A A A A A
Bible Book List

2 i Kronikave 7-9 Albanian Bible (ALB)

Kur Salomoni mbaroi së luturi, nga qielli ra një zjarr që konsumoi olokaustin dhe flijimet dhe lavdia e Zotit mbushi tempullin.

Priftërinjtë nuk mund të hynin në shtëpinë e Zotit, sepse lavdia e Zotit mbushte shtëpinë e Zotit.

Tërë bijtë e Izraelit, kur panë që zjarri po zbriste dhe lavdia e Zotit po vendosej mbi tempullin, ranë përmbys me fytyrë mbi dysheme, duke adhuruar dhe lëvduar Zotin, "sepse është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon në përjetsi".

Pastaj mbreti dhe tërë populli ofruan flijime përpara Zotit,

mbreti Salomon ofroi si flijim njëzet e dy mijë lopë dhe njëqind e njëzet mijë dele. Kështu mbreti dhe tërë populli shenjtëruan shtëpinë e Perëndisë.

Priftërinjtë kryenin detyrat e tyre, po kështu Levitët me veglat e tyre muzikore të kushtuara Zotit, që mbreti David kishte bërë për të lëvduar Zotin, "sepse mirësia e tij është e përjetshme," sa herë që Davidi lëvdonte me anë të tyre. Priftërinjtë u binin borive para tyre, ndërsa tërë Izraeli qëndronte në këmbë.

Salomoni shenjtëroi pjesën qëndrore të oborrit që ishte përballë shtëpisë të Zotit; aty pikërisht ofroi olokauste dhe dhjamin e flijimeve të falenderimit, sepse altari prej bronzi që Salomoni kishte bërë nuk i zinte dot olokaustet, blatimet e ushqimit dhe dhjamin.

Në atë kohë Salomoni kremtoi festën shtatë ditë dhe tërë Izraeli bashkë me të. Me Salomonin u bashkua një mori e madhe njerëzish të ardhur nga rrethinat e Hamathit deri në përroin e Egjiptit.

Ditën e tetë bënë një mbledhje solemne, sepse kishin kremtuar kushtimin e altarit shtatë ditë dhe festën shtatë ditë të tjera.

10 Ditën e njëzetetretë të muajit të shtatë ai e ktheu në çadrat e tij popullin tërë qejf dhe të gëzuar për të mirën që Zoti i kishte bërë Davidit, Salomonit dhe Izraelit, popullit të tij.

11 Kështu Salomoni përfundoi shtëpinë e Zotit dhe pallatin mbretëror të tij, dhe arriti të mbarojë gjithshka që kishte në zemër për shtëpinë e Zotit dhe për shtëpinë e vet.

12 Pastaj Zoti iu shfaq natën Salomonit dhe i tha: "E plotësova lutjen tënde dhe zgjodha këtë vend për vete si shtëpi flijimesh.

13 Kur do të mbyll qiellin dhe nuk do të ketë më shi, kur do të urdhëroj që karkalecat të gllabërojnë vendin, kur do t’i dërgoj murtajën popullit tim,

14 në qoftë se populli im, i cili thirret me emrin tim, përulet, lutet, kërkon fytyrën time dhe kthehet prapa nga rrugët e këqija, unë do ta dëgjoj nga qielli, do t’i fal mëkatin e tij dhe do ta shëroj vendin e tij.

15 Tani sytë e mi do të jenë të hapur dhe veshët e mi të vëmendshëm për lutjen e bërë në këtë vend,

16 sepse tani kam zgjedhur dhe shenjtëruar këtë tempull, që emri im të mbetet aty përjetë; sytë dhe zemra ime do të jenë gjithnjë aty.

17 Sa për ty, në qoftë se do të ecësh para meje ashtu si ka ecur Davidi, ati yt, duke kryer të gjitha ato që të kam urdhëruar, dhe në rast se do të respektosh statutet dhe dekretet e mia,

18 do ta bëj të qëndrueshëm fronin e mbretërisë sate, ashtu siç jam marrë vesh me Davidin, atin tënd, duke thënë: "Nuk do të mungojë kurrë një njeri që të mbetërojë mbi Izraelin".

19 Por në rast se do të drejtoheni gjetiu dhe do të braktisni statutet dhe urdhërimet e mia që ju kam vënë përpara dhe do të shkoni t’u shërbeni perëndive të tjera dhe të bini përmbys përpara tyre,

20 atëherë do t’ju çrrënjos nga vendi im që ju kam dhënë dhe nuk do të jem më i pranishëm në këtë tempull që ia shenjtërova emrit tim, duke e bërë gazin dhe lojën e të gjithë popujve.

21 Kushdo që do të kalojë pranë këtij tempulli aq të madhërishëm do të habitet dhe do të thotë: "Pse Zoti e ka trajtuar kështu këtë vend dhe këtë tempull?".

22 Atëherë do t’i përgjigjen: "Sepse kanë braktisur Zotin, Perëndinë e etërve të tyre që i nxori nga vendi i Egjiptit, kanë pranuar perëndi të tjera, kanë rënë përmbys para tyre dhe u kanë shërbyer; prandaj Zoti ka sjellë mbi ta tërë këtë fatkeqësi"".

Njëzet vjet pasi Salomoni ndërtoi shtëpinë e Zotit dhe pallatin mbretëror të tij,

Salomoni rindërtoi qytetet që Hirami i kishte dhënë Salomonit dhe bëri që të banojnë në to bijtë e Izraelit.

Salomoni marshoi pastaj kundër Hamath-Tsobahut dhe e pushtoi.

Përveç kësaj rindërtoi Tadmorin në shkretëtirë dhe të gjitha qytetet e furnizimit që kishte ndërtuar në Hamath.

Rindërtoi Beth-Horonin e sipërm dhe Beth-Horonin e poshtëm, qytete të fortifikuara me mure, porta dhe shufra,

si edhe Baalathin dhe tërë qytetet e furnizimit që i përkisnin Salomonit, të gjitha qytetet e qerreve, qytetet e kalorësisë, me një fjalë të gjitha ato që i pëlqyen të ndërtojë në Jeruzalem, në Liban dhe në tërë vendin që ndodhej nën sundimin e tij.

Tërë njerëzit e mbetur nga Hitejtë, nga Amorejtë, nga Perezejtë, nga Hivejtë dhe nga Jebusejtë, që nuk ishin nga Izraeli,

(domethënë pasardhësit e tyre që kishin mbetur pas tyre në vend dhe që Izraelitët nuk kishin mundur t’i shkatërronin) Salomoni i rekrutoi për punë të detyrueshme deri ditën e sotme.

Por nga bijtë e Izraelit Salomoni nuk përdori asnjë si shërbëtor për punimet e tij; këta ishin përkundrazi njerëzit e tij të luftës, krerët e udhëheqësve të tij dhe komandantët e qerreve dhe të kalorësisë së tij.

10 Shefat e nënpunësve të mbretit Salomon që kontrollonin popullin ishin dyqind e pesëdhjetë.

11 Por Salomoni bëri që vajza e Faraonit të ngjitej nga qyteti i Davidit në shtëpinë që kishte ndërtuar për të, sepse mendonte: "bashkëshortja ime nuk duhet të banojë në shtëpinë e Davidit, mbretit të Izraelit, sepse vendet ku ka hyrë arka e Zotit janë të shenjta".

12 Atëherë Salomoni i ofroi olokauste Zotit mbi altarin e Zotit, që ai kishte ndërtuar përpara portikut të tempullit;

13 dhe e bënte këtë në bazë të numrit që kërkohej çdo ditë, duke i ofruar sipas urdhërimeve të Moisiut, të shtunave, kur kishte hënë të re dhe gjatë festave solemne, tri herë në vit, domethënë në festat e bukëve të ndorme, në festat e javëve dhe në festën e kasolleve.

14 Duke iu përmbajtur normave të Davidit, atit të tij, ai vendosi klasat e priftërinjve për shërbimin e tyre, Levitët në funksionet e tyre (të lëvdojnë Zotin dhe të shërbejnë para priftërinjve) sipas detyrave të përditshme, dhe derëtarët sipas klasave të tyre në çdo portë, sepse kështu kishte urdhëruar Davidi, njeriu i Perëndisë.

15 Ata nuk u larguan nga urdhëri i mbretit, që u ishte dhënë priftërinjve dhe Levitëve, për çdo gjë dhe për thesaret.

16 Tërë puna e Salomonit ishte e organizuar mirë nga dita që u hodhën themelet e shtëpisë të Zotit deri sa kjo mbaroi. Kështu shtëpia e Zotit u përfundua.

17 Atëherë mbreti Salomon shkoi në Etsion-Geber dhe në Elath mbi bregun e detit, në vendin e Edomit.

18 Hirami me anë të shërbëtorëve të tij i dërgoi anije dhe shërbëtorë që njihnin detin. Këta shkuan me shërbëtorët e Salomonit në Ofir, morën aty katërqind e pesëdhjetë talenta ari dhe ia çuan mbretit Salomon.

Kur mbretëresha e Shebës dëgjoi të flitet për famën e Salomonit, ajo vajti në Jeruzalem për ta vënë në provë Salomonin me pyetje të vështira, e shoqëruar nga shumë njerëz, me deve të ngarkuara me aroma dhe me një sasi të madhe ari dhe gurësh të çmuar; ajo shkoi tek Salomoni dhe foli me të për të gjitha gjërat që kishte në zemër.

Salomoni iu përgjigj të gjitha pyetjeve të saj, dhe nuk pati asnjë gjë të fshehur për Salomonin që ai nuk dinte ta shpjegonte.

Kur mbretëresha e Shebës pa diturinë e Salomonit dhe shtëpinë që kishte ndërtuar,

gjellërat e tryezës së tij, banesat e shërbëtorëve të tij, shërbimin e kamerierëve të tij dhe rrobat e tyre, kupëmbajtësit e tij dhe rrobat e tyre, si dhe olokaustet që ai ofronte në shtëpinë e Zotit, ajo mbeti e mahnitur.

Pastaj i tha mbretit: "Ishte, pra, e vërtetë ajo që kisha dëgjuar në vendin tim përsa u përket fjalëve të tua dhe diturisë sate.

Por nuk u besova këtyre gjërave deri sa erdha vetë dhe i pashë me sytë e mi; e mirë, pra, nuk më kishin thënë as gjysmën e vëllimit të diturisë sate. Ti e kalon famën që kisha dëgjuar të flitet.

Lum njerëzit e tu, lum këta shërbëtorë të tu që rrinë gjithnjë para teje dhe dëgjojnë diturinë tënde!

Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia yt, që të deshi, dhe të vuri mbi fronin e tij si mbret për Zotin, Perëndinë tënd! Duke qenë se Perëndia yt e do Izraelin dhe do ta bëjë të qëndrueshëm përjetë, të ka vendosur si mbret mbi të që të ushtrosh gjykime dhe drejtësi".

Pastaj ajo i fali mbretit njëqind e njëzet talenta ari dhe një sasi të madhe aromash dhe gurësh të çmuar. Nuk pati kurrë më aroma si ato që mbretëresha e Shebës i dha mbretit Salomon.

10 Shërbëtorët e Hiramit dhe shërbëtorët e Salomonit që mbartnin ar nga Ofiri, suallën edhe dru santali dhe gurë të çmuar;

11 me drurin e santalit mbreti bëri shkallë për shtëpinë e Zotit dhe për pallatin mbretëror të tij; ai bëri gjithashtu qeste dhe harpa për këngëtarët. Asnjë vegël si këto nuk ishte parë më përpara në vendin e Judës.

12 Mbreti Salomon i dha mbretëreshës së Shebas të gjithë gjërat e dëshiruara që ajo kërkoi, shumë më tepër nga ato që ajo i kishte sjellë mbretit. Pastaj ajo u kthye, duke shkuar me shërbëtorët e saj në vendin e vet.

13 Pesha e arit që Salomoni merrte çdo vit ishte gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë talenta ari,

14 përveç atij që merrte nga tregtarët; edhe tërë mbretërit e Arabisë dhe qeveritarët e vendit i sillnin Salomonit ar dhe argjend.

15 Mbreti Salomon urdhëroi të bëhen dyqind mburoja të mëdha prej ari të rrahur, duke përdorur për secilën prej tyre gjashtëqind sikla ari të rrahur,

16 dhe treqind mburoja prej ari të rrahur, për secilën prej tyre përdori treqind sikla ari; pastaj mbreti i vendosi në pallatin e pyllit të Libanit.

17 Mbreti bëri gjithashtu një fron të madh prej fildishi, që e veshi me ar të kulluar.

18 Froni kishte shtatë shkallëza dhe një stol prej ari, që ishin të lidhura me fronin; kishte krahë në anët e fronit dhe dy luanë rrinin pranë krahëve.

19 Dymbëdhjetë luanë rrinin në të dy anët e skajeve të gjashtë shkallëzave. Asgjë e tillë nuk ishte bërë në një mbretëri tjetër.

20 Të gjitha kupat për pijet e mbretit Salomon ishin prej ari, madje edhe ato të pallatit të pyllit të Libanit ishin prej ari të kulluar. Në kohën e Salomonit argjendi në të vërtetë nuk kishte asnjë vlerë.

21 Sepse anijet e mbretit shkonin në Tarshish me shërbëtorët e Hiramit; dhe një herë çdo tre vjet vinin anijet e Tarshishit, duke sjellë ar, argjend, fildish, majmunë dhe pallonj.

22 Kështu mbreti Salomon ua kaloi për pasuri dhe dituri tërë mbretërve të dheut.

23 Tërë mbretërit e dheut kërkonin praninë e Salomonit për të dëgjuar diturinë që Perëndia i kishte vënë në zemër.

24 Secili prej tyre i çonte dhuratën e vet: sende argjendi, sende ari, rroba, armë, aroma, kuaj dhe mushka, një sasi të caktuar çdo vit.

25 Salomoni kishte katër mijë stalla për kuajt dhe për qerret dhe dymbëdhjetë mijë kalorës, që i shpërndau në qytetet për qerret dhe në Jeruzalem pranë tij.

26 Kështu ai sundoi mbi tërë mbretërit nga Lumi deri në vendin e Filistejve dhe në kufi me Egjiptin.

27 Mbreti veproi në mënyrë të tillë që në Jeruzalem argjendi të ishte i rëndomtë si gurët dhe kedrat të bollshëm si fiku i Egjiptit në fusha.

28 Salomonit i sillnin kuaj nga Egjipti dhe nga të gjitha vendet.

29 Pjesa tjetër e bëmave të Salomonit, nga të parat deri në të fundit, a nuk janë vallë të shkruara në librin e Nathanit, profetit, në profecinë e Ahijahut nga Shilohu dhe në vegimet e Idos, shikuesit, mbi Jeroboamin, birin e Nebatit?

30 Salomoni mbretëroi në Jeruzalem mbi tërë Izraelin dyzet vjet.

31 Pastaj Salomoni pushoi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën në qytetin e Davidit, atit të tij. Në vend të tij mbretëroi i biri, Roboami.

Gjoni 11:1-29 Albanian Bible (ALB)

11 Ishte atëherë i sëmurë një farë Llazari nga Betania, fshati i Marisë dhe i Martës, motrës së saj.

Maria ishte ajo që e vajosi me vaj erëkëndëshëm Zotin dhe ia fshiu këmbët me flokët e saj; dhe vëllai i saj, Llazari, ishte i sëmurë.

Prandaj motrat i dërguan fjalë Jezusit: “Zot, ja, ai që ti e do shumë është i sëmurë.”

Dhe Jezusi si dëgjoi këto tha: “Kjo sëmundje nuk është për vdekje, po për lavdinë e Perëndisë, që nëpërmjet saj të përlëvdohet Biri i Perëndisë.”

Por Jezusi e donte Martën, motrën e saj dhe Llazarin.

Kur dëgjoi se Llazari ishte i sëmurë, qëndroi edhe dy ditë në vendin ku ishte.

Pastaj u tha dishepujve: “Të kthehemi përsëri në Jude.”

Dishepujt i thanë: “Mësues, pak më parë Judenjtë kërkonin të të vrisnin me gurë dhe ti po shkon përsëri atje?.”

Jezusi u përgjigj: “Nuk janë vallë dymbëdhjetë, orët e ditës? Kur dikush ecën ditën, nuk pengohet, sepse sheh dritën e kësaj bote,

10 por nëse dikush ecën natën, pengohet, sepse drita nuk është në të.”

11 Mbasi i tha këto gjëra, shtoi: “Mikun tonë, Llazarin e ka zënë gjumi, por unë po shkoj ta zgjoj.”

12 Atëherë dishepujt e tij thanë: “Zot, po të flejë, do të shpëtojë.”

13 Por Jezusi u kishte folur për vdekjen e tij, kurse ata pandehnin se kishte folur për fjetjen e gjumit.

14 Atëherë Jezusi u tha atyre haptas: “Llazari ka vdekur.

15 Edhe unë gëzohem për ju që nuk isha atje, që të besoni; por le të shkojmë tek ai.”

16 Atëherë Thomai, i quajtur Binjaku, u tha bashkëdishepujve: “Të shkojmë edhe ne, që të vdesim me të.”

17 Kur arriti Jezusi, pra, gjeti që Llazari ishte që prej katër ditësh në varr.

18 Por Betania ishte rreth pesëmbëdhjetë stade larg Jeruzalemit.

19 Dhe shumë Judenj kishin ardhur te Marta dhe te Maria për t’i ngushëlluar për vëllanë e tyre.

20 Marta, pra, si e mori vesh se po vinte Jezusi, i doli përpara; kurse Maria ishte ulur në shtëpi.

21 Marta i tha Jezusit: “Zot, po të ishe këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur,

22 por edhe tani e di se të gjitha ato që ti i kërkon Perëndisë, Perëndia do të t’i japë.”

23 Jezusi i tha: “Yt vëlla do të ringjallet.”

24 Marta i tha: “E di se do të ringjallet, në ringjallje, ditën e fundit.”

25 Jezusi i tha: “Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë.

26 Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë. A e beson këtë?.”

27 Ajo i tha: “Po, Zot, unë besoj se ti je Krishti, Biri i Perëndisë, që duhet të vinte në botë”

28 Dhe, si tha kështu, shkoi të thërrasë fshehtas Marinë, motrën e saj, duke thënë: “Mësuesi është këtu dhe po të thërret.”

29 Posa e dëgjoi, ajo u çua me nxitim dhe erdhi tek ai.

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes