur do ta kthej popullin tim nga robëria".

"Kur dëshiroja të shëroja Izraelin, atëherë u zbulua paudhësia e Efraimit dhe ligësia e Samarisë, sepse veprojnë me falsitet: vjedhësi hyn, një bandë vjedhësish bën sulme jashtë.

Atyre nuk u shkon në mend që unë nuk e harroj gjithë ligësinë e tyre. Tani veprimet e tyre i rrethojnë nga çdo anë; ato qëndrojnë para fytyrës sime.

Me ligësitë e tyre gëzojnë mbretin dhe me gënjeshtrat e tyre krerët e tyre.

Janë të gjithë shkelës të kurorës, si një furrë e ngrohur nga furrtari, që nuk e nxit më zjarrin mbasi ka brumosur miellin deri sa të vijë brumi.

Në ditën e mbretit tonë, krerët e kanë bërë të sëmuret afshin e verës; mbreti u ka shtrirë dorën tallësve.

Ndërsa rrinë në pritë, ata e përgatitin zemrën e tyre si një furrë; furrtari i tyre fle tërë natën, dhe në mëngjes furra e tyre të djeg me një zjarr flakërues.

Të gjithë janë të zjarrtë si një furrë dhe i hanë gjykatësit e tyre; gjithë mbretërit e tyre kanë rënë, por asnjë prej tyre nuk më kërkon.

Efraimi përzihet me popujt, Efraimi është një kulaç i pakthyer.

Të huajt gllabërojnë forcën e tij, por ai nuk e vë re; po flokët e kokës kanë ngjyrë të përhime, por ai nuk i vë re.

10 Kryelartësia e Izraelit dëshmon kundër tij, sepse ata nuk kthehen tek Zoti, Perëndia i tyre, nuk e kërkojnë megjithëatë.

11 Efraimi është një pëllumbeshë budallaçkë, pa mend; ata thërresin Egjiptin, shkojnë në Asiri.

12 Ndërsa shkojnë, do të shtrij mbi ta rrjetën time dhe do t’i bëj që të rrëzohen si zogjtë e qiellit; do t’i ndëshkoj, siç u paralajmërua në asamblenë e tyre.

13 Mjerë ata, sepse janë larguar prej meje! Shkatërrim për ta, sepse janë rebeluar kundër meje! Unë do të doja t’i shpengoja, por ata thonë gënjeshtra kundër meje.

14 Ata nuk më thërresin me zemrën e tyre, por ankohen në shtratin e tyre. Mblidhen bashkë për grurin dhe verën dhe rebelohen kundër meje.

15 Megjithëse i kam dënuar dhe kam përforcuar krahët e tyre, ata thurin të keqen kundër meje.

16 Ata kthehen, por jo te Shumë i Larti; janë si një hark që gabon; krerët e tyre do të bien nga shpata për shkak të tërbimit të gjuhës së tyre; kjo do t’i bëjë qesharakë në vendin e Egjiptit".

"Bjeri borisë! Armiku do të vërsulet mbi shtëpinë e Zotit si një shqiponjë, sepse kanë shkelur besëlidhjen time dhe kanë marrë nëpër këmbë ligjin tim.

Izraeli do të më bërtasë: "O Perëndia im, ne të njohim!".

Izraeli ka hedhur poshtë të mirën, armiku do ta ndjekë.

Kanë bërë mbretër disa, por jo sipas dëshirës sime; kanë caktuar krerë, por pa dijeninë time; me argjendin e tyre dhe me arin e tyre kanë bërë idhuj, me qëllim që të shkatërrohen.

Ai ka hedhur poshtë viçin tënd, o Samari. Zemërimi im u ndez kundër tyre. Deri kur do të jenë të paaftë për pastërti?

Edhe ky viç vjen nga Izraeli; e ka bërë një artizan dhe nuk është një perëndi; prandaj viçi i Samarisë do të bëhet copë-copë.

Meqenëse mbjellin erë, do të korrin furtunë. Kërcelli i grurit nuk do të bëjë kalli dhe nuk do të prodhojë grurë; edhe në se do të prodhojë, do ta hanë të huajt.

Izraelin po e gllabërojnë; ata janë bërë midis kombeve si një vazo e përçmuar.

Sepse janë ngjitur në Asiri, si një gomar i egër që jeton i vetmuar. Efraimi gjeti dashnorë me anë dhuratash.

10 Megjithëse ka gjetur dashnorë midis kombeve, tani unë do t’i mbledh dhe do të fillojnë të pakësohen nën barrën e mbretit të princave.

11 Sepse Efraimi ka shumuar altarët për të mëkatuar, ata janë bërë për të altare mëkati.

12 Kam shkruar për të gjërat e mëdha të ligjit tim, por ato u konsideruan si një gjë e çudishme.

13 Sa për flijimet që më ofrojnë, ata bëjnë fli mish dhe e hanë; por Zoti nuk i pëlqen. Tani ai do të kujtojë paudhësinë e tyre dhe do të ndëshkojë mëkatet e tyre: ata do të kthehen në Egjipt.

14 Izraeli ka harruar atë që e ka bërë dhe ka ndërtuar pallate; Juda ka shumuar qytetet e fortifikuara; por unë do të dërgoj zjarrin mbi qytetet e tij, i cili do t’i gllabërojë kështjellat e tij".

“Engjëllit të kishës në Efes shkruaji: këtë thotë ai që mban të shtatë yjet në të djathtën e tij dhe që ecën në mes të shtatë shandanëve prej ari.

Unë i njoh veprat e tua, mundin tënd dhe durimin tënd edhe se ti s’mund t’i durosh të këqijtë; ti i vure në provë ata që pretendojnë se janë apostuj dhe nuk janë dhe i gjete gënjeshtarë.

Ti ke duruar, ke qëndrueshmëri dhe për hir të emrit tim je munduar pa u lodhur.

Por kam diçka kundër teje, sepse dashurinë tënde të parën e le.

Kujtohu, pra, se nga ke rënë, pendohu, dhe bëj veprat e para; në mos do të vi së shpejti te ti dhe do ta luaj shandanin tënd nga vendi i vet, nëse nuk pendohesh.

Por ti ke këtë, që i urren veprat e Nikolaitëve, që i urrej edhe unë.

Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që u thotë Fryma kishave: kujt fiton do t’i jap të hajë nga pema e jetës, që është në mes të parajsës së Perëndisë.”

“Dhe engjëllit të kishës në Smirnë, shkruaji: këtë thotë i pari dhe i fundit, që qe i vdekur dhe kthehej në jetë.

Unë i njoh veprat e tua, dhe shtrengimin e varfërinë (por ti je i pasur) dhe blasfeminë e atyre që e quajnë veten Judenj, por nuk janë, por janë një sinagogë e Satanit.

10 Mos ki frikë nga ato për të cilat do të vuash; ja, djalli do të hedhë disa prej jush në burg, që të provoheni, dhe ju do të keni shtrengim për dhjetë ditë. Ji besnik deri në vdekje dhe unë do të të jap kurorën e jetës.

11 Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që Fryma u thotë kishave: kush fiton nuk do të preket nga vdekja e dytë.”

12 “Dhe engjëllit të kishës në Pergam, shkruaji: Këto gjëra thotë ai që ka shpatën e mprehtë me dy tehë:

13 Unë i di veprat e tua dhe ku banon, atje ku është froni i Satanit; dhe ti mbahesh fort tek emri im dhe nuk e mohove besimin në mua, edhe në ato ditë kur Antipa, dëshmitari im, besnik, u vra midis jush, atje ku banon Satani.

14 Por kam disa gjëra kundër teje: sepse ke aty disa që mbajnë mësimin e Balaamit, i cili e mësoi Balakun t’u vërë një gurë pengese përpara bjive të Izraelit që të hanë flijime idhujsh dhe të kurvërojnë.

15 Kështu ti ke edhe disa që mbajnë mësimin e Nikolaitëve, të cilën gjë e urrej.

16 Pendohu, përndryshe do të vij së shpejti te ti dhe do të luftoj kundër tyre me shpatën e gojës sime.

17 Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që Fryma u thotë kishave: kujt fiton do t’i jap të hajë nga mana që është fshehur; dhe do t’i jap një gur të bardhë, dhe mbi gur është shkruar një emër i ri, të cilin s’e njeh askush, përveç atij që e merr.”

18 “Edhe engjëllit të kishës në Tiatirë shkruaji: Këto gjëra thotë Biri i Perëndisë, ai që ka sytë si flakë zjarri dhe këmbët e tij janë të ngjashëm me bronz të shkëlqyeshëm.

19 Unë i njoh veprat e tua, dashurinë tënde, besimin tënd, shërbimin tënd, durimin tënd dhe di që veprat e tua të fundit janë më të shumta se të parat.

20 Por kam disa gjëra kundër teje, sepse ti e lejon gruan Jezabel, që e quan veten profeteshë, të mësojë dhe t’i mashtrojë shërbëtorët e mi të kurvërojnë dhe të hanë gjëra të flijiuara idhujve.

21 Dhe i dhashë kohë që të pendohet për kurvërinë e saj, por ajo nuk u pendua.

22 Ja, unë e flakë atë në një shtrat vuajtjesh, dhe ata që kurvërojnë me të, në shtrëngim të madh, po nuk u penduan për veprat e tyre;

23 Dhe do t’i godas me vdekje bijtë e saj; dhe të gjitha kishat do të njohin se unë jam ai që heton mendjet dhe zemrat; dhe do t’i jap gjithsecilit nga ju sipas veprave të veta.

24 Por juve dhe të tjerëve që janë në Tiatirë, që nuk kanë këtë doktrinë dhe nuk i kanë njohur thellësirat e Satanit, siç e quajnë ata, unë them: nuk do të vë barrë tjetër mbi ju;

25 por mbajeni fort atë që keni, derisa të vij.

26 Dhe kujt fiton dhe i ruan deri në fund veprat e mia, do t’i jap pushtet mbi kombet;

27 dhe ai do t’i qeverisë ata me një shufër hekuri dhe ata do të thyhen si enë argjile, sikurse mora edhe unë pushtet prej Atit tim;

28 dhe unë do t’i jap atij yllin e mëngjesit.

29 Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që Fryma u thotë kishave.”