Add parallel Print Page Options

27 "Do të bësh edhe një altar prej druri të akacies, i gjatë pesë kubitë dhe i gjerë pesë kubitë; altari do të jetë katror dhe do të ketë tre kubitë lartësi.

Në katër qoshet e tij do të bësh brinj, që do të formojnë një tërësi me të; dhe do ta veshësh atë me bronz.

Do të bësh edhe enët e tij për të mbledhur hirin, lopatëzat e tij, legenët e tij, pirunjtë e tij dhe mangallët e tij; të gjitha veglat e tij do t’i bësh prej bronzi.

Do t’i bësh gjithashtu një grilë prej bronzi në formë rrjete dhe mbi rrjetë, në katër qoshet e tij, do të bësh katër unaza prej bronzi;

dhe do ta vësh nën kornizën e altarit, në pjesën e poshtme, në mënyrë që rrjeta të ndodhet në gjysmën e lartësisë së altarit.

Do të bësh edhe disa shufra për altarin, shufra me drurin e akacies, dhe do t’i veshësh me bronz.

Shufrat do të kalojnë nëpër unazat; dhe shufrat do të jenë në të dy anët e altarit, kur ky do të duhet të bartet.

Do ta bësh me dërrasa dhe bosh nga brenda; duhet ta bësh ashtu siç t’u tregua në mal.

Do të bësh edhe oborrin e tabernakullit; nga ana e jugut, oborri do të ketë perde prej liri të hollë të përdredhur, me një gjatësi prej njëqind kubitësh nga një anë,

10 dhe njëzet shtylla me njëzet bazat e tyre prej bronzi; grremçat e shtyllës dhe shtizat e tyre do të jenë prej argjendi.

11 Kështu edhe në gjatësinë nga ana e veriut, do të ketë perde me një gjatësi prej njëqind kubitësh, me njëzet shtylla dhe njëzet bazat e tyre prej bronzi; grremçat e shtyllave do të jenë prej argjendi.

12 Dhe për gjerësinë e oborrit nga ana e perëndimit, do të ketë pesëdhjetë kubitë perdesh me dhjetë shtyllat dhe dhjetë bazat e tyre.

13 Nga ana lindore gjerësia e oborrit do të jetë gjithashtu pesëdhjetë kubitë.

14 Nga një anë e portës së hyrjes do të ketë pesëmbëdhjetë kubitë perde, me tri shtyllat dhe tri bazat e tyre;

15 dhe nga ana tjetër do të ketë gjithashtu pesëmbëdhjetë kubitë perde me tri shtyllat dhe tri bazat e tyre.

16 Për portën e hyrjes në oborr do të ketë një perde prej njëzet kubitësh, me fill ngjyrë vjollce, të purpurt, flakë të kuqe dhe prej liri të hollë të përdredhur, punë e një qëndistari, me katër shtyllat dhe katër bazat e tyre.

17 Tërë shtyllat rreth oborrit do të bashkohen me shtiza argjendi; grremçat e tyre do të jenë prej argjendi dhe bazat e tyre prej bronzi.

18 Gjatësia e oborrit do të jetë njëqind kubitë, gjerësia pesëdhjetë kubitë dhe lartësia pesë kubitë, me perde prej liri të hollë të përdredhur dhe me bazat prej bronzi.

19 Të gjitha veglat e caktuara për shërbimin e tabernakullit, tërë kunjat e tij dhe tërë kunjat e oborrit do të jenë prej bronzi.

20 Do të urdhërosh bijtë e Izraelit që të sjellin vaj ulliri safi prej ullinjsh të shtypur, për dritën e shandanit për t’i mbajtur vazhdimisht të ndezura llambat.

21 Në çadrën e mbledhjes, jashtë velit që ndodhet përpara dëshmisë, Aaroni dhe bijtë e tij do t’i mbajnë llambat të ndezura, në mënyrë që të digjen nga mbrëmja deri në mëngjes para Zotit. Kjo do të jetë një rregull e përhershme midis bijve të Izraelit për të gjithë brezat e ardhshëm".

28 "Pastaj afro pranë vetes sate Aaronin, tët vëlla, dhe bijtë e tij së bashku me të, nga gjiri i bijve të Izraelit, që të më shërbejnë mua si prift; e kam fjalën për Aaronin, Nadabin, Eleazarin dhe Ithamarin, bij të Aaronit.

Dhe do t’i bësh Aaronit, vëllait tënd, rroba të shenjta, për t’i dhënë nder e hijeshi.

Do të flasësh me të gjithë personat e aftë, që i kam mbushur me frymën e diturisë, dhe ata t’i bëjnë rrobat e Aaronit për ta shenjtëruar, me qëllim që të më shërbejnë mua si prift.

Dhe këto janë rrobat që do të bëjnë: një pektoral, një efod, një mantel, një tunikë e thurur me shtiza, një çallmë dhe një brez. Do të bëjnë, pra, rroba të shenjta për Aaronin, vëllanë tënd dhe për bijtë e tij, me qëllim që të më shërbejnë mua si prift;

ata do të përdorin ar dhe fill ngjyrë vjollce, të purpurt, flakë të kuqe dhe li të hollë.

Do ta bësh efodin me ar dhe fill ngjyrë vjollce, të purpurt, të kuqe flakë si dhe me fill liri të hollë dhe të përdredhur, të punuar artistikisht.

Në dy skajet e tij do të ketë të lidhura dy supore, me qëllim që të mbahet si një e tërë.

Brezi i punuar artistikisht, që ndodhet mbi efodin, do të ketë po atë punë të efodit: prej ari dhe me fije ngjyrë vjollce, të purpurt, me flakë të kuqe dhe prej liri të hollë të përdredhur.

Pastaj do të marrësh dy gurë oniksi dhe do të gdhendësh mbi ta emrat e bijve të Izraelit:

10 gjashtë nga emrat e tyre mbi një gur dhe gjashtë emrat e tjerë mbi gurin tjetër, sipas radhës së tyre të lindjes.

11 Do të gdhendësh mbi këta gurë emrat e bijve të Izraelit ashtu siç bën prerësi i gurit në gdhendjen e një vule; do t’i futësh në rrathë ari.

12 Do t’i vësh të dy gurët mbi supet e efodit, si gurë kujtimore për bijtë e Izraelit; dhe Aaroni do t’i çojë emrat e tyre si një kujtim para Zotit mbi dy shtyllat e tij.

13 Do të bësh gjithashtu rrathë ari

14 dhe dy zinxhirë prej ari safi, të thurur si një litar, dhe do të vësh në rrathët zinxhirët e thurur në këtë mënyrë.

15 Do të bësh gjithashtu pektoralin e gjykimit, të punuar në mënyrë artistike; do ta bësh punën si për efodin: prej ari, me fill ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, si dhe me li të hollë të përdredhur.

16 Do të jetë katror dhe i palosur më dysh; do të jetë një pëllëmbë i gjatë dhe një pëllëmbë i gjerë.

17 Dhe do të ngallmosh katër radhë gurësh: në radhën e parë një sardonio, një topaz dhe një smerald;

18 në radhën e dytë: një bruz, një safir dhe një diamant;

19 në radhën e tretë: një hiacint, një agat dhe një ametist;

20 në radhën e katërt: një grisolist, një oniks dhe një diaspër. Këta gurë do të ngallmohen në rrathët e tyre të artë.

21 Dhe gurët do t’u korrespondojnë emrave të bijve të Izraelit: dymbëdhjetë, simbas emrave të tyre, të gdhendur si vula, secila me emrin e fiseve të Izraelit.

22 Do të bësh gjithashtu mbi pektoral zinxhirë të vegjël prej ari safi të thurur si kordonë.

23 Pastaj do të bësh mbi pektoral dyj unaza prej ari, dhe do t’i vësh të dy unazat në dy skajet e pektoralit.

24 Pastaj do t’i fiksosh dy kordonat prej ari në dy unazat në skajet e pektoralit;

25 dhe dy majat e tjera të dy kordonëve do t’i lidhësh me të dy rrathët dhe do t’i vendosësh mbi dy supet e efodit, nga përpara.

26 Do të bësh edhe dy unaza ari dhe do t’i vendosësh në dy skajet e pektoralit, mbi palën e tij, që ndodhet në pjesën e brendshme të efodit.

27 Do të bësh dy unaza të tjera ari dhe do t’i vendosësh mbi të dy supet e efodit poshtë, në pjesën e përparme pranë pikës së bashkimit, mbi brezin e punuar artistikisht të efodit.

28 Dhe pektorali do të fiksohet me anë të dy unazave të tij në unazat e efodit me një kordon ngjyrë vjollce, në mënyrë që pektorali të ndodhet mbi brezin e punuar artistikisht të efodit dhe të mos shkëputet dot prej këtij të fundit.

29 Kështu Aaroni do t’i çojë emrat e bijve të Izraelit të skalitur në pektoralin e gjykimit, mbi zemrën e tij, kur do të hyjë në shenjtërore, në kujtim të përjetshëm përpara Zotit.

30 Do të vësh mbi pektoralin e gjykimit Urim-in dhe Thumim-in; dhe do të jenë mbi zemrën e Aaronit kur të paraqitet përpara Zotit. Kështu Aaroni do të çojë gjykimin e bijve të Izraelit mbi zemrën e tij para Zotit, vazhdimisht.

31 Do të bësh edhe mantelin e efodit, krejt në ngjyrë vjollce.

32 Në mes të tij do të ketë një hapje për të kaluar kokën; rreth e qark kësaj hapjeje do të ketë një buzë prej stofi të punuar, si hapja e një parzmoreje, me qëllim që të mos shqyhet.

33 Rreth e qark kësaj buze të mantelit do të bësh disa shegë ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, dhe rreth tyre, zile ari;

34 një zile ari dhe një shegë, një zile ari dhe një shegë, rreth e qark, mbi buzën e mantelit.

35 Aaroni do ta përdorë për të kryer shërbimin; dhe tingulli i saj do të dëgjohet kur të hyjë në vendin e shenjtë përpara Zotit dhe kur të dalë andej, me qëllim që ai të mos vdesë.

36 Do të bësh edhe një pllakë prej ari safi dhe mbi të do të gdhendësh, ashtu siç bëhet mbi një vulë, fjalët: SHENJTÉRI ZOTIT.

37 Do t’i lidhësh asaj një rrip ngjyrë vjollce, për ta bashkuar me çallmën; ajo duhet të ndodhet në pjesën e përparme të çallmës.

38 Kështu do të qëndrojnë mbi ballin e Aaronit, dhe Aaroni do të mbajë fajin të shoqëruar me gjërat e shenjta të paraqitura nga bijtë e Izraelit, në çdo lloj ofertash të shenjta; ajo do të rrijë vazhdimisht mbi ballin e tij, në mënyrë që ato të jenë të mirëpritura nga Zoti.

39 Do të endësh gjithashtu tunikën prej liri të hollë, të punuar me shtiza; do të bësh një çallmë prej liri të hollë dhe një brez, një punë qëndistari.

40 Për bijtë e Aaronit do të bësh disa tunika, breza dhe mbulesa koke, me qëllim që t’u japësh atyre nder dhe hijeshi.

41 Me ato do të veshësh më vonë vëllanë tënd Aaronin dhe bijtë e tij bashkë me të; ti do t’i vajosësh, do t’i shugurosh dhe do t’i shenjtërosh, që të më shërbejnë si priftërinj.

42 Do t’u bësh gjithashtu disa pantallona prej liri për të mbuluar lakuriqësinë e tyre; ato do të shkojnë nga ijët deri te kofshët.

43 Aaroni dhe bijtë e tij do t’i veshin kur të hyjnë në çadrën e mbledhjeve, ose kur t’i afrohen altarit për të bërë shërbimin në vendin e shenjtë, me qëllim që mos bëhen fajtorë dhe të mos vdesin. Ky është një statut i përjetshëm për të dhe për trashëgimtarët e tij".

21 Kur iu afruan Jeruzalemit dhe arritën në Betfage, afër malit të Ullinjve, Jezusi dërgoi dy dishepuj,

duke u thënë atyre: “Shkoni në fshatin që ndodhet përballë jush; aty do të gjeni menjëherë një gomare të lidhur dhe një pulishtë me të; zgjidhini dhe m’i sillni!

Dhe nëse dikush ju thotë gjë, i thoni se Zoti ka nevojë për to, por do t’i kthejë shpejt.”

Tani kjo ndodhi për të përmbushur ç’ishtë thënë nga profeti, që thotë:

“I thoni bijës së Sionit: Ja po të vjen mbreti yt, zemërbutë, hipur mbi një gomare, madje një pulishtë, pjellë e një kafshe barrë.”

Dishepujt shkuan dhe vepruan ashtu si i kishte urdhëruar Jezusi.

Sollën gomaren dhe pulishtin, shtruan mbi to mantelet e tyre, dhe ai u hipi.

Dhe një turmë shumë e madhe shtronte mantelet e veta gjatë rrugës, ndërsa të tjerë thyenin degë nga pemët dhe i shtronin mbi rrugë.

Turmat që vinin përpara dhe ato që e ndiqnin brohoritnin, duke thënë: “Hosana Birit të Davidit! Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! Hosana në vendet shumë të larta!.”

10 Dhe kur hyri Jezusi në Jeruzalem, gjithë qyteti u ngrit në këmbë dhe tha: “Kush është ky?.”

11 Dhe turmat thonin: “Ky është Jezusi, profeti nga Nazareti i Galilesë.

12 Pastaj Jezusi hyri në tempullin e Perëndisë, i dëboi të gjithë ata që shisnin dhe blinin në tempull dhe përmbysi tryezat e këmbyesve të parave dhe ndenjëset e shitësve të pëllumbave.

13 Dhe u tha atyre: “Éshtë shkruar: "Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutje," por ju e keni kthyer në një shpellë kusarësh.”

14 Atëherë iu paraqitën të verbër dhe të çalë, dhe ai i shëroi.

15 Por krerët e priftërinjve dhe skribët, kur panë mrekullitë që ai kishte bërë dhe fëmijët që brohoritnin në tempull duke thënë: “Hosana Birit të Davidit!,” u zemëruan,

16 dhe i thanë: “A po dëgjon ti çfarë thonë këta?.” Jezusi u tha atyre: “Po! A nuk keni lexuar kurrë: "Nga goja e të vegjëlve dhe të foshnjave në gji ti ke përgatitur lavdi"?.”

17 Dhe, mbasi i la ata, doli nga qyteti për në Betani, dhe atje kaloi natën.

18 Në mëngjes, kur po kthehej në qytet e mori uria.

19 Dhe gjatë rrugës pa një fik dhe iu afrua, por nuk gjeti asgjë përveç gjetheve; dhe i tha: “Mos u lidhtë më kurrë fryt prej teje përjetë!.” Dhe fiku u tha menjëherë.

20 Kur e panë këtë, dishepujt u çuditën dhe thanë: “Qysh u tha fiku në çast?.”

21 Dhe Jezusi duke u përgjigjur u tha atyre: “Në të vërtetë ju them që, po të keni besim dhe të mos dyshoni, do të bëni jo vetëm atë që unë i bëra fikut, por, edhe sikur t’i thoni këtij mali: "Hiqu andej dhe hidhu në det," kjo do të ndodhë.

22 Dhe gjithçka të kërkoni në lutje, duke patur besim, do të merrni.”

Read full chapter