Add parallel Print Page Options

Njëzet vjet pasi Salomoni ndërtoi shtëpinë e Zotit dhe pallatin mbretëror të tij,

Salomoni rindërtoi qytetet që Hirami i kishte dhënë Salomonit dhe bëri që të banojnë në to bijtë e Izraelit.

Salomoni marshoi pastaj kundër Hamath-Tsobahut dhe e pushtoi.

Përveç kësaj rindërtoi Tadmorin në shkretëtirë dhe të gjitha qytetet e furnizimit që kishte ndërtuar në Hamath.

Rindërtoi Beth-Horonin e sipërm dhe Beth-Horonin e poshtëm, qytete të fortifikuara me mure, porta dhe shufra,

si edhe Baalathin dhe tërë qytetet e furnizimit që i përkisnin Salomonit, të gjitha qytetet e qerreve, qytetet e kalorësisë, me një fjalë të gjitha ato që i pëlqyen të ndërtojë në Jeruzalem, në Liban dhe në tërë vendin që ndodhej nën sundimin e tij.

Tërë njerëzit e mbetur nga Hitejtë, nga Amorejtë, nga Perezejtë, nga Hivejtë dhe nga Jebusejtë, që nuk ishin nga Izraeli,

(domethënë pasardhësit e tyre që kishin mbetur pas tyre në vend dhe që Izraelitët nuk kishin mundur t’i shkatërronin) Salomoni i rekrutoi për punë të detyrueshme deri ditën e sotme.

Por nga bijtë e Izraelit Salomoni nuk përdori asnjë si shërbëtor për punimet e tij; këta ishin përkundrazi njerëzit e tij të luftës, krerët e udhëheqësve të tij dhe komandantët e qerreve dhe të kalorësisë së tij.

10 Shefat e nënpunësve të mbretit Salomon që kontrollonin popullin ishin dyqind e pesëdhjetë.

11 Por Salomoni bëri që vajza e Faraonit të ngjitej nga qyteti i Davidit në shtëpinë që kishte ndërtuar për të, sepse mendonte: "bashkëshortja ime nuk duhet të banojë në shtëpinë e Davidit, mbretit të Izraelit, sepse vendet ku ka hyrë arka e Zotit janë të shenjta".

12 Atëherë Salomoni i ofroi olokauste Zotit mbi altarin e Zotit, që ai kishte ndërtuar përpara portikut të tempullit;

13 dhe e bënte këtë në bazë të numrit që kërkohej çdo ditë, duke i ofruar sipas urdhërimeve të Moisiut, të shtunave, kur kishte hënë të re dhe gjatë festave solemne, tri herë në vit, domethënë në festat e bukëve të ndorme, në festat e javëve dhe në festën e kasolleve.

14 Duke iu përmbajtur normave të Davidit, atit të tij, ai vendosi klasat e priftërinjve për shërbimin e tyre, Levitët në funksionet e tyre (të lëvdojnë Zotin dhe të shërbejnë para priftërinjve) sipas detyrave të përditshme, dhe derëtarët sipas klasave të tyre në çdo portë, sepse kështu kishte urdhëruar Davidi, njeriu i Perëndisë.

15 Ata nuk u larguan nga urdhëri i mbretit, që u ishte dhënë priftërinjve dhe Levitëve, për çdo gjë dhe për thesaret.

16 Tërë puna e Salomonit ishte e organizuar mirë nga dita që u hodhën themelet e shtëpisë të Zotit deri sa kjo mbaroi. Kështu shtëpia e Zotit u përfundua.

17 Atëherë mbreti Salomon shkoi në Etsion-Geber dhe në Elath mbi bregun e detit, në vendin e Edomit.

18 Hirami me anë të shërbëtorëve të tij i dërgoi anije dhe shërbëtorë që njihnin detin. Këta shkuan me shërbëtorët e Salomonit në Ofir, morën aty katërqind e pesëdhjetë talenta ari dhe ia çuan mbretit Salomon.

Kur mbretëresha e Shebës dëgjoi të flitet për famën e Salomonit, ajo vajti në Jeruzalem për ta vënë në provë Salomonin me pyetje të vështira, e shoqëruar nga shumë njerëz, me deve të ngarkuara me aroma dhe me një sasi të madhe ari dhe gurësh të çmuar; ajo shkoi tek Salomoni dhe foli me të për të gjitha gjërat që kishte në zemër.

Salomoni iu përgjigj të gjitha pyetjeve të saj, dhe nuk pati asnjë gjë të fshehur për Salomonin që ai nuk dinte ta shpjegonte.

Kur mbretëresha e Shebës pa diturinë e Salomonit dhe shtëpinë që kishte ndërtuar,

gjellërat e tryezës së tij, banesat e shërbëtorëve të tij, shërbimin e kamerierëve të tij dhe rrobat e tyre, kupëmbajtësit e tij dhe rrobat e tyre, si dhe olokaustet që ai ofronte në shtëpinë e Zotit, ajo mbeti e mahnitur.

Pastaj i tha mbretit: "Ishte, pra, e vërtetë ajo që kisha dëgjuar në vendin tim përsa u përket fjalëve të tua dhe diturisë sate.

Por nuk u besova këtyre gjërave deri sa erdha vetë dhe i pashë me sytë e mi; e mirë, pra, nuk më kishin thënë as gjysmën e vëllimit të diturisë sate. Ti e kalon famën që kisha dëgjuar të flitet.

Lum njerëzit e tu, lum këta shërbëtorë të tu që rrinë gjithnjë para teje dhe dëgjojnë diturinë tënde!

Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia yt, që të deshi, dhe të vuri mbi fronin e tij si mbret për Zotin, Perëndinë tënd! Duke qenë se Perëndia yt e do Izraelin dhe do ta bëjë të qëndrueshëm përjetë, të ka vendosur si mbret mbi të që të ushtrosh gjykime dhe drejtësi".

Pastaj ajo i fali mbretit njëqind e njëzet talenta ari dhe një sasi të madhe aromash dhe gurësh të çmuar. Nuk pati kurrë më aroma si ato që mbretëresha e Shebës i dha mbretit Salomon.

10 Shërbëtorët e Hiramit dhe shërbëtorët e Salomonit që mbartnin ar nga Ofiri, suallën edhe dru santali dhe gurë të çmuar;

11 me drurin e santalit mbreti bëri shkallë për shtëpinë e Zotit dhe për pallatin mbretëror të tij; ai bëri gjithashtu qeste dhe harpa për këngëtarët. Asnjë vegël si këto nuk ishte parë më përpara në vendin e Judës.

12 Mbreti Salomon i dha mbretëreshës së Shebas të gjithë gjërat e dëshiruara që ajo kërkoi, shumë më tepër nga ato që ajo i kishte sjellë mbretit. Pastaj ajo u kthye, duke shkuar me shërbëtorët e saj në vendin e vet.

13 Pesha e arit që Salomoni merrte çdo vit ishte gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë talenta ari,

14 përveç atij që merrte nga tregtarët; edhe tërë mbretërit e Arabisë dhe qeveritarët e vendit i sillnin Salomonit ar dhe argjend.

15 Mbreti Salomon urdhëroi të bëhen dyqind mburoja të mëdha prej ari të rrahur, duke përdorur për secilën prej tyre gjashtëqind sikla ari të rrahur,

16 dhe treqind mburoja prej ari të rrahur, për secilën prej tyre përdori treqind sikla ari; pastaj mbreti i vendosi në pallatin e pyllit të Libanit.

17 Mbreti bëri gjithashtu një fron të madh prej fildishi, që e veshi me ar të kulluar.

18 Froni kishte shtatë shkallëza dhe një stol prej ari, që ishin të lidhura me fronin; kishte krahë në anët e fronit dhe dy luanë rrinin pranë krahëve.

19 Dymbëdhjetë luanë rrinin në të dy anët e skajeve të gjashtë shkallëzave. Asgjë e tillë nuk ishte bërë në një mbretëri tjetër.

20 Të gjitha kupat për pijet e mbretit Salomon ishin prej ari, madje edhe ato të pallatit të pyllit të Libanit ishin prej ari të kulluar. Në kohën e Salomonit argjendi në të vërtetë nuk kishte asnjë vlerë.

21 Sepse anijet e mbretit shkonin në Tarshish me shërbëtorët e Hiramit; dhe një herë çdo tre vjet vinin anijet e Tarshishit, duke sjellë ar, argjend, fildish, majmunë dhe pallonj.

22 Kështu mbreti Salomon ua kaloi për pasuri dhe dituri tërë mbretërve të dheut.

23 Tërë mbretërit e dheut kërkonin praninë e Salomonit për të dëgjuar diturinë që Perëndia i kishte vënë në zemër.

24 Secili prej tyre i çonte dhuratën e vet: sende argjendi, sende ari, rroba, armë, aroma, kuaj dhe mushka, një sasi të caktuar çdo vit.

25 Salomoni kishte katër mijë stalla për kuajt dhe për qerret dhe dymbëdhjetë mijë kalorës, që i shpërndau në qytetet për qerret dhe në Jeruzalem pranë tij.

26 Kështu ai sundoi mbi tërë mbretërit nga Lumi deri në vendin e Filistejve dhe në kufi me Egjiptin.

27 Mbreti veproi në mënyrë të tillë që në Jeruzalem argjendi të ishte i rëndomtë si gurët dhe kedrat të bollshëm si fiku i Egjiptit në fusha.

28 Salomonit i sillnin kuaj nga Egjipti dhe nga të gjitha vendet.

29 Pjesa tjetër e bëmave të Salomonit, nga të parat deri në të fundit, a nuk janë vallë të shkruara në librin e Nathanit, profetit, në profecinë e Ahijahut nga Shilohu dhe në vegimet e Idos, shikuesit, mbi Jeroboamin, birin e Nebatit?

30 Salomoni mbretëroi në Jeruzalem mbi tërë Izraelin dyzet vjet.

31 Pastaj Salomoni pushoi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën në qytetin e Davidit, atit të tij. Në vend të tij mbretëroi i biri, Roboami.

10 Roboami shkoi në Sikem, sepse tërë Izraeli kishte ardhur në Sikem për ta bërë mbret.

Kur Jeroboami, bir i Nebatit, e mësoi këtë (ai ishte akoma në Egjipt ku kishte ikur larg pranisë së mbretit Salomon), Jeroboami u kthye nga Egjipti.

Prandaj dërguan ta thërrasin. Kështu Jeroboami dhe tërë Izraeli erdhën t’i flasin Roboamit dhe i thanë:

"Ati yt e ka bërë zgjedhën tonë të rëndë; tani ti lehtësoje robërinë e fortë të atit tënd dhe zgjedhën e rëndë që ai na ka imponuar, dhe ne do të të shërbejmë".

Ai u përgjigj kështu: "Kthehuni tek unë pas tri ditësh". Pastaj populli iku.

Atëherë mbreti Roboam u këshillua me pleqtë që kishin qenë në shërbim të atit të tij, Salomonit, kur ishte i gjallë, dhe i tha: "Çfarë më këshilloni t’i them këtij populli?".

Ata i folën duke thënë: "Në rast se tregohesh dashamirës me këtë popull dhe e kënaq, duke u dhënë atyre një përgjigje të favorshme, ata do të jenë shërbëtorë të tu përgjithmon".

Por Roboami hodhi poshtë këshillën e dhënë nga pleqtë dhe u konsultua me të rinjtë që ishin rritur me të dhe ishin në shërbim të tij,

dhe u tha atyre: "Çfarë më këshilloni t’i përgjigjem këtij populli që më foli duke thënë: "Lehtësoje zgjedhën e vënë nga ati yt?"".

10 Atëherë të rinjtë që ishin rritur me të i folën, duke thënë: "Kështu do t’i përgjigjesh këtij populli që të është drejtuar ty duke thënë: "Ati yt e ka bërë të rëndë zgjedhën tonë; tani lehtësoje atë". Kështu do t’u thuash atyre: "Gishti im i vogël është më i trashë se sa ijet e atit tim;

11 prandaj në qoftë se ati im ju ka vënë një zgjedhë të rëndë, unë do ta bëj atë edhe më të rëndë; në qoftë se ati im ju ka ndëshkuar me fshikull, unë do t’ju dënoj me kamxhik"".

12 Pas tri ditëve, Jeroboami dhe tërë populli erdhën te Roboami, ashtu si kishte urdhëruar mbreti, duke thënë: "Kthehuni tek unë pas tri ditësh".

13 Mbreti iu përgjigj atyre rëndë: kështu mbreti Roboam, duke hedhur poshtë këshillën e dhënë nga pleqtë,

14 u foli atyre sipas këshillës së dhënë nga të rinjtë, duke thënë: "Ati im e ka bërë të rëndë zgjedhën tuaj, por unë do ta bëj edhe më të rëndë; ati im ju ka ndëshkuar me fshikull, unë do t’ju dënoj me kamxhik".

15 Kështu mbreti nuk e dëgjoi popullin, sepse zhvillimi i ngjarjeve varej nga Perëndia, me qëllim që Zoti ta çonte në vend fjalën e tij, që ia kishte drejtuar Jeroboamit, birit të Nebatit, me anë të Ahijahut nga Shilohu.

16 Kur tërë Izraeli pa që mbreti nuk e dëgjonte, iu përgjigj mbretit duke thënë: "Çfarë pjese kemi ne nga Davidi? Nuk kemi asnjë trashëgimi nga biri i Isait! Secili në çadrën e vet, o Izrael! Tani kujdesohu për shtëpinë tënde, o David!". Kështu tërë Izraeli shkoi në çadrat e veta.

17 Por mbi bijtë e Izraelit që banonin në qytetin e Judës mbretëroi Roboami.

18 Mbreti Roboam dërgoi Hadoramin, të ngarkuarin me haraçet, por bijtë e Izraelit e vranë me gurë dhe ai vdiq. Atëherë mbreti Roboam u shpejtua të hipë mbi një qerre për të ikur me vrap në Jeruzalem.

19 Kështu Izraeli ka qenë rebel ndaj shtëpisë së Davidit deri ditën e sotme.