Add parallel Print Page Options

41 Por ndodhi që mbas dy vitesh të plota Faraoni pa një ëndërr. Ai ndodhej pranë një lumi,

dhe ja që ndërsa po ngjiten nga lumi shtatë lopë, të hijshme e të majme, që nisën të kullosin ndër xunkthe.

Pas atyre, u ngjitën nga lumi shtatë lopë të tjera të shëmtuara dhe të dobëta, dhe u ndalën pranë të parave në bregun e lumit.

Tani lopët e shëmtuara dhe të dobëta hëngrën lopët e hijshme dhe të majme. Pastaj Faraoni u zgjua.

Më pas e zuri gjumi përsëri dhe pa një ëndërr të dytë; dhe, ja, shtatë kallinj të trashë dhe të bukur që dilnin nga një kërcell i vetëm.

Pastaj, ja, shtatë kallinj të hollë dhe të tharë nga era lindore, që mbinin pas tyre.

Dhe kallinjtë e hollë gëlltitën shtatë kallinjtë e trashë dhe të plotë. Atëherë Faraoni u zgjua dhe, ja, ishte një ëndërr.

Në mëngjes shpirti i tij qe i trazuar, dhe dërgoi e thirri tërë magjistarët dhe të diturit e Egjiptit; pastaj Faraoni u tregoi ëndrrat e tij, por asnjeri prej tyre nuk qe në gjendje t’ia interpretonte Faraonit.

Atëherë kryekupëmbajtësi i foli Faraonit duke i thënë: "Sot kujtoj gabimet e mia.

10 Faraoni ishte zemëruar me shërbëtorët e tij dhe më kishte futur në burg në shtëpinë e kreut të rojeve, mua dhe kryebukëpjekësin.

11 Po atë natë, unë dhe ai pamë një ëndërr; secili pa një ëndërr që kishte kuptimin e tij.

12 Me ne ishte edhe një hebre i ri, shërbëtor i kreut të rojeve; atij i treguam ëndrrat tona dhe ai na i interpretoi, duke i dhënë secilit interpretimin e ëndrrës së tij.

13 Dhe gjërat u zhvilluan pikërisht simbas interpretimit që na kishte dhënë ai. Faraoni më rivendosi në detyrën time dhe e vari tjetrin".

14 Atëherë Faraoni dërgoi ta thërrisnin Jozefin, që e nxorrën menjëherë nga burgu nëntokësor. Kështu ai u rrua, ndërroi rrobat dhe erdhi te Faraoni.

15 Dhe Faraoni i tha Jozefit: "Kam parë një ëndërr dhe askush nuk është në gjëndje ta interpretojë; por kam dëgjuar për ty se, kur ke dëgjuar një ëndërr, je në gjendje ta interpretosh".

16 Jozefi iu përgjegj Faraonit duke i thënë: "Nuk jam unë, por Perëndia do të japë një përgjigje për të mirën e Faraonit".

17 Atëherë Faraoni i tha Jozefit: "Ja, në ëndrrën time unë rrija në bregun e lumit,

18 kur u ngjitën nga lumi shtatë lopë të majme dhe të hijshme, që nisën të kullosnin ndër xunkthe.

19 Pas tyre u ngjitën shtatë lopë të tjera të dobëta, shumë të shëmtuara dhe thatime; lopë të tilla aq të shëmtuara nuk kisha parë kurrë në gjithë shtetin e Egjiptit.

20 Dhe lopët e dobëta dhe të shëmtuara i hëngrën të shtatë lopët e para të majme;

21 por edhe pasi i hëngrën, asnjeri nuk mund të dallonte që i kishin ngrënë, sepse ato ishin të shëmtuara si më parë. Kështu u zgjova.

22 Pastaj pashë në ëndrrën time shtatë kallinj që dilnin nga një kërcell i vetëm, të plotë dhe të bukur;

23 dhe ja shtatë kallinj të tjerë të fishkur, të hollë dhe të tharë nga era lindore, që mbinin pas të parëve.

24 Pastaj shtatë kallinjtë e hollë gëlltitën shtatë kallinjtë e bukur. Këtë gjë ua tregova magjistarëve, por asnjeri prej tyre nuk qe në gjëndje të më jepte një shpjegim".

25 Atëherë Jozefi i tha Faraonit: "Éndërrat e Faraonit janë një ëndërr e njëjtë. Perëndia i tregoi Faraonit atë që po gatitet të bëjë.

26 Shtatë lopët e bukura janë shtatë vite dhe shtatë kallinjtë e bukur janë shtatë vite; është e njëjta ëndërr.

27 Edhe shtatë lopët e dobëta dhe të shëmtuara, që ngjiteshin pas atyre, janë shtatë vite; edhe shtatë kallinjtë bosh dhe të tharë nga era lindore janë shtatë vite zije buke.

28 Këto janë ato që i thanë Faraonit: Perëndia i tregoi Faraonit atë që po përgatitet të bëjë.

29 Ja, po vijnë shtatë vite bollëku të madh në tërë vendin e Egjiptit;

30 por pas këtyre do të vinë shtatë vite zije buke dhe gjithë ai bollëk do të harrohet në vendin e Egjiptit; dhe zija do të ligështojë vendin.

31 Dhe në vend nuk do ta kujtojnë më bollëkun e mëparshëm për shkak të zisë së bukës që do të vijë, sepse kjo do të jetë shumë e rëndë.

32 Fakti që kjo ëndërr i është shfaqur Faraonit dy herë do të thotë që këtë vendim e ka marrë Perëndia, dhe Perëndia do të bëjë që të ndodhë shpejt.

33 Prandaj Faraoni të kërkojë një njeri të zgjuar dhe të urtë dhe ta caktojë në krye të Egjiptit.

34 Faraoni duhet të veprojë kështu: të emërojë në vend mbikqyrës për të mbledhur një të pestën e prodhimeve të vendit të Egjiptit, gjatë shtatë viteve të bollëkut.

35 Ata të grumbullojnë të gjitha ushqimet e këtyre viteve të mbara që po vinë dhe të grumbullojnë grurin nën autoritetin e Faraonit dhe ta ruajnë për furnizimin e qyteteve.

36 Këto ushqime do të jenë një rezervë për vendin në parashikim të shtatë viteve të zisë së bukës që do të bjerë në vendin e Egjiptit; kështu vendi nuk do të humbasë nga zija".

37 Kjo gjë i pëlqeu Faraonit dhe gjithë nëpunësve të tij.

38 Dhe Faraoni u tha nëpunësve të tij: "A mund të gjejmë një njeri si ky, tek i cili të gjendet Fryma e Perëndisë?".

39 Atëherë Faraoni i tha Jozefit: "Me qënë se Perëndia të bëri të dish të gjitha këto gjëra, nuk ka asnjeri të zgjuar dhe të ditur sa ti.

40 Ti do të jesh mbi shtëpinë time dhe i tërë populli im do t’u bindet urdhërave të tua; vetëm për fronin unë do të jem më i madh se ti".

41 Faraoni i tha Jozefit: "Shiko, unë të emëroj mbi gjithë shtetin e Egjiptit".

42 Pastaj Faraoni hoqi unazën nga dora e vet dhe ia vuri në dorë Jozefit; e veshi me rroba krejt prej liri dhe i vari në qafë një gjerdan të artë.

43 E hipi pastaj në karron e tij të dytë, dhe para tij thërrisnin: "Në gjunjë!". Kështu Faraoni e vendosi mbi tërë shtetin e Egjiptit.

44 Veç kësaj Faraoni i tha Jozefit: "Faraoni jam unë, por pa ty asnjeri nuk ka për të ngritur dorën ose këmbën në tërë shtetin e Egjiptit".

45 Dhe Faraoni e quajti Jozefin me emrin Cofnath-Paneah dhe i dha për grua Asenathin, të bijën e Potiferahut, prift i Onit. Dhe Jozefi u nis për të vizituar shtetin e Egjiptit.

46 Tani Jozefi ishte tridhjetë vjeç kur u paraqit para Faraonit, mbretit të Egjiptit. Pastaj Jozefi u largua nga Faraoni dhe i ra anembanë Egjiptit.

47 Gjatë shtatë viteve të bollëkut, toka prodhoi shumë;

48 dhe Jozefi grumbulloi tërë ushqimet në vendin e Egjiptit gjatë atyre shtatë viteve dhe i vendosi nëpër qytetet; në çdo qytet vendosi ushqimet e territorit përreth.

49 Kështu Jozefi grumbulloi grurë, si rëra e detit, aq shumë sa pushoi së mbajturi llogari sepse sasia e grurit ishte e pallogaritshme.

50 Para se të vinte viti i zisë, Jozefit i lindën dy fëmijë që Asenathi, e bija e Potiferahut, prift i Onit, i lindi.

51 Jozefi e quajti të parëlindurin Manasi, sepse tha: "Perëndia bëri që të harroj çdo shqetësim timin dhe tërë shtëpinë e atit tim".

52 Të dytit i vuri emrin Efraim, sepse tha: "Perëndia më ka bërë frytdhënës në vendin e pikëllimit tim".

53 Shtatë vitet e bollëkut që qenë në shtetin e Egjiptit morën fund,

54 dhe filluan shtatë vitet e zisë, ashtu si kishte thënë Jozefi. Kishte mungesë ushqimesh në të tëra vendet, por në tërë vendin e Egjiptit kishte bukë.

55 Pastaj tërë vendi i Egjiptit filloi të vuajë nga uria, dhe populli e ngriti zërin për t’i kërkuar bukë Faraonit. Atëherë Faraoni u tha tërë Egjiptasve: "Shkoni tek Jozefi dhe bëni si t’ju thotë ai".

56 Zija ishte përhapur mbi sipërfaqen e tërë vendit dhe Jozefi i hapi tërë depot dhe u shiti grurë Egjiptasve. Por zija u bë më e rëndë në vendin e Egjiptit.

57 Kështu njerëzit e të gjitha vendeve vinin në Egjipt te Jozefi për të blerë grurë, sepse zija qe shtuar mbi tërë tokën.

42 Por Jakobi, pasi mësoi se në Egjipt kishte grurë, u tha bijve të tij: Pse shikoni njëri-tjetrin??".

Pastaj tha: "Ja, dëgjova se në Egjipt ka grurë; shkoni atje poshtë për të blerë grurë për ne, që të mundim të jetojmë dhe të mos vdesim".

Kështu dhjetë vëllezërit e Jozefit zbritën në Egjipt për të blerë grurë.

Por Jakobi nuk e dërgoi Beniaminin, vëllanë e Jozefit, me vëllezërit e tij, sepse thoshte: "Të mos i ngjasë ndonjë fatkeqësi".

Bijtë e Izraelit arritën aty, pra, për të blerë grurë, në mes të të ardhurve të tjerë, sepse në vendin e Kanaanëve mbretëronte zija.

Jozefi ishte qeveritari i vendit; ai u shiste grurë tërë njerëzve të vendit; dhe vëllezërit e Jozefit erdhën dhe u përulën para tij me fytyrën për tokë.

Jozefi pa vëllezërit e tij dhe i njohu, por u suall me ta si një i huaj dhe përdori fjalë të ashpra me ta, duke u thënë: "Nga vini?". Ata u përgjigjën: "Nga vendi i Kanaanit për të blerë ushqime".

Kështu Jozefi njohu vëllezërit e tij, por ata nuk e njohën atë.

Atëherë Jozefit iu kujtuan ëndrrat që kishte parë rreth tyre dhe tha: Ju jeni spiunë! Keni ardhur këtu për të parë pikat e pambrojtura tëë vendit!".

10 Ata iu përgjegjën: "Jo, zotëria im; shërbëtorët e tu kanë ardhur për të blerë ushqime.

11 Jemi të gjithë bijtë e të njejtit njeri, jemi njerëz të ndershëm; shërbëtorët e tu nuk janë spiunë".

12 Por ai u tha atyre: "Jo, ju keni ardhur për të parë pikat e pambrojtura të vendit!".

13 Atëherë ata thanë: "Ne, shërbëtorët e tu, jemi dymbëdhjetë vëllezër, bij të të njëjtit njeri nga vendi i Kanaanit. Dhe ja, pra, më i riu është sot me atin tonë, dhe njeri prej tyre nuk është më".

14 Por Jozefi u tha atyre: "Çështja qëndron ashtu siç ju thashë: ju jeni spiunë!

15 Ja si do të viheni në provë: ashtu siç është e vërteta që Faraoni jeton, nuk do të dilni këtej para se vëllai juaj më i vogël të vijë këtu.

16 Dërgoni njerin prej jush të marrë vëllanë tuaj; dhe ju do të qëndroni këtu në burg, që fjalët tuaja të provohen dhe të shihet nëse thoni të vërtetën; për ndryshe, ashtu siç është e vërtetë që Faraoni jeton, ju jeni spiunë!".

17 Kështu i futi bashkë në burg për tri ditë.

18 Ditën e tretë, Jozefi u tha atyre: "Bëni këtë dhe do të jetoni; unë kam frikë nga Perëndia!

19 Në rast se jeni njerëz të ndershëm, njeri nga ju vëllezërit të rrijë i lidhur me zinxhir në burgun tonë, dhe ju shkoni t’u çoni grurë familjeve tuaja që vdesin urie;

20 pastaj më sillni vëllanë tuaj më të vogël; kështu do të vërtetohen fjalët tuaja dhe ju nuk keni për të vdekur". Dhe ata vepruan kështu.

21 Atëherë i thonin njëri-tjetrit: "Ne jemi me të vërtetë fajtorë ndaj vëllait tonë, sepse e pamë ankthin e shpirtit të tij kur ai na lutej, por nuk ia vumë veshin! Ja pse na ra kjo fatkeqësi".

22 Rubeni iu përgjegj atyre duke thënë: "A nuk ju thoja unë: "Mos kryeni këtë mëkat kundër fëmijës!"? Por ju nuk më dëgjuat. Prandaj tani na kërkohet llogari për gjakun e tij".

23 Ata nuk e dinin që Jozefi i kuptonte, sepse midis tij dhe atyre kishte një përkthyes.

24 Atëherë ai u largua nga ata dhe qau. Pastaj u kthye pranë tyre dhe u foli; mori Simeonin dhe vuri ta lidhnin me zinxhir para syve të tyre.

25 Pastaj Jozefi urdhëroi të mbushnin me grurë thasët e tyre, të vendosnin paratë e secilit në trastën e tij dhe t’u jepnin ushqime për udhëtimin. Dhe kështu u bë.

26 Ata ngarkuan, pra, grurin mbi gomarët e tyre dhe u larguan.

27 Tani, në vendin ku po kalonin natën, njëri prej tyre hapi trastën e vet për t’i dhënë ushqim gomarit të tij dhe pa aty brenda paratë e veta, që ishin në grykë të trastës;

28 kështu iu drejtua vëllezërve të tij: "Paratë e mia m’u rikthyen; ja ku janë në trastën time". Atëherë, zemërvrarë dhe të trembur, i thonin njëri-tjetrit: "Ç’është vallë kjo që na bëri Perëndia?".

29 Kështu arritën te Jakobi, ati i tyre, në vendin e Kanaanit dhe i treguan të gjitha ato që kishin ndodhur, duke thënë:

30 "Njeriu, që është zot i vendit, na foli ashpër dhe na trajtoi si spiunë të vendit.

31 Dhe ne i thamë: "Jemi njerëz të ndershëm, nuk jemi spiunë;

32 jemi dymbëdhjetë vëllezër, bij të atit tonë; njëri nuk është më dhe më i riu ndodhet sot me atin tonë në vendin e Kanaanit".

33 Por ai njeri, zoti i vendit, na tha: "Nga kjo do të provoj nëse jeni njerëz të ndershëm: lini pranë meje një prej vëllezërve tuaj, merrni me vete ushqime për familjen tuaj që po vdes nga uria dhe shkoni;

34 pastaj më sillni vëllanë tuaj më të vogël. Kështu do të provoj që nuk jeni spiunë, por njerëz të ndershëm; unë do t’ju kthej vëllanë tuaj dhe ju do të keni mundësi të bëni tregëti këtu"".

35 Ndërsa ata po zbraznin trastat e tyre, ja që pakot e parave të secilit ishin në trastën e secilit; kështu ata dhe ati i tyre i panë pakot e parave të tyre dhe i zuri frika.

36 Atëherë Jakobi, ati i tyre, tha: "Ju më keni lënë pa bijtë e mi! Jozefi nuk është më, Simeoni nuk është më, dhe doni të më hiqni edhe Beniaminin! E tërë kjo rëndon mbi mua!".

37 Rubeni i tha të atit: "Po nuk ta ktheva, urdhëro të vriten dy bijtë e mi. Besoma mua, unë do të ta kthej".

38 Por Jakobi u përgjigj: "Biri im nuk ka për të zbritur me ju, sepse vëllai i tij vdiq dhe mbeti vetëm ky: po t’i ndodhte ndonjë fatkeqësi gjatë udhëtimit, do të kallnit në varr pleqërinë time të dhembshme".

12 Në atë kohë Jezusi po ecte një të shtunë nëpër arat me grurë; dhe dishepujt e vet, të uritur, filluan të këpusin kallinj dhe t’i hanë.

Por farisenjtë, kur panë këtë, i thanë: “Ja, dishepujt e tu po bëjnë atë që nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën.”

Dhe ai u tha atyre: “A nuk keni lexuar vallë se ç’bëri Davidi kur pati uri, ai dhe ata që qenë me të?

Si ai hyri në shtëpinë e Perëndisë dhe hëngri bukët e paraqitjes, të cilat nuk lejohej t’i hante as ai e as ata që ishin me të, por vetëm priftërinjtë?

Apo nuk keni lexuar në ligj që në tempull, të shtunave, priftërinjtë e shkelin të shtunën dhe megjithatë nuk mëkatojnë?

Dhe unë po ju them se këtu është një më i madh se tempulli.

Dhe, po të dinit se çfarë do të thotë: "Unë dua mëshirë dhe jo flijime," nuk do të kishit dënuar të pafajshmit.

Sepse Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës.”

Pastaj, mbasi u largua që andej, hyri në sinagogën e tyre;

10 dhe ja, aty ishte një burrë të cilit i qe tharë dora. Ata e pyetën Jezusin, me qëllim që ta padisin më pas: “A është e lejueshme që dikush të shërojë ditën e shtunë?.”

11 Dhe ai u tha atyre: “A ka ndonjë prej jush që ka një dele, dhe ajo bie në një gropë ditën e shtunë, dhe e ai nuk shkon ta nxjerrë jashtë?

12 E, pra, sa më i vlefshëm është njeriu se delja! A është, pra, e lejueshme të bësh të mirën të shtunën?.”

13 Atëherë ai i tha atij burri: “Shtrije dorën tënde!.” Dhe ai e shtriu dhe ajo iu shëndosh si tjetra.

14 Por farisenjtë, mbasi dolën jashtë, bënin këshill kundër tij si ta vrasin.

15 Por kur Jezusi e mori vesh u largua prej andej dhe turma të mëdha e ndiqnin dhe ai i shëroi të gjithë,

16 dhe i urdhëroi ata rreptësisht të mos thonin kush ishte ai,

17 me qëllim që të përmbushej ç’ishte thënë nëpërmjet profetit Isaia që thotë:

18 “Ja shërbëtori im, që unë e zgjodha; i dashuri im, në të cilin shpirti im është i kënaqur. Unë do ta vë Frymën tim mbi të dhe ai do t’u shpall drejtësinë popujve.

19 Ai nuk do të zihet dhe as nuk do të bërtasë dhe askush nuk do t’ia dëgjojë zërin e tij nëpër sheshe.

20 Ai nuk do ta thërmojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë kandilin që bën tym, deri sa të mos e ketë bërë të triumfojë drejtësinë.

21 Dhe njerëzit do të shpresojnë në emrin e tij.”

22 Atëherë i paraqitën një të idemonizuar, që ishte i verbër dhe memec; dhe ai e shëroi, kështu që i verbëri e memeci fliste dhe shikonte.

23 Dhe mbarë turmat çuditeshin dhe thonin: “A mos është ky i Biri i Davidit?.”

Read full chapter