A A A A A
Bible Book List

Ester 1-2 Albanian Bible (ALB)

Në kohën e Asueros, (ai Asuero që mbretëronte nga Indija deri në Etiopi mbi njëqind e njëzet e shtatë krahina),

në atë kohë, kur mbreti Asuero rrinte në fronin e mbretërisë së tij që ishte në kështjellën e Suzës,

në vitin e tretë të mbretërimit të tij shtroi një banket për të gjithë princat dhe shërbëtorët e tij; komandantët e ushtrisë së Persisë dhe të Medisë, fisnikët dhe princat e krahinave u mblodhën para tij.

Atëherë ai tregoi pasuritë dhe lavdinë e mbretërisë së tij, madhështinë dhe epërsinë e saj për shumë ditë, njëqind e tetëdhjetë ditë.

Mbasi kaluan këto ditë, mbreti shtroi një banket tjetër prej shtatë ditësh, në oborrin e kopshtit të pallatit mbretëror, për tërë popullin që ndodhej në kështjellën e Suzës, nga më i madhi deri te më i vogli.

Kishte çadra të bardha dhe ngjyrë vjollce, që vareshin me kordonë të kuq flakë në unaza prej argjendi dhe në shtylla prej mermeri. Kishte divanë prej ari dhe prej argjendi mbi një dysheme prej mermeri të kuq dhe të bardhë, prej sedefi dhe alabastri.

Jepej për të pirë në enë ari, njëra e ndryshme nga tjetra, dhe kishte verë mbretërore me shumicë për hir të bujarisë së mbretit.

Në bazë të ligjit, askush nuk ishte i detyruar të pinte; në fakt mbreti kishte udhëruar tërë funksionarët e shtëpisë së tij t’i shërbenin secilit atë që dëshironte.

Edhe mbretëresha Vashti shtroi një banket për gratë në pallatin e mbretit Asuero.

10 Ditën e shtatë, kur zemra e mbretit ishte e gëzuar për shkak të verës, ai urdhëroi Mehumanin, Bizthan, Harbonan, Bigthan, Abagthan, Zetharin dhe Karkasin, të shtatë eunukët që shërbënin në prani të mbretit Asuero,

11 të sillnin para mbretit mbretëreshën Vashti me kurorën mbretërore, për t’i treguar popullit dhe princave bukurinë e saj; në të vërtetë ajo kishte një pamje të hijshme.

12 Por mbretëresha Vashti nuk pranoi të vinte sipas urdhrit të mbretit që iu njoftua me anë të eunukëve; mbreti u pezmatua shumë dhe zemërimi i tij i ziente përbrenda.

13 Atëherë mbreti pyeti dijetarët që njihnin kohërat (kjo ishte në fakt mënyra e veprimit të mbretit me gjithë ata që njihnin ligjin dhe drejtësinë;

14 me të afërt për të ishin Karshena, Shethari, Admatha, Tarshishi, Meresi, Marsena dhe Memukani, shtatë princa të Persisë dhe të Medisë që pranoheshin të rrinin para mbretit dhe zinin postet e para në mbretëri):

15 "Simbas ligjit çfarë duhet t’i bëhet mbretëreshës Vashti, që nuk zbatoi urdhrin e mbretit Asuero që iu transmetua me anë të eunukëve?".

16 Memukami u përgjigj para mbretit dhe princave: "Mbretëresha Vashti nuk ka vepruar drejt vetëm ndaj mbretit, por edhe ndaj gjithë princave dhe tërë popujve që janë në të gjitha krahinat e mbretit Asuero.

17 Sjellja e mbretëreshës do të merret vesh nga të gjitha gratë që do të nxiten të përçmojnë burrat e tyre dhe të thonë: "Mbreti Asuero kishte urdhëruar që të sillnin para tij mbretëreshën Vashti, por ajo nuk i vajti".

18 Madje që sot princeshat e Persisë dhe të Medisë që kanë marrë vesh sjelljen e mbretëreshës, do t’u flasin gjithë princave të mbretit dhe nga kjo do të lindë shumë përçmim dhe zemërim.

19 Në qoftë se mbretit i duket me vend, le të nxjerrë ai një udhëresë mbretërore që të përfshihet në ligjet e Persisë dhe të Medisë dhe të jetë e parevokueshme, në bazë të së cilës Vashti të mos dalë më në prani të mbretit Asuero; mbreti ti japë pastaj pozitën e saj mbretërore një tjetre më të mirë se ajo.

20 Kur urdhëresa e nxjerrë nga mbreti do të njoftohet në tërë mbretërinë e tij, që është e gjerë, tërë gratë do të nderojnë bashkëshortët e tyre, nga më i madhi deri te më i vogli".

21 Ky propozim i pëlqeu mbretit dhe princave, dhe mbreti bëri ashtu si kishte thënë Memukani;

22 dërgoi letra në të gjitha krahinat e mbretërisë, çdo krahine sipas shkrimit të saj dhe, çdo populli sipas gjuhës së tij, në mënyrë që çdo burrë të ishte zot në shtëpinë e tij dhe të fliste gjuhën e popullit të tij.

Mbas këtyre ngjarjeve, kur zemërimi i mbretit Asuero u qetësua, atij iu kujtua Vashti, atë që kishte bërë ajo dhe çfarë kishte vendosur lidhur me të.

Atëherë shërbëtorët e mbretit që ishin në shërbim të tij i thanë: "Të kërkohen për mbretin vajza të virgjëra dhe të hijshme;

mbreti le të caktojë në tërë krahinat e mbretërisë së tij komisarë, të cilët të mbledhin tërë vajzat e virgjëra të hijshme në qytetin e Suzës, në shtëpinë e grave nën mbikqyrjen e Hegait, eunukut të mbretit dhe rojtar i grave, që do t’u japë atyre melhemet për t’u pastruar.

Vajza që do t’i pëlqejë mbretit të bëhet mbretëreshë në vend të Vashtit". Ky propozim u pëlqye nga mbreti dhe kështu u veprua.

Në qytetin e Suzës ishte një jude i quajtur Mardoke, bir i Jairit, bir i Shimeit, bir i Kishit, një Beniaminit,

që e kishin internuar nga Jeruzalemi bashkë me mërgimtarët e sjellë në robëri me Jekoniahun, mbretin e Judës, nga Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë.

Ai e kishte rritur Hadasahun, domethënë Esterin, bijën e ungjit të tij, sepse ajo nuk kishte as baba as nënë. Vajza ishte e hijshme dhe kishte trup të bukur; pas vdekjes së atit dhe të nënes së saj, Mardokeu e mori si bijën e tij.

Kur urdhëri i mbretit dhe dekreti i tij u përhapën, dhe shumë vajza u mblodhën në qytetin e Suzës nën mbikqyrjen e Hegait, edhe Esterin e çuan në pallatin e mbretit nën mbikëqyrjen e Hegait, rojtarit të grave.

Vajza i pëlqeu dhe fitoi simpatinë e tij; kështu ai u shpejtua t’i japë melhemet për pastrimin dhe ushqimin e saj; i dha gjithashtu shtatë vajza të reja të zgjedhura në pallatin e mbretit dhe e zhvendosi bashkë me to në apartamentin më të mirë të shtëpisë së grave.

10 Esteri nuk kishte treguar asgjë as për popullin e saj as për vendin e prejardhjes së saj, sepse Mardokeu e kishte urdhëruar të mos tregonte.

11 Çdo ditë Mardokeu shëtiste përpara oborrit të shtëpisë së grave për të marrë vesh si ishte Esteri dhe ç’po bëhej me të.

12 Kur i vinte radha çdo vajzë të hynte te mbreti Asuero, mbasi kishte bërë dymbëdhjetë muaj përgatitjesh, sipas rregulloreve të grave, sepse kështu plotësoheshin ditët e pastrimit të tyre; gjashtë muaj për t’u lyer me vaj të mirrës dhe gjashtë muaj me aroma dhe melheme të grave për t’u pastruar,

13 vajza shkonte te mbreti; i lejohej të merrte me vete nga shtëpia e grave në pallatin e mbretit tërë ato që donte.

14 Atje ajo shkonte në mbrëmje dhe të nesërmen në mëngjes kalonte në shtëpinë e dytë të grave, nën mbikëqyrjen e Shaashgazit, eunukut të mbretit dhe rojtar i konkubinave. Ajo nuk kthehej më te mbreti, veçse po ta kërkonte mbreti dhe ta thërrisnin me emër.

15 Kur i erdhi radha për të shkuar te mbreti Esterit, bijës së Abihailit, ungji i Mardokeut, që e kishte marrë me vete si bijën e tij, ajo nuk kërkoi asgjë veç asaj që i tregoi Hegai, eunuku i mbretit, rojtari i grave. Dhe Esteri fitoi simpatinë e të gjithë atyre që e shihnin.

16 Esterin e çuan te mbreti Asuero në pallatin e tij mbretëror muajin e dhjetë, domethënë në muajin e Tebethit, në vitin e shtatë të mbretërimit të tij.

17 Mbreti e dashuroi Esterin më tepër se gjithë gratë e tjera, dhe ajo gjeti hir dhe mirëdashje në sytë e tij më tepër se tërë vajzat e tjera. Kështu ai i vuri mbi kokë kurorën mbretërore dhe e bëri mbretëreshë në vend të Vashtit.

18 Pastaj mbreti shtroi një banket të madh për tërë princat dhe shërbëtorët e tij, banketin e Esterit; përveç kësaj ai u dha një ditë pushimi krahinave dhe bëri dhurata me bujari mbretërore.

19 Kur vajzat u mblodhën herën e dytë, Mardokeu rrinte ulur te porta e mbretit.

20 Esteri, sipas urdhrit që Mardokeu i kishte dhënë, nuk kishte treguar asgjë as për vendin e prejardhjes së saj, as për popullin e saj. Në të vërtetë Esteri zbatonte urdhërat e Mardokeut, ashtu si në kohën kur ishte nën kujdestarinë e tij.

21 Në ato ditë, ndërsa Mardokeu rrinte ulur te porta e mbretit, Bigtani dhe Tereshi, dy eunukë të mbretit dhe rojtarë të pragut, u zemëruan dhe kërkuan të shtrinin dorën kundër mbretit Asuero.

22 I njoftuar për këtë gjë, Mardokeu lajmëroi mbretëreshën Ester, dhe Esteri informoi mbretin në emër të Mardokeut.

23 U bënë hetime dhe u provua se gjëja ishte e vërtetë, të dy eunukët u varën në trekëmbësh; pastaj kjo ngjarje u regjistrua në librin e Kronikave, në prani të mbretit.

Veprat e Apostujve 5:1-21 Albanian Bible (ALB)

Kurse një farë burri, me emër Anania, me gruan e vet Safira, shiti një arë,

por mbajti për vete një pjesë të parave, me miratimin e gruas, dhe e çoi mbetjen te këmbët e apostujve.

Por Pjetri i tha: “Anania, pse Satani ta mbushi zemrën që të gënjesh Frymën e Shenjtë dhe të mbash një pjesë të çmimit të arës?

Po të mbetej e pashitur, a nuk do të ngelte e jotja? Dhe ato që more nga shitja a nuk ishin vallë në dispozicionin tënd? Pse e shtive në zemër këtë gjë? Ti nuk ke gënjyer njerëzit, por Perëndinë!.”

Kur i dëgjoi këto fjalë, Anania ra përtokë dhe dha shpirt. Dhe një frikë e madhe i zuri të gjithë ata që i dëgjuan këto gjëra.

Atëherë u ngritën disa të rinj, e mbështollën, e mbartën jashtë dhe e varrosën.

Dhe afërsisht tre orë më vonë hyri dhe gruaja e tij, e cila nuk dinte ç’kishte ndodhur.

Dhe Pjetri i drejtoi fjalën, duke thënë: “Më thuaj, a e shitët arën për kaq?.” Dhe ajo u përgjigj: “Po, për aq.”

Atëherë Pjetri i tha: “Pse u morët vesh që ta tundoni Frymën e Zotit? Ja, këmbët e atyre që e varrosën burrin tënd janë në prag të derës dhe do të të mbartin jashtë edhe ty!.”

10 Në moment ajo ra te këmbët e tij dhe dha shpirt. Dhe të rinjtë, si hynë, e gjetën të vdekur, e mbartën jashtë dhe e varrosën pranë burrit të saj.

11 Kështu një frikë e madhe e zuri gjithë kishën dhe gjithë ata që i dëgjonin këto gjëra.

12 Dhe shumë shenja dhe mrekulli bëheshin në mes të popullit nëpërmjet duarve të apostujve. Të gjithë me një mendje të vetme mblidheshin nën portikun e Salomonit.

13 Dhe asnjeri nga të tjerët nuk guxonte të bashkohej me ta; por populli i lartësonte.

14 Kështu Zotit i shtohej një numër gjithnjë e më i madh besimtarësh, turma burrash dhe grash,

15 aq sa i binin të sëmurët në sheshe, i vinin në shtretër e në shtroja, që kur kalonte Pjetri, të paktën hija e tij të mbulonte ndonjë nga ata.

16 Edhe një turmë nga qytetet përreth turrej në Jeruzalem, duke sjellë të sëmurët dhe ata që mundoheshin nga frymëra të ndyra dhe të gjithë shëroheshin.

17 Atëherë u ngritën kryeprifti dhe të gjithë ata që ishin me të, domethënë sekti i saducenjve, plot smirë,

18 dhe vunë dorë mbi apostujt dhe i futën në burgun publik.

19 Por një engjëll i Zotit, natën, i hapi dyert e burgut dhe, si i nxori jashtë, tha:

20 “Shkoni, paraqituni në tempull dhe i shpallni popullit të gjitha fjalët e kësaj jete.”

21 Dhe ata, si i dëgjuan këto, hynë në tempull kur zbardhte dita dhe mësonin. Por kryeprifti dhe ata që ishin me të, erdhën dhe thirrën bashkë sinedrin dhe të gjithë pleqtë e bijve të Izraelit; pastaj dërguan rojet në burg për t’i sjellë apostujt.

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes