A A A A A
Bible Book List

Ezekieli 18-20 Albanian Bible (ALB)

18 Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:

"Çfarë keni ndër mend kur përdorni këtë proverb lidhur me vendin e Izraelit duke thënë: "Etërit kanë ngrënë rrushin e papjekur dhe dhëmbët e bijve të tyre janë mpirë"?

Ashtu si është e vërtetë që unë rroj," thotë Zoti, Zoti, "nuk do ta përdorni më këtë proverb në Izrael.

Ja, të gjithë shpirtërat janë të mitë; si shpirti i atit ashtu dhe shpirti i birit janë të mitë. Shpirti që mëkaton ka për të vdekur.

Në qoftë se dikush është i drejtë dhe zbaton ndershmërinë dhe drejtësinë,

në se nuk ha në male dhe nuk ngre sytë tek idhujt e shtëpisë së Izraelit, në rast se nuk prek gruan dhe fqinjët të tij dhe nuk i afrohet një gruaje kur ajo është e papastër,

në rast se nuk shtyp kërkënd, në qoftë se i kthen huamarrësit pengun e tij, në qoftë se nuk kryen asnjë grabitje, në rast se i jep bukën e tij të uriturit dhe mbulon me rroba atë që është lakuriq,

në rast se nuk jep hua me kamatë dhe nuk jep me fajde, në rast se heq dorë nga paudhësia, dhe gjykon me paanësi midis burrit dhe burrit,

në rast se ecën sipas statuteve të mia duke vepruar me besnikëri, ai është i drejtë dhe me siguri ka për të jetuar," thotë Zoti, Zoti.

10 Por në qoftë se i ka lindur një bir që përdor dhunë, që derdh gjak dhe i bën të vëllait ndonjë nga këto gjëra,

11 (ndërsa i ati nuk ka kryer asnjë nga këto gjëra), dhe ha në male dhe prek bashkëshorten e fqinjit të tij,

12 shtyp të varfërin dhe nevojtarin, kryen grabitje, nuk e kthen pengun, ngre sytë ndaj idhujve, kryen veprime të neveritshme,

13 jep me kamatë dhe me fajde, a do të jetojë vallë ai? Ai nuk do të jetojë. Duke qenë se ka kryer tërë këto veprime të neveritshme ai ka për të vdekur me siguri; gjaku i tij do të bjerë mbi të.

14 Por në rast se atij i lind një fëmijë që, duke parë tërë mëkatet e kryera nga i ati, i kupton, por nuk i kryen,

15 nuk ha në male, nuk i ngre sytë nga idhujt e shtëpisë së Izraelit, nuk prek gruan e fqinjit,

16 nuk shtyp njeri, nuk merr pengje, nuk kryen grabitje, por i jep bukën e tij të uriturit, vesh me rroba atë që është lakuriq,

17 e përmban dorën që të mos shtypë të varfërin, nuk merr as kamatë as fajde, respekton dekretet e mia dhe ecën në statutet e mia, ai nuk ka për të vdekur për shkak të paudhësisë së atit të tij; ai me siguri ka për të jetuar.

18 I ati, përkundrazi, duke qenë se ka shtypur dhe ka kryer grabitje në dëm të vëllait të tij dhe ka bërë atë që nuk është e mirë në mes të popullit të tij, ja, ai do të vdesë për shkak të paudhësisë së tij.

19 Megjithatë ju thoni: "Pse biri nuk mbart paudhësinë e atit?". Duke qenë se djali zbaton barazinë dhe drejtësinë, respekton të gjitha statutet e mia dhe i vë në praktikë, ai me siguri ka për të jetuar.

20 Shpirti që mëkaton do të vdesë, i biri nuk do të mbartë paudhësinë e atit dhe ati nuk do të mbartë paudhësinë e birit; drejtësia e të drejtit do të jetë mbi të, pabesia e të pabesit do të bien mbi të.

21 Në rast se i pabesi largohet nga të gjitha mëkatet që kryente, në rast se respekton të gjitha statutet e mija dhe zbaton barazinë dhe drejtësinë, ai me siguri ka për të jetuar; nuk ka për të vdekur.

22 Asnjë nga shkelje që ka kryer nuk do t’i kujtohet atij; ai do të jetojë për shkak të drejtësisë që zbaton.

23 A ndjej vallë gëzim nga vdekja e të pabesit?," thotë Zoti, Zoti, "apo përkundrazi që ai të kthehet nga rrugët e tij dhe të jetojë?

24 Por në rast se i drejti largohet nga drejtësia e tij dhe kryen paudhësinë dhe imiton tërë gjërat e neveritshme që kryen i pabesi, a do të jetojë vallë ai? Në rast se tërë drejtësia që ka bërë nuk do të kujtohet më; për shkeljen që ka kryer dhe mëkatin që ka bërë, ai ka për të vdekur, për shkak të tyre.

25 Megjithatë ju thoni: "Rruga e Zotit nuk është e drejtë". Dëgjoni tani, o shtëpi e Izraelit: është pikërisht rruga ime që nuk është e drejtë ose janë më tepër rrugët tuaja që nuk janë të drejta?

26 Në rast se i drejti largohet nga drejtësia e tij dhe kryen paudhësi dhe për këtë shkak vdes, ai vdes nga paudhësia që ka kryer.

27 Përkundrazi, në se i pabesi largohet nga pabesia që ndiqte dhe zbaton barazinë dhe drejtësinë, ai do ta shpëtojë shpirtin e tij.

28 Duke qenë se ka marrë parasysh të largohet nga të gjitha shkeljet që kryente, ai ka për të jetuar me siguri; nuk ka për të vdekur.

29 Megjithatë shtëpia e Izraelit thotë: "Rruga e Zotit nuk është e drejtë". A janë pikërisht rrugët e mia që nuk janë të drejta, o shtëpi e Izraelit, janë më tepër rrugët tuaja që nuk janë të drejta?

30 Prandaj do ta gjykoj secilin prej jush sipas rrugëve të tij, o shtëpi e Izraelit," thotë Zoti, Zoti. "Pendohuni dhe braktisni tërë shkeljet tuaja, kështu paudhësia nuk do të jetë më për ju shkak shkatërrimi.

31 Flakni larg jush tërë shkeljet tuaja që keni kryer dhe bëjini vetes një zemër të re dhe një shpirt të ri. Pse vallë doni të vdisni, o shtëpi e Izraelit?

32 Unë në fakt nuk ndjej asnjë kënaqësi me vdekjen e atij që vdes" thotë Zoti, Zoti. "Ndërroni rrugë, pra, dhe do të jetoni".

19 Ti larto një vajtim mbi princat e Izraelit dhe thuaj:

"Ç’ishte nëna jote? Një luaneshë: rrinte shtrirë midis luanëve, rriste të vegjëlit e saj në mes të luanëve të vegjël.

Rriti një nga të vegjëlit e saj që u bë një luan i vogël; mësoi të shqyejë prenë dhe përlau njerëz.

Edhe kombet dëgjuan të flitet për të; ai u kap në gropën e tyre dhe e çuan të lidhur në vendin e Egjiptit.

Kur ajo pa që pritja po zgjatej dhe shpresa e saj ishte e humbur, mori një tjetër nga të vegjëlit e saj dhe e rriti sa u bë një luan i vogël.

Ai shkonte dhe vinte midis luanëve; u bë një luan i vogël, mësoi të shqyejë prenë dhe përlau njerëz.

Mësoi vendet e tyre të shkretuara dhe shkatërroi qytetet e tyre; vendi e gjithçka që kishte u shkretua nga zhurma e vrumbullimit të tij.

Por kundër tij erdhën kombet e të gjitha krahinave fqinje, vendosën kundër tij rrjetën e tyre dhe ai u kap në gropën e tyre.

E vunë të lidhur në një kafaz dhe e çuan te mbreti i Babilonisë; e çuan në një fortesë, me qëllim që zëri i tij të mos dëgjohej më mbi malet e Izraelit.

10 Nëna jote ishte si një hardhi e mbjellë pranë ujrave; ishte e harlisur dhe kishte shumë degë nga uji i bollshëm.

11 Kishte degë të forta të përshtatshme për skeptra mbretërorë, ishte ngjitur lart midis degëve gjetheshumë dhe shquhej në shtatin e saj për degët e shumta të saj.

12 Por u çrrënjos me tërbim dhe u hodh për tokë; era e lindjes ia thau frytin; degët e saj të forta u shkëputën dhe u thanë, zjarri i përpiu.

13 Tani është mbjellë në shkretëtirë në një tokë të thatë dhe të etur për ujë;

14 Një zjarr ka dalë nga një shermend i degëve të saj dhe ka përpirë frytin e saj; në të nuk ka më asnjë degë të fortë të përshtatshme për skeptra mbretërorë". Ky është një vajtim dhe do të jetë një vajtim.

20 Ja, ndodhi në vitin e shtatë, më dhjetë të muajit të pestë, që disa nga pleqtë e Izraelit erdhën të konsultohen me Zotin dhe u ulën para meje.

Pastaj fjala e Zotit m’u drejtua, duke më thënë:

"Bir njeriu, folu pleqve të Izraelit dhe u thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: A keni ardhur të më konsultoni? Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj, nuk do të lejoj të konsultohem prej jush," thotë Zoti, Zoti.

"A do t’i gjykosh, a do t’i gjykosh, bir njeriu? Bëji të njohin veprimet e neveritshme të etërve të tyre,

dhe u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ditën kur zgjodha Izraelin dhe ngrita dorën për betim pasardhësve të shtëpisë së Jakobit dhe e bëra veten të njohur në vendin e Egjiptit, ngrita dorën për betim me ta, duke thënë: "Unë jam Zoti, Perëndia juaj".

Atë ditë ngrita dorën duke ju betuar atyre se do t’i nxirrja nga vendi i Egjiptit dhe do t’i çoja në një vend që kisha vëzhguar për ta ku rrjedh qumësht dhe mjaltë, lavdia e të gjitha vendeve.

Pastaj u thashë atyre: Secili të flakë gjërat e neveritshme që janë para syve të tij dhe mos u ndotni me idhujt e Egjiptit. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.

Por ata u rebeluan kundër meje dhe nuk deshën të më dëgjojnë; asnjë prej tyre nuk flaku gjërat e neveritshme që ishin para syve të tyre dhe nuk braktisi idhujt e Egjiptit. Atëherë vendosa të derdh mbi ta tërbimin tim dhe të shfryj mbi ta zemërimin tim në mes të vendit të Egjiptit.

Megjithatë veprova për hir të emrit tim, me qëllim që ai të mos përdhosej para kombeve në mes të të cilëve ata ndodheshin, në sytë e të cilëve më kishin njohur, për t’i nxjerrë nga vendi i Egjiptit.

10 Kështu i nxora nga vendi i Egjiptit dhe i çova në shkretëtirë.

11 U dhashë atyre statutet e mia dhe u bëra të njohura dekretet e mia, duke respektuar të cilat, njeriu do të jetojë për ato.

12 Gjithashtu u dhashë atyre të shtunat e mia, me qëllim që të ishin një shënjë midis meje dhe atyre, dhe që të njihnin që unë jam Zoti që i shenjtëroj.

13 Por shtëpia e Izraelit u rebelua kundër meje në shkretëtirë; nuk eci sipas statuteve të mia dhe hodhi poshtë dekretet e mia, duke respektuar të cilat njeriu do të jetojë për ato, dhe përdhosën me të madhe të shtunat e mia. Kështu unë vendosa të hedh mbi ta zemërimin tim për ti zhdukur në shkretëtirë.

14 Megjithatë unë veprova për hir të emrit tim, me qëllim që të mos përdhosej përpara kombeve, në sytë e të cilëve unë i kisha bërë të dalin nga Egjipti.

15 Ngrita madje dorën në shkretëtirë, duke u betuar se nuk do t’i bëja të hynin në vendin që u kisha dhënë atyre, ku rrjedh qumësht dhe mjaltë, lavdia e të gjitha vendeve,

16 sepse kishin hedhur poshtë dekretet e mia, nuk kishin ecur sipas statuteve të mia dhe kishin përdhosur të shtunat e mia, sepse zemra e tyre shkonte pas idhujve të tyre.

17 Megjithatë syri im i fali nga shkatërrimi dhe nuk i shfarosa krejt në shkretëtirë.

18 Pastaj u thashë bijve të tyre në shkretëtirë: "Mos ecni sipas statuteve të etërve tuaj, mos respektoni dekretet e tyre dhe mos u ndotni me idhujt e tyre.

19 Unë jam Zoti, Perëndia juaj; ecni sipas statuteve të mia, respektoni dekretet e mia dhe i vini në praktikë,

20 shenjtëroni të shtunat e mia dhe ato le të jenë një shenjë midis meje dhe jush, në mënyrë që ju të pranoni që unë jam Zoti, Perëndia juaj".

21 Por bijtë u rebeluan kundër meje; nuk ecën sipas statuteve të mia, nuk respektuan dekretet e mia për t’i vënë në jetë, duke i respektuar të cilat njeriu do të jetojë për to; përdhosën të shtunat e mia, dhe kështu vendosa të derdh mbi ta tërbimin tim dhe të shfryj mbi ta zemërimin tim në shkretëtirë.

22 Megjithatë unë e tërhoqa dorën dhe veprova për hir të emrit tim, me qëllim që ai të mos përdhosej përpara kombeve, në sytë e të cilëve i kisha nxjerrë nga Egjipti.

23 Por ngrita dorën në shkretëtirë, duke u betuar që do t’i shpërndaja midis kombeve dhe do t’i hallakatja nëpër tërë vendet,

24 Sepse nuk vinin në jetë dekretet e mia, por i hidhnin poshtë statutet e mia, përdhosnin të shtunat e mia dhe sytë e tyre ishin drejtuar te idhujt e etërve të tyre.

25 Prandaj u dhashë statute jo të mira dhe dekrete me të cilat nuk mund të jetonin;

26 dhe i molepsa me vetë dhuratat e tyre, me qenë se ata kalonin nëpër zjarr çdo të parëlindur të tyre, për t’i katandisur në shkretim të plotë me qëllim që të pranonin që unë jam Zoti.

27 Prandaj bir njeriu, foli shtëpisë së Izraelit dhe i thuaj: Kështu thotë Zoti, Zotit. Etërit tuaj më kanë fyer edhe në këtë rast, duke u sjellë pabesisht me mua:

28 mbasi i futa në vendin për të cilin kisha ngritur dorën dhe isha betuar, ata i kthyen sytë në çdo kodër të lartë dhe në çdo dru gjetheshumë dhe atje ofruan flijimet e tyre dhe paraqitën ofertat e tyre provokuese; atje vunë parfumet e tyre me erë të këndshme dhe atje derdhën libacionet e tyre.

29 Atëherë u thashë atyre: Ç’është vendi i lartë në të cilin shkoni? Kështu vazhdojnë ta quajnë "vendi i lartë" deri ditën e sotme.

30 Prandaj i thuaj shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti, Zoti: A doni të ndoteni duke ndjekur rrugën e etërve tuaj dhe të kurvëroheni me idhujt e tyre të urrejtshëm?

31 Në fakt kur ofroni dhuratat tuaja dhe kaloni nëpër zjarr bijt tuaj, ju e ndotni veten deri ditën e sotme me të gjithë idhujt tuaj. Prandaj nuk do të lejoj të konsultohem nga ju, o shtëpi e Izraelit. Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj," thotë Zoti, Zoti, "unë nuk do të lejoj të konsultohem nga ju.

32 Dhe nuk do të ndodhë aspak ajo që ju shkon ndër mend, kur thoni: "Ne jemi si kombet, si familjet e vendeve të tjera, që i ngrenë kult drurit dhe gurit"".

33 "Siç ësthe e vërtetë që unë rroj," thotë Zoti, Zoti, "unë do të mbretëroj mbi ju me dorë të fortë, me krahun e shtrirë dhe me një tërbim të shfrenuar.

34 Do t’ju nxjerr nga mesi i popujve dhe do t’ju mbledh nga vendet në të cilët jeni shpërndarë me dorë të fortë, me krahë të shtrirë dhe me tërbim të shfrenuar,

35 dhe do t’ju çoj në shkretëtirën e popujve, dhe atje do të zbatoj gjykimin tim mbi ju, ballë për ballë.

36 Ashtu siç e zbatova gjykimin tim mbi etërit tuaj në shkretëtirën e vendit të Egjiptit, kështu do ta zbatoj gjykimin tim mbi ju," thotë Zoti, Zoti.

37 "Do të bëj që të kaloni nën shufër dhe do t’ju kthej në detyrimet e besëlidhjes.

38 Do të ndaj nga ju rebelët dhe ata që janë të pabesë ndaj meje; do t’i nxjerr nga vendi ku banojnë, por nuk do të hyjnë në vendin e Izraelit; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti.

39 Ju, pra, shtëpia e Izraelit," kështu flet Zoti, Zoti: "Shkoni, u shërbeni secili idhujve tuaj; por pastaj do të më dëgjoni dhe nuk do të përdhosni më emrin tim të shenjtë me dhuratat tuaja dhe me idhujt tuaj.

40 Sepse mbi malin tim të shenjtë, mbi malin e lartë të Izraelit," thotë Zoti, Zoti, "atje tërë shtëpia e Izraelit, të gjithë ata që do të jenë në vend, do të më shërbejnë; atje do të kënaqem me ta, do të kërkoj ofertat tuaja dhe dhuratat tuaja prodhimet e hershme së bashku më të gjitha sendet tuaja të shenjtëruara.

41 Unë do të kënaqem me ju si me një parfum me erë shumë të këndshme, kur do t’ju nxjerr nga mesi i popujve dhe t’ju mbledh nga vendet ku keni qenë shpërndarë; dhe do të shenjtërohem tek ju para syve të kombeve.

42 Ju do të pranoni që unë jam Zoti, kur do t’ju çoj në tokën e Izraelit, në vendin për të cilin kisha ngritur dorën dhe isha betuar t’ia jepja etërve tuaj.

43 Atje do të kujtoni sjelljen tuaj dhe të gjitha veprimet me të cilat jeni ndotur dhe do të ndjeni neveri për veten tuaj për të gjitha ligësitë që keni kryer.

44 Kështu do të pranoni që unë jam Zoti, kur do të veproj me ju për hir të emrit tim dhe jo sipas sjelljes suaj të keqe dhe as sipas veprimeve tuaja të korruptuara, o shtëpi e Izraelit," thotë Zoti, Zoti".

45  Fjala e Zotit m’u drejtua duke thënë:

46  "Bir njeriu, kthe fytyrën nga jugu, fol hapur kundër jugut dhe profetizo kundër pyllit të fushës, Negevit,

47  dhe i thuaj pyllit të Negevit: Dëgjo fjalën e Zotit. Kështu thotë Zoti, Zoti: unë po ndez te ti një zjarr që do të gllabërojë çdo dru të blertë dhe çdo dru të thatë; flaka e zjarrtë nuk do të shuhet dhe çdo fytyrë nga veriu në jug do të digjet.

48  Çdo mish do ta shohë që unë, Zoti, e kam ndezur; nuk do të shuhet".

49  Atëherë thashë: "Ah, Zot, Zot, ata thonë për mua: "A nuk flet ky me shëmbëlltyra?"

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes