A A A A A
Bible Book List

1 i Mbretërve 21-22 Albanian Bible (ALB)

21 Mbas këtyre ngjarjeve, ndodhi që Nabothi i Jezreelit kishte një vresht në Jezreel, afër pallatit të Ashabit, mbretit të Samarisë.

Kështu Ashabi i foli Nabothit dhe i tha: "Më jep vreshtin që ta bëj kopsht perimesh, sepse ndodhet afër shtëpisë sime. Në këmbim do të jap një vresht më të mirë ose, po të të pëlqejë më tepër, barasvlerën në të holla".

Por Nabothi iu përgjigj Ashabit: "Të më ruajë Zoti të të lë trashëgiminë e etërve të mi!".

Prandaj Ashabi u kthye në shtëpi i trishtuar dhe i zemëruar për përgjigjen që Nabothi i Jezreelit i kishte dhënë: "Nuk do të jap trashëgiminë e etërve të mi!". Ra mbi shtratin e tij, ktheu kokën mënjanë dhe nuk deshi të hante.

Atëherë Jezebeli, bashkëshortja e tij, iu afrua dhe i tha: "Pse e ke frymën kaq të trishtuar dhe nuk ha?".

Ai iu përgjigj: "Sepse fola me Nabothin e Jezreelit dhe i thashë: "Më jep me para vreshtin tënd ose, po të të pëlqejë më shumë, të të jap një vresht tjetër si këmbim". Por ai m’u përgjigj: "Nuk do të të jap vreshtin tim!"".

Atëherë gruaja e tij Jezebel i tha: "A nuk je ti që mbretëron tani mbi Izrael? Çohu, ha dhe zemra jote të gëzohet; vreshtin e Nabothit në Jezreel do të ta jap unë".

Kështu ajo shkroi disa letra në emër të Ashabit, i vulosi me vulën e këtij dhe ua dërgoi pleqve dhe parisë që banonin në po atë qytet me Nabothin.

Në letrat ajo shkruante kështu: "Shpallni agjërimin dhe e ulni Nabothin në rreshtin e parë përpara popullit;

10 i vini përballë dy njerëez të poshtër që të deponojnë kundër tij, duke thënë: "Ti ke blasfemuar Perëndinë dhe mbretin"; pastaj çojeni jashtë, goditeni me gurë dhe kështu të vdesë".

11 Njerëzit e qytetit të Nabothit, pleqtë dhe paria që banonin në qytetin e tij vepruan ashtu si Jezebeli kishte dërguar t’u thoshte, siç ishte shkruar në letrat që u kishte drejtuar.

12 Shpallën agjerimin dhe e ulën Nabothin përpara popullit.

13 Pastaj erdhën dy njerëz të poshtër që u ulën përballë tij; dhe këta dy të poshtër deponuan kundër Nabothit përpara popullit, duke thënë: "Nabothi ka mallkuar Perëndinë dhe mbretin". Pastaj e çuan jashtë qytetit dhe e vranë me gurë; kështu ai vdiq.

14 Pas kësaj i çuan fjalë Jezebelit: "Nabothi u vra me gurë dhe vdiq".

15 Kur Jezebeli mësoi që Nabothi ishte vrarë me gurë dhe kishte vdekur, i tha Ashabit: "Çohu dhe shtjere në dorë vreshtin e Nabothit në Jezreel, që ai nuk pranoi të të japë me para, sepse Nabothi nuk jeton më, por ka vdekur".

16 Me të dëgjuar Ashabi që Nabothi kishte vdekur, u ngrit dhe u nis për të shtënë në dorë vreshtin e Nabothit në Jezreel.

17 Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Elias, Tishbitit, me këto fjalë, duke i thënë:

18 "Çohu dhe dil para Ashabit, mbretit të Izraelit, që banon në Samari; Ja, ai është në vreshtin e Nabothit, ku ka shkuar për ta shtënë në dorë.

19 Do t’i flasësh kështu: Kështu thotë Zoti: "Në fillim vrave një njeri dhe pastaj i rrëmbeve pronën". Pastaj t’i thuash: Kështu thotë Zoti: "Po në atë vend ku qentë kanë lëpirë gjakun e Nabothit, ata kanë për të lëpirë edhe gjakun tënd"".

20 Ashabi i tha Elias: "Më gjete pra, o armiku im?". Elia u përgjigj: "Po, të gjeta, sepse je shitur për të bërë atë që është e keqe në sytë e Zotit.

21 Ja, unë do të sjell mbi ty fatkeqësinë, do t’i zhduk tërë pasardhësit e tu dhe do të shfaros nga shtëpia e Ashabit çdo mashkull, skllav apo i lirë në Izrael.

22 Do ta bëj shtëpinë tënde si shtëpinë e Jeroboamit, birit të Nabatit, dhe si shtëpinë e Baashas, birit të Ahijahut, sepse ti ke nxitur zemërimin tim dhe e ke bërë Izraelin të mëkatojë.

23 Edhe për sa i përket Jezebelit, Zoti flet dhe thotë: "Qentë do ta hanë Jezebelin poshtë mureve të Jezreelit".

24 Ata të Ashabit që do të vdesin në qytet do t’i hanë qentë, ata që do të vdesin përkundrazi në ara do t’i hanë shpendët e qiellit".

25 Në të vërtetë nuk pati kurrë ndonjë njeri që u shit për të bërë atë që është e keqe në sytë e Zotit si Ashabi, sepse ishte i shtyrë nga gruaja e tij Jezebeli.

26 Ai u suall në mënyrë të neveritshme duke u dhënë pas idhujve, ashtu si kishin bërë Amorejtë që Zoti i kishte dëbuar përpara bijve të Izraelit.

27 Kur Ashabi dëgjoi këto fjalë, grisi rrobat e tij, e mbuloi trupin me një thes dhe agjeroi; binte në shtrat i mbështjellë me thesin dhe ecte si i përvuajtur.

28 Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Elias, Tishbitit, duke i thënë:

29 "A e pe si u poshtërua Ashabi para meje? Duke qenë se u poshtërua para meje, unë nuk do ta godas me fatkeqësinë sa është i gjallë, por do të dërgoj fatkeqësinë mbi shtëpinë e tij gjatë jetës së birit të tij".

22 Kaluan tre vjet pa luftë midis Sirisë dhe Izraelit.

Por në vitin e tretë Jozafati, mbreti i Judës, zbriti të takohet me mbretin e Izraelit.

Mbreti i Izraelit u kishte thënë shërbëtorëve të tij: "Ju nuk e dini që Ramothi i Galaadit është yni dhe ne po rrimë të qetë pa e rimarrë nga duart e mbretit të Sirisë?".

Pastaj i tha Jozafatit: "A nuk do të vije të luftoje me mua në Ramoth të Galaadit?". Jozafati iu përgjigj mbretit të Izraelit me këto fjalë: "Ki besim tek unë ashtu si te vetja jote, te njerëzit e mi si te njerëzit e tu, mbi kuajt e mi ashtu si ke besim te kuajt e tu".

Jozafati i tha gjithashtu mbretit të Izraelit: "Të lutem këshillohu po sot me Zotin".

Atëherë mbreti i Izraelit thirri profetët që ishin rreth katërqind, dhe iu tha: "A duhet të shkoj të luftoj kundër Ramothit të Galaadit, apo të heq dorë nga kjo?". Ata iu përgjigjën: "Shko, sepse Perëndia do ta japë në duart e mbretit".

Por Jozafati tha: "A nuk ka këtu ndonjë profet tjetër të Zotit, me të cilin mund të këshillohemi?".

Mbreti i Izraelit iu përgjigj Jozafatit: "Ka akoma një njeri, Mikajahu, bir i Imlahut, me anë të të cilit mund të këshillohesh me Zotin; por unë e urrej sepse nuk profetizon kurrë asgjë të mirë lidhur me mua, por vetëm të keqen". Jozafati u përgjigj: "Mbreti nuk duhet të flasë kështu!".

Atëherë mbreti i Izraelit thirri një eunuk dhe i tha: "Sill menjëherë Mikajahun, birin e Imlahut".

10 Mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbret i Judës, ishin ulur secili në fronin e tij, të veshur me rrobat e tyre mbretërore, në lëmin që ndodhet në hyrje të portës së Samarisë; dhe tërë profetët profetizonin para tyre.

11 Sedekia, bir i Kenaanahut, që i kishte bërë vetes brirë prej hekuri, tha: "Kështu thotë Zoti: "Me këta brirë do të shposh tejpërtej Sirët deri sa t’i shkatërrosh plotësisht"".

12 Tërë profetët bënin profeci të njollojtë dhe thonin: "Shko kundër Ramothit të Galaadit dhe do t’ia dalësh, sepse Zoti do ta japë në duart e mbretit".

13 Lajmëtari që kishte shkuar të thërriste Mikajahun i foli kështu dhe tha: "Ja, fjalët e profetëve përputhen duke shpallur gjëra të mira për mbretin; të lutem, fjala jote të jetë si ajo e secilit prej tyre, dhe shpall edhe ti gjëra të mira".

14 Por Mikajahu u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, unë do them ato që do të më thotë Zoti".

15 Si ariti para mbretit, mbreti i tha: "Mikajah, a duhet të shkojmë të luftojmë kundër Ramothit të Galaadit, apo duhet të heqim dorë?". Ai u përgjigj: "Shko, ti do t’ia dalësh, sepse Zoti do ta japë në duart e mbretit".

16 Atëherë mbreti i tha: "Sa herë jam përgjëruar të më thuash vetëm të vërtetën në emër të Zotit?".

17 Mikajahu u përgjigj: "Pashë tërë Izraelin të shpërndarë nëpër male, sikur të ishin dhen pa bari; dhe Zoti ka thënë: "Ata nuk kanë më zot; secili të kthehet në paqe në shtëpinë e vet"".

18 Mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: "A nuk të kisha thënë unë që në lidhje me mua, ai nuk do të profetizonte asgjë të mirë, por vetëm të keqe?".

19 Atëherë Mikajahu tha: "Prandaj dëgjo fjalën e Zoti. Unë e kam parë Zotin të ulur mbi fronin e tij, ndërsa tërë ushtria e qiellit i rrinte përqark në të djathtë dhe në të majtë.

20 Zoti tha: "Kush do t’ia prishë mendjen Ashabit që të dalë dhe të vritet në Ramoth të Galaadit?". Tani dikush përgjigjet në një mënyrë dhe dikush në një tjetër.

21 Atëherë doli një frymë, që u paraqit përpara Zotit dhe tha: "Do t’ia prish mendjen unë".

22 Zoti i tha: "Në çfarë mënyre?". Ai u përgjigj: "Do të dal dhe do të jem fryma e gënjeshtrës në gojën e tërë profetëve të tij". Zoit i tha: "Do t’ia dalësh me siguri ta mashtrosh; dil dhe vepro ashtu".

23 Prandaj Zoti ka vënë një frymë gënjeshtre në gojën e të gjithë profetëve të tu; por Zoti parashikon fatkeqësira kundër teje".

24 Atëherë Sedekia, bir i Kenaanahut, u afrua dhe i ra me një shpullë Mikajahut, duke i thënë: "Nga kaloi Fryma e Zotit kur doli nga unë për të folur me ty?".

25 Mikajahu u përgjigj: "Do ta shohësh ditën që do të shkosh, në një dhomë të brendshme për t’u fshehur".

26 Atëherë mbreti i Izraelit tha: "Merre Mikajahun dhe çoje tek Amoni, guvernatori i qytetit dhe tek Joasi, bir i mbretit, dhe u thuaj atyre:

27 Kështu thotë mbreti: "Futeni këtë në burg dhe ushqeheni me bukë dhe me ujë hidhërimi, deri sa të kthehem shëndoshë e mirë".

28 Atëherë Mikajahu tha: "Në rasat se ti kthehesh shëndoshë e mirë, kjo do të thotë se Zoti nuk ka folur nëpërmjet meje". Dhe shtoi: "Dëgjoni, o popuj të tërë!".

29 Mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbret i Judës, dolën, pra, kundër Ramothit të Galaadit.

30 Mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: "Unë do të ndërroj petkat që të mos njihem dhe pastaj do të shkoj të luftoj; por ti vish rrobat e tua mbretërore". Kështu mbreti i Izraelit u vesh me rroba të tjera dhe shkoi të luftojë.

31 Mbreti i Sirisë u kishte dhënë këtë urdhër tridhjetë e dy kapitenëve të qerreve të tij, duke thënë: "Mos luftoni kundër askujt, i madh apo i vogël qoftë; por vetëm kundër mbretit të Izraelit".

32 Kështu, kur kapitenët e qerreve panë Jozafatin, ata thanë: "Ky është me siguri mbreti i Izraelit". Dhe u kthyen nga ai për ta sulmuar; por Jozafati lëshoi një ulërimë.

33 Kur kapitenët e qerreve e kuptuan që nuk ishte mbreti i Izraelit, hoqën dorë nga ndjekja.

34 Por një njeri lëshoi rastësisht shigjetë me harkun e tij dhe goditi mbretin e Izraelit midis sythave të parzmores të tij; prandaj mbreti i tha karrocierit: "Kthehu dhe më ço jashtë rrëmujës, sepse jam i plagosur".

35 Por beteja qe aq e ashpër atë ditë, sa që mbreti u detyrua të qëndrojë në qerren e tij përpara Sirëve, dhe vdiq aty nga mbrëmja; gjaku i plagës kishte rjedhur në fund të qerres.

36 Kur po ngrysej, një ulërimë përshkoi radhët e ushtrisë: "Secili të kthehet në qytetin e vet, secili në fshatin e tij!".

37 Kështu mbreti vdiq dhe u çua në Samari; pastaj u bë varrimi i mbretit në Samari.

38 Pas kësaj lanë qerren dhe armët në një hauz të Samarisëç dhe qentë lëpinë gjakun e tij, sipas fjalës që kishte thënë Zoti.

39 Pjesa tjetër e bëmave të Ashabit, të gjitha ato që ai bëri, shtëpia e fildishtë që ndërtoi dhe tërë qytetet që ngriti a nuk janë të shkruara vallë në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?

40 Kështu Ashabin e zuri gjumi me etërit e tij. Në vend të tij mbretëroi Ashaziahu, i biri.

41 Jozafati, bir i Asas, filloi të mbretërojë mbi Judën vitin e katërt të Ashabit, mbret i Izraelit.

42 Jozafati ishte tridhjetë e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi njëzet e pesë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Azubah dhe ishte bijë e Shilhit.

43 Ai ndoqi tërë rrugët e Asas, atit të tij, dhe nuk u largua prej tyre, duke bërë atë që është e drejtë në sytë e Zotit. Megjithatë vendet e larta nuk u hoqën; kështu populli vazhdonte të ofronte flijime dhe të digjte temjan në vendet e larta.

44 Dhe Jozafati jetonte në paqe me mbretin e Izraelit.

45 Pjesa tjetër e bëmave të Jozafatit, trimëritë e tij dhe luftrat e tij a nuk janë vallë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?

46 Ai zhduku nga vendi mbeturinat e atyre që merreshin me kurvëri dhe, që kishin mbetur nga koha e Asas, atit të tij.

47 Në atë kohë nuk kishte asnjë mbret në Edom, por vetëm një përfaqësues i mbretit.

48 Jozafati bëri që të ndërtohen anije në Tarshish për të vajtur në Ofir, që të kërkohej ar, por anijet nuk arritën kurrë të dalin në det, sepse u shkatërruan në Etsion-Geber.

49 Atëherë Ashaziahu, bir i Ashabit, i tha Jozafatit: "Lejo që shërbëtorët e mi të hipin mbi anijet bashkë me shërbëtorët e tu". Por Jozafati nuk pranoi.

50 Jozafatin e zuri gjumi bashkë me etërit e tij dhe u varros bashkë me ta në qytetin e Davidit, atit të tij. Në vend të tij mbretëroi i biri Jehoram.

51 Ashaziahu, bir i Ashabit, filloi të mbretërojë mbi Izraelin në Samari vitin e shtatëmbëdhjetë të Jozafatit, mbretit të Judës, dhe mbretëroi dy vjet mbi Izraelin.

52 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit dhe ndoqi rrugën e atit të tij, të nënës së tij dhe atë të Jeroboamit, birit të Nebathit, që e kishte bërë Izraelin të kryente mëkate.

53 U vu në shërbim të Baalit dhe ra përmbys përpara tij, duke shkaktuar zemërimin e Zotit, Perëndisë të Izraelit, pikërisht ashtu si kishte vepruar i ati.

Luka 23:26-56 Albanian Bible (ALB)

26 Ndërsa po e çonin, kapën njëfarë Simoni nga Kirena, që po kthehej nga fusha, e ngarkuan me kryqin që ta mbarte pas Jezusit.

27 Dhe e ndiqte një turmë e madhe populli dhe disa gra që hidhëroheshin dhe vajtonin për të.

28 Por Jezusi u kthye nga ato dhe u tha: “O bija të Jeruzalemit, mos qani për mua, por qani për veten tuaj dhe për fëmijët tuaj.

29 Sepse ja, do të vijnë ditët kur do të thuhet: "Lum gratë shterpe dhe lum barqet që nuk kanë pjellë dhe gjinjtë që nuk kanë mëndur!".

30 Atëherë do të fillojnë t’u thonë maleve: "Bini përmbi ne!," dhe kodrave: "Na mbuloni!".

31 Sepse, në se bëhet kështu me drurin e njomë, ç’do të bëhet me të thatin?".

32 Dhe dy të tjerë, që ishin keqbërës, i prunë bashkë me të, për t’i vrarë.

33 Dhe kur arritën në vendin që quhet “Kafka,” aty e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin në të djathtë dhe tjetri në të majtë.

34 Dhe Jezusi tha: “O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë.” Pastaj, pasi i ndanë rrobat e tij, hodhën short.

35 Dhe populli rrinte aty për të parë; dhe kryetarët me popullin e përqeshnin, duke thënë: “Ai i shpëtoi të tjerët, le të shpëtojë veten, po qe se me të vërtetë është Krishti, i zgjedhuri i Perëndisë.”

36 Edhe ushtarët e tallnin, duke iu afruar dhe duke i ofruar uthull,

37 dhe duke thënë: “Nëse ti je mbreti i Judenjve, shpëto veten.”

38 Përveç kësaj përmbi kryet e tij ishte një mbishkrim me shkronja greke, latine dhe hebraike: "KY ÉSHTÉ MBRETI I JUDENJVE".

39 Tani një nga keqberësit e kryqëzuar e shau duke thënë: “Nëse ti je Krishti, shpëto vetveten dhe neve.”

40 Por ai tjetri duke e përgjigjur e qortoi duke i thënë: “A s’ke frikë nga Perëndia, që je nën të njëjtin dënim?

41 Në realitet, ne me të drejtë jemi dënuar, sepse po marrim ndëshkimin e merituar për ato që kemi kryer, ndërsa ky nuk ka bërë asnjë të keqe.”

42 Pastaj i tha Jezusit: “Zot, kujtohu për mua kur të vish në mbretërinë tënde.”

43 Atëherë Jezusi i tha: “Në të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë.”

44 Ishte afërsisht ora e gjashtë dhe errësira e mbuloi gjithë vendin deri në orën e nëntë.

45 Dielli u err dhe perdja e tempullit u nda në mes.

46 Dhe Jezusi bërtiti me zë të lartë dhe tha: “O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën tim!.” Dhe, si tha këto, dha fryma.

47 Atëherë centurioni, kur pa ç’ndodhi, përlëvdoi Perëndinë duke thënë: “Me të vërtetë ky njeri ishte i drejtë!.”

48 Dhe gjithë turma, që ishte mbledhur për të parë ç’po ndodhte, kur e pa këtë, u kthye duke rrahur kraharorin.

49 Të gjithë të njohurit e tij dhe gratë që e kishin ndjekur që nga Galilea qendronin larg, duke parë këto gjëra.

50 Tani ishte një burrë me emër Jozef, që ishte anëtar i sinedrit, njeri i drejtë dhe i mirë;

51 ai nuk kishte miratuar vendimin dhe veprimin e të tjerëve. Ai ishte nga Arimatea, qytet i Judesë dhe priste edhe ai mbretërinë e Perëndisë.

52 Ai iu paraqit Pilatit dhe kërkoi trupin e Jezusit.

53 Dhe, pasi e zbriti poshtë nga kryqi, e mbështolli në një çarçaf dhe e vuri në një varr të gërmuar në shkëmb, ku ende nuk ishte varrosur asnjeri.

54 Ishte dita e Përgatitjes dhe e shtuna po fillonte.

55 Gratë që kishin ardhur me Jezusin nga Galilea duke e ndjekur nga afër, e panë varrin dhe mënyrën se si ishte vënë trupi i Jezusit;

56 pastaj ato u kthyen dhe përgatitën erëra të mira dhe vajra; dhe gjatë së shtunës pushuan, sipas urdhërimit.

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes