A A A A A
Bible Book List

Eksodi 31-33Albanian Bible (ALB)

31 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

"Shiko, unë e thirra me emër Betsaleelin, birin e Urit, birin e Hurit, nga fisi i Judës;

dhe e mbusha me Frymën e Perëndisë, me dituri, me zgjuarësi, me njohuri dhe çdo shkathtësi,

që të jetë i aftë të përgatisë vizatime artistike, të punojë arin, argjendin dhe bronzin,

për të gdhendur gurë për t’u ngallmuar, për të punuar drurin dhe për të kryer çdo lloj punimesh.

Dhe ja, i dhashë për shok Oholiabin, të birin e Ahisamakut, nga fisi i Danve; dhe shtiva dituri në mendjen e të gjithë njerëzve të shkathët, me qëllim që të mund të bëjnë të gjitha ato që të kam urdhëruar:

çadrën e mbledhjes, arkën e dëshmisë dhe pajtuesin që ndodhet mbi të, dhe të gjitha orenditë e çadrës,

tryezën dhe orenditë e saj, shandanin prej ari safi dhe të gjitha pjesët e tij, altarin e temjanit,

altarin e olokausteve dhe tërë veglat e tij, enën e madhe dhe bazën e saj,

10 dhe rrobat e endura hollë me mjeshtëri, rrobat e shenjta për priftin Aaron dhe rrobat e bijve të tij për të shërbyer si priftërinj,

11 vajin për vajosje dhe temjanin e parfumuar për vendin e shenjtë. Ata do të veprojnë simbas të gjithë urdhrave që të kam dhënë ty".

12 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

13 "Fol edhe me bijtë e Izraelit, duke u thënë: Tregoni kujdes të madh për të respektuar të shtunat e mia, sepse është një shenjë midis meje dhe jush për të gjithë brezat tuaj, në mënyrë që të njihni se unë jam Zoti që ju shenjtëron.

14 Do të respektoni, pra, të shtunën, sepse është për ju një ditë e shenjtë; kush e përdhos atë, do të dënohet me vdekje; kushdo që bën atë ditë ndonjë punë, do të shfaroset nga gjiri i popullit të tij.

15 Do të punohet gjashtë ditë; por dita e shtatë është e shtuna e pushimit, e shenjtë për Zotin; kushdo që do të bëjë ndonjë punë ditën e shtunë do të dënohet me vdekje.

16 Andaj bijtë e Izraelit do ta respektojnë të shtunën, duke e kremtuar atë brez pas brezi, si një besëlidhje të përjetshme.

17 Ajo është një shenjë e përjetshme midis meje dhe bijve të Izraelit, sepse në gjashtë ditë Zoti bëri qiellin dhe tokën, dhe ditën e shtatë pushoi dhe u shlodh".

18 Kur Zoti mbaroi së foluri me Moisiun në malin Sinai, i dha dy pllaka të dëshmisë, pllaka guri, të shkruara me gishtin e Perëndisë.

32 Por populli, duke parë që Moisiu po vononte të zbriste nga mali, u mblodh rreth Aaronit dhe i tha: "Hajt tani, na bëj një perëndi të shkojë para nesh, sepse sa për Moisiun, njeriun që na nxori nga vendi i Egjiptit, nuk dimë çfarë i ka ndodhur".

Aaroni iu përgjigj atyre: "Hiqni unazat prej ari që janë në veshët e grave tuaja, të bijve tuaj, dhe të bijave tuaja dhe m’i sillni mua".

Kështu tërë populli hoqi unazat prej ari që kishin në veshët dhe ia çoi Aaronit,

i cili i mori nga duart e tyre dhe, mbasi i modeloi me daltë, bëri një viç prej metali të shkrirë. Atëherë ata thanë: "O Izrael, ky është perëndia yt që të nxori nga vendi i Egjiptit!".

Kur Aaroni pa këtë, ngriti një altar përpara tij dhe vuri kasnecë që thanë: "Nesër do të jetë festë për nder të Zotit!".

Të nesërmen ata u ngritën herët, ofruan olokauste dhe çuan fli falënderimi; populli u ul për të ngrënë e për të pirë, pastaj u ngrit për të dëfryer.

Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Tani shko, zbrit, sepse populli yt, që ti nxore nga vendi i Egjiptit, është korruptuar;

u larguan shpejt, janë përdalë nga rruga që unë e kisha urdhëruar të ndiqte; bëri një viç prej metali të shkrirë, u përkul para tij, i ofroi flijime dhe tha: "O Izrael, kjo është perëndia jote që të nxori nga vendi i Egjiptit"".

Zoti i tha akoma Moisiut: "E pashë këtë popull, dhe ja, është një popull me qafë të fortë.

10 Më lër, pra, të veproj, në mënyrë që zemërimi im të ndizet kundër tyre dhe t’i konsumoj; por nga ti do të bëj një komb të madh".

11 Atëherë Moisiu e luti Zotin, Perëndinë e tij, dhe i tha: "Pse, o Zot, zemërimi yt duhet të ndizet kundër popullit tënd që e nxore nga vendi i Egjiptit me fuqi të madhe dhe me dorë të fortë?

12 Pse duhet që Egjiptasit të thonë: "Ai i nxori për t’ju bërë të keq, që të vriten mbi malet dhe për t’i shfarosur nga faqja e dheut"? Hiq dorë nga zemërimi yt i zjarrtë dhe nga qëllimi yt për t’i bërë keq popullit tënd.

13 Kujto Abrahamin, Isakun dhe Izraelin, shërbëtorë të tu, të cilëve u je betuar mbi veten tënde, duke u thënë atyre: "Unë do të shumëzoj pasardhësit tuaj si yjet e qiellit dhe do t’u jap pasardhësve tuaj tërë atë vend për të cilin të fola, dhe ata do ta zotërojnë përjetë"".

14 Kështu Zoti ndryshoi mendim lidhur me të keqen që kishte thënë se do t’i bënte popullit të tij.

15 Atëherë Moisiu u kthye dhe zbriti nga mali me dy pllakat e dëshmisë në duar, pllaka të shkruara nga të dy anët, si përpara ashtu edhe prapa.

16 Pllakat ishin vepër e Perëndisë dhe shkrimi i tyre ishte shkrimi i Perëndisë, i gdhendur mbi pllakat.

17 Por Jozueu, duke dëgjuar britmën e popullit që bërtiste, i tha Moisiut: Ka një zhurmë lufte në kampp".

18 Por ai u përgjigj: "Kjo nuk është as një britmë fitoreje, as një britmë humbjeje; britma që unë dëgjoj është e njerëzve që këndojnë".

19 Si iu afrua kampit, pa viçin dhe vallet; atëherë Moisiu u ndez nga zemërimi dhe ai i hodhi pllakat nga duart e tij dhe i theu në këmbët e malit.

20 Pastaj mori viçin që ata kishin bërë, e dogji në zjarr dhe e bëri pluhur; pastaj e përhapi pluhurin në ujë dhe ia dha për të pirë bijve të Izraelit.

21 Pastaj Moisiu i tha Aaronit: "Çfarë të ka bërë ky popull, të cilin e ke ngarkuar me një mëkat kaq të madh?".

22 Aaroni u përgjigj: "Zemërimi i zotërisë sime të mos ndizet, ti vetë e njeh këtë popull dhe e di që ai është i prirur ndaj së keqes.

23 Ata më kanë thënë: "Na bëj një perëndi që të shkojë para nesh, sepse Moisiut, njeriut që na nxori nga vendi i Egjiptit, nuk dimë se çfarë i ka ndodhur".

24 Atëherë unë u thashë atyre: "Kush ka ar të mos e mbajë me vete". Kështu ata ma dhanë mua dhe unë e hodha në zjarr, dhe na doli ky viç".

25 Kur Moisiu pa që populli ishte pa fre (dhe Aaroni e kishte lënë të shfrenohej duke e ekspozuar në turpin e armiqve të tij),

26 u ndal në hyrje të kampit dhe tha: "Kushdo që është me Zotin, le të vijë tek unë!". Dhe të gjithë bijtë e Levit u mblodhën pranë tij.

27 Dhe ai u tha atyre: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Secili prej jush të vërë shpatën në krahun e tij; kaloni dhe rikaloni nga një hyrje e kampit në tjetrën, secili të vrasë vëllanë e tij, mikun e tij, fqinjin e tij!"".

28 Bijtë e Levit bënë ashtu siç u kishte thënë Moisiu, dhe atë ditë ranë rreth tre mijë njerëz.

29 Pastaj Moisiu tha: "Shenjtërohuni sot Zotit, që ai t’ju japë një bekim, sepse secili prej jush ka qënë kundër birit të tij dhe vëllait të tij".

30 Të nesërmen Moisiu i tha popullit: "Ju keni bërë një mëkat të madh; por tani unë do të ngjitem tek Zoti; ndofta do të mund të bëj shlyerjen për mëkatin tuaj".

31 Moisiu u kthye, pra, te Zoti dhe tha: "Medet, ky popull ka kryer një mëkat të madh dhe ka bërë për vete një perëndi prej ari.

32 Megjithatë tani, të lutem, falua mëkatin e tyre; përndryshe, më fshi nga libri yt që ke shkruar!".

33 Por Zoti iu përgjegj Moisiut: "Atë që ka bërë mëkat kundër meje, atë do ta fshij nga libri im!

34 Tani shko, çoje popullin ku të kam thënë. Ja, Engjëlli im do të shkoj para teje, por ditën që do të vij për t’i dënuar, do t’i dënoj për mëkatin e tyre".

35 Kështu Zoti goditi popullin, sepse kishte bërë viçin që Aaroni kishte modeluar.

33 Zoti i tha Moisiut: "Shko, ngjitu që këtej, ti së bashku me popullin që nxore nga vendi i Egjiptit, drejt vendit, që u premtova me betim Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, duke u thënë: "Unë do t’ua jap pasardhësve të tu".

Unë do të dërgoj një Engjëll para teje dhe do t’i dëboj Kananejtë, Amorejtë, Hitejtë, Perezejtë, Hivejtë dhe Jebusejtë.

Ngjitu drejt vendit ku rrjedh qumësht dhe mjaltë, sepse unë do të ngjitem bashkë me ty, sepse je një popull me qafë të fortë, dhe nuk dua të të shfaros rrugës".

Kur populli dëgjoi këto fjalë të kobshme, ndjeu një hidhërim të thellë, dhe askush nuk vuri stolitë e tij.

Në fakt Zoti i kishte thënë Moisiut: "U thuaj bijve të Izraelit: "Ju jeni një popull me qafë të fortë; në qoftë se unë do të ngjitesha edhe për një çast të vetëm në mesin tënd, do të të konsumoja! Prandaj tani hiqi stolitë e tua dhe kështu unë do të di çfarë duhet të bëj me ty"".

Kështu bijtë e Izraelit i hoqën stolitë e tyre, që nga nisja e tyre nga mali Horeb e tutje.

Pastaj Moisiu mori çadrën dhe e ngriti jashtë kampit, larg tij dhe e quajti tenda e mbledhjes; kushdo që kërkonte Zotin, dilte drejt çadrës së mbledhjes, që ndodhej jashtë kampit.

Kur Moisiu dilte për të shkuar në çadër, tërë populli ngrihej, dhe secili rrinte më këmbë në hyrje të çadrës së vet dhe ndiqte me sy Moisiun, deri sa ai të hynte në çadër.

Dhe kur Moisiu hynte në tendë, shtylla e resë zbriste dhe ndalej në hyrje të saj, dhe Zoti fliste me Moisiun.

10 Tërë populli e shihte shtyllën e resë së ndaluar në hyrjen e çadrës; kështu tërë populli ngrihej dhe secili përkulej në hyrje të çadrës së vet.

11 Kështu Zoti fliste me Moisiun ballë për ballë, ashtu si një njeri flet me mikun e tij; pastaj Moisiu kthehej në kamp. Por Jozueu, biri i Nunit, zbatuesi i tij i ri, nuk largohej nga çadra.

12 Pastaj Moisiu i tha Zotit: "Pa shiko, ti më thua: "Bëj që ky popull të ngjitet". Por ti nuk më ke thënë cilin do të dërgosh me mua. Megjithatë ke thënë: "Unë të njoh personalisht dhe ke gjetur hir në sytë e mi".

13 Prandaj tani, që më ke me sy të mirë, më bëj të njohura rrugët e tua, që të kem mundësi të të njoh dhe të fitoj hir në sytë e tu. Merr parasysh gjithashtu se ky komb është populli yt".

14 Zoti u përgjigj: "Prania ime do të shkojë me ty, dhe unë do të të jap pushim".

15 Atëherë Moisiu i tha: "Në qoftë se prania jote nuk vjen me mua, mos na nis që këtej.

16 Si do të mund të njihet tani që unë dhe populli yt, kemi gjetur hir në sytë e tu? Ndofta kjo ndodh sepse ti vjen me ne? Kështu unë dhe populli yt do të dallohemi nga tërë popujt që jetojnë mbi faqen e dheut".

17 Zoti i tha Moisiut: "Do ta bëj edhe këtë gjë që ke kërkuar, sepse ti ke gjetur hir në sytë e mi dhe të njoh personalisht".

18 Atëherë Moisiu tha: "Tregomë lavdinë tënde!".

19 Zoti iu përgjigj: "Unë do të bëj që të kalojë para teje gjithë mirësia ime dhe do të shpall emrin e Zotit para teje. Do të fal atë që do të fal dhe do të mëshiroj atë që do të mëshiroj".

20 Dhe tha akoma: "Ti nuk mund të shikosh fytyrën time, sepse asnjë njeri nuk mund të më shikojë dhe të jetojë".

21 Pastaj Zoti tha: "Ja një vend afër meje; ti do të rrish mbi shkëmbin;

22 dhe ndërsa do të kalojë lavdia ime, unë do të të vë në një të çarë të shkëmbit dhe do të të mbuloj me dorën time, deri sa të kem kaluar;

23 pastaj do ta tërheq dorën dhe ti do të më shikosh nga kurrizi; por fytyra ime nuk mund të shihet".

Mateu 22:1-22Albanian Bible (ALB)

22 Dhe Jezusi, nisi përsëri t’u flasë atyre me shëmbëlltyra, duke thënë:

“Mbretëria e qiejve i ngjan një mbreti, i cili përgatiti dasmën e të birit.

Dhe dërgoi shërbëtorët e vet për të thirrur të ftuarit në dasmë, por ata nuk deshën të vijnë.

Dërgoi përsëri shërbëtorë të tjerë duke thënë: "U thoni të ftuarve: Ja unë e kam shtruar drekën time, viçat e mi dhe bagëtia ime e majmur janë therur dhe gjithçka është gati; ejani në dasmë".

Por ata, pa e përfillur, shkuan: dikush në arën e vet e dikush në punët e veta.

Dhe të tjerët, mbasi kapën shërbëtorët e tij, i shanë dhe i vranë.

Mbreti atëhërë, kur dëgjoi këtë, u zemërua dhe dërgoi ushtritë e veta për të shfarosur ata gjaksorë dhe dogji qytetin e tyre.

Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: "Dasma është gati, por të ftuarit nuk ishin të denjë.

Shkoni, pra, në udhëkryqe dhe ftoni në dasmë këdo që të gjeni."

10 Dhe ata shërbëtorët dolën nëpër rrugë, mblodhën të gjithë ata që gjetën, të këqij dhe të mirë, dhe vendi i dasmës u mbush me të ftuar.

11 Atëherë mbreti hyri për të parë të ftuarit dhe gjeti aty një njeri që nuk kishte veshur rrobë dasme;

12 dhe i tha: "Mik, si hyre këtu pa pasur rrobë dasme?". Dhe ai mbylli gojën.

13 Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve: "Lidheni duar dhe këmbë, kapeni dhe hidheni në errësirat e jashtme. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh".

14 Sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur.”

15 Atëherë farisenjtë u veçuan dhe bënin këshill se si ta zinin gabim në fjalë.

16 Dhe i dërguan dishepujt e tyre bashkë me herodianët, për t’i thënë: “Mësues, ne e dimë se ti je i vërtetë dhe që mëson udhën e Perëndisë në të vërtetë, pa marrë parasysh njeri, sepse ti nuk shikon pamjen e jashtme të njerëzve.

17 Na thuaj, pra: Si e mendon? A është e ligjshme t’i paguhet taksa Cezarit apo jo?.”

18 Por Jezusi, duke e njohur ligësinë e tyre, tha: “Pse më tundoni, o hipokritë?

19 Më tregoni monedhën e taksës.” Atëherë ata i treguan një denar.

20 Dhe ai u tha atyre: “E kujt është kjo fytyrë dhe ky mbishkrim?.”

21 Ata i thanë: “E Cezarit.” Atëherë ai u tha atyre: “Jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë.”

22 Dhe ata, kur e dëgjuan këtë, u mrekulluan, e lanë, dhe ikën.

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes