A A A A A
Bible Book List

Ezekieli 35-36 Albanian Bible (ALB)

35 Fjala e Zotit m’u drejtua përsëri, duke thënë:

"Bir njeriu, kthe fytyrën tënde nga mali Seir dhe profetizo kundër tij,

dhe i thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë jam kundër teje, o mal i Seirit. Do ta shtrij dorën time kundër teje dhe do të të kthej në një mjerim dhe në një shkreti.

Do t’i kthej qytetet e tua në gërmadha dhe ti do të bëhesh një shkreti. Atëherë do të pranosh që unë jam Zoti.

Sepse ti ke patur një armiqësi të vjetër dhe i ke dorëzuar bijtë e Izraelit në mëshirë të shpatës në kohën e fatkeqësisë së tyre, kur paudhësia e tyre kishte arritur kulmin.

Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj," thotë Zoti, Zoti, "të ruaj për gjak dhe gjaku do të të ndjekë; duke qenë se nuk e ke urryer gjakun, gjaku do të të ndjekë.

Kështu do ta katandis malin Seir në një mjerim dhe në një shkreti dhe do të shfaros ata që shkojnë dhe që vijnë.

Do t’i mbush malet e tij me të vrarët e tij; në të gjitha kodrat e tua, në luginat e tua dhe në të gjitha përroskat e tua do të bien të vrarët nga shpata.

Do të të katandis në një shkreti përjetë dhe qytetet e tua nuk do të banohen më; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti.

10 Sepse ke thënë: "Këta dy kombe dhe këto dy vende do të jenë të mitë; ne do t’i zotërojmë," megjithëse aty ishte Zoti,

11 ashtu siç është e vërtetë që unë rroj," thotë Zoti, Zoti, "unë do të veproj me po atë zemërimin tënd dhe me xhelozinë që ke treguar në urrejtjen tënde kundër tyre dhe do të bëhem i njohur në mes tyre kur të të gjykoj.

12 Ti atëherë do të pranosh që unë, Zoti, kam dëgjuar të gjitha fyerjet që ke shqiptuar kundër maleve të Izraelit, duke thënë: "Janë të shkretuar; na janë dhënë neve për ti gllabëruar".

13 Me gojën tuaj jeni mburrur kundër meje dhe i keni shumuar fjalët tuaja kundër meje, kam dëgjuar çdo gjë".

14 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Kur gjithë toka do të gëzohet, unë do të të katandis në shkreti.

15 Me qenë se u gëzove që trashëgimia e shtëpisë së Izraelit ishte katandisur në shkreti, unë do të veproj kështu me ty: do të bëhesh i shkretë, o mal i Seirit, madje edhe tërë Edomi. Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti".

36 "Ti bir njeriu, profetizo u maleve të Izraelit dhe u thuaj: O male të Izraelit, dëgjoni fjalët e Zotit.

Kështu thotë Zoti, Zoti: Duke qenë se armiku ka thënë për ju: "Ah, ah! Kodrat e përjetshme janë bërë prona jonë," profetizo dhe thuaj:

Kështu thotë Zoti, Zoti: Po, duke qenë se kanë dashur t’ju shkretojnë dhe t’ju gllabërojnë nga çdo anë që të bëheni një zotërim i mbetjes së kombeve dhe duke qenë se keni qenë objekt i bisedave të gjuhëve të këqia dhe i shpifjeve të njerëzisë,"

prandaj, o male të Izraelit, dëgjoni fjalën e Zotit, të Zotit. Kështu thotë Zoti, Zoti, maleve dhe qafave, përroskave dhe luginave, vendeve të shkatërruara dhe të shkretuara dhe qyteteve të braktisura që janë bërë pre dhe objekt përçmimi nga kombet që ndodhen rreth e qark.

Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Po, në zjarrin e xhelozisë sime unë flas kundër kusurit të kombeve dhe kundër tërë Edomit që e kanë shtënë në dorë vendim tim me gjithë gëzimin e zemrës dhe përçmimin e shpirtit, për ta përzënë si një pre.

Prandaj profetizo tokës së Izraelit, u thuaj maleve dhe kodrave, përroskave dhe luginave: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë fola në xhelozinë time dhe në tërbinin tim, sepse ju keni sjellë turpin e kombeve".

Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Unë ngrita dorën për betim; kombet që më rrethojnë do të sjellin edhe ata turpin e tyre.

Por ju, o male të Izraelit, do të keni degët tuaja dhe do të mbani frytet tuaja për popullin tim të Izraelit; po, ai është duke u kthyer.

Sepse ja, unë jam për ju, do të kthehem nga ju dhe ju do të punoheni dhe do të mbilleni.

10 Do t’i shumoj mbi ju njerëzit, tërë shtëpinë e Izraelit; qytetet do të banohen dhe gërmadhat do të rindërtohen.

11 Do të shumoj mbi ju njerëzit dhe kafshët; do të shumohen dhe do të jenë pjellorë. Do të bëj që të banoheni si në kohrat e kaluara, dhe do t’ju bëj më tepër të mira se sa në fillimet tuaja; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti.

12 Po, do të bëj të ecin mbi ju njerëz, popullin tim të Izraelit; ata do t’ju zotërojnë dhe ju do të jeni trashëgimia e tyre dhe nuk do t’u hiqni më bijtë e tyre".

13 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Duke qenë se ju thonë: "Je një vend që ka gëlltitur njerëz dhe që ke privuar kombin tënd nga bijtë,"

14 prandaj nuk do të gëlltitësh më njerëz dhe nuk do ta privosh kombin tënd nga bijtë," thotë Zoti, Zoti.

15 "Do ta bëj që të mos dëgjosh më talljet e kombeve dhe ti nuk do të mbash më turpin e popujve dhe nuk do ta bësh kombin tënd të rrëzohet," thotë Zoti, Zoti.

16 Fjala e Zotit m’u drejtua përsëri, duke thënë:

17 "Bir njeriu, kur ata të shtëpisë së Izraelit banonin në vendin e tyre, e ndotnin me sjelljen e tyre dhe me veprimet e tyre; sjellja e tyre para meje ishte si papastërtia e gruas gjatë ciklit të saj muajor.

18 Prandaj hodha mbi ta zemërimin tim për gjakun që kishin derdhur mbi vendin dhe për idhujt me të cilët e kishin ndotur.

19 Kështu i shpërndava ndër kombet dhe shkuan në të gjitha drejtimet nëpër tërë vendet; i gjykova sipas sjelljes së tyre dhe veprimeve të tyre.

20 Me të arritur te kombet ku kishin shkuar, e përdhosën emrin tim të shënjtë, sepse për ata thuhej: "Këta janë populli i Zotit, por megjithatë u është dashur të dalin nga vendi i tij".

21 Kështu pata kujdes për emrin tim të shenjtë që shtëpia e Izraelit kishte përdhosur midis kombeve ku kishte shkuar.

22 Prandaj i thuaj shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti, Zoti: Unë veproj kështu jo për shkakun tuaj, o shtëpi e Izraelit, por për hir të emrit tim të shenjtë që ju keni përdhosur midis kombeve ku keni shkuar.

23 Unë do ta shenjtëroj emrin tim të madh, të përdhosur midis kombeve, që ju e keni përdhosur në mes të tyre. Kombet do të pranojnë që unë jam Zoti," thotë Zoti, Zoti, "kur të shenjtërohem tek ju, para syve të tyre.

24 Do t’ju marr nga kombet, do t’ju grumbulloj nga tërë vendet dhe do t’ju çoj përsëri në vendin tuaj.

25 Do të lëshoj pastaj ujë të pastër mbi ju dhe do të jeni të pastër; do t’ju pastroj nga të gjitha ndyrësirat tuaja dhe nga të gjithë idhujt tuaj.

26 Do t’ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një shpirt të ri; do të heq nga mishi juaj zemrën prej guri dhe do t’ju jap zemër prej mishi.

27 Do të vë brenda jush Shpirtin tim dhe do të bëj që ju të ecni sipas statuteve të mia, dhe ju do të respektoni dhe do të zbatoni në praktikë dekretet e mia.

28 Do të banoni në vendin që u dhashë etërve tuaj; ju do të jeni populli im dhe unë do të jem Perëndia juaj.

29 Do t’ju çliroj nga të gjitha ndyrësirat tuaja; do të thërres grurin, do të bëj që të ketë me bollëk dhe nuk do dërgoj më urinë kundër jush.

30 Do të shumoj frytin e drurëve dhe prodhimin e arave, me qëllim që të mos pësoni më turpin e urisë midis kombeve.

31 Atëherë do të kujtoni rrugët tuaja të këqia dhe veprimet tuaja që nuk ishin të mira dhe do të bëheni të neveritshëm për vetë sytë tuaj, për paudhësitë tuaja dhe për veprimet tuaja të neveritshme.

32 Nuk është për hatrin tuaj që unë veproj," thotë Zoti, Zoti, "dijeni mirë këtë. Turp të keni dhe qofshi të hutuar për shkak të rrugëve tuaja, o shtëpi e Izraelit".

33 Kështu thotë Zoti Zoti: "Ditën kur unë do t’ju pastroj nga të gjitha paudhësitë tuaja, do t’ju bëj të banoni në qytete, dhe gërmadhat do të rindërtohen.

34 Toka e shkretuar do të punohet, në vend që të jetë një shkreti në sytë e të gjithë kalimtarëve.

35 Dhe do të thonë: "Kjo tokë që ishte e shkretuar është bërë si kopshti i Edenit, dhe qytetet e shkatërruara, të shkretuara dhe të rrënuara tani janë të fortifikuara dhe të banuara".

36 Atëherë kombet që do të kenë mbetur rreth e qark jush do të pranojnë që unë, Zoti, kam rindërtuar vendet e shkatërruara dhe kam mbjellë tokën që ishte shkretuar. Unë, Zoti fola dhe do ta kryej".

37 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Do të jem sërisht i lutur nga shtëpia e Izraelit ta kryej këtë për ta: Unë do t’i shumoj njerëzit e tyre si një kope.

38 Si një kope dhënsh të shenjtëruara, si kopeja e Jeruzalemit në festat e tij solemne, kështu qytetet e shkatërruara do të mbushen me kope njerëzish. Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti".

2 Pjetrit 1 Albanian Bible (ALB)

Simon Pjetri, shërbëtor dhe apostull i Jezu Krishtit, atyre që kanë marrë për pjesë një besim të çmueshëm sikurse edhe ne, me anë të drejtësisë së Perëndisë tonë dhe të Shpëtimtarit Jezu Krisht:

hiri dhe paqja u shumoftë për ju në njohjen e Perëndisë dhe të Jezusit, Zotit tonë.

Duke qenë se fuqia e tij hyjnore na dhuroi të gjitha gjërat që i takojnë jetës dhe perëndishmërisë, me anë të njohjes së atij që na thirri me lavdinë dhe virtytin e vet,

me anë të të cilave na u dhuruan premtimet e çmueshme dhe shumë të mëdha, që nëpërmjet tyre të bëheni pjestarë të natyrës hyjnore, duke i shpëtuar prishjes që është në botë për shkak të lakmisë.

Edhe ju, për të njëjtën arsye, duke bërë çdo përpjekje, t’i shtoni besimit tuaj virtytin, dhe virtytit diturinë,

diturisë vetkontroll, vetkontrollit qëndresën, qëndresës perëndishmerinë,

mëshirës dashurinë vëllazërore dhe dashurisë vëllazërore dashurinë.

Sepse nëse këto gjëra gjendën në ju me shumicë, nuk do t’ju lejojnë të bëheni përtacë dhe as të pafryt në njohjen e Zotit tonë Jezu Krisht.

Sepse ai që nuk i ka këto gjëra është i verbër dhe dritëshkurtër, sepse harroi pastrimin nga mëkatet e tij të vjetër.

10 Prandaj, vëllezër, përpiquni gjithnjë e më shumë ta përforconi thirrjen dhe zgjedhjen tuaj, sepse, duke bërë këto gjëra, nuk do të pengoheni kurrë.

11 Sepse kështu begatisht do t’ju hapet hyrja në mbretërinë e amshuar të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.

12 Prandaj nuk do të lë pas dore t’ju kujtoj vazhdimish këto gjëra, ndonëse ju i dini dhe jeni të patundur në këtë të vërtetë.

13 Por unë mendoj se është e drejtë, përderisa jam në këtë tendë, t’ju mbaj zgjuar duke ua sjellë këto gjëra ndër mend,

14 duke ditur se, së shpejti më duhet ta lë këtë tendën time, sikurse ma tregoi Zoti ynë Jezu Krisht.

15 Por do të kujdesem që, edhe pas largimit tim, ju të mund t’i kujtoni gjithnjë këto gjëra.

16 Sepse nuk jua bëmë të njohur fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht, duke shkuar pas përralla të sajuara me mjeshtri, por sepse jemi dëshmitarë okular e madhështisë së tij.

17 Sepse ai mori nder dhe lavdi nga Perëndia Atë, kur i erdhi ky zë nga lavdia e madhërishme: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur.”

18 Dhe ne e dëgjuam këtë zë që vinte nga qielli, kur qemë bashkë me të në malin e shenjtë.

19 Ne e kemi edhe më të vërtetuar fjalën profetike, të cilën bëni mirë ti kushtoni kujdes, si një kandil që ndriçon në një vend të errët, derisa të zbardhë dita dhe ylli i dritës të lindë në zemrat tuaja,

20 duke ditur së pari këtë: që asnjë profeci e Shkrimit nuk është objekt i interpretimeve të veçanta.

21 Sepse asnjë profeci nuk ka ardhur nga vullneti i njeriut, por njerëzit e shenjtë të Perëndisë kanë folur, të shtyrë nga Fryma e Shenjtë.

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes