A A A A A
Bible Book List

1 i Samuelit 13-14Albanian Bible (ALB)

13 Sauli ishte tridhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë; dhe mbasi mbretëroi dy vjet mbi Izraelin,

ai zgjodhi tre mijë ushtarë të Izraelit: dy mijë rrinin me të në Mikmash dhe në krahinën malore të Betelit; dhe një mijë me Jonathanin në Gibeah të Beniaminit; e ktheu prapa pjesën tjetër të popullit, secili shkoi në çadrën e vet.

Jonathani e mundi garnizonin e Filistejve që ndodhej në Geba, dhe Filistejtë e mësuan këtë ngjarje; Atëherë Sauli urdhëroi që t’u binin borive në tërë vendin, duke thënë: "Le ta dijnë Hebrenjtë!".

Dhe në tëtë Izraelin filluan të thonë: "Sauli mundi garnizonin e Filistejve dhe Izraeli tani urrehet nga Filistejtë". Kështu populli u thirr në Gilgal për të shkuar pas Saulit.

Edhe Filistejtë u mblodhën për të luftuar kundër Izraelit, me tridhjetë mijë qerre, gjashtë mijë kalorës dhe shumë njerëz, si rëra në bregun e detit. Ata u nisën pra, dhe u vendosën në Mikmash, në lindje të Beth-Avenit.

Kur Izraelitët e panë se ishin në rrezik (pse populli u gjend ngushtë), u fshehën në shpella, në gëmusha, ndër shkëmbinj, në guva dhe në hauze.

Disa Hebrenj kaluan Jordanin për të vajtur në vendin e Gadit dhe të Galaadit. Sauli ishte akoma në Gilgal dhe tërë populli shkonte pas tij duke u dridhur.

Ai priti shtatë ditë simbas kohës së caktuar nga Samueli; por Samueli nuk po vinte në Gilgal dhe populli kishte filluar të shpërndahej larg tij.

Atëherë Sauli tha: "Më sillni olokaustin dhe flijimet e falenderimit". Pastaj ofroi olokaustin.

10 Sapo kishte mbaruar së ofruari olokaustin, kur erdhi Samueli; dhe Sauli i doli përpara për ta përshëndetur.

11 Por Samueli i tha: "Çfarë bëre kështu?". Sauli u përgjegj: "Kur pashë që populli po shpërndahej larg meje, që ti nuk kishe arritur ditën e caktuar dhe që Filistejtë po mblidheshin në Mikmash, thashë me vete:

12 "Tani Filistejtë do të më sulen në Gilgal dhe unë akoma nuk i jam lutur Zotit". Prandaj e mblodha veten dhe ofrova olokastin".

13 Atëherë Samueli i tha Saulit: "Ti ke vepruar pa mend; nuk ke respektuar urdhërimin që Zoti, Perëndia yt, të kishte dhënë. Në fakt Zoti do të vendoste për gjithnjë mbretërinë tënde mbi Izraelin.

14 Tani përkundrazi mbretëria jote nuk ka për të vazhduar, Zoti ka kërkuar një njeri simbas zemrës së tij, dhe Zoti e ka caktuar princ të populli të tij, sepse ti nuk ke respektuar atë që Zoti të pati urdhëruar".

15 Pastaj Samueli u ngrit dhe u ngjit nga Gilgali në Gibeah të Beniaminit, dhe Sauli kaloi në revistë popullin që gjendej me të; ishin rreth gjashtë qind veta.

16 Sauli, Jonathani, bir i tij, dhe njerëzit që mbetën me ta qëndruan në Gibeah të Beniaminit, ndërsa Filistejtë ishin vendosur në Mikmash.

17 Pastaj nga kampi i Filistejve dolën disa cuba, të ndarë në tri grupe: njeri grup mori udhën në drejtim të Ofrahut, drejt vendit të Shualit;

18 një grup tjetër u fut në rrugën e Beth-Horonit; grupi i tretë mori rrugën e kufirit që sundon luginën e Tseboimit, në drejtim të shkretëtirës.

19 Në tërë vendin e Izraelit nuk gjeje as edhe një kovaç, sepse Filistejtë thonin: "Hebrenjtë të mos prodhojnë shpata ose shtiza".

20 Kështu tërë Izraelitët shkonin te Filistejtë për të mprehur kush plorin, kush sëpatën, kush belin.

21 Çmimi për mprehje ishte një pim për belin, për sëpatën, për sfurkun, për rregullimin e hostenëve.

22 Kështu ditën e betejës nuk shihje as shpatë, as shtizë në duart e tërë njeëzve që ishin me Saulin dhe me Jonathanin, ato i kishin vetëm Sauli dhe Jonathani, bir i tij.

23 Garnizoni i Filistejve doli pastaj dhe u drejtua nga qafa e Mikmashit.

14 Një ditë ndodhi që Jonathani, bir i Saulit, i tha shqyrtarit të tij të ri: "Eja, shkojmë drejt pozicioneve të Filistejve, që ndodhen në anën tjetër". Por nuk i tha asgjë të atit.

Sauli rrinte atëherë në skajin e Gibeahut nën shegën që është në Migron, dhe njerëzit që ishin me të arrinin në rreth gjashtë qind veta.

Ahijahu, bir i Ahitubit, vëllai i Ikabodit, birit të Finehasit, birit të Elit, prift i Zotit, në Shiloh kishte veshur efodin. Por populli nuk e dinte që Jonathani kishte ikur.

Ndërmjet kalimeve nëpër të cilat Jonathani kërkonte të arrinte në pozicionin e Filistejve, kishte një shkëmb që ngrihej nga një anë dhe një shkëmb që ngrihej nga ana tjetër; njëri quhej Botsets dhe tjetri Seneh.

Njeri nga shkëmbinjtë ngrihej në veri, përballë Mikmashit dhe tjetri në jug, përballë Gibeahut.

Jonathani i tha shqyrtarit të ri: "Eja, shkojmë drejt pozicioneve të këtyre të parrethprerëve; ndofta Zoti ka për të vepruar në favorin tonë, sepse asgjë nuk e pengon Zotin të sigurojë shpëtimin me shumë ose me pak njerëz".

Shqyrtari i tij iu përgjegj: "Bëj ç’ke për zemër; shko përpara; jam gati të shkoj me ty ku ta dëshirojë zemra jote".

Atëherë Jonathani tha: "Ja, ne do të shkojmë drejt atyre njerëzve dhe do t’i bëjmë që të na shohin.

Po të na thonë: "Ndaluni deri sa t’ju arrijmë," ne do të qëndrojmë në vend dhe nuk do të shkojmë tek ata;

10 por në rast se na thonë: "Ejani te ne," ne do të shkojmë, sepse Zoti i ka dhënë në duart tona; dhe kjo do të na shërbejë si shenjë".

11 Kështu të dy u panë nga garnizoni i Filistejve; dhe Filistejtë thanë: Ja Hebrenjtë që po dalin nga shpellat ku ishin fshehur!!".

12 Pastaj njerëzit e garnizonit iu kthyen Jonathanit dhe shqyrtarit të tij dhe thanë: "Ejani te ne se kemi diçka për t’ju thënë". Atëherë Jonathani i tha shqyrtarit të tij: "Eja pas meje, sepse Zoti i ka dhënë në duart e Izraelit".

13 Jonathani u ngjit duke u kacavarur me duar dhe me këmbë, i ndjekur nga shqyrtari i tij. Filistejtë binin përpara Jonathanit, dhe shqyrtari pas tij i vriste.

14 Kjo qe masakra e parë e kryer nga Jonathani dhe nga shqyrtari i tij; në të humbën jetën rreth njëzet veta, në një sipërfaqe prej rreth gjysmë jugeri tokë.

15 Tmerri u përhap në kamp, në fshatra dhe në gjithë popullin; edhe garnizoni dhe cubat u trembën gjithashtu; bile edhe toka u drodh dhe u shndërrua kështu në një llahtarë të Perëndisë.

16 Rojet e Saulit në Gibeah të Beniaminit vështruan dhe panë që turma po shpërndahej dhe po ikte sa andej këtej.

17 Atëherë Sauli u tha njerëzve që ishin me të: "Bëni apelin për të parë se kush ka ikur nga ne". U bë apeli, dhe ja, mungonin Jonathani dhe shqyrtari i tij.

18 Atëherë Sauli i tha Ahijaut: "Afroje arkën e Perëndisë!" (sepse në atë kohë arka e Perëndisë ishte me bijtë e Izraelit).

19 Ndërsa Sauli fliste me priftin, rrëmuja në kampin e Filistejve vazhdonte të shtohej; kështu Sauli i tha priftit: "Hiqe dorën tënde!".

20 Pastaj Sauli dhe tërë populli që ishte me të u mblodhën dhe lëvizën drejt vendit të betejës; dhe ja që shpata e secilit drejtohej kundër shokut të tij dhe rrëmuja ishte shumë e madhe.

21 Vetë Hebrenjtë, të cilët prej pak kohe gjendeshin me Filistejtë dhe ishin ngjitur bashkë me ta në kamp nga krahina përreth, u bashkuan me Izraelitët që ishin me Saulin dhe Jonathanin.

22 Po kështu tërë Izraelitët që ishin fshehur në zonën malore të Efraimit, kur mësuan që Filistejtë po ia mbathnin, filluan edhe ata t’i ndjekin duke marrë pjesë në betejë.

23 Kështu atë ditë Zoti e shpëtoi Izraelin dhe beteja u shtri deri në Beth-Aven.

24 Por atë ditë njerëzit e Izraelit ishin të rraskapitur, sepse Sauli e kishte vënë popullin të betohej: "I mallkuar qoftë ai që do të prekë ushqim para mbrëmjes, para se të hakmerrem me armiqtë e mi". Kështu që asnjeri nga populli nuk preku ushqim me dorë.

25 Tërë populli hyri në një pyll, ku kishte mjaltë për tokë.

26 Me të hyrë populli në pyll, ai pa mjaltin që kullonte; por askush nuk e çoi dorën në gojë, sepse populli kishte frikë nga betimi që kishte bërë.

27 Por Jonathani nuk e kishte dëgjuar atin e tij kur ai e kishte vënë popullin të betohej; prandaj zgjati majën e bastunit që kishte në dorë, e ngjeu në hojet e mjaltit dhe e çoi në gojë; kështu shikimi i tij u bë më i qartë.

28 Njeri nga populli mori fjalën dhe tha: "Ati yt e ka vënë enkas popullin ta bëjë këtë betim, duke thënë: "Mallkuar qoftë ai njeri që do të prekë ushqim sot," megjithëse populli ishte i rraskapitur".

29 Atëherë Jonathani tha: "Ati im i solli dëm vendit; unë shijova pak nga ky mjaltë dhe shikimi im u bë më i qartë.

30 Sa më mirë do të kishte qenë sikur populli të kishte ngrënë sot lirisht plaçkën që gjeti te armiqtë! A nuk do të kishte pasur një masakër më të madhe të Filistejve?".

31 Po atë ditë ata i mundën Filistejtë nga Mikmashi deri në Aijalon, por populli ishte tepër i lodhur.

32 Kështu populli u hodh mbi plaçkën, rrëmbeu dele, lopë dhe viça dhe i theri për tokë; dhe populli i hëngri me gjithë gjakun e tyre.

33 Këtë ia treguan Saulit dhe i thanë: "Ja, populli po mëkaton kundër Zotit duke ngrënë mish me gjithë gjakun". Ai tha: "Ju keni kryer një shkelje; rrukullisni menjëherë një gur të madh pranë meje".

34 Pastaj Sauli urdhëroi: "Shpërndahuni midis popullit dhe i thoni: Secili të sjellë këtu tek unë lopën dhe delen e tij; i therrni këtu dhee pastaj i hani, por mos mëkatoni ndaj Zotit, duke ngrënë mish me gjithë gjakun e tij!". Kështu gjithkush nga populli solli me vete lopën e tij dhe e theri në atë vend.

35 Sauli ndërtoi pastaj një altar kushtuar Zotit; ky ishte altar i parë që ai i ndërtoi Zotit.

36 Pastaj Sauli tha: "Të zbresim natën për të ndjekur Filistejtë dhe t’i zhveshim deri në dritën e mëngjesit; dhe të mos lëmë asnjë prej tyre të gjallë". Populli u përgjegj: "Vepro si të të duket më mirë. Atëherë prifti tha: "T’i afrohemi Perëndisë këtu".

37 Kështu Sauli e pyeti Perëndinë: "A duhet të zbres për të ndjekur Filistejtë? A do t’i lësh në duart e Izraelit?". Por Perëndia nuk dha asnjë përgjigje.

38 Atëherë Sauli tha: "Afrohuni këtu, ju gjithë krerë të popullit, pranoni dhe shikoni mëkatin e kryer sot,

39 sepse, ashtu siç është e vërtetë që Zoti, shpëtimtari i Izraelit, jeton edhe sikur të gjendej te Jonathani, biri im, ai duhet të vdesë". Por asnjeri nga tërë populli nuk iu përgjegj atij.

40 Atëherë ai i tha gjithë Izraelit: "Ju qëndroni në një anë, dhe unë dhe biri im Jonathan do të qëndrojmë nga ana tjetër". Populli iu përgjegj Saulit: "Bëj atë që të duket më mirë".

41 Prandaj Sauli i tha Zotit: "O Perëndi i Izraelit, na jep përgjigjen e drejtë". Kështu u caktuan Jonathani dhe Sauli dhe populli jo.

42 Pastaj Sauli tha: "Hidhni short midis meje dhe Jonathanit, birit tim". Kështu u caktua Jonathani.

43 Atëherë Sauli i tha Jonathanit: "Më trego ç’ke bërë". Jonathani i tha: Kam provuar pak mjaltë me majën e bastunit që kisha në dorë; ja, ku jam,, kam për të vdekur!".

44 Sauli tha: "Perëndia e bëftë këtë dhe bile më keq, sepse ti ke për të vdekur me siguri, o Jonathan!".

45 Po populli i tha Saulit: "A duhet të vdesë Jonathani që ka sjellë këtë çlirim të madh në Izrael? Mos ndodhtë kurrë! Ashtu siç është e vërtetë që Zoti jeton, nuk ka për të rënë në tokë as edhe një fije floku nga koka e tij, sepse sot ai ka vepruar bashkë me Perëndinë"! Kështu populli e shpëtoi Jonathanin dhe ai nuk vdiq.

46 Pastaj Sauli u kthye nga ndjekja e Filistejve dhe Filistejtë u kthyen në vendin e tyre.

47 Kështu Sauli e forcoi mbretërinë e Izraelit dhe luftoi kundër gjithë armiqve që ndodheshin rreth e qark: Moabit, bijve të Amonit, Edomit, mbretërve të Tsobahut dhe Filistejve; ai korrte fitore nga çdo anë që të kthehej.

48 Kreu vepra trimërie, mundi Amalekitët dhe çliroi nga duart e atyre që e plaçkitnin.

49 Bijtë e Saulit ishin Jonathani, Jishuji dhe Malkishuahu; dy bijat e tij quheshin Merab, më e madhja, dhe Mikal më e vogla.

50 E shoqja e Saulit quhej Ahinoam, ishe bija e Ahimaazit; emri i komandantit të ushtrisë së tij ishte Abner, bir i Nrerit, ungji i Saulit.

51 Kishi, ati i Saulit, dhe Neri, ati i Abnerit, ishin bijtë e Abielit.

52 Gjatë gjithë jetës së Saulit pati një luftë të pamëshirshme kundër Filistejve; çdo njeri të fortë dhe çdo të ri trim që Sauli shikonte, i merrte me vete.

Luka 10:1-24Albanian Bible (ALB)

10 Pastaj Zoti caktoi shtatëdhjetë të tjerë dhe i nisi dy nga dy përpara tij, në çdo qytet dhe vend, ku ai do të shkonte.

Dhe u thoshte atyre: “E korra është e madhe, kurse punëtorë janë pak; lutni Zotin e të korrës që të çojë punëtorë në të korrën e vet.

Shkoni; ja, unë ju dërgoj si qengja në mes të ujqërve.

Mos merrni me vete as çanta, as trasta, as sandale dhe mos përshëndetni asnjeri rrugës.

Dhe në cilëndo shtëpi ku të hyni, më përpara thoni: "Paqe në këtë shtëpi".

Dhe nëse është aty një bir i paqes, paqja juaj do të zbresë mbi të; nëse jo, do të kthehet tek ju.

Rrini, pra, në të njëjtën shtëpi, hani dhe pini atë që do t’ju japin, sepse punëtori meriton shpërblimin e vet. Mos kaloni nga një shtëpi në një tjetër.

Dhe në çdo qytet ku të hyni, nëse ju pranojnë, hani çfarë t’ju vënë përpara.

Dhe shëroni të sëmurit që do të jenë në të dhe u thoni atyre: "Mbretëria e Perëndisë ju është afruar".

10 Por në çdo qytet ku të hyni, nëse nuk ju pranojnë, dilni në rrugët e tij dhe thoni:

11 "Ne po shkundim kundër jush edhe pluhurin e qytetit tuaj që na u ngjit; veç ta dini se mbretëria e Perëndisë ju është afruar".

12 Unë ju them se atë ditë Sodoma do ta ketë më të lehtë sesa ai qytet.

13 Mjerë ti, Korazin! Mjerë ti, Betsaida! Sepse, po të ishin bërë në Tiro dhe në Sidon mrekullitë që u bënë te ju, ata prej kohësh do të kishin bërë pendesë duke u veshur me thasë dhe duke u ulur në hi.

14 Prandaj ditën e gjyqit Tiro dhe Sidoni do ta kenë më lehtë se ju.

15 Dhe ti, Kapernaum, që të kanë ngritur deri në qiell, do të poshtërohesh deri në ferr.

16 Kush ju dëgjon, më dëgjon mua; kush ju përbuz, më përbuz mua; dhe kush më përbuz, përbuz atë që më ka dërguar.”

17 Dhe të shtatëdhjetët u kthyen me gëzim dhe thanë: “Zot, edhe demonët na nënshtrohen në emrin tënd.”

18 Dhe ai u tha atyre: “Unë e shikoja Satanin që po binte nga qielli si një rrufe.

19 Ja, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj dhe akrepa, dhe mbi çdo pushtet të armikut; dhe asgjë nuk do të mund t’ju dëmtojë.

20 Megjithatë mos u gëzoni për faktin se po ju nënshtrohen frymërat, por gëzohuni më shumë se emrat tuaj janë shkruar në qiej.”

21 Në të njëjtën orë Jezusi ngazëlloi në frym dhe tha: “Unë të lavdëroj, o Atë, Zot i qiellit dhe i tokës, sepse ua fshehe këto të urtëve dhe të zgjuarve dhe ua zbulove fëmijëve të vegjël. Po, o Atë, sepse kështu ty të pëlqeu.

22 Gjithçka më është dhënë në dorë nga Ati im; dhe askush nuk e di kush është Biri, përveç Atit, dhe kush është Ati, përveç Birit, dhe atij që Biri do t’ia zbulojë.”

23 Pastaj, si u kthye nga dishepujt, u tha atyre veçmas: “Lum sytë që shohin ato që shihni ju,

24 sepse ju them se shumë profetë dhe mbretër dëshiruan të shohin ato që ju shihni, por nuk i panë, dhe të dëgjojnë ato që ju po dëgjoni, por nuk i dëgjuan.”

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes