Add parallel Print Page Options

17 Në vend të tij mbretëroi i biri Jozafat, që u fortifikua kundër Izraelit.

Ai vendosi trupa në tërë qytetet e fortifikuara të Judës dhe garnizone në vendin e Judës dhe në qytetin e Efraimit, që ati i tij kishte pushtuar.

Zoti ishte me Jozafatin, sepse ai eci në rrugët e para të Davidit, atit të tij. Ai nuk kërkoi Baalin,

por kërkoi Perëndinë e atit të tij dhe eci sipas urdhërimeve të tij dhe jo sipas bëmave të Izraelit.

Prandaj Zoti e përforcoi mbretërinë në duart e tij. Tërë Juda i çonte dhurata Jozafatit, dhe ai pati me shumicë pasuri dhe lavdi.

Zemra e tij u forcua në rrugët e Zotit dhe ai hoqi përsëri vendet e larta dhe Asherimët nga Juda.

Vitin e tretë të mbretërisë së tij ai i dërgoi krerët e tij Ben-Hail, Obadiah, Zakaria, Nethaneel dhe Mikajaht që të jepnin mësime në qytetin e Judës;

dhe me ta dërgoi Levitët Shemajah, Nethanjah, Zebadjah, Asahel, Shemiramoth, Jonathan, Adonijah, Tobijah dhe Tobadonijah, dhe bashkë me këta edhe priftërinjtë Elishama dhe Jehoram.

Kështu ata dhanë mësime në Judë, duke pasur me vete librin e ligjit të Zotit; ata kaluan nëpër tërë qytetet e Judës, duke e mësuar popullin.

10 Tmerri i Zotit zuri të gjitha mbretëritë e vendeve që ishin rreth e qark Judës, dhe kështu ato nuk i shpallën luftë Jozafatit.

11 Disa nga Filistejtë i çuan Jozafatit dhurata dhe një haraç në argjend; edhe Arabët i sollën bagëti të imta: shtatë mijë e shtatëqind desh dhe shtatë mijë e shtatëqind cjepë.

12 Kështu Jozafati u bë gjithnjë e më i madh dhe ndërtoi në Judë fortesa dhe qytete-depozitë.

13 Kreu shumë punime në qytetet e Judës, dhe në Jeruzalem mbante luftëtarë, burra të fortë dhe trima.

14 Ky është regjistrimi i tyre, sipas shtëpive të tyre atërore. Nga Juda, komandantët e mijëshëve ishin Adnahu, si prijës, dhe bashkë me të treqind mijë burra të fortë dhe trima;

15 pas tij vinin Jehohanani, siprijës, me dyqind e tetëdhjetë mijë burra;

16 pas tij ishte Amasiahu, bir i Zikrit, që i ishte kushtuar vullnetarisht Zotit, dhe me të dyqind mijë burra të fortë dhe trima.

17 Nga Beniamini ishte Eliada, burrë i fortë dhe trim, dhe me të dyqind mijë burra të armatosur me harqe dhe me mburoja;

18 pas tij vinte Jehozabadi, dhe me të njëqind e shtatëdhjetë mijë burra gati për të marrë pjesë në luftë.

19 Tërë këta ishin në shërbim të mbretit, përveç atyre që ai kishte vendosur në qytetet e fortifikuara të të gjithë Judës.

18 Jozafati pati pasuri të mëdha dhe lavdi; ai bëri krushqi me Ashabin.

Mbas disa vjetësh ai zbriti në Samari tek Ashabi. Atëherë Ashabi theri për të dhe për njerëzit që ishin me të një numër të madh delesh dhe lopësh dhe e bindi të dilte bashkë me të kundër Ramothit nga Galaadi.

Kështu Ashabi, mbret i Izraelit, i tha Jozafatit, mbretit të Judës: "A do të vish me mua kundër Ramothit nga Galaadi?". Jozafati iu përgjigj: "Ki besim tek unë si te vetja jote, te njerëzit e mi si te njerëzit e tu; do të vijmë në luftë bashkë me ty".

Pastaj Jozafati i tha mbretit të Izraelit: "Të lutem, konsulto po sot fjalën e Zotit".

Atëherë mbreti i Izraelit thirri profetët, katërqind veta, dhe u tha atyre: "A duhet të shkojmë të luftojmë kundër Ramothit nga Galaadi, apo duhet të heq dorë nga ky veprim?". Ata iu përgjigjën: "Shko, pra, sepse Perëndia do ta japë atë në duart e mbretit".

Por Jozafati tha: "Nuk ka këtu ndonjë profet tjetër të Zotit me të cilin mund të këshillohemi?".

Mbreti i Izraelit iu përgjigj Jozafatit: "Éshtë edhe një njeri, Mikajahu, bir i Imlas, me anë të të cilit mund të këshillohemi me Zotin; por unë e urrej, sepse nuk profetizon kurrë ndonjë gjë të mirë për mua, por vetëm të keqen". Jozafati tha: "Mbreti të mos flasë kështu".

Atëherë mbreti i Izraelit thirri një eunuk dhe i tha: "Sille shpejt Mikajahun, birin e Imlas".

Mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbret i Judës, ishin ulur secili në fronin e vet, të veshur me rrobat e tyre mbretërore; ishin ulur në lëmin që është te hyrja e portës së Samarisë; dhe tërë profetët bënin profeci përpara tyre.

10 Sedekia, bir i Kenaanahut, që kishte bërë brirë prej hekuri, tha: Kështu thotë Zoti: "Me këta brirë do të shposh tejpërtej Sirët deri sa t’i shkatërrosh plotësisht"".

11 Tërë profetët profetizuan në të njëjtën mënyrë, duke thënë: "Dil kundër Ramothit nga Galaadi dhe do t’ia dalësh, sepse Zoti do ta japë atë në duart e mbretit".

12 Lajmëtari, që kishte shkuar të thërriste Mikajahun, i foli duke i thënë: "Ja, fjalët e profetëve përputhen duke thënë gjëra të mira për mbretin. Prandaj të lutem që fjala jote të jetë si fjala e secilit prej tyre; edhe ti thuaj gjëra të mira".

13 Por Mikajahu u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, çdo gjë që Perëndia im do të thotë unë do ta shpall".

14 Si arriti para mbretit, mbreti i tha: "Mikajah, a duhet të shkojmë të luftojmë kundër Ramothit të Galaadit, apo duhet të heq dorë?". Ai u përgjigj: "Shkoni, pra, dhe do t’ju dalë mbarë, sepse ata do të jepen në duart tuaja".

15 Atëherë mbreti i tha: "Sa herë duhet të përgjërohem që të më thuash vetëm të vërtetën në emër të Zotit?".

16 Mikajahu u përgjigj: "E pashë tërë Izraelin të shpërndarë në malet, ashtu si dhentë që janë pa bari; dhe Zoti tha: "Ata nuk kanë më zot; le të kthehet secili në paqe në shtëpinë e vet"".

17 Mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: "A nuk të kisha thënë se lidhur me mua ai nuk do të profetizonte asgjë të mirë, por vetëm të keqen?".

18 Atëherë Mikajahu i tha: "Prandaj dëgjo fjalën e Zotit. Unë e kam parë Zotin të ulur mbi fronin e tij, ndërsa tërë ushtria qiellore rrinte në të djathtë dhe në të majtë të tij.

19 Zoti tha: "Kush do ta mashtrojë Ashabin, mbretin e Izraelit, që ai të dalë dhe të vdesë në Ramoth të Galaadit?"". Dikush u përgjigj në një mënyrë, dikush në mënyrë tjetër.

20 Atëherë doli përpara një frymë që u paraqit para Zotit dhe tha: "Unë do t’ia mbush mendjen". Zoti i tha: "Në çfarë mënyre?".

21 Ai u përgjigj: "Unë do të dal dhe do të jem një frymë i gënjeshtrës në gojën e të gjithë profetëve të tij". Zoti i tha: "Me siguri do t’arrish ta bësh për vete, shko dhe vepro kështu".

22 Prandaj ja, Zoti ka vënë një frymë gënjeshtre në gojën e këtyre profetëve të tu, por Zoti shpall fatkeqësi kundër teje".

23 Atëherë Sedekia, bir i Kenaanahut, u afrua dhe goditi me një shpullë Mikajahun, dhe tha: "Nga kaloi Fryma e Zotit kur doli nga unë që të flasë me ty?".

24 Mikajahu u përgjigj: "Ja, do ta shohësh ditën në të cilën do të shkosh në një dhomë të brendshme për t’u fshehur!".

25 Atëherë mbreti i Izraelit tha: "Merreni Mikajahun dhe çojeni tek Amoni, qeveritar i qytetit, dhe tek Joasi, bir i mbretit,

26 dhe u thoni atyre: Kështu thotë mbreti: "Futeni këtë në burg dhe ushqejeni me bukë dhe me ujë hidhërimi, deri sa unë të kthehem shëndoshë e mirë"".

27 Mikajahu tha: "Në rast se ti kthehesh me të vërtetë shëndoshë e mirë, kjo do të thotë që Zoti nuk ka folur nëpërmjet meje". Dhe shtoi: "Dëgjoni, o ju popuj të gjithë!".

28 Mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbret i Judës, dolën, pra, kundër Ramothit nga Galaadi.

29 Mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: "Unë do të vishem ndryshe dhe pastaj do të shkoj të luftoj, por ti vish rrobat e tua mbretërore". Kështu mbreti i Izraelit ndërroi rrobat dhe shkuan të luftojnë.

30 Mbreti i Sirisë kishte dhënë këtë urdhër kapitenëve të qerreve të tij duke thënë: "Mos luftoni kundër askujt, të madh apo të vogël, por vetëm kundër mbretit të Izraelit".

31 Kështu, kur kapitenët e qerreve panë Jozafatin, ata thanë: "Ai është mbreti i Izraelit". Pastaj e rrethuan për ta sulmuar; por Jozafati lëshoi një britmë dhe Zoti i vajti në ndihmë; Perëndia i shtyu të largoheshin prej tij.

32 Kur kapitenët e qerreve e kuptuan se nuk ishte mbreti i Izraelit, hoqën dorë nga ndjekja.

33 Por një njeri hodhi rastësisht një shigjetë me harkun e tij dhe e goditi mbretin e Izraelit midis lidhjeve të parzmores së tij; prandaj mbreti i tha shqytarit të tij: "Kthehu dhe më ço larg përleshjes, sepse jam plagosur".

34 Por beteja ishte aq e ashpër atë ditë sa që mbreti u detyrua të qëndrojë mbi qerren e tij përballë Sirëve deri në mbrëmje, dhe kur perëndoi dielli ai vdiq.

13 Por përpara festës së Pashkës, Jezusi, duke e ditur se kishte ardhur ora e tij të kalojë nga kjo botë tek Ati, duke i dashur të vetët që ishin në botë, i deshi deri në fund.

Dhe, kur mbaroi darka, mbasi djalli i kishte shtënë në zemër Judë Iskariotit, birit të Simonit, ta tradhtonte,

Jezusi, duke ditur se Ati i kishte dhënë gjithçka në duar, dhe se ai kishte dalë nga Perëndia dhe te Perëndia po kthehej,

u ngrit nga darka dhe hoqi rrobat e tij, mori një peshqir dhe u ngjesh.

Mbasi hodhi ujë në një legen, filloi të lante këmbët e dishepujve dhe t’ua fshijnte me peshqirin, me të cilin ishte ngjeshur.

Erdhi, pra, te Simon Pjetri. Dhe ai i tha: “Zot, ti të m’i lash këmbët mua?.”

Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Atë që po bëj unë, ti tani nuk e kupton, por do ta kuptosh mbas kësaj.”

Pjetri i tha: “Ti kurrë nuk do të m’i lash këmbët.” Jezusi iu përgjigi: “Po nuk të lava, ti nuk do të kesh pjesë me mua.”

Simon Pjetri i tha: “Zot, jo vetëm këmbët, por edhe duart dhe kokën.”

10 Jezusi i tha: “Ai që është i larë, s’ka nevojë veçse të lajë këmbët dhe është krejt i pastër; edhe ju jeni të pastër, por jo të gjithë.”

11 Sepse ai e dinte se kush do ta tradhtonte, prandaj tha: “Nuk jeni të gjithë të pastër.”

12 Kështu, mbasi ua lau këmbët, mori përsëri rrobat e tij, zuri vend rishtas në tryezë dhe u tha atyre: “A e kuptoni këtë që ju kam bërë?

13 Ju më quani Mësues dhe Zot, dhe mirë thoni, sepse jam.

14 Në qoftë se unë, Zoti dhe Mësuesi, ju kam larë këmbët, edhe ju duhet t’i lani këmbët njëri-tjetrit.

15 Unë, në fakt, ju kam dhënë shëmbullin që ashtu siç kam bërë unë, bëni edhe ju.

16 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Shërbëtori nuk është më i madh se padroni i tij, as i dërguari më i madh se ai që e ka dërguar.

17 Po t’i dini këto gjëra, të lumur jeni ju nëse do t’i bëni.

18 Nuk po flas për ju të gjithë; unë i njoh ata që kam zgjedhur, por duhet të përmbushet ky Shkrim: "Ai që ha bukën me mua, ka ngritur thembrën kundër meje".

19 Po ju them që tani, para se të ndodhë, që, kur të ketë ndodhur, të besoni se unë jam Krishti.

20 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush pranon atë që dërgoj unë, më pranon mua; dhe kush më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar.”

Read full chapter