A A A A A
Bible Book List

Luka 4Albanian Bible (ALB)

Dhe Jezusi, plot me Frymën e Shenjtë, u kthye nga Jordani dhe Fryma e çoi në shkretëtirë,

ku për dyzet ditë e tundoi djalli; gjatë atyre ditëve ai nuk hëngri asgjë, por kur ato kaluan, e mori uria.

Dhe djalli i tha: “Nëse je Biri i Perëndisë, i thuaj këtij guri të bëhet bukë.”

Por Jezusi u përgjigj duke thënë: “Éshtë shkruar: "Njeriu nuk do të rrojë vetëm me bukë, por me çdo fjalë të Perëndisë".”

Pastaj djalli e çoi në një mal të lartë dhe, për një çast, i tregoi të gjitha mbretëritë e botës.

Dhe djalli i tha: “Unë do të të jap gjithë pushtetin e këtyre mbretërive dhe lavdinë e tyre, sepse m’u dha mua në dorë dhe unë ia jap kujt të dua.

Në qoftë se ti, pra, duke rënë përmbys, më adhuron, do të jetë krejt jotja.”

Por Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: “Largohu prej meje, Satana. Éshtë shkruar: "Adhuro Zotin, Përëndinë tënd dhe shërbeji vetëm atij".”

Pastaj e çoi në Jeruzalem, e vuri në majë të tempullit, në cep, dhe i tha: “Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu poshtë që këtej;

10 sepse është shkruar: "Ai do t’u urdhërojë engjëjve të vet rreth teje të të ruajnë.

11 Dhe ata do të të mbajnë mbi duart e tyre që këmba jote të mos ndeshë me asnjë gur".”

12 Dhe Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Éshtë thënë: "Mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd".”

13 Dhe kur djalli i mbaroi të gjitha tundimet, u largua prej tij, për një farë kohe.

14 Dhe Jezusi, në fuqinë e Frymës, u kthye në Galile dhe fama e tij u përhap në mbarë krahinën përreth.

15 Dhe ai mësonte në sinagogat e tyre, i nderuar nga të gjithë.

16 Pastaj erdhi në Nazaret, ku ishte rritur, dhe si e kishte zakon ditën e shtunë, hyri në sinagogë dhe u ngrit për të lexuar.

17 I dhanë në dorë librin e profetit Isaia; e hapi dhe gjeti vendin ku ishte shkruar:

18 “Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për të ungjillizuar të varfërit; ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve, për të çliruar përsëri të shtypurit,

19 dhe për të predikuar vitin e pranueshëm të Zotit.”

20 Pastaj, si e mbylli librin dhe ia dha shërbyesit, u ul; dhe sytë e të gjithëve në sinagogë u drejtuan mbi të.

21 Atëherë ai nisi të thotë: “Sot ky Shkrim u përmbush në veshët tuaja.”

22 Dhe të gjithë jepnin dëshmi dhe mrekulloheshin për fjalët e hirit që dilnin nga goja e tij, dhe thoshnin: “Po ky, a nuk është biri i Jozefit?.”

23 Dhe ai u tha atyre: “Me siguri ju do të më përmendni fjalën e urtë: Mjek, shëro veten tëndee"; të gjitha ato që dëgjuam se u bënë në Kapernaum, bëji edhe këtu në atdheun tënd.”

24 Por ai tha: “Në të vërtetë po ju them se asnjë profet nuk mirëpritet në atdheun e vet.

25 Në të vërtetë po ju them se në kohën e Elias, kur qielli u mbyll për tre vjet e gjashtë muaj dhe u bë një uri e madhe në gjithë vendin, ishin shumë të veja në Izrael;

26 e megjithatë tek asnjëra nga ato nuk u dërgua Elia, përveç se te një grua e ve në Sareptë të Sidonit.

27 Dhe në kohën e profetit Elize kishte shumë lebrozë në Izrael; megjithatë asnjë prej tyre nuk u pastrua, përveç Naamanit Sirian.”

28 Kur i dëgjuan këto fjalë, të gjithë ata që ishin në sinagogë u zemëruan shumë.

29 Dhe u ngritën, e dëbuan nga qyteti dhe e çuan deri në buzë të majës së malit, mbi të cilin ishte ndërtuar qyteti i tyre, për ta hedhur poshtë.

30 Por ai, duke kaluar përmes tyre, u largua.

31 Pastaj zbriti në Kapernaum, qytet i Galilesë, dhe i mësonte njerëzit ditët e shtuna.

32 Dhe ata habiteshin nga mësimi i tij, sepse fjala e tij ishte me autoritet.

33 Në sinagogë ishte një njeri që ishte pushtuar me frymën e një demoni të ndyrë. Ai bërtiti me zë të lartë duke thënë:

34 “Ah, ç’ka mes nesh dhe teje, o Jezus Nazareas? A erdhe të na shkatërrosh? Unë e di se kush je ti: i Shenjti i Perëndisë!.”

35 Por Jezusi e qortoi duke thënë: “Hesht dhe dil prej tij!.” Dhe demoni, pasi e përplasi përpara tyre, doli prej tij pa i bërë asgjë të keqe.

36 Atëherë të gjithë i pushtoi habia dhe i thoshin njëri-tjetrit: “Ç’fjalë është kjo, vallë? Ai urdhëron me autoritet dhe pushtet frymërat e ndyra dhe ata dalin!.”

37 Dhe fama e tij përhapej në çdo vend të krahinës përreth.

38 Mbasi doli nga sinagoga, Jezusi hyri në shtëpinë e Simonit. Vjehrrën e Simonit e kishin zënë ethe të forta; dhe ata e lutën për të.

39 Ai u përkul mbi të, qortoi ethet dhe ato e lëshuan; dhe ajo u ngrit menjëherë dhe filloi t’u shërbejë.

40 Kur perëndoi dielli, të gjithë ata që kishin të sëmurë me sëmundje të ndryshme i prunë tek ai; dhe ai i shëroi duke vënë duart mbi secilin prej tyre.

41 Prej shumë vetëve dilnin demonë që bërtitnin dhe thoshnin: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë.” Por ai i qortonte dhe nuk i lejonte të flisnin, sepse ata e dinin se ai ishte Krishti.

42 Kur zbardhi drita ai doli dhe shkoi në një vend të pabanuar. Por turmat e kërkonin dhe e arritën; dhe e mbanin që të mos largohej prej tyre.

43 Por ai u tha atyre: “Më duhet ta shpall lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë edhe në qytete të tjera, sepse për këtë jam dërguar.”

44 Dhe ai predikonte nëpër sinagoga të Galilesë.

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes