A A A A A
Bible Book List

Psalmet 102Albanian Bible (ALB)

102 O Zot, dëgjo lutjen time dhe britma ime arriftë tek ty.

Mos ma fshih fytyrën tënde ditën e fatkeqësisë sime. Zgjate ndaj meje veshin tënd; kur unë të kërkoj, nxito të më përgjigjesh.

Sepse ditët e mia davariten si tymi dhe kockat e mia digjen si urë zjarri.

Zemra ime është goditur dhe thahet si bari, dhe unë harroj madje të ha ushqim.

Duke vajtuar vazhdimisht, lëkura ime po u ngjitet kockave të mia.

I ngjaj pelikanit të shketëtirës dhe jam bërë si bufi i vendeve të shkretuara.

Jam pa gjumë dhe si harabeli i vetmuar mbi çati.

Armiqtë e mi tallen me mua tërë ditën; ata që më përqeshin flasin kundër meje.

Sepse e ha hirin si buka dhe përzjej lotët me atë që pi.

10 Po, për shkak të indinjatës sate dhe të zemërimit tënd, më ngrite dhe më hodhe larg.

11 Ditët e mia janë si hija që zgjatet, dhe unë po thahem si bari.

12 Por ti, o Zot, mbetesh përjetë, dhe kujtimi yt zgjat brez pas brezi.

13 Ti do të ngrihesh dhe do të të vijë keq për Sionin, sepse erdhi koha të tregosh dhembshuri ndaj tij; dhe koha e caktuar erdhi.

14 Sepse shërbëtorët e tu i duan edhe gurët e tij dhe u vjen keq për pluhurin e tij.

15 Po, kombet do të kenë frikë nga emri i Zotit dhe gjithë mbretërit e dheut nga lavdia jote,

16 kur Zoti do të rindërtojë Sionin dhe do të duket në lavdinë e tij.

17 Ai do të dëgjojë lutjen e njerëzve të braktisur dhe nuk do ta përbuzë lutjen e tyre.

18 Kjo do të shkruhet për brezin e ardhshmëm, dhe populli që do të krijohet do të lëvdojë Zotin,

19 sepse ai shikon nga lartësia e shenjtërores së tij; nga qielli Zoti këqyr dheun,

20 për të dëgjuar vajtimin e robërve, për të çliruar të dënuarit me vdekje;

21 me qëllim që në Sion të shpallin emrin e Zotit dhe në Jeruzalem lavdinë e tij,

22 kur popujt dhe mbretëritë do të mblidhen bashkë për t’i shërbyer Zotit.

23 Rrugës ai ka pakësuar fuqinë time dhe ka shkurtuar ditët e mia.

24 Kam thënë: "O Perëndia im, mos më merr në mes të ditëve të mia. Vitet e tua zgjasin brez pas brezi.

25 Së lashti ti ke vendosur tokën dhe qiejtë janë vepër e duarve të tua;

26 ata do të zhduken, por ti do të mbetesh; do të konsumohen të gjithë si një rrobe; ti do t’i ndërrosh si një rrobe dhe ata do të ndryshohen.

27 Por ti je gjithnjë po ai dhe vitet e tua nuk do të kenë kurrë fund.

28 Bijtë e shërbëtorëve të tu do të kenë një vendbanim dhe pasardhësit e tyre do të jenë të qëndrueshëm para teje".

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes