Add parallel Print Page Options

Në vitin e tretë të mbretërimit të mbretit Belshatsar, unë, Danieli, pata një vegim, pas atij që pata në fillim të mbretërimit.

Pashë në vegim dhe, ndërsa po shikoja, më ndodhi të gjëndesha në qytezën e Suzas, që është në krahinën e Elamit; nga vegimi e kuptova që isha pranë lumit Ulai.

Ngrita sytë dhe shikova, dhe ja, pranë lumit pashë më këmbë një dash me dy brirë; të dy brirët ishin të lartë, por njëri ishte më i lartë se tjetri, megjithëse më i larti kishte dalë i fundit.

Pashë dashin që godiste kundrejt perëndimit, drejt veriut dhe drejt jugut; asnjë kafshë nuk mund t’i rezistonte, askush nuk mund të çlirohej nga pushteti i tij; kështu ai bëri atë që desh dhe u bë i madh.

Ndërsa kisha parasysh këtë, ja, ku po vinte nga perëndimi një cjap, që përshkonte tërë sipërfaqen e dheut pa e prekur tokën; cjapi kishte një bri të madh midis syve të vet.

Arriti deri te dashi me dy brirë që kisha parë më këmbë përpara lumit, dhe iu hodh kundër me furinë e forcës së tij.

E pashë të afrohet dhe të zemërohet kundër tij; pastaj i ra me bri dashit dhe copëtoi dy brirët e tij, ndërsa dashi nuk kishte fuqi për t’i rezistuar; kështu e hodhi për tokë dhe askush nuk mundi ta çlirojë dashin nga pushteti i këtij.

Cjapi u bë shumë i madh; por, kur u bë i fuqishëm, briri i tij i madh u thye; në vend të tij dolën katër brirë të mëdhenj, që drejtoheshin drejt katër erërave të qiellit.

Nga një prej tyre doli një bri i vogël, që u bë shumë i madh në drejtim të jugut, të lindjes dhe të vendit të lavdishëm.

10 U rrit deri sa arriti ushtrinë e qiellit, bëri të bjerë për tokë një pjesë e ushtrisë dhe e yjeve dhe i shkeli.

11 U ngrit madje deri te komandanti i ushtrisë, i hoqi flijimin e vazhdueshëm dhe vendi i shenjtërores së tij u shemb.

12 Ushtria iu la në dorë bashkë me flijimin e vazhdueshëm, për shkak të shkeljes; ai hodhi për tokë të vërtetën; bëri tërë këto gjëra dhe i shkoi mbarë.

13 Pastaj dëgjova një të shenjtë që fliste, dhe një i shenjtë tjetër i tha atij që fliste: "Deri kur do të vazhdojë ky vegim: ndalimi i flijimit të përditshëm, shkretimi për shkak të paudhësisë, shenjtërorja dhe ushtria të shkelur?"

14 Ai më tha: "Deri dymijë e treqind ditë; pastaj shenjtërorja do të pastrohet".

15 Tani, ndërsa unë, Danieli, e kisha parasysh vegimin dhe përpiqesha ta kuptoja, ja ku po rri para meje dikush që ka pamje burri.

16 Dëgjova pastaj në mes të lumit Ulai zërin e një burri, që bërtiste dhe thoshte: "Gabriel, shpjegoja këtij vegimin".

17 Ai iu afrua vendit ku ndodhesha unë dhe, kur arriti, unë pata frikë dhe rashë me fytyrë. Por ai më tha: "Kuptoje mirë, o bir njeriu, sepse ky vegim ka të bëjë me kohën e fundit".

18 Ndërsa ai fliste me mua, unë rashë në një gjumë të rëndë me fytyrë për tokë, por ai më preku dhe më bëri të ngrihem më këmbë në vendin ku ndodhesha.

19 Dhe tha: "Ja, unë do të të tregoj atë që ka për të ndodhur në kohën e fundit të indinjatës, sepse ka të bëjë me kohën e caktuar të fundit.

20 Dashi me dy brirë, që ti ke parë, përfaqëson mbretërit e Medisë dhe të Persisë.

21 Cjapi leshtor është mbreti i Javanit; dhe briri i madh që ishte në mes të syve të tij është mbreti i parë.

22 Briri i thyer dhe katër brirët që dolën në vend të tij janë katër mbretëri që do të dalin nga ky komb, por jo me të njëjtën fuqi të tij.

23 Në fund të mbretërisë së tyre, kur rebelët do ta kenë mbushur kupën, do të dalë një mbret me pamje të egër dhe i rrahur në dredhitë luftarake.

24 Fuqia e tij do të rritet, por jo për shkak të forcës së tij; do të bëjë shkatërrime të habitshme, do të ketë sukses në ndërmarrjet e tij dhe do të shkatërrojë të fuqishmit dhe popullin e shenjtorëve.

25 Për shkak të dinakërisë së tij do shtohet mashtrimi në duart e tij; do të krenohet në zemër te vet dhe do të shkatërrojë shumë njerëz që janë në siguri; do të ngrihet kundër princit të princave, por do të thyhet jo nga dorë njeriu.

26 Vegimi i mbrëmjeve dhe i mëngjeseve, për të cilin është folur, është i vërtetë. Ti e mban sekret vegimin, sepse ka të bëjë me gjëra që do të ndodhin mbas shumë kohe".

27 Dhe unë, Danieli, e ndjeva veten të sfilitur dhe qeshë i sëmurë disa ditë; pastaj u ngrita dhe u interesova për punët e mbretit. Unë isha i tronditur nga vegimi, por askush nuk e vuri re.

Në vitin e parë të Darit, birit të Asueros, nga fisi i Mediasve, i cili u bë mbret i Kaldeasve,

në vitin e parë të mbretërimit të tij, unë, Danieli, kuptova nga librat numrin e viteve në të cilët, sipas fjalës të Zotit që i ishte drejtuar Jeremias duhet të kryheshin shkretimet e Jeruzalemit, domethënë shtatëdhjetë vjet.

E ktheva, pra, fytyrën time drejt Zotit Perëndi, duke e kërkuar me lutje e stërlutje, me agjërim, me thesin dhe me hirin.

Kështu bëra lutjen time dhe rrëfimin tim Zotit, Perëndisë tim, duke thënë: "O Zot, Perëndi i madh dhe i tmerrshëm, që e ruan besëlidhjen tënde dhe dhembshurinë tënde me ata që të duan dhe respektojnë urdhërimet e tua,

ne kemi mëkatuar dhe kemi vepruar në mënyrë të çoroditur, kemi qenë të këqij dhe u rebeluam, duke u larguar nga urdhërimet e tua dhe nga dekretet e tua.

Nuk kemi dëgjuar profetët, shërbëtorët e tu, që u kanë folur në emrin tënd mbretërve tanë, krerëve tanë, etërve tanë dhe tërë popullit të vendit.

O Zot, ty të përket drejtësia, por neve turpi i fytyrës ashtu si po ndodh pikërisht sot me burrat e Judës, me banorët e Jeruzalemit dhe me gjithë Izraelin, me ata që janë afër dhe me ata që janë larg, në të tëra vendet ku i ke shpërndarë, për shkak të pabesisë që kanë kryer kundër teje.

O Zot, turpi i fytyrës është për ne, për mbretërit tanë, për krerët tanë dhe për etërit tanë, sepse kemi mëkatuar kundër teje.

Zotit, Perëndisë tonë, i përkasin mëshira dhe ndjesa, sepse jemi rebeluar kundër tij,

10 dhe nuk kemi dëgjuar zërin e Zotit, Perëndisë tonë, për të ecur sipas ligjeve të tij, që na kishte vënë përpara me anë të shërbëtorëve të tij, profetëve.

11 Po, tërë Izraeli ka shkelur ligjin tënd, ka marrë rrugë të keqe për të mos iu bindur zërit tënd; prandaj ra mbi ne mallkimi dhe nëma e shkruar në ligjin e Moisiut, shërbëtorit të Perëndisë, sepse kemi mëkatuar kundër tij.

12 Kështu ai i bëri realitet fjalët e tij që kishte shqiptuar kundër nesh dhe kundër gjyqtarëve tanë që na kanë qeverisur, duke prurë mbi ne një mjerim të madh, sepse nën tërë qiellin nuk është bërë kurrë diçka që të ngjajë me atë që ka ndodhur në Jeruzalem.

13 Siç është shkruar në ligjin e Moisiut, tërë kjo fatkeqësi na ra mbi kurriz; megjithatë nuk i jemi drejtuar Zotit, Perëndisë tonë, të na kthejë nga paudhësia jonë dhe të kujdesemi për të vërtetën tënde.

14 Prandaj Zoti ka ruajtur rezervë këtë fatkeqësi dhe bëri që të bjerë mbi ne, sepse Zoti, Perëndia ynë, është i drejtë në të gjitha gjërat që bën, ndërsa ne nuk i jemi bindur zërit të tij.

15 Dhe tani, o Zoti, Perëndia ynë, që nxore popullin tënd nga vendi i Egjiptit me dorë të fuqishme dhe i bëre vetes një emër siç është sot, ne kemi mëkatuar, kemi kryer vepra të liga.

16 O Zot, sipas tërë drejtësisë sate, bëj, të lutem, që zemërimi yt dhe tërbimi yt të largohen nga Jeruzalemi, nga qyteti yt, nga mali yt i shenjtë, për mëkatet tona dhe për paudhësitë e etërve tanë. Jeruzalemi dhe populli yt janë bërë objekt qortimi për tërë ata që na rrethojnë.

17 Prandaj dëgjo, o Perëndia ynë, lutjen e shërbëtorit tënd dhe përgjërimet e tij dhe bëj që të shkëlqejë, për hir të Zotit, fytyra jote mbi shenjtëroren tënde që është e shkretuar.

18 O Perëndia im, vër vesh dhe dëgjo; hap sytë e tu dhe shiko shkretimet tona dhe qytetin ku thirret emri yt, sepse ne nuk paraqesim para teje lutjet tona për veprat tona të drejta, por për dhembshuritë e tua të mëdha.

19 O Zot, dëgjo; Zot, fal; Zot, kushtoji kujdes dhe vepro. Mos mëno, për hir të vetvetes, o Perëndia im, sepse emri yt thirret mbi qytetin tënd dhe mbi popullin tënd".

20 Ndërsa unë po flisja akoma, duke u lutur dhe duke rrëfyer mëkatin tim dhe mëkatin e popullit tim të Izraelit dhe po paraqisja lutjen time para Zotit, Perëndisë tim, për malin e shenjtë të Perëndisë tim,

21 po, ndërsa unë po flisja akoma në lutje, ai njeri, Gabrieli, që e kisha parë në vegim në fillim, i dërguar me fluturim të shpejtë, më arriti në orën e blatimit të mbrëmjes.

22 Ai më mësoi, më foli dhe më tha: "Unë kam ardhur tani, o Daniel, që të të vë në gjendje të kuptosh.

23 Në fillim të lutjeve të tua doli një fjalë dhe unë erdha të ta bëj të njohur, sepse ty të duan shumë. Trego kujdes, pra, për fjalën dhe kupto vegimin:

24 Shtatëdhjetë javë janë caktuar për popullin tënd dhe për qytetin tënd të shenjtë, për të t’i dhënë fund shkeljes, për t’i dhënë fund mëkatit, për të shlyer paudhësinë, për të sjellë një drejtësi të përjetshme, për të vulosur vegimin dhe profecinë, për të vajosur vendin shumë të shenjtë.

25 Prandaj dije dhe kuptoje se, që kur ka dalë urdhri të restaurohet dhe të rindërtohet Jeruzalemi deri te Mesia, princi, do të duhen shtatë javë dhe gjashtëdhjetë e dy javë të tjera; ai do të ndërtohet përsëri me sheshe dhe me ledhe, por në kohëra plot ankth.

26 Mbas gjashtëdhjetë e dy javëve Mesia do të vritet dhe askush nuk do të jetë me të. Dhe populli i një princi që do të vijë ka për të shkatërruar qytetin dhe shenjtëroren; fundi i tij do të vijë me një përmbytje, dhe deri në mbarim të luftës janë dekretuar shkatërrime.

27 Ai do të lidhë gjithashtu një besëlidhje me shumë njerëz për një javë, por në mes të javës do t’i japë fund flijimit dhe blatimit; dhe mbi krahët e veprimeve të neveritshme do të vijë një shkatërrues, deri sa shkatërrimi i plotë, që është dekretuar, do të bjerë mbi shkatërruesin".

10 Në vitin e tretë të Kirit, mbretit të Persisë, një fjalë iu njoftua Danielit, që quhej Beltshatsar. Kjo fjalë është e vërtetë dhe konflikti i gjatë. Ai e kuptoi fjalën dhe e mori vesh vegimin.

Në atë kohë, unë, Danieli, mbajta zi për tri javë të plota.

Nuk hëngra ushqime të zgjedhura, nuk futa në gojën time as mish as verë dhe nuk u vajosa aspak, deri sa kaluan tri javë të plota.

Ditën e njëzetekatërt të muajit të parë, ndërsa isha në bregun e lumit të madh, që është Tigri,

ngrita sytë dhe shikova, dhe ja, një njeri i veshur me rroba liri, me një brez të artë të Ufazit.

Trupi i tij ishte i ngjashëm me topazin, fytyra e tij kishte pamjen e rrufesë, sytë e tij ishin si pishtarë flakërues, krahët e tij dhe këmbët e tij dukeshin si prej bronzi të llustruar dhe tingulli i fjalëve të tij ishte si zhurma e një turme.

Vetëm unë, Danieli, pashë vegimin, kurse njerëzit që ishin me mua nuk e panë vegimin, por një tmerr i madh ra mbi ta dhe ata ia mbathën që të fshihen.

Kështu mbeta vetëm të vërej këtë vegim të madh. Nuk më mbeti kurrfarë force; çehrja e bukur ndryshoi në të zbehtë dhe forcat e mia u ligështuan.

Megjithatë dëgjova zërin e fjalëve të tij; por, duke dëgjuar zërin e fjalëve të tij, rashë në një gjumë të thellë me fytyrë për tokë.

10 Por ja, një dorë më preku dhe bëri që unë të rri duke u dridhur i tëri mbi gjunjët dhe mbi pëllëmbët e duarve.

11 Pastaj më tha: "Daniel, njeri shumë i dashur, kupto fjalët që po të them dhe çohu më këmbë, sepse tani më kanë dërguar te ti". Kur më tha këtë fjalë, unë u çova më këmbë duke u dridhur i tëri.

12 Atëherë ai më tha: "Mos ki frikë, Daniel, sepse që ditën e parë që vendose në zemrën tënde të kuptoje dhe të përuleshe para Perëndisë tënd, fjalët e tua u dëgjuan dhe unë erdha si përgjigje e fjalëve të tua.

13 Por princi i mbretërisë së Persisë më kundërshtoi njëzetenjë ditë; por ja, Mikaeli, një nga princat e parë, më erdhi në ndihmë, sepse kisha mbetur atje me mbretin e Persisë.

14 Dhe tani kam ardhur të të bëj të kuptosh atë që do t’i ndodhë popullit tënd në mbarim të ditëve; sepse vegimi ka të bëjë me një kohë të ardhme".

15 Ndërsa më fliste në këtë mënyrë, ula fytyrën për tokë dhe mbylla gojën.

16 Dhe ja, dikush që i ngjante një biri njeriu më preku buzët. Atëherë hapa gojën, fola dhe i thashë atij që më rrint përpara: "Imzot, për këtë vegim më kanë zënë spazmat dhe fuqitë m’u ligështuan.

17 Dhe si mund të fliste një shërbëtor i tillë i zotit tim me një imzot të tillë, sepse tani fuqitë më kanë braktisur dhe më mungon madje edhe frymëmarrja?".

18 Atëherë ai që i ngjante një njeriu më preku përsëri dhe më dha fuqi,

19 dhe tha: "O njeri që të duan shumë, mos ki frikë, paqja është me ty; mblidh forcat e tua, po, mblidh forcat e tua". Mbasi më foli, unë fitova forcë dhe i thashë: "Le të flasë zoti im, sepse ti më ke dhënë forcë".

20 Pastaj më tha: "A e di përse kam ardhur këtu pranë teje? Tani do të kthehem të luftoj kundër princit të Persisë; dhe kur të dal, ja, do të vijë princi i Javanit.

21 Por unë do të të bëj të njohur atë që është shkruar në librin e së vërtetës; dhe nuk ka njeri që të sillet trimërisht me mua kundër tyre përveç Mikaelit, princit tuaj".

Plaku, Gajit shumë të dashur, të cilin unë e dua në të vërtetë.

Shumë i dashur, unë dëshiroj të kesh mbarësi në çdo gjë dhe të gëzosh shëndet të mirë, ashtu si ka mbarësi shpirti yt.

Sepse u gëzova shumë kur erdhën disa vëllezër dhe dëshmuan për besnikërinë tënde ndaj së vërtetës, se si ecën ti në të vërtetën.

Nuk kam gëzim më të madh nga ky: të dëgjoj se bijtë e mi ecin në të vërtetën.

Shumë i dashur, ti vepron me besnikëri në të gjitha ato që bën për vëllezërit dhe të huajt.

Ata dëshmuan për dashurinë tënde përpara kishës; dhe ti të bësh mirë të gujdesësh për udhëtimin e tyre në mënyrë të denjë për Perëndinë,

sepse ata dolën për emrin e tij, pa marrë asgjë nga johebrenjtë.

Ne e kemi për detyrë, pra, t’i presim këta njerëz, që të jemi bashkëpunëtorë në çështjen e së vërtetës.

I shkrova kishës, por Diotrefi, që do të jetë i pari ndër ta, nuk na pret.

10 Prandaj, po të vij, do t’i kujtoj atij veprat që bën, duke folur fjalë të liga kundër nesh; dhe duke mos u mjaftuar me këto, ai vetë nuk i pret vëllezërit dhe i ndalon ata që duan t’i presin e i përjashton nga kisha.

11 Shumë i dashur, mos imito të keqen, por të mirën. Ai që bën të mirën është nga Perëndia, por ai që bën të keqen nuk e ka parë Perëndinë.

12 Për Demetrin të gjithë dëshmojnë, madje edhe vetë e vërteta; edhe ne dëshmojmë për të, dhe ti e di se dëshmia jonë është e vërtetë.

13 Kisha shumë për të të shkruar, por nuk dua të të shkruaj me bojë e penë;

14 por shpresoj të të shoh së shpejti dhe do të flasim gojarisht. Paqja me ty. Të përshëndesin miqtë. Përshëndeti miqtë një për një.