Add parallel Print Page Options

Por në ato ditë, duke u shumuar numri i dishepujve, lindi një murmuritje nga ana e Helenistëve kundër Hebrenjve, sepse vejushat e tyre po liheshin pas dore në shërbimin e përditshëm.

Atëherë të dymbëdhjetët, pasi mblodhën numrin e madh të dishepujve, thanë: “Nuk është mirë që ne të lëmë fjalën e Perëndisë për të shërbyer nëpër tryeza.

Prandaj, vëllezër, kërkoni midis jush shtatë burra, me dëshmi të mirë, të mbushur me Frymën e Shenjtë dhe me urtësi, të cilëve do t’ua besojmë këtë detyrë.

Kurse ne do të vazhdojmë t’i kushtohemi lutjes dhe shërbesës së fjalës.”

Ky propozim u pëlqeu gjithë dishepujve. Dhe zgjodhën Stefanin, njeri plot besim dhe Frymë të Shenjtë, Filipin, Prohorin, Nikanorin, Timonin, Parmenin dhe Nikollën, një prozelit nga Antiokia.

I paraqitën pastaj përpara apostujve, të cilët, mbasi u lutën, vunë duart mbi ta.

Ndërkaq fjala e Perëndisë po përhapej, dhe numri i dishepujve po shumohej fort në Jeruzalem, edhe një numër i madh priftërinjsh i bindej besimit.

Dhe Stefani, plot besim dhe fuqi, bënte mrekulli dhe shenja të mëdha nëpër popull.

Dhe disa nga sinagoga, që quhej e Libertinëve, të Kirenarëve, të Aleksandrinëve dhe të atyre të Kilikisë dhe të Azisë u ngritën që të grindeshin me Stefanin;

10 por nuk mund t’i bënin ballë urtësisë dhe frymës me anë të së cilës ai fliste.

11 Atëherë nxitën disa njerëz të thoshnin: “Ne e kemi dëgjuar duke folur fjalë blasfemie kundër Moisiut dhe kundër Perëndisë.”

12 Edhe e ngacmuan popullin, pleqtë dhe skribët; dhe, iu sulën, e kapën dhe e çuan te sinedri.

13 Pastaj paraqitën dëshmitarë të rremë që thoshnin: “Ky njeri nuk pushon së foluri fjalë blasfemie kundër këtij vendi të shenjtë dhe kundër ligjit.

14 E kemi dëgjuar, në fakt, duke thënë se ky Jezusi, Nazareasi, do ta rrënojë këtë vend dhe do të ndryshojë ritet që na ka dhënë Moisiu.”

15 Dhe të gjithë ata që rrinin në sinedër i ngulën sytë në të, dhe panë fytyrën e tij posi fytyra e një engjëlli.